E diele, 09.11.2025, 11:49 PM (GMT)

Kulturë

Agron Tufa: Fragment nga romani 'Bija e Minotaurit'

E diele, 09.11.2025, 06:52 PM


Fragment nga romani më i ri i shkrimtarit të mirënjohur Agron Tufa, “Bija e Minotaurit”, të cilin mund ta gjeni në Panairin Kombëtar të Librit që nis më 12 nëntor:

...Makina la oborrin. Sytë pikëllimtarë të nënë Hyjries morën pamjen e fundit duke përcjellë me vështrime të pikëlluara derën me një dry të vjetër, të madh e rrethor, mandej në drejtim të currilit të çezmës, derisa makina dredhoi. Kisha vështirësi të përfshija të gjithën me një vështrim të qartë. Kishte diçka që ma turbullonte shikimin. Nuk e dija që e kisha për shkak të lotëve. Fshiva sytë dhe u tunda dorën disa herë. Ata ma kthyen të tre njëherësh për një copë herë, veçse Feriku qe i pari që më ktheu shpinën vrikthi – e dija se po qan. Mandej makina vazhdoi të kalojë përmes rreshtave të popullit kureshtar që kishte mbirë në të dyja anët e rrugës, pa guxuar t’u ngrenë dorën, qoftë edhe për një përshëndetje.

Vazhdova të endem nëpër oborrin e Shestanëve, nga ahuri i zbrazët, te muri dekorativ i druve. Kush do t’i djegë tani këto dru të bukura? mendova, duke m’u ringjallur në hundë erëmimi i amësht i limfës së tyre, mandej si në film u ngjallën edhe lëvizjet e krahëve të Mitatit, tehu i sakicës dhe shfryrja e njëfarë rënkimi me sëllitjen e sëpatës në trung. U sorollata nëpër oborr duke parë nga afër çdo gjë të ndaluar, që e kisha parë veçse së larti, nga dritarja ime, pa e shkelur mirë: plloçat e gurta e të lëmuara dhe barin rripth përskaj tyre; dy-tri trungje qershie; një ftua i madh plot kokrra, që zverdhnin si gjysmëhëna në skajin e largët të avllisë; hardhitë me rrushin e fundit, ende të pavjelë, që mbushnin faqen e avllisë derisa kapej në shkëmb; çezmën me currilin e pandërprerë të ujit sa një palë gërshërë, që më dukej se qysh tani kishte filluar numërimin e ditëve, muajve e viteve të mungesës së njerëzve të shtëpisë. Mandej bëra prapa, ngrita sytë dhe pashë në dritaren e katit të dytë, të mbuluar me perde të trashë, të kaftë, e cila m’u duk se lëvizi, u tallazit një valë herë. Ndjeva një sëmbim të fortë në gji, një si therje të mprehtë e të shkurtër, mandej një djegësirë ma veshi qiellzën, flegrat e hundëve dhe ndjeva se pamja m’u dyzua sërish, m’u përthye.

Eca drejt çezmës, mbusha grushtet me ujë të freskët dhe shpëlava fytyrën, por sërish sytë më mbusheshin me lëngun e nxehtë dhe buza më dridhej. Populli i padukshëm mund të mbinte tani të shihte në oborr dhe nuk bënte të më shihnin duke qarë në oborrin e braktisur të një shtëpie reaksionarësh, armiqsh të popullit e të Partisë, por e kisha të pamundur. Jo vetëm buzët, por edhe nofullat, edhe duart, edhe gjoksi im nisën të dridheshin, andaj u ula kacipup pranë kroit, me shpinë nga hyrja e oborrit dhe u shkarkova nga barra e njelmët e lëngjeve të mia të nxehta. Si kaloi gjithçka, ndjeva se qeshë lagur, pa e vënë re shiun që qe shtruar me rrëshekë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx