E marte, 11.11.2025, 06:49 AM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Cënimi i qëllimshëm i të drejtës së votimit të mërgimtarëve!

E hene, 10.11.2025, 06:54 PM


CËNIMI I QËLLIMSHËM I TË DREJTËS TË VOTIMIT TË MËRGIMTARËVE!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Qysh në fillimin e votimit të mërgimtarëve nga Diaspora, politika është përkujdesur për zvogëlimin e numrit të votuesve. Denoncimet për abuzimin, deri në hedhje në kosh të mijëra zarfeve, nuk është marrë asnjëherë seriozisht. Arsyetimi i pavlefshmërisë ka qenë klishe: "Gabime në mbushjen e formularëve të votimit". Është konstatuar se kishte paqartësi, me terminologji të tepruar në vet tekstin e formularit përkatës si dhe kërkesa të dokumenteve të panevojshme shoqëruese. E thjeshtë ka qenë vetëm seleksionimi i vrazhdë, hedhja në kosh të zarfeve si të "pavlefshëm"!!

Në zgjedhjet e viteve të fundit u reklamua se formulari i votimit është thjeshtëzuar dhe dokumentacioni shoqërues është reduktuar. Megjithatë, faktet dëshmojnë të kundërtën. "Avazi" i vjetër burokratik vazhdon.

Shembullojmë: Për zgjedhjet e 12 tetorit 2025, KQZ njoftoi se "nga Diaspora kanë arritur 53 mijë zarfe. Prej tyre 10 mijë zarfe janë hedhur si të pavlefshëm dhe janë refuzuar për votim! Nga mbetja 43 mijë zarfe, vazhdoi skarcimi në shifra të shprehur me më pak mijëshe, deri sa u reduktuan në 33 mijë zarfe me formularë votimi të vlefshëm! Dhe, krejt në fund, sipas KQZ, numri i zarfeve është reduktuar në 4 mijë më pak. Pra, nga 33 mijë, pas seleksionimit, rezulton se të vlefshme mbeten afro 29 zarfe! Sidoqoftë, shifrat flasin më shumë, se sa mijëra fjalë. Zyrtarët e KQZ e pranojnë se në shtetet skandinave, nuk kanë arritur në kohë formularët për votim. Dhe, supozohet se kanë skaduar zarfet me formularë të pa votuar, pikërisht, diferenca mes shifrave 33 mijë, e reduktuar në 29 mijë zarfe!

Është thënë, madje edhe konfirmuar, se gjysma e popullsisë të Kosovës është larguar për në Mërgatë, që nga Kroacia, Evropa dhe kontinentët tjera Amerikë e deri në Australinë e largët. Statistikat e votuesve brenda Kosovës, ndër vite, llogaritën nga 750 mijë deri në 800 mijë. Atëherë, pse të mos jetë numri i votuesve nga Mërgata, të paktën, sa gjysma e shifrave të cituara brenda Kosovës?!

Regjistrimet për votim të mërgimtarëve, përmes postës me -e-mail- dhe komunikimi me zyrën përkatëse në Prishtinë, është punë e mençur e KQZ. Telefonatat janë të pranueshme, por, jo edhe gjithherë të realizueshme. Ndoshta me -SMS- është më lehtë, por kërkon konfirmim leximi nga marrësi. Por, shembuj të shumtë dëshmojnë se komunikimi i nevojshëm, në shumë raste, ka çaluar. Për rrjedhojë, konfirmimi për të drejtën e votimit ka munguar! Për rrjedhojë votimi, në këto raste, ka dështuar.

Madje, ka edhe raste paradoksi, kur bashkëshortja përdorë -e-mail-in- e bashkëshortit dhe formulari votues shpallet i pavlefshëm, sepse zonja, p.sh. 60 vjeçare, nuk ka pasur -e-mail- personal, edhe pse mbiemri, adresa dhe të dhëna të tjera, konfirmojnë çiftin bashkëshortor! Është shokues fakti, se për zgjedhjet lokale aktuale, "firojnë", skarcohen nga 53 mijë zarfe, 20 mijë zarfe të mërgimtarëve refuzohen, si të pavlefshme! Asnjë justifikim nuk e arsyeton ketë abuzim, jo thjeshtë, burokratik! Dhe, përsëritja e abuzimeve, nga zgjedhja në zgjedhje, nuk është thjeshtë shqetësuese, por rrast penalizuese, gjë që kërkon hetim të administratës operuese, por edhe të eprorëve mbikëqyrës të zyrës komunikuese përkatëse.

Humbja e shtetësisë të mërgimtarëve, ka qenë e dhunshme

Retrospektivë:

Disa shtete të Evropës nuk kanë lejuar dy shtetësinë. Rasti tragjik i Çamërisë, dhënia e dhunshme e shtetësisë shqiptare, në grup, refugjatëve çamër, nga Qeveria e Enver Hoxhës. Ketë veprim morbid, skandaloz, e ka mirëpritur Qeveria greke. Dhe ka zbatuar me urgjencë kushtetutshmërinë juridike, duke ua hequr çamëve, në grup, shtetësinë greke. Gazeta, respektivisht, fletorja zyrtare shqiptare, publikimi emëror dhe grupor i marrjes të shtetësisë shqiptare, ishte dëshmi valide të humbjes të shtetësisë greke, meqë shteti grek nuk lejonte dy shtetësinë.

Enver Hoxha i dinte pasojat e dhënies të dhunshme të shtetësisë shqiptare refugjatëve çamër. Ata ishin dëbuar dhunshëm e përgjakshëm nga trojet e tyre, Çamëria e begatë dhe hyjnore. Dhe kjo konsiderohet si kryetradhtia e tij kundra-kombëtare. Studjues të rrethanave historike të kohës, ketë makro-krim, të projektuar nga Orthodoksia greke-ruse-serbe, armike e gjithmonshme kundër shqiptarëve, e realizoi filo-sllavi Enver Hoxha, me byroistët e tij, komunistë-stalinistë, të mërdhezur, për përgjakje të shqiptarëve atdhetarë.

Ata, çamër, të cilët refuzuan marrjen e shtetësisë shqiptare, u likuiduan, si rasti i deputetit çam Suat Asllani, me shokë. Personalisht, kam vuajtur burgun shqiptar me nipin e tij, Nusret Asllanin dhe çamër të tjerë. Mbytja me dru, nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, të Kunderadmiralit çam, Teme Sejko, ishte shprehje e urrejtjes patologjike kundër çamëve të sakatosur nga racistët grekë. Në vend të plumbit ekzekutues të Prokurorit të shtetit, siç e parashikon ligji, Sigurimsat, me kazmë ia copëtuan kokën, buzë gropës të varrit pa gjurmë, të Kundëradmiralit të vetëm të Flotës Ushtarake në Shqipëri, Teme Sejko, në mesnatën errëtake të vitit 1961. Kjo njihet si njëra nga ekzekutimet më makabre të regjimit fashist të Enver Hoxhës!

Prej këtu filloi arrestimi dhe dënimi politik, me shumë vite burg, në grupe të mëdha të çamërve. Në njërin nga këto grupe ishte edhe Dr. kardiolog Beniamin Çetta, vëllai i Profesor Anton Çetës tonë, me të cilin kam ndarë çelinë e burgut, në vitet 70-a dhe 80-a. Po ashtu edhe me djalin e madh të Teme Sejkos, Edmondin, i dënuar me 18 vjet burg politik. Djalin e dytë, Sokolin, e pushkatuan me një akuzë politike. E shoqja e Teme Sejkos, motër e vëllait të vetëm, dëshmor i luftës, bëri vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i katërt i ndërtesës, ndërkohë që vuante internimin klasik në Beratin e izoluar, ku kam pasur fatin e zi ta vuaj internimin edhe unë.

Përpjekja e mundimshme, për barazi me qytetarët e BE-së

Veçojmë historikun e marrjes të mundishme të shtetësisë gjermane, i përafërt edhe me disa shtete të Evropës. Republika Federale e Gjermanisë, e përbërë nga 16 "Lande", Republika, të cilat kanë Kushtetutën e tyre juridike, përfshirë edhe të drejtën e marrjes të shtetësisë nga emigracioni në Gjermani. Republikat tjera gjermane e kanë liberalizuar, një nga një, në kohë të ndryshme, marrjen e shtetësisë vendore. Së fundi, me gjithë kërkesën e Kancelares Angela Merkel, dy Republikat më konservatore, Bavaria dhe Baden Würtemburgut, marrjen e shtetësisë gjermane e kushtëzuan me lënien e shtetësisë të shtetit, nga vjen emigracioni.

Edhe Republika e Baden Würtemburgut "lëshoi pe", duke hequr dorë nga kërkesa e lënies të shtetësisë të shtetit nga vjen emigranti. Por, ketë nuk e bëri Landi, Republika e Bavarisë, më e madhe gjermane, siç quhet "shtet brenda shtetit", e koracuar në Kushtetutën e saj, duke u thirrur dhe respektuar ligjet, nenet, klauzolat e saj, kërkonin heqjen e shtetësisë të Kosovës. Pastaj, nuk u mjaftuan me kaq dhe kërkuan edhe lënien e shtetësisë të Serbisë, të cilën brezi i tretë i emigracionit shqiptar nga Kosova nuk e kishte pasur kurrë! Kur kërkuesit arsyetoheshin për mospasjen e saj, organet përkatëse ngulmonin: "Megjithatë, sillni dokument nga shteti serb, që nuk keni shtetësi serbe!"

E gjithë kjo procedurë ishte shumë e kushtueshme. Pagesat e shtrenjta të administratës të Beogradit; shpenzimet udhëtimeve me fluturake; Gjykata; avokatët e kushtueshëm; pritjet e gjata burokratike; akomodimi ne hotele për fjetje e ngrënie, si dhe shpenzime të tjera anësore, që llogaritën në mijëra euro!

Arsyet e marrjes të shtetësisë gjermane ishin të shumëfishta, sidomos, për shkollarët. Fëmijë të lindur, të rritur dhe të shkolluar në Gjermani, kërkonin avancimin në fakultete të ndryshme vendore dhe të jashtme. Por, mungesa e shtetësisë vendore, në rastin konkret të asaj gjermane, në disa profesione specifike universitare, ishte pengesë e pakalueshme. Madje edhe punësimi ka kufizime në disa institucione shtetërore, por edhe në ndërmarrje e kombinate të prodhimeve strategjike, ku parashihet qenia shtetas vendor, gjerman.

Nën presionin e fëmijëve tanë shkollarë, nga, të cilët mësuam një serë kufizimesh që ata kishin, si shtetas të huaj, u jemi drejtuar të gjitha institucioneve qendrore të Federatës dhe lokale të Landit, Republikës të Bavarisë. Përgjigja e Qendrës ishte klishe: "Çështja e marrjes të shtetësisë është kompetencë e Landit, ku jeni banor rezident". Organet lokale arsyetonin se "kjo është kërkesë kushtetutare e Landit tonë dhe pa u bërë ndryshimi ligjor i statutit, nuk na lejohet të bëjmë shkelje ligjore".

Personalisht, në cilësinë e gazetarit, por edhe të kryetarit të LDK-së, për Bavarinë dhe anëtar i Kryesisë në Gjermani, bëra një shkrim idhnak, për kërkesën absurde të heqjes të shtetësisë të pa qenë të Serbisë. Bëra edhe ca krahasime të miqësisë me Serbinë të partisë CSU, aleate e përhershme e CDU-së, të Angela Merkel. Reagimi ishte i thekshëm nga CDU, respektivisht, deputet i saj: "Ne kemi hedhur bomba mbi Beograd dhe tani na akuzoni për miqësi dhe bashkëpunim me Serbinë, kundër Kosovës!" Tejkalimi i këtij hatërimi, së paku, ishte kërkim-falja. Unë e bëra, por duke arsyetuar zemratën time, nën afektin emocional dhe fjalorin e papërshtatshëm për partinë elite gjermane. Megjithatë, në arsyetim e sipër, me fjalë "të buta", por me argumente rënduese, rezultoi më e rëndë se sa shkrimi fillestar, duke rrëfyer të gjithë sagën e mundimshme të bashkëkombëseve të mi, nëpër zyrat burokratike të Beogradit zyrtar, humbje të ditëve të punës dhe shpenzime enorme.
Me nismën e Shoqatës "Sali Çekaj" në Bavari, e drejtuar nga kryetari i vyeshëm, Oso (Osman) Ferizi dhe të disa Shoqatave simotra, u organizua edhe një protestë në Mynih, me të vetmen kërkesë: "Dhënia e shtetësisë nga pala gjermane, pa kushtëzimet absurde të deritashme".

Një kontribut profesional dhe zyrtar kanë dhënë edhe Kryekonsuli i përkushtuar i Landeve të Bavarisë dhe të Thüringenit, Afrim Nura, si dhe deputeti i CSU gjermane, i kudondodhuri Deli Balidemaj, i njohur edhe si Malsori i Martinaj të Gucisë. Më në fund, u realizua një kërkesë legjitime e shtetasve të shumëvuajtur të Kosovës, natyrisht, për ata që i plotësojnë normat ligjore, të marrjes të shtetësisë vendore. në rastin konkret gjermane.

Rrjedhimisht, i konsiderojmë pengesa manipulative, të cilat cenojnë dukshëm dhe artificialisht, të drejtën ligjore të votimit të mërgimtarëve. Dhe,  përjashtimit i disa kategorive të mërgimtarëve, nuk ka bazë ligjore, nisur nga rrethanat që shkaktuan humbjen e shtetësisë qytetarët legjitim të Kosovës. Mendoj se për të gjithë ata mërgimtarë, të cilët, nevojshëm, por edhe përdhunshëm, hoqën dorë nga shtetësia natyrale e Atdheut-Kosovë, duhet të

amnistohen nga penalizimi aktual, mbi bazën e të cilit u mohohet e drejta e votimit aktualisht!

Pas pranimit të dyshtetësisë nga shtetet e Evropës, Republika e Kosovës duhet t`ua kthejë shtetësinë e humbur dhunshëm, të gjithë mërgimtarëve. madje në grup, pa kushtëzuar me pritje e sorollatje të pa nevojshme e burokratike. Me dokumentin bazë të -Çërtifikatës të Lindjes-, dhe adresën, ku qytetari është rezident, duhet të pajisen me kartën e identitetit, -Letërnjoftimin- klasik.

Është cinike se shtetarë, pushtetarë, parlamentarë dhe zyrtarë të lartë të Kosovës, me dy, madje edhe tri shtetësi të huaja, nuk kanë asnjë pengesë në veprimtarinë e tyre institucionale dhe as votimin e shpenguar qendror e lokal. Nga heshtja e tyre, ndaj sjelljes përjashtuese të mërgimtarëve, të paktën, duhet të skuqen!  Dhe, të angazhohen seriozisht dhe menjëherë, për heqjen e çfarëdo kufizimeve, përfshirë edhe të drejtën e votimit të qytetarëve të Kosovës.

Uroj dhe besoj në mirëkuptimin e zyrtarëve dhe të shqiptarëve vendorë dhe të përbotshëm!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Zholi: Gëzim Tushi - Shtypi i shkruar mbetet një mënyrë e sigurt, e përgjegjëshme dhe më e qëndrueshme për të orientuar publikun Kalosh Çeliku: Krimbat bishtekrye të partive politike Ardian Ndreca: Kur Dëshira bahet Ligj! Klajd Kapinova: Tulsi Gabbard Zbulon Komplotin Masiv të Komunistëve Kinezë për të Manipuluar Zgjedhjet për Kryetar Bashkie të NYC në Favor të marksistit Zohran Mamdanit Ndue Dedaj: Kruja, si po shuhet pak nga pak kryeqyteti i historisë Bedri Tahiri: Pastërtia e UÇK-së nuk përlyhet dot Nikoleta Kovaçi: Qeveria vjedh me terminologji ordinerësh Klajd Kapinova: Senatori Tubervile - Islami radikal është themelisht i papërputhshëm me vlerat tona perëndimore Idriz Zeqiraj: LDK e bllokuar nga lidershipi; PDK-ja tolerohet; ndërsa LVV refuzohet pa arsye Llesh Ndoj: Kodi i gjakut dhe ikja e një modeli Gjon Keka: Imazhi kaotik dhe pyka në rrotën e shtetit të Kosovës Florim Zeqa: Dashuria primitive, vrastare për LDK-në! Idriz Zeqiraj: PAN-i, Gjykata Speciale dhe Përparim Rama Fritz Radovani: I paharrueshmi 11 nandor 1990 Milazim Zeqiraj: Përparim Rama, nga kandidatura e befasishme e LDK dëri te drejtimi i kryeqytetit me qytetarë Florim Zeqa: "Syri i butë apo vrima e lagur" e LDK-së! Bashkim Saliasi: Edukata familjare, roli i familjes Florim Zeqa: Yryshi n'koalicione turpi ju mbuloftë! Kalosh Çeliku: Korbi i zi dhe shqiponja Gjon Keka: Kosova të dalë nga gropa e madhe ku ka ngecur, me një qeveri ekspertësh të përbashkët shqiptarë, amerikanë dhe europianë

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx