| E hene, 10.11.2025, 06:54 PM |
CËNIMI
I QËLLIMSHËM I TË DREJTËS TË VOTIMIT TË MËRGIMTARËVE!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Qysh në fillimin e votimit të
mërgimtarëve nga Diaspora, politika është përkujdesur për zvogëlimin e numrit
të votuesve. Denoncimet për abuzimin, deri në hedhje në kosh të mijëra zarfeve,
nuk është marrë asnjëherë seriozisht. Arsyetimi i pavlefshmërisë ka qenë
klishe: "Gabime në mbushjen e formularëve të votimit". Është
konstatuar se kishte paqartësi, me terminologji të tepruar në vet tekstin e
formularit përkatës si dhe kërkesa të dokumenteve të panevojshme shoqëruese. E
thjeshtë ka qenë vetëm seleksionimi i vrazhdë, hedhja në kosh të zarfeve si të
"pavlefshëm"!!
Në zgjedhjet e viteve të fundit u
reklamua se formulari i votimit është thjeshtëzuar dhe dokumentacioni shoqërues
është reduktuar. Megjithatë, faktet dëshmojnë të kundërtën. "Avazi" i
vjetër burokratik vazhdon.
Shembullojmë: Për zgjedhjet e 12
tetorit 2025, KQZ njoftoi se "nga Diaspora kanë arritur 53 mijë zarfe.
Prej tyre 10 mijë zarfe janë hedhur si të pavlefshëm dhe janë refuzuar për
votim! Nga mbetja 43 mijë zarfe, vazhdoi skarcimi në shifra të shprehur me më
pak mijëshe, deri sa u reduktuan në 33 mijë zarfe me formularë votimi të
vlefshëm! Dhe, krejt në fund, sipas KQZ, numri i zarfeve është reduktuar në 4
mijë më pak. Pra, nga 33 mijë, pas seleksionimit, rezulton se të vlefshme
mbeten afro 29 zarfe! Sidoqoftë, shifrat flasin më shumë, se sa mijëra fjalë.
Zyrtarët e KQZ e pranojnë se në shtetet skandinave, nuk kanë arritur në kohë
formularët për votim. Dhe, supozohet se kanë skaduar zarfet me formularë të pa
votuar, pikërisht, diferenca mes shifrave 33 mijë, e reduktuar në 29 mijë
zarfe!
Është thënë, madje edhe konfirmuar, se
gjysma e popullsisë të Kosovës është larguar për në Mërgatë, që nga Kroacia,
Evropa dhe kontinentët tjera Amerikë e deri në Australinë e largët. Statistikat
e votuesve brenda Kosovës, ndër vite, llogaritën nga 750 mijë deri në 800 mijë.
Atëherë, pse të mos jetë numri i votuesve nga Mërgata, të paktën, sa gjysma e
shifrave të cituara brenda Kosovës?!
Regjistrimet për votim të mërgimtarëve,
përmes postës me -e-mail- dhe komunikimi me zyrën përkatëse në Prishtinë, është
punë e mençur e KQZ. Telefonatat janë të pranueshme, por, jo edhe gjithherë të
realizueshme. Ndoshta me -SMS- është më lehtë, por kërkon konfirmim leximi nga
marrësi. Por, shembuj të shumtë dëshmojnë se komunikimi i nevojshëm, në shumë
raste, ka çaluar. Për rrjedhojë, konfirmimi për të drejtën e votimit ka
munguar! Për rrjedhojë votimi, në këto raste, ka dështuar.
Madje, ka edhe raste paradoksi, kur
bashkëshortja përdorë -e-mail-in- e bashkëshortit dhe formulari votues shpallet
i pavlefshëm, sepse zonja, p.sh. 60 vjeçare, nuk ka pasur -e-mail- personal,
edhe pse mbiemri, adresa dhe të dhëna të tjera, konfirmojnë çiftin
bashkëshortor! Është shokues fakti, se për zgjedhjet lokale aktuale,
"firojnë", skarcohen nga 53 mijë zarfe, 20 mijë zarfe të mërgimtarëve
refuzohen, si të pavlefshme! Asnjë justifikim nuk e arsyeton ketë abuzim, jo
thjeshtë, burokratik! Dhe, përsëritja e abuzimeve, nga zgjedhja në zgjedhje,
nuk është thjeshtë shqetësuese, por rrast penalizuese, gjë që kërkon hetim të
administratës operuese, por edhe të eprorëve mbikëqyrës të zyrës komunikuese
përkatëse.
Humbja e shtetësisë të mërgimtarëve, ka
qenë e dhunshme
Retrospektivë:
Disa shtete të Evropës nuk kanë lejuar
dy shtetësinë. Rasti tragjik i Çamërisë, dhënia e dhunshme e shtetësisë
shqiptare, në grup, refugjatëve çamër, nga Qeveria e Enver Hoxhës. Ketë veprim
morbid, skandaloz, e ka mirëpritur Qeveria greke. Dhe ka zbatuar me urgjencë
kushtetutshmërinë juridike, duke ua hequr çamëve, në grup, shtetësinë greke.
Gazeta, respektivisht, fletorja zyrtare shqiptare, publikimi emëror dhe grupor
i marrjes të shtetësisë shqiptare, ishte dëshmi valide të humbjes të shtetësisë
greke, meqë shteti grek nuk lejonte dy shtetësinë.
Enver Hoxha i dinte pasojat e dhënies
të dhunshme të shtetësisë shqiptare refugjatëve çamër. Ata ishin dëbuar
dhunshëm e përgjakshëm nga trojet e tyre, Çamëria e begatë dhe hyjnore. Dhe kjo
konsiderohet si kryetradhtia e tij kundra-kombëtare. Studjues të rrethanave
historike të kohës, ketë makro-krim, të projektuar nga Orthodoksia
greke-ruse-serbe, armike e gjithmonshme kundër shqiptarëve, e realizoi
filo-sllavi Enver Hoxha, me byroistët e tij, komunistë-stalinistë, të
mërdhezur, për përgjakje të shqiptarëve atdhetarë.
Ata, çamër, të cilët refuzuan marrjen e
shtetësisë shqiptare, u likuiduan, si rasti i deputetit çam Suat Asllani, me shokë.
Personalisht, kam vuajtur burgun shqiptar me nipin e tij, Nusret Asllanin dhe
çamër të tjerë. Mbytja me dru, nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, të
Kunderadmiralit çam, Teme Sejko, ishte shprehje e urrejtjes patologjike kundër
çamëve të sakatosur nga racistët grekë. Në vend të plumbit ekzekutues të
Prokurorit të shtetit, siç e parashikon ligji, Sigurimsat, me kazmë ia copëtuan
kokën, buzë gropës të varrit pa gjurmë, të Kundëradmiralit të vetëm të Flotës
Ushtarake në Shqipëri, Teme Sejko, në mesnatën errëtake të vitit 1961. Kjo
njihet si njëra nga ekzekutimet më makabre të regjimit fashist të Enver Hoxhës!
Prej këtu filloi arrestimi dhe dënimi
politik, me shumë vite burg, në grupe të mëdha të çamërve. Në njërin nga këto
grupe ishte edhe Dr. kardiolog Beniamin Çetta, vëllai i Profesor Anton Çetës
tonë, me të cilin kam ndarë çelinë e burgut, në vitet 70-a dhe 80-a. Po ashtu edhe me djalin e madh të
Teme Sejkos, Edmondin, i dënuar me 18 vjet burg politik. Djalin e dytë,
Sokolin, e pushkatuan me një akuzë politike. E shoqja e Teme Sejkos, motër e
vëllait të vetëm, dëshmor i luftës, bëri vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i
katërt i ndërtesës, ndërkohë që vuante internimin klasik në Beratin e izoluar,
ku kam pasur fatin e zi ta vuaj internimin edhe unë.
Përpjekja e mundimshme, për barazi me
qytetarët e BE-së
Veçojmë historikun e marrjes të mundishme
të shtetësisë gjermane, i përafërt edhe me disa shtete të Evropës. Republika
Federale e Gjermanisë, e përbërë nga 16 "Lande", Republika, të cilat
kanë Kushtetutën e tyre juridike, përfshirë edhe të drejtën e marrjes të
shtetësisë nga emigracioni në Gjermani. Republikat tjera gjermane e kanë
liberalizuar, një nga një, në kohë të ndryshme, marrjen e shtetësisë vendore.
Së fundi, me gjithë kërkesën e Kancelares Angela Merkel, dy Republikat më
konservatore, Bavaria dhe Baden Würtemburgut, marrjen e shtetësisë gjermane e
kushtëzuan me lënien e shtetësisë të shtetit, nga vjen emigracioni.
Edhe Republika e Baden Würtemburgut
"lëshoi pe", duke hequr dorë nga kërkesa e lënies të shtetësisë të
shtetit nga vjen emigranti. Por, ketë nuk e bëri Landi, Republika e Bavarisë,
më e madhe gjermane, siç quhet "shtet brenda shtetit", e koracuar në
Kushtetutën e saj, duke u thirrur dhe respektuar ligjet, nenet, klauzolat e
saj, kërkonin heqjen e shtetësisë të Kosovës. Pastaj, nuk u mjaftuan me kaq dhe
kërkuan edhe lënien e shtetësisë të Serbisë, të cilën brezi i tretë i
emigracionit shqiptar nga Kosova nuk e kishte pasur kurrë! Kur kërkuesit
arsyetoheshin për mospasjen e saj, organet përkatëse ngulmonin:
"Megjithatë, sillni dokument nga shteti serb, që nuk keni shtetësi
serbe!"
E gjithë kjo procedurë ishte shumë e
kushtueshme. Pagesat e shtrenjta të administratës të Beogradit; shpenzimet
udhëtimeve me fluturake; Gjykata; avokatët e kushtueshëm; pritjet e gjata
burokratike; akomodimi ne hotele për fjetje e ngrënie, si dhe shpenzime të
tjera anësore, që llogaritën në mijëra euro!
Arsyet e marrjes të shtetësisë gjermane
ishin të shumëfishta, sidomos, për shkollarët. Fëmijë të lindur, të rritur dhe
të shkolluar në Gjermani, kërkonin avancimin në fakultete të ndryshme vendore
dhe të jashtme. Por, mungesa e shtetësisë vendore, në rastin konkret të asaj
gjermane, në disa profesione specifike universitare, ishte pengesë e
pakalueshme. Madje edhe punësimi ka kufizime në disa institucione shtetërore,
por edhe në ndërmarrje e kombinate të prodhimeve strategjike, ku parashihet
qenia shtetas vendor, gjerman.
Nën presionin e fëmijëve tanë
shkollarë, nga, të cilët mësuam një serë kufizimesh që ata kishin, si shtetas
të huaj, u jemi drejtuar të gjitha institucioneve qendrore të Federatës dhe
lokale të Landit, Republikës të Bavarisë. Përgjigja e Qendrës ishte klishe:
"Çështja e marrjes të shtetësisë është kompetencë e Landit, ku jeni banor
rezident". Organet lokale arsyetonin se "kjo është kërkesë kushtetutare
e Landit tonë dhe pa u bërë ndryshimi ligjor i statutit, nuk na lejohet të
bëjmë shkelje ligjore".
Personalisht, në cilësinë e gazetarit,
por edhe të kryetarit të LDK-së, për Bavarinë dhe anëtar i Kryesisë në
Gjermani, bëra një shkrim idhnak, për kërkesën absurde të heqjes të shtetësisë
të pa qenë të Serbisë. Bëra edhe ca krahasime të miqësisë me Serbinë të partisë
CSU, aleate e përhershme e CDU-së, të Angela Merkel. Reagimi ishte i thekshëm
nga CDU, respektivisht, deputet i saj: "Ne kemi hedhur bomba mbi Beograd
dhe tani na akuzoni për miqësi dhe bashkëpunim me Serbinë, kundër
Kosovës!" Tejkalimi i këtij hatërimi, së paku, ishte kërkim-falja. Unë e
bëra, por duke arsyetuar zemratën time, nën afektin emocional dhe fjalorin e
papërshtatshëm për partinë elite gjermane. Megjithatë, në arsyetim e sipër, me
fjalë "të buta", por me argumente rënduese, rezultoi më e rëndë se sa
shkrimi fillestar, duke rrëfyer të gjithë sagën e mundimshme të bashkëkombëseve
të mi, nëpër zyrat burokratike të Beogradit zyrtar, humbje të ditëve të punës
dhe shpenzime enorme.
Me nismën e Shoqatës "Sali Çekaj" në Bavari, e drejtuar nga kryetari
i vyeshëm, Oso (Osman) Ferizi dhe të disa Shoqatave simotra, u organizua edhe
një protestë në Mynih, me të vetmen kërkesë: "Dhënia e shtetësisë nga pala
gjermane, pa kushtëzimet absurde të deritashme".
Një kontribut profesional dhe zyrtar
kanë dhënë edhe Kryekonsuli i përkushtuar i Landeve të Bavarisë dhe të
Thüringenit, Afrim Nura, si dhe deputeti i CSU gjermane, i kudondodhuri Deli
Balidemaj, i njohur edhe si Malsori i Martinaj të Gucisë. Më në fund, u
realizua një kërkesë legjitime e shtetasve të shumëvuajtur të Kosovës,
natyrisht, për ata që i plotësojnë normat ligjore, të marrjes të shtetësisë
vendore. në rastin konkret gjermane.
Rrjedhimisht, i konsiderojmë pengesa
manipulative, të cilat cenojnë dukshëm dhe artificialisht, të drejtën ligjore
të votimit të mërgimtarëve. Dhe, përjashtimit i disa kategorive të
mërgimtarëve, nuk ka bazë ligjore, nisur nga rrethanat që shkaktuan humbjen e
shtetësisë qytetarët legjitim të Kosovës. Mendoj se për të gjithë ata
mërgimtarë, të cilët, nevojshëm, por edhe përdhunshëm, hoqën dorë nga shtetësia
natyrale e Atdheut-Kosovë, duhet të
amnistohen nga penalizimi aktual, mbi
bazën e të cilit u mohohet e drejta e votimit aktualisht!
Pas pranimit të dyshtetësisë nga
shtetet e Evropës, Republika e Kosovës duhet t`ua kthejë shtetësinë e humbur
dhunshëm, të gjithë mërgimtarëve. madje në grup, pa kushtëzuar me pritje e
sorollatje të pa nevojshme e burokratike. Me dokumentin bazë të -Çërtifikatës
të Lindjes-, dhe adresën, ku qytetari është rezident, duhet të pajisen me
kartën e identitetit, -Letërnjoftimin- klasik.
Është cinike se shtetarë, pushtetarë,
parlamentarë dhe zyrtarë të lartë të Kosovës, me dy, madje edhe tri shtetësi të
huaja, nuk kanë asnjë pengesë në veprimtarinë e tyre institucionale dhe as
votimin e shpenguar qendror e lokal. Nga heshtja e tyre, ndaj sjelljes
përjashtuese të mërgimtarëve, të paktën, duhet të skuqen! Dhe, të angazhohen
seriozisht dhe menjëherë, për heqjen e çfarëdo kufizimeve, përfshirë edhe të
drejtën e votimit të qytetarëve të Kosovës.
Uroj dhe besoj në mirëkuptimin e
zyrtarëve dhe të shqiptarëve vendorë dhe të përbotshëm!