Kulturë
Ilir Muharremi: Tingulli i lashtësisë, mozaiku i Saimir Stratit
E enjte, 18.12.2025, 06:55 PM
Tingulli i lashtësisë, mozaiku i Saimir Stratit
Shkruan:
Ilir Muharremi, kritik i artit
I
realizuar nga mjeshtri i mozaikut Saimir Strati kjo vepër arti prek thellësinë,
lashtësinë, retrospektivën kulturore shpirtërore nga gama e së vërtetës e një
durimi kulturor magjik drejt shtigjeve botërore. Arti nuk është vetëm art është
oazë dhe kopsht i Edenit, parajsë në tokë që vlera pret kohën. Ky mozaik i
punuar me mermer nga Saimir Strati shfaq një interpretim të përmbledhur dhe të
fuqishëm të figurës tradicionale të lahutës. Kompozicioni qendror, i ndërtuar
brenda një medaljoni rrethor, përqendron vëmendjen te portreti i interpretuesit
dhe instrumenti, një imazh që bashkon forcën e linjës ikonike me një pasqyrim
të kujdesshëm të detajeve plastike. Përdorimi i fragmenteve të mermerit të
prerë dhe vendosur me saktësi, krijon një teksturë të pasur dhe një ndriçim
tonal që i jep veprës dimension skulptural dhe thellësi vizuale.
Ngjyrat
e ngurta, të nuancuara në gamën e bezhëve, kafe dhe të bardhës, funksionojnë jo
vetëm si element estetik, por edhe si mekanizëm për të nxjerrë në pah
kontrastin midis fushave të rrafshuara dhe kontureve të theksuara , kjo gjuhë
vizuale thekson traditën dhe solemnitetin e subjektit pa humbur elegancën
moderne të interpretimit. Linjat e theksuara dhe ritmet grafike duken si të
ndryshme krijojnë lëvizje perceptuale, sikur historia të interpretohet me çdo
copëz mermeri. Ka të drejtë autori kur zgjon këtë nostalgji kulturore.
Në
nivel simbolik, lahuta paraqitet si përfaqësuese e trashëgimisë muzikore dhe
epike , një urë midis kujtesës kolektive dhe trashëgimisë kulturore. Në
kontekstin e diskutimeve rreth vlerësimit dhe mbrojtjes së elementeve të
trashëgimisë kulturore përmes institucioneve ndërkombëtare, vepra e Stratit
flet për vlerën estetike dhe për rolin e artit bashkëkohor në ridimensionimin e
ikonave tradicionale. Lahuta kurrë nuk i buzëqeshi politikës, mirëfilli ngriti
tingullin nga djersa dhe durimi kukturor i popullit. Politika nuk i ndihmoi,
ajo ndriçoi nga lashtësia horizontit modern.
Si
punë arti, mozaiku demonstron mjeshtëri teknike , çdo zgjedhje materialesh, çdo
ritëm tonal kontribuon në një tërësi harmonike ku arti i mozaikut ribën
reflektimin e komunitetit dhe kohës. Vepra veçohet si një shembull i shkëlqyer
i transformimit të një forme tradicionale në një gjuhë të re vizuale, e cila
fton vëzhguesin të ndajë, të njihet dhe të rimendojë lidhjen me trashëgiminë.










