E enjte, 18.12.2025, 11:30 PM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Flet Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri

E enjte, 18.12.2025, 06:54 PM


Flet Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri

-"Paqe fiskale",  nismë që shërben si një lloj shtrati në të cilin ngjizet keqqeverisja, korrupsioni, kapja e shtetit, etj.

-"Paqja" e premtuar nga qeveria duket se do të funksionoje vetëm për disa biznese dhe individë  klientë të qeverisë apo thjesht sponsorët elektoralë të saj.

- Me "Paqen fiskale", qeveria po vepron me arrogancë dhe në kundërshtim me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare FMN dhe BE

-"Paqe fiskale", një nismë e qeverisë që merret me fushën e mungesës së transparencës pa një konsultim me komunitetin e biznesit

- Detyrimet duhet të ishin mbledhur në buxhetin e shtetit pasi mbi 1 miliard euro, janë spitale të lëna përgjysmë, rrugë të lëna përgjysmë

- Askush nuk del ti shpjegojë qytetarëve për këtë nismë, dhe nuk tregojnë se ku  shkojnë përfitimet

- Ka tregues që  ekonomia kriminale (ende e pamtashme) është duke tkurrur ekonominë formale dhe atë  informale

- Do ketë impakt negativ në dekurajimin e atyre qytetarëve dhe bizneseve që kanë paguar dhe paguajnë rregullisht detyrimet fiskale sipas ligjit.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Qeveria i ka vënë vetes një objektiv ambicioz: të "pajtohet" me biznesin. Dhe këtë pajtim kërkon ta arrijë përmes një nisme të re që e ka quajtur Paqja Fiskale, në formën e një lloj marrëveshjeje të madhe kombëtare ku, sipas narrativës zyrtare, bizneset do të çlirohen nga ngarkesat e së kaluarës, duke nisur një kapitull të ri me shtetin. Në teori, një ide paqtuese. Në praktikë, një burim i ri tensioni.

Përtej emrit të butë, nisma ka ndezur një debat të fortë, fillimisht nga institucionet ndërkombëtare, si FMN-ja, e cila paralajmëroi qartë rreziqet për sistemin fiskal dhe për kulturën e respektimit të ligjit. Për këtë problem kaq të shumë diskutuar ekskluzivisht për  Telegraf ju drejtuam z. Zef Preçi, një prej ekspertëve më në zë të ekonomisë në Shqipëri...

Z. Zef! Nisma e qeverisë për të ashtuquajturën "paqe fiskale", e cila parashikon faljen e rreth 1 miliard eurove në detyrime të papaguara, po përballet me kritika të ashpra nga ekspertët dhe opozita. Disa ekspertë janë shprehur se mungesa e theksuar e transparencës, rrezikon ta kthejë këtë proces në një mekanizëm për pastrimin e parave dhe favorizimin e bizneseve klienteliste, duke i shkaktuar një dëm afatgjatë ekonomisë së vendit, e cila tashmë jep shenja alarmante. Disa e cilësojnë nismën thjesht si një "amnisti fiskale me emër të ndryshuar", ku mekanizmi mbetet i njëjti: falja e taksave dhe gjobave të vendosura nga institucionet shtetërore. Problemi kryesor, sipas tyre, qëndron te mungesa totale e transparencës, ku qeveria ka refuzuar të bëjë publike listën e individëve dhe kompanive që do të përfitojnë, duke u justifikuar me mbrojtjen e të dhënave personale. Mendimi juaj?

Siç është bërë e ditur nisma ligjore e qeverisë e quajtur "Paqja fiskale", është ndërmarrë në kushtet e mungesës së transparencës si dhe pa një konsultim të mjaftueshëm me komunitetin e biznesit dhe qytetaret. Për fat të keq, një ligj kaq i rëndësishëm që lidhet me të ardhurat buxhetore dhe klimën e biznesit në përgjithësi, Kuvendi i Shqipërisë e shqyrtoi pa vëmendjen dhe debatin e duhur, përjashto këtu debatin politik, por gjithsesi pa një qëndrim të qartë  p.sh të opozitës nëse ishte plotësisht apo pjesërisht kundër miratimit të këtij projekt-ligji.

Sipas vlerësimit tim, vendi ynë ndodhet në një situatë ku janë tre ekonomi që operojnë njëkohësisht.

-Cilat janë ato?

D.m.th ekonomia formale/zyrtare që vlerësohet në kufijtë e 50-60% të ekonomisë sonë kombëtare gjatë gjithë 25 viteve të fundit; ekonomia informale dhe kriminale që është mes 30-40 % dhe ndërsa ka tregues që  ekonomia kriminale (ende e pamtashme) është duke tkurrur ekonominë formale dhe atë  informale, gjë që ngre pikëpyetje serioze për qëndrueshmërinë dhe zhvillimet e ardhshme në klimën e biznesit në vend, duke u shtrirë në aktivitetet më fitimprurëse, sidomos sektori i ndërtimit, lojërat e fatit por edhe në ato që janë të pamatshme dhe me elementë të tjerë për të cilat mungon transparenca e vendimmarrjes të qeverisë.

Përvoja e qeverisjes së mirë të financave publike, por edhe ajo e tri dekadave të fundit në vendet ish-socialiste tregon procedurat ligjore për akte të kësaj natyre përfshijnë  propozuesit, impaktin, përfituesit, vlerësimin e aftësive/kapaciteteve të administratës tatimore për të zbatuar nismën në fjalë, lidhjen ose jo me procesin e integrimit në BE, etj. Për fat të keq, duket se këto elemente kanë mugnaur dhe janë mbuluar nga retorika politike e diëes dhe kanotacioni i termit "paqja fiskale" me "Pax Romana"( latinisht për "Paqe Romake"). Siç dihet kjo e fundit i referohet një periudhe 200-vjeçare stabiliteti relativ, prosperiteti ekonomik dhe zgjerimi territorial brenda Perandorisë Romake, që zgjati nga afërsisht viti 27 p.e.s. deri në vitin 180 të e.s. E iniciuar nga Perandori August, kjo epokë pa luftëra civile të reduktuara, tregti të përmirësuar dhe kufij të sigurt. D.m.th me joshje t tilla ndaj biznesit qeveria e z. Rama angazhohet për "paqe" me biznesin edhe pse denoncimet e organizatave të biznesit dhe hetimet e SPAK-ut provojnë të kundërtën d.m.th përkeqësimin e konkurrencës për shkak të rritjes së kontrollit politik dhe ndërhyrjeve të krimit të organizuar në jetën ekonomike të bizneseve, në prokurimet publike etj.

Përpjekja për të kuptuar se cilët janë propozuesit e një akti të tillë, natyrshëm mendja të shkon te ato kategori të biznesit që kanë akumuluar pasuri në kapital neto edhe/ose ne asete fizike të cilat nuk janë deklaruar rregullisht në kohë reale dmth gjatë dekadës së fundit në autoritetet tatimore e doganore. Ky fenomen, i njohur ndryshe edhe inforamlitet që do të thotë taksa të pa mbledhura nga administrata tatimore dhe pagesa të sigurimeve shoqërore që nuk janë derdhur në agjencinë përkatëse shtetërore. Natyrisht që kjo ndodh në shumicën e rasteve qëllimisht, por mund të ketë ndodhur edhe për shkak të ndryshimeve të shpeshta të tatime-taksave, për të cilat sipërmarrësit nuk kanë qenë gjithnjë të informuar. Po kështu në kushtet kur kufijtë midis biznesit, politikës dhe krimit të organizuar janë holluar shumë, kur penetrimi i parave të pista në ekonominë reale është si një film i frikshëm që shfaqet ditë mbas dite përpara syve tanë është diçka që vetëm qeveria dhe organet ligjzbatuese vartëse të saj nuk e shohin, atëherë merret me mend lehtë se akumulimi i pasurive financiare dhe në formë të trupëzuar në asetet fizike është i lidhur ngushte me atë pjese të biznesit që ka natyre mikste: formale dhe informale, si dhe një pjesë e mirë edhe me origjinë kriminale. E vërteta është se është pikërisht kjo kategori e biznesit, e toleruar për pastrim parash që në të njëjtën kohë përfshihet edhe në korrupsion dhe ushqen pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve të lartë politikë apo në drejtimin e institucioneve të rëndësishme shpenzuese të fondeve publike. Madje, të dhëna të tërthorta dhe analiza serioze profesionale provojnë prirjet monopolizuese jo vetëm në prokurimet publike, por edhe në tregjet e ndryshme, përveç tolerimit të flukseve financiare të paligjshme nga qeveria. Përveç akumulimit të kapitalit të padeklaruar nga këto burime dhe rritjes së presionit për shtim të shpejtë të pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lidhur me këto biznese apo zotërues të tërthortë të tyre nga qarqet politike, të dhënat flasin për deformime në rritje të konkurrencës në tregje, duke përkeqësuar kështu klimën e biznesit në vend. Parë në këtë këndvështrim, "paqja fiskale" e shpallur tingëllon më shumë si një sinjal për shndërrimin e vendit në një "parajse fiskale" për kontribuuesit vendas të fushatave zgjedhore dhe mundësi për sjelljen e parave nga "çunat problematike" d.m.th për pastrimin e tyre në vijimësi tashmë edhe zyrtarisht përmes këtij akti ligjor.

Thënë këtë, personalisht nuk dua të them se jam a priory kundër amnistive fiskale. Por duhet të kuptojmë momentin, kohën kur kjo masë mund dhe duhet të ndërmerret. Sepse po të bëhet fjale për pastrimin e llogarive të tatime-taksave e doganave nga emrat e bizneseve që janë me kushtet e pamundësisë absolute për të shlyer detyrimet e prapambetura, kjo mund të bëhet edhe vet dhe nuk ka nevojë për një ligj faljeje si ky që po diskutojmë. Por përvojat e mira të botës evidencojnë faktin që ashtu si numri individual i çdo qytetari jepet njëherë dhe humbet rëndësinë kur personi ndërron jete, ashtu edhe detyrimet e biznesit ndaj tatime-taksave duhet ta shoqërojnë sipërmarrësin. Vetëm kështu merr fund praktika e regjistrimit të firmave të reja pa shlyer më parë detyrimet e vjetra dhe ngushtohen mundësitë për evazion.

Së dyti, për suksesin e një reforme të tillë nevojitet transparencë e madhe dhe një proces i ndërgjegjësimit publik të lidhur me kosto përfitimet e rastit, gjë që nuk rezulton të jetë bërë nga qeveria. Kjo sepse bëhet fjalë për disa qindra milionë, ndoshta edhe 1-2 miliardë Euro që nuk do të mblidhen në buxhet, d.m.th më pak shkolla, spitale më të këqij, rrugë pa mirëmbajtje, etj. Pa folur për impaktin negativ të kësaj mase në dekurajimin e atyre qytetarëve dhe bizneseve – shumicës - që kanë paguar dhe paguajnë rregullisht detyrimet fiskale sipas ligjit.

Përveç konsensusit të munguar me bizneset dhe qytetarët që paguajnë rregullisht tatime taksat dhe detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe që nuk janë përfshirë në aktivitete kriminale, një amnisti e këtyre përmasave kërkon detyrimisht edhe konsensusin e institucioneve financiare ndërkombëtare që mbështesin zhvillimet ekonomike e fiskale në vend siç është FMN dhe BE. Për fat të keq, rezulton se qeveria po vepron me arrogancë edhe në këtë rast, d.m.th po vepron në kundërshtim me rekomandimet e këtyre institucioneve. E vërteta është se kur ekonomia fillon të zgjerojë frymëmarrjen e saj d.m.th të përmirësohet klima e biznesit në vend, qeveritë tona shfaqen si sovraniste, gjë që jo vetëm fshin arritjet, por edhe e çon ekonominë e vendit në drejtim të krizës, siç edhe ka ndodhur. E mandej qeveria e radhës ju drejtohet institucioneve ndërkombëtare për ndihmë, edhe pse ndjekja e recetave për reforma të rekomanduara më herët mund të kishte frenuar apo minimizuar efektet e krizave edhe atëherë kur ato nuk mund të shmangen. Nuk dua kurrsesi të bëj Kalandrën, por dyshoj shumë se kriza ekonomike e radhës lidhet me fenomenin masiv të pastrimit të parave që po ndodh intensivisht këto katër-pesë vitet e fundit dhe që ka dhënë simptoma të mjaftueshme për politika fiskale dhe monetare më prudente dhe më pak "sovraniste".

-Si mund të gjykohen pritshmëritë?

Një mënyrë tjetër për të gjykuar mbi pritshmëritë e nismave të ngjashme të ndërmarra më herët gjatë çerek shekullit të fundit është edhe domosdoshmëria e konsensusit politik midis mazhorancës dhe opozitës. Siç dihet, rreth 15 vjet më parë  edhe qeveri e z. Berisha pati tentuar për të ndërmarrë një masë të ngjashme, por që dështoi duke mos arritur objektivat e veta pikërisht nga mungesa e këtij konsensusi.

Më sipër përmenda nevojën e vlerësimit të kapaciteteve të administratës tatimore e doganore për të zbatuar një masë të tillë. Për këtë arsye i kam parë të arsyeshme edhe kundërshtimet e opozitës në kuptimin që Shqipëria nuk është gati për të marrë një hap të tillë. Në këtë kuptim pajtohem me vlerësimet se praktikisht qeveria duke marrë një masë të tillë që ngjan më shumë si një shpërblim të atyre grupeve të biznesit që e kanë mbështetur rikonfirmimin e zotit Rama në mandatin të katërt dhe kështu shërben si një lloj shtrati në të cilin ngjizet keqeverisja, korrupsioni, kapja e shtetit, etj. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që gjatë kësaj periudhe janë shfaqur sugjerime kontradiktore për kategori të caktuara të bizneseve, ashtu sikurse edhe  janë shprehur shqetësime të arsyeshme që subjekte përfituese do të ishin edhe kompani të privilegjuara apo për të cilat ka patur përjashtime të dyshimta nga detyrimet tatimore deri edhe në shkelje të ligjit si p.sh Bankers, Kurum, etj.

Detyrim elementar i qeverisë

Duke e parë në këtë këndvështrim, mendoj se është detyrim elementar i qeverisë ndaj  taksapaguesve, qytetarëve, votuesve qe të publikojë listat e kompanive, përfituesve etj.

Ndërkaq, përveç tolerimit të vazhdimit të procesit të pastrimit të parave kriminale dhe pompimit të tyre lehtësisht në ekonominë e vendit, nuk shoh ndonjë përfitim tjetër real apo që ka rëndësi për qytetarët e bizneset normale apo që ndihmon në përmirësimin e klimës së biznesit. "Paqja" e premtuar nga qeveria duket se do të funksionoje vetëm për disa biznese dhe individë  klientë të qeverisë apo thjesht sponsorët elektoralë të saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Florim Zeqa: Bipolarizimi pa profilizim i dëmshëm për shtetin! Rexhep Ferizi: Demonstratat e ’68-ës, lëkundën themelet e Jugosllavisë hibride Petrit Dibrani: Nacionalist - nacionalizmi Bajram Kabashi: Agron Muçaku kërkon sërish që të anulohet çmimi “Guximi intelektual 2024’’ Kalosh Çeliku: Politikanë që ua dimë babën, por jo edhe nënën Vladimir Shyti: Festat e fundëvitit, shkëlqim i rremë Enver Robelli: Njëra nga metodat më perverse të islamistëve... Nue Oroshi: Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Dardani dhe roli i mërgatës shqiptare Albert Zholi: Dr. Vladimir Mici - Shteti duhet të mbajë përgjegjësi për strukturat që menaxhojnë PPP-t Jusuf Buxhovi: Nga shqiptarizmi iluminist tek fetarizmi mesjetar! Zija Lika: Shuarja e identitetit kombëtar, dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet vendit Don Fran Sopi: Krishti që jeton në ne dhe qëndresa heroike e popullit tonë shqiptar Florim Zeqa: Edhe Bokshiq është brenda hartës gjeografike të Klinës! Asllan Dibrani – Luani: Terrori i Ibër-Lepencit dhe Rrëzimi i Maskës Serbe Idriz Zeqiraj: Nëndega e LDK-së në Bavarinë e Epërme kërkon shtesë të vend-votimeve Kalosh Çeliku: Gëzuar Vitin e Ri 2026 Florim Zeqa: Sërish jashtë listës për deputet! Asllan Dibrani – Luani: Dezinformimi si instrument destabilizimi Gjon Keka: Zëri i Lëvizjes kombëtare të Deçanit ka filluar të dëgjohet edhe në Europë dhe ShBA Vladimir Shyti: Banditi, që u bë kapitalist

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx