Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Një libër brilant që e demaskon një ide të mbrapshtë

| E merkure, 24.12.2025, 04:54 PM |


Një libër brilant që e demaskon një ide të mbrapshtë

Nga Blerim Rrecaj

Lexova në ekranin e telefonit, librin e Xhevat Hasanit me titull: "S'ka dhe s'mund të ketë komb kosovar"  me nëntitullin (Kundër ideve komb-ndarëse të N. Spahiut).

Që nga titulli e nëntitulli i tij, ndjeva që bëhet fjalë për një libër që mbart me vete një temë që ka kohë që është bërë shqetësim serioz shoqëror e kombëtar tash e sa kohë, dhe përgjatë leximit të tij, pashë se bëhej fjalë për një libër mirë të strukturuar, mirë të argumentuar, nga faqja në faqe nga kapitulli në kapitull, të shkruar me gjuhë të qartë e të rrjedhshme, të saktë e shpjeguese, sa për të na kujtuar një shprehje të shkrimtarit Dritëro Agolli, që thotë se shumë gjëra që ju i lexoni me lehtësi janë shkruar me vështirësi.

Shprehja e shkrimtarit të njohur merr kuptim sidomos edhe për këtë libër kur tema që trajtohet, siç është kjo e ideve komb-ndarëse, komb-përçarëse, mes pjesëtarëve të të njejtit komb siç janë shqiptarët, ka kohë që na rri mbi kokat tona duka na shkaktuar huti e bezdi të panevojshme duke u munduar për të na shpërqëndruar energjinë nëpër ca tema që kanë si synim goditjen dëmtimin e kombit shqiptar kur, ku , si e me çfarë të munden. Kjo gjë  nga armiqtë e shovenistët është pritur e pritet, por e çuditshme kjo të ndodh edhe nga një grumbull shqiptarësh  që përpiqen të na cysin kundër njëri tjetrit, e vetë të ëndërrojnë feude e fonde, a të bëhen mbretër e baballarë që t'u shkojmë pas.

Të tillë janë disa shqiptarë të lëkundur, (Spahiu me ca shokë) që kanë dyshime për identitetin e historinë e tyre, që ndërrojnë fjalët orë e çast, qoftë nga mosdija, qoftë nga një egoizëm ekstrem, nga ndonjë narcisizëm i llojit të vet, dëshirën për bajraktarizëm a parcializëm, qoftë duke parë nga ndonjë kockë fondi e hedhur diku, nga diç tjetër,  apo të gjitha ngapak duke krijuar ca personazhe absurde, të përçudnuara pa dinjitet e identitet njerëzor e kombëtar.

Libri na shpjegon dukuritë që na përbashkojnë por edhe ato që na largojnë nga njëri tjetri e si përfaqësues që nuk e ka ndërmend ta lëshojë frontin ka mbetur personi me emrin Nexhmedin Spahiu. Një pyetje që na bije në mend është: Kah piku si prej qielli ideja e kombit kosovar, për çfarë arsye dhe pse këmbëngulet në të?! Ose kah po pikojnë idetë që të sulmohen vlerat më të larta të kombit siç janë gjuha, kultura, simbolet, personalitetet, dëshmorët, heronjtë, të vdekurit e të gjallët?!

Pastaj ne e dijmë se çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes por kjo liri mbart me vete edhe përgjegjësinë.

Pikërisht për këto përgjegjësi flitet në këtë libër të shkruar me përkushtim e dashuri.

Në faqet e këtij libri ne shohim përballjen e autorit të librit  Xhevat Hasani me Nexhmedin Spahiun, përfaqësuesin e "kombit kosovar".

Xhevat Hasani i çjerr maskën N. Spahiut i cili me zell të pashoq  shpif, gënjen, shtrembëron, mjegullon, trillon, stis, mashtron me libra, akte e dokumente, deklarata, me rilindasit e ndritur, me personalitete politike, kulturore shqiptare e botërore e çka jo tjetër se kinse ata janë referenca të fuqishme të tij në idenë e tij për jetësimin e përhershmërinë e "kombit kosovar".

Secili le ta ndjekë udhën e vet, e siç duket përfaqësuesi i "kombit kosovar", i cili kur me kaq entuziazëm i njeh flamujt nëpër manifestime të ndryshme se sa janë kombëtar e sa shtetëror, duke urryer flamurin kombëtar, dhe heq atë shtetëror të Republikës së Kosovës sapo takohet nëpër zyra me zyrtarët serbë, ka vendosur ta ndjekë rrugën e turpërimit të tij.

Në anën tjetër procesi i zgjerimit të lirisë kombëtare shqiptare është i pandalshëm siç ka qenë gjithmonë.

Në kohën e turbullimeve kaq të mëdha globale, rajonale, në kohën e krizave e problemeve të mëdha që kërkojnë zgjidhje, ky libër është ogur i mirë, i pasur me informacione për procesin e formimit dhe bashimit të kombeve, shembujve që duhen ndjekur, atyre që na përshtaten për të vazhduar rrugën drejt zhvillimit, përparimit e përbashkimit, dhe një libër që heq dilemat se shqiptarët janë një komb në mesin e kombeve të qytetëruara e që përpiqen ta zgjidhin çështjen e tyre kombëtare për të jetuar në paqe e liri me veten dhe të tjerët.