Kulturë
Anton Marku: Demokristianët e Austrisë organizojnë pasdite festive në Vjenë
E hene, 15.12.2025, 06:56 PM

Demokristianët e Austrisë organizojnë pasdite festive në Vjenë
Nga
Anton Marku
Vjenë,
14 dhjetor 2025: Për nder të Krishtlindjes, pas meshës në gjuhën shqipe, në të
cilën mori pjesë edhe Ministrja në Detyrë në Qeverinë e Republikës së Kosovës,
Rozeta Hajdari, me bashkëpunëtorë, me një orë letrare, promovime librash dhe
muzikë, në sallën e seminareve të Misionit Katolik Shqiptar në Austri (MKSHA),
të mbushur përplot me bashkatdhetarë, në një bashkë organizim mes Partisë
Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) – dega në Vjenë dhe Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ (LSHKSHA),
u mbajt një program festiv.
Manifestimin
e hapi Anton Marku, kryetar i degës së PSHDK-së në Vjenë, i cili theksoi se ky
është viti i dytë në të cilin komuniteti shqiptar në Austri bashkohet në një
manifestim kulturor me qëllim të
shprehjes së respektit dhe falënderimit për të gjitha të arriturat përgjatë
vitit, qoftë si individë apo si bashkësi. Ai po ashtu falënderoi meshtarin e
deritanishëm të MKSHA dom Nikson Shabanin i cili ka përfunduar mandatin e tij
si dhe i dëshiroi mirëseardhje meshtarit të ri dom Marjan Lorencit. Më tej ai
uroi për më shumë shëndet, begati dhe dashuri përgjatë festave të fundvitit.
Në
fjalën e tij udhëheqësi i MKSHA meshtari dom Marjan Lorenci falënderoi
besimtarët për mbështetjen e tyre të pakursyer për Misionin. Më pas
pjesëmarrësve iu drejtua Ministrja në Detyrë në Qeverinë e Kosovës, Rozeta
Hajdari, ardhja e së cilës ishte befasi për të pranishmit. Ajo në mënyrë të
posaçme shprehu vlerësimin e saj për organizimet e tilla të shqiptarëve në
mërgatë. Me një fjalë rasti u paraqit edhe Kolë Berisha, koordinator i
projektit të ndërtimit të kishës në fshatin Dugujevë të komunës së Klinës, i
cili njoftoi lidhur me progresin e deritashëm dhe ecurinë e punimeve.
Në
pjesën dytë të këtij aktiviteti tekstet e tyre i deklamuan Gjergj Jozef Kola,
Erseka Nekaj, e cila lexoi disa poezi të shkruara nga babai i saj i ndjerë dhe
Anton Marku që solli vargje kushtuar Shën Terezës dhe Ibrahim Rugovës. Disa
tekste në gjuhën gjermane u lexuan nga aktorja dhe regjisorja austriake Elke
Haden. Në piano, me mjeshtri, disa pjesë të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë,
i luaji Vlora Melchard, përcjellë në violinë nga Erska Nekaj.
Shuma
e librave të shitur do të dhurohet si donacion për një projekt humanitar.
Në
fund të programit të pranishmit me këngë të bukura shqipe i argëtoi Gent
Krasniqi.
Pjesëmarrësit
në këtë ngjarje kulturore u shërbyen me gatime nga kuzhina shqiptare të
përgatitura nga familjet tona në Vjenë dhe rrethinë.
Ishte
ky aktiviteti përmbyllës për këtë vit i degës së PSHDK-së në Vjenë.















