Mendime
Idriz Zeqiraj: Skuthëria klanore, kanceroze e LDK-së
E diele, 23.11.2025, 06:26 PM
SKUTHËRIA KLANORE, KANCEROZE E LDK-SË
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Gjithherë në prag të zgjedhjeve, zyrtarët partiakë të LDK-së
deklarohen se: "Jemi të gatshëm për zgjedhje dhe për të fituar!"
Pavarësisht ulje-ngritjesh, fitorja e premtuar ka munguar. Arsyet e humbjeve
janë edhe subjektive. Tashmë, nuk përbënë asnjë sekret, se në zgjedhjet e vitit
2021, LDK-ja fitoi vetëm 9.8 %, sepse brenda koalicionit ishin Pacolli dhe ca
partiza minore.
Ndodhi kjo gjëmë për LDK-në, sepse Lidershipi klanor shpërfilli,
më sakt, përmjerri elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e
Deputetëve, madje edhe vetë Kryesinë saj! Klani vicioz dertoi me shefat e
PDK-së, të cilët kishin përgjakur LDK-në dhe Kosovën dhe e pësoi.
Për turpin e klanorëve, humbjen ua faturuan dy veprimtareve
dinjitoze: Donikë Gërvalles dhe Vjosë Osmanit!? Ishin mësuar me skuthëri dhe
heshtje, të largonin nga strukturat e partisë kuadrot e devotshëm dhe besnikë
të Presidentit Rugova,
Mirëpo, në rastin e zonjave luftarake e dinjitare skuthëria
agjenturore SHIK-iste nuk funksionoi. Dhe, për ta shpëtuar rënien në hiç të
partisë, dikur, zëmadhe, vendosen bërjen e ndryshimit. Për rrjedhojë pensionoi
PAN-in kriminal me komandantët e tij dhe vegël-patericë klanin Mustafa të
LDK-së.
Lidershipi i ri i LDK-së, i kryesuar nga Lumir Abdixhiku, ngjalli
goxha shpresë. Nisma e reformës u prit mirë nga anëtarësia, elektorati. Me
keqardhje, nuk përmbushi pritjet e dëshiruara, edhe pse shënoi rritje, ngaqë
nuk shfrytëzoi mundësitë, me arsyetimin e ruajtës të unitetit. Ishte humbje e
shansit për partinë e Dr. Rugovës, e cila bëri paqen dhe luftën. duke u bërë
themeltare e shtetit të Kosovës.
Si ka mundësi që një parti me një barrë krimesh vrastare e
hajnore, si PDK-ja të këtë epërsinë e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, në raport
me LDK-në, e cila bartë vlera demokratike dhe larg çdo gjëje të keqe, që mund
ta penalizojë?! Nisur nga ky fakt domethënës, LDK-ja duhet të bëjë një analizë
të thellë për shkaqet, rrethanat dhe veprimet për inferioritetin e LDK-së. Nëse
PDK-ja, përkatësisht, krerët dhe eksponentët e saj, kanë "harruar"
për jetimët që ia shtuan Kosovës, gjatë dhe pas luftës, u takon, së pari,
Kryesisë, deputetëve, Këshillit të Përgjithshëm dhe kuadrove të tjerë të
LDK-së, tua kujtojnë kriminelëve të PAN-it se nuk mund të vazhdojnë të bëjnë
hije në jetën politike të Kosovës.
Ishte vendim logjik dhe dinjitar i LVV refuzimi i kthimit në
pushtet të komandantëve kriminelë të PAN-it. Sepse një shoqëri, e cila
proklamohet si demokratike, nuk mund të ecën me krime nëpër këmbë! Një qeveri e
kontaminuar, do të ishte vazhdim i turpërimit gjithë shqiptar.
Përzgjedhja e LVV për bashkëqeverisje me LDK-në, si të
vetmet parti parlamentare të pa kriminalizuara, ishte rreshtimi i duhur. Kjo
ftesë e LVV për koalicion me LDK-në, ka pasur dhe vazhdon ta këtë aprovimin e
shqiptarëve vendorë dhe të përbotshëm. Dhe, misioni i kësaj bashkëqeverisje
ishte madhor e fisnik: Largimin e krimit dhe të kriminelëve nga jeta politike e
publike të shqiptarëve. Ajo që u ndodhi shqiptarëve në luftë dhe pas luftës,
është unike. Bijtë më të mirë të Atdheut-Kosovë, të cilët e bënë paqen dhe
luftën, u ekzekutuan të listuar ngeshëm, për të përvetësuar lavdinë e luftës
dhe grabitur pasuritë e brezave shqiptarë, nga bastardët shqipfolës, hafije të
Serbisë, Francës dhe të Tiranës zyrtare social-komuniste.
Dhe, sot kur i sheh kriminelët, në organizimet e turpshme, kinse,
për drejtësi, na kujton miken e madhe të shqiptarëve, euro-deputeten
proverbiale, Doris Pack se "me kriminelë janë ata që protestojnë, se sa
ata që janë të ngujuar në Hagë".
Dhe, nëse këtë mision nuk e realizon LDK-ja, do të mbetet pengu i
madh, madje i përjetshëm i shqiptarëve. Sepse është ngushëllim jo vetëm i shumë
qindra familjeve të viktimave, por edhe i dhjetra-mijëra familjeve, të cilat
ndërlidhen me gjak e fis, me miqësi dhe dashamirësi, me ato familje. Dhe, krejt
më e rëndë është se shqiptarët do të konsiderohen si të zhveshur nga ndjenja e
drejtësisë dhe janë një hiç!
Me refuzimin e krijimit të organeve kuvendore, fillimisht, pastaj
të Qeverisë të Kosovës, LDK-ja mori përgjegjësinë e fajësisë së madhe, jo
vetëm të shpenzimeve të miliona eurove, për procesin e përsëritur zgjedhor;
qindra miliona të tjera nga BE-ja dhe Banka Botërore; por edhe bllokimin e
marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dëmi politik, që po e konfirmon akuzën e
Serbisë se "shqiptarët nuk janë të aftë për shtet-ndërtim!" Dhe, e
gjithë kjo barrë po i faturohet partisë së vetme dhe të parë pluraliste në
Ballkan, LDK-së, që, edhe pse pa polici dhe ushtri; pa objekte zyrtare
pushtetare e shtetërore, krijoi paralelizmin shtetëror, duke e ruajtur qenien
njerëzore shqiptare, në kushtet e një terrori serbo-sllavë, derisa gjeniu
Rugovë e bindi botën demokratike, të prirë nga SHBA, për ndërhyrje me
"Apaçët" e saj, duke e çliruar Kosovën, ndër shekuj të pushtuar.
Lidershipi i LDK-së, me propozimet e tij për: "qeveri
teknike, gjithëpërfshirëse, të unitetit", dështoi tërësisht, sepse u pa
qartë se ishte nën presioneve e klaneve, për ta kthyer PAN-in kriminal në
pushtet! Këtij qëllimi i parapriu qysh para fushata, kur eksponentët e klanit
Mustafa absolutizonin pamundësinë e bashkëqeverisjes me LVV, duke aluduar koalicionin
me PAN-in, kryesisht, PDK-në.
"LVV na ka fyer",- thonë krerët e LDK-së. Por, PAN-istët
na kanë vrarë "pushkë hekuri, si derra e egër" ,- siç shprehet
populli. Thënë troç, janë dy beteja kryesore, fitimtare, por të dy
protagonistët, komandantë fitimtarë, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Kolonel Tahir
Zemaj, u ekzekutuan nga PAN-i. I pari në pikun e luftës, i dyti pas luftës, në
liri. Dhe, seria e vrasjeve është numerike, jo 100 e 200 persona, siç duan ta
minimizojnë dhe falsifikojnë krimin, por llogaritën në shumë qindra. Dhe kjo
dëshmohet me shtatoret, bustet dhe varret e tyre anekënd Kosovës.
Nëse Lidershipi aktual i LDK-së nuk sheh, nuk e dëgjon, nuk e dinë
pakënaqësinë në rritje të anëtarësisë dhe të strukturave të partisë, madje në
të gjitha nivelet, ne po ju paralajmërojmë se pazaret e pista, me përgjakësit e
LDK-së dhe të Kosovës, nuk do të kalojnë pa pasoja.
Lidershipi i LDK-së doli blof. Një herë tha se nuk duam koalicion
me askënd. Pastaj i bëri thirrje kampit të kriminalizuar, PAN-it, për një
qeverisje të opozitës, pa LVV! Injorimi i popullit nuk është normë e
demokracisë. Përkundrazi, është mënyrë e të sunduarit komunist dhe fashist.
Por, kjo nuk i shkon partisë më pro perëndimore të Presidentit Rugova.
Kujt i duhet flirti me Fatmir Limaj, i damkosur me "non
grata" amerikane, për krimet vrastare e hajnore. E njëjta vlen edhe për
subjektet tjera politike, pjesë të PAN-it, përkatësisht, PDK dhe AAK.
Nëse kryetar Abdixhiku, me Kryesinë e tij, nuk e përballon
presionin klanor brenda Kryesisë të LDK-së, duhet t`i hapë rrugë një
referendumi partiak, i cili realizohet brenda një dite, me lokale gratis,
objektet shkollore, me të vetmin shpenzim simbolik letrat, me një pyetje: Jeni pro krimit apo kundër krimit? Dhe,
"kriza" e stisur dhe e shpifur artificialisht, kalohet pa asnjë
përgjegjësi për kryetar Lumirin dhe të Kryesisë së tij.
Kujdes, se skuthëria klanore po e mbanë peng Kosovën. Dhe, kjo do
të kushtojë shumë.
Koha për maturi dhe reflektim!









