Mendime
Albert Zholi: Dr. Enriko Ceko - Paqja Fiskale ngre shumë më shumë pikëpyetje sesa jep zgjidhje reale dhe të vlefshme
E hene, 22.12.2025, 04:53 PM
Flet Dr. Enriko Ceko:
- Paqja Fiskale ngre
shumë më shumë pikëpyetje sesa jep zgjidhje reale dhe të vlefshme për
Shqipërinë dhe shqiptarët
- Një nismë shumë
problematike nga këndvështrimi ekonomik, ligjor, etik dhe moral.
- Një falje detyrimesh në
vlerë rreth 1.6 miliard eurosh pa publikuar listën e përfituesve, e minon
drejtpërdrejt dhe tërësisht besimin publik.
- Justifikimi me
"mbrojtjen e të dhënave personale" nuk qëndron sepse nuk flasim për
qytetarë të zakonshëm, por për interes publik madhor dhe për subjekte që kanë
detyrime ndaj shtetit.
- Në mungesë të filtrave
të fortë dhe kontrollit real mbi origjinën e fondeve, krijon hapësirë të madhe
që kapitalet informale ose të paligjshme të legalizohen përmes një mekanizmi shtetëror
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Qeveria i ka vënë vetes një
objektiv ambicioz: të "pajtohet" me biznesin. Dhe këtë pajtim kërkon
ta arrijë përmes një nisme të re që e ka quajtur Paqja Fiskale, në formën e një
lloj marrëveshjeje të madhe kombëtare ku, sipas narrativës zyrtare, bizneset do
të çlirohen nga ngarkesat e së kaluarës, duke nisur një kapitull të ri me
shtetin. Në teori, një ide paqtuese. Në praktikë, një burim i ri tensioni.
Përtej emrit të butë, nisma ka
ndezur një debat të fortë, fillimisht nga institucionet ndërkombëtare, si
FMN-ja, e cila paralajmëroi qartë rreziqet për sistemin fiskal dhe për kulturën
e respektimit të ligjit. Për këtë problem kaq të shumë diskutuar ekskluzivisht
për Telegraf ju drejtuam Dr, Enriko
Ceko , një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri...
Z. Enriko! Nisma e qeverisë
për të ashtuquajturën "paqe fiskale", e cila parashikon faljen e
rreth 1 miliard eurove në detyrime të papaguara, po përballet me kritika të
ashpra nga ekspertët dhe opozita. Disa ekspertë janë shprehur se mungesa e
theksuar e transparencës, rrezikon ta kthejë këtë proces në një mekanizëm për
pastrimin e parave dhe favorizimin e bizneseve klienteliste, duke i shkaktuar
një dëm afatgjatë ekonomisë së vendit, e cila tashmë jep shenja alarmante. Disa
e cilësojnë nismën thjesht si një "amnisti fiskale me emër të
ndryshuar", ku mekanizmi mbetet i njëjti: falja e taksave dhe gjobave të
vendosura nga institucionet shtetërore. Problemi kryesor, sipas tyre, qëndron
te mungesa totale e transparencës, ku qeveria ka refuzuar të bëjë publike
listën e individëve dhe kompanive që do të përfitojnë, duke u justifikuar me
mbrojtjen e të dhënave personale. Mendimi juaj?
-Mendoj se në thelb, kjo nismë ngre shumë më shumë
pikëpyetje sesa jep zgjidhje reale dhe të vlefshme për Shqipërinë dhe
shqiptarët. Edhe pse kjo nismë po paraqitet përpara shqiptarëve si një
instrument për formalizim dhe rritje të të ardhurave, mënyra se si është
konceptuar (dhe se si është komunikuar në publik) e bën atë shumë problematike
nga këndvështrimi ekonomik, ligjor, etik dhe moral.
Së pari – transparenca.
Një falje detyrimesh në vlerë rreth 1.6 miliard
eurosh (sipas specialistëve që janë marrë me këtë çështje – që askush nuk e di
se cilët janë këta specialistë, një problem tjetër ky, si zakonisht kur nuk
deklarohet se cilët janë ekspertët e specialistët, që thirren për të dhënë
zgjidhje profesionale), pa publikuar listën e përfituesve, e minon
drejtpërdrejt dhe tërësisht besimin publik. Justifikimi me "mbrojtjen e të
dhënave personale" nuk qëndron plotësisht, sepse këtu nuk flasim për
qytetarë të zakonshëm, por për interes publik madhor dhe për subjekte që kanë
detyrime ndaj shtetit. Nga pikëpamja profesionale dhe referuar ligjit 124/2024
Për mbrojtjen e të dhënave personale në territorin e Republikës së Shqipërisë,
"të dhëna personale konsiderohen të tëra ato të dhëna, që mund të
shërbejnë për identifikimin e subjektit" dhe në rastin në fjalë
identifikimi i subjekteve që kanë probleme me ligjin, përfshirë edhe aspektet
fiskale i bën mirë publikut pasi shtohet besimi te ata që nuk janë në listë dhe
që respektojnë ligjin. Nga ana tjetër, subjektet që përfshihen në listë dhe
bëhet publik emri i tyre, duhet të mbledhin mendjen se nëse përfshihen përsëri
në skema të tilla atëhere dënimi do jetë shumë i rëndë dhe maksimal. Pra nuk
është çështje të dhënash personale, por çështje etike dhe morali, dhe në këtë
pikë ne si shoqëri duhet të biem dakord të respektojmë ligjin, moralin dhe
etikën.
Së dyti – rreziku i pastrimit
të parave dhe rreziku i padrejtësive fiskale.
Në mungesë të filtrave të fortë dhe kontrollit real
mbi origjinën e fondeve, kjo nismë krijon hapësirë të madhe që kapitalet
informale ose të paligjshme të legalizohen përmes një mekanizmi shtetëror, duke
e kthyer "paqen fiskale" në një kanal të rrezikshëm për ekonominë
formale dhe ky është në fakt një rrezik real dhe i frikshëm. Bizneset dhe
individët që kanë paguar rregullisht taksat ndëshkohen moralisht, ndërsa ata që
kanë shmangur detyrimet shpërblehen. Kjo krijon një precedent të keq dhe një
mesazh të rrezikshëm: mos paguaj sot, sepse nesër do të falen.
Është pikërisht rasti i Brazilit, kur paqja fiskale u vu në zbatim, ata që
kishin thyer ligjin vazhduan të bënin të njëjtën gjë, duke menduar se do kishte
paqe fiskale pas disa vitesh (paqja fiskale e radhës), gjë që nuk solli
realizimin e pritshmërive të qeverisjes, administratës tatimore dhe publikut,
por shtoi edhe më shumë abuzimet me ligjin, solli edhe më shumë konflikte
biznes / administratë fiskale dhe degjeneroi moralin dhe etikën e biznesit në
atë shkallë sa edhe sot është shumë vështirë për rikuperim.
Së treti – problemi nuk është
emri, por mekanizmi dhe kjo nën këndvështrimin afatgjatë.
Edhe pse quhet "paqe fiskale", në
praktikë ajo funksionon si një amnisti fiskale klasike, me të njëjtën logjikë:
falje gjobash dhe detyrimesh, pa adresuar shkaqet strukturore të evazionit
fiskal, korrupsionit dhe dobësisë institucionale. Duhet kuptuar në këtë pikë se
pasja fiskale nuk mund dhe nuk duhet të jetë reformë fiskale apo reformë në
administratën fiskale. Nëse e konceptojmë si reformë më mirë të mos e bëjmë.
Nëse e krahasojmë me reformën dhe nëse e barazojmë me reformën nuk kemi bërë
gjë tjetër veçse një attentat shumë të rëndë ndaj demokracisë, ekonomisë së
tregut dhe jetës së përditëshme të qytetarëve. Në lidhje me efektin afagjatë,
në një ekonomi që tashmë jep shenja alarmante, kjo nismë rrezikon të:
· dobësojë
më tej disiplinën fiskale,
· thellojë
pabarazinë mes aktorëve ekonomikë,
· dhe
të dëmtojë seriozisht besueshmërinë e shtetit si garant i ligjit.
Si përfundim në lidhje me sa më lart duhet të
deklaroj se (1) pa transparencë të plotë, (2) pa kontroll rigoroz dhe (3)
pa barazi para ligjit, "paqa fiskale" nuk është gjë tjetër veçse
legalizim i problemit dhe në këto kushte, kritikat e ekspertëve dhe opozitës
janë jo vetëm të justifikuara, por të domosdoshme për mbrojtjen e interesit
publik.
Për më tepër kam shumë dëshirë që ta plotësoj
analizën time modeste, duke shtuar shembuj konkretë ndërkombëtarë, që tregojnë
se amnistitë paqet fiskale, sidomos kur bëhen pa transparencë dhe pa reforma
strukturore, kanë prodhuar probleme serioze – edhe në ekonomi shumë më të mëdha
se Shqipëria.
Argjentina – Amnistitë fiskale dhe kriza e besimit
Argjentina ka aplikuar amnisti fiskale të
përsëritura (veçanërisht pas 2016-s, me efekte që ndihen edhe pas 2020-s).
Problemet kryesore:
· Bizneset
dhe individët pritën amnistinë tjetër, në vend që të paguanin rregullisht.
· U
krijua një kulturë e qëndrueshme e mosbindjes fiskale.
· Formalizimi
ishte afatshkurtër, ndërsa borxhi publik dhe inflacioni u rritën.
Mësimi:
Amnistitë e shpeshta shkatërrojnë moralin fiskal dhe e bëjnë shtetin të
pabesueshëm në zbatimin e ligjit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Shembull i qasjes
së kundërt
SHBA nuk aplikon amnisti të përgjithshme fiskale.
Programet ekzistuese (p.sh. për deklarime vullnetare offshore) janë:
· të
kufizuara,
· individuale,
· me
kontrolle të forta dhe penalitete të pjesshme.
Pse SHBA shmang amnistinë masive?
· Sepse
dëmton konkurrencën e ndershme.
· Sepse
nxit evazionin afatgjatë.
· Sepse
minon besimin e taksapaguesve korrektë.
Mësimi:
Formalizimi bëhet përmes zbatimit të ligjit, jo përmes faljes kolektive.
Brazili – Amnistitë dhe klientelizmi.
Brazili ka aplikuar disa programe të ristrukturimit
dhe faljes së detyrimeve fiskale (Refis), me pasoja të dukshme deri pas 2020-s.
Problemet kryesore:
· Përfituesit
kryesorë ishin kompanitë e mëdha dhe politikisht të lidhura.
· Bizneset
e vogla dhe qytetarët nuk patën të njëjtin akses.
· U
forcua perceptimi i klientelizmit fiskal.
Mësimi:
Pa kritere të qarta dhe transparencë, amnistia shndërrohet në mjet favorizimi
politik.
Italia – "Condono fiscale" dhe dështimi
strukturor.
Italia ka një histori të gjatë me condono fiscale
(amnisti fiskale), përfshirë forma të reja edhe pas vitit 2018.
Problemet e evidentuara:
· Evazioni
fiskal nuk u ul në mënyrë strukturore.
· Tatimpaguesit
korrektë u ndjenë të diskriminuar.
· Administrata
fiskale u dobësua, sepse pritej gjithmonë "falja tjetër".
Mësimi:
Amnistia pa reformë administrative është shtyrje e problemit, jo zgjidhje.
Çfarë tregon krahasimi
ndërkombëtar?
Në të gjitha këto raste, problemet janë të njëjta:
· Efekt
afatshkurtër në të ardhura, shtohen të ardhurat në buxhetin e shtetit, por nuk
ka qëndrueshmëri fiskale.
· Dëm
afatgjatë në moralin fiskal, pasi mendohet se do ketë përsëri paqe fiskale dhe
shumica e subjekteve private shkelin ligjin me idenë se do falen përsëri pas
disa vitesh.
· Rritje
e evazionit, kryesisht në aspektet e pagave të padeklaruara, sigurimeve
shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, bilanceve të dy a tre fishta,
mospagesë e taksë mbi të ardhurat, TVSH, tatimit mbi fitimin, etj.
· Humbje
e besimit te shteti, që sjell edhe dëmin tjetër moral, pasi edhe ata që nuk
kanë biznese nuk kanë më besim te shteti dhe shkelin ligjin sa herë që kanë
mundësi dhe sa herë që u jepet rasti, jo domosdoshmërisht në aspektet ekonomike-
dje fiskale.
· Favorizim
i aktorëve më të fortë ekonomikë, duke lënë pas dore bizneset e vogla dhe të
mesme dhe ata që duan të fillojnë a rifillojnë biznesin, që demoralizohen për
këtë.
Në lidhje me sa më lart, si një përmbledhje e
drejtpërdrejtë për Shqipërinë, "paqja fiskale" nëse (1) nuk ka
transparencë të plotë, (2) nuk krijon mundësi për publikimin e përfituesve dhe
(3) nuk shoqërohet me forcim real të kontrollit fiskal, (bazuar në përvojën e
Argjentinës, SHBA-ve, Brazilit dhe Italisë), rreziku është i qartë. Do të
përsëriten të njëjtat gabime, por tashmë jo në Argjentinë, Brazil, SHBA apo
Itali, por në një ekonomi shumë më të brishtë, në ekonominë shqiptare, e cila
edhe pa paqen fiskale ka shumë e shumë probleme. Në këtë kuptim, shqetësimi i
ekspertëve nuk është ideologjik, por empirik dhe i provuar nga përvoja
ndërkombëtare.
Më poshtë po e zgjeroj analizën duke shtuar
alternativa paralele, komplementare dhe konkuruese ndaj "paqes
fiskale", të cilat përdoren realisht në vende të tjera dhe nuk dëmtojnë
moralin fiskal, por përkundrazi e forcojnë ekonominë formale.
1. Business Angels – Engjëjt e
biznesit si alternativë reale
Në vend që shteti të falë detyrime të vjetra, ai
mund të:
· nxisë
kapital privat të ligjshëm drejt ekonomisë reale,
· formalizojë
biznese të reja dhe inovative,
· krijojë
vende pune dhe të ardhura afatgjata.
Modelet funksionale:
· Skema
lehtësuese fiskale për investime angel (jo falje borxhesh).
· Bashkë-investim
publik–privat.
· Transparencë
totale mbi burimin e kapitalit.
Rrjete ndërkombëtare si Ëorld Business Angels
Investment Forum funksionojnë pikërisht mbi këtë filozofi: kapital i pastër,
rrezik i ndarë, rritje reale.
Avantazhi kryesor:
Nuk shpërblen evazionin, por inovacionin dhe sipërmarrjen.
2. Fondet e kapitalit sipërmarrës
(Venture Capital & Groëth Funds)
Një tjetër mundësi paralele:
· krijimi
ose tërheqja e fondeve VC,
· fokus
te startup-et, teknologjia, agrobiznesi, energjia, turizmi cilësor.
Këto fonde:
· kërkojnë
bilance të pastra,
· imponojnë
qeverisje korporative,
· rrisin
standardet e transparencës.
Në kontrast me paqen fiskale:
Venture Capitals përjashtojnë informalitetin,
ndërsa amnistia rrezikon ta legalizojë atë.
Programet e formalizimit me
stimuj, jo me falje
Një qasje më e shëndetshme është:
· ulje
e përkohshme e barrës fiskale për bizneset e reja,
· pagesë
e detyrimeve në këste pa fshirje totale,
· kontrata
fiskale të kushtëzuara me performancë.
Shembull logjik:
"Paguaj gradualisht, formalizohu plotësisht,
përfito mbështetje."
Kjo:
· ruan
barazinë para ligjit,
· nuk
ndëshkon tatimpaguesit korrektë.
7. Amnisti e kufizuar + kontroll i
fortë (model konkurrues)
Nëse shteti këmbëngul te "paqa fiskale",
ajo mund të:
· kufizohet
vetëm për shuma të vogla,
· përjashtojë
sektorë me risk të lartë (ndërtim, minerare, koncesione),
· shoqërohet
me kontrolle agresive pas afatit.
Ky model përdoret si instrument kalimtar, jo si
politikë ekonomike.
8. Bankat zhvillimore dhe garancitë
sovrane
Një alternativë komplementare:
· kredi
të buta për formalizim,
· garanci
shtetërore për biznese, që dalin nga informaliteti,
· monitorim
financiar dhe fiskal në kohë reale.
Kjo:
· rrit
bazën tatimore,
· nuk
fshin borxhe,
· por
krijon kapacitet pagese.
9. Digjitalizimi fiskal dhe lufta
reale kundër evazionit
Asnjë "paqe fiskale" nuk funksionon pa:
· fiskalizim
real dhe jo formal,
· ndarje
të dhënash mes institucioneve,
· ndëshkime
të besueshme dhe të barabarta.
Ky është instrument konkurrues direkt i amnistive:
ose zbaton ligjin, ose fal shkeljen – të dyja
bashkë nuk funksionojnë.
Në tabelën e mëposhtëme po sjell një krahasim të
drejtpërdrejtë për mënyrat e realizimit të këtij procesi.
|
Qasja |
Efekti afatshkurtër |
Efekti afatgjatë |
|
Paqe fiskale |
Likuiditet i shpejtë |
Dëm moral & evazion |
|
Business Angels |
Jo i menjëhershëm |
Rritje reale |
|
Venture Capital & fonde
zhvillimi |
Selektiv |
Standard & formalizim |
|
Stimuj formalizimi |
Mesatar |
Stabilitet |
|
Kontroll i fortë fiskal |
Politikisht i vështirë |
Besim & barazi |
Pra për të përmbledhur intervistën "paqja
fiskale" nuk duhet të jetë mjeti kryesor, por në rastin më të mirë, mund
dhe duhet të shërbejë si një instrument dytësor, i kufizuar dhe i shoqëruar me
alternativa të forta zhvillimi.
Konkretisht, pa Business Angels, fonde investimi,
formalizim me stimuj dhe zbatim real të ligjit, paqa fiskale rrezikon të jetë
thjesht dhe vetëm falje e së shkuarës, pa ndërtuar të ardhmen.









