E marte, 04.11.2025, 07:28 PM (GMT)

Kulturë

Llesh Ndoj: Kontribut i paçmuar në themelin e letërsisë shqipe

E hene, 03.11.2025, 06:55 PM



KONTRIBUT I PAÇMUAR NË THEMELIN E LETËRSISË SHQIPE

- Rreth botimit “Studime letrare (të zgjedhura)” të Anton Nikë Berishës -

NGA LLESH NDOJ – STUDIUES

Kohët e fundit në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqiperisë u perurua korpusi prej dhjetë veprash nga fusha e studimit të prof. Anton Nikë Berishës. Pata rastin që mess humë referuesish, të them mendimet e mija, të cilat po i ndaj me lexuesit.

x        x       x

E çmoj nder të jem pjesëmarrës dhe të them fjalën time përpara një auditori kaq cilësor e për njërin nga ata njerëz që me kontributin e tij ka zënë vend nderi në panteonin e letrave shqipe, Prof. Dr. Anton Nikë Berishën.

Nuk janë të shumtë krijuesit, studiuesit e kritikët e letërsisë sonë që në harkun kohor të thuajse gjashtë dekadave veprimtari, jo vetëm sjellin një produkt letrar kaq të gjerë e të thellë për shoqërinë, si ai, por në të gjallë të tyre kujdesen edhe që ta revizionojnë e të na e japin atë thellësisht të sistemuar e lehtësisht të gatshëm për përdorim nga studiuesit e fushës, krijuesit e të gjitha gjinive letrare e sidomos nga studentët, të cilët synojnë të përgatiten për të marrë në dorë stafetën e për t’i çuar më përpara arritjet e derisotme. E tillë është vepra e zgjedhur e tij në fushën e studimeve letrare që promovohet sot. Edhe organizimi i brendshëm i kësaj vepre është gjithashtu mjaft didaktik dhe akademik: në dy vëllimet e para autori ka përzgjedhur kryesisht çështje teorike dhe ato të etikës e të estetikës së letërsisë, fushë ku ka kontribute të mëdha e autentike, për të vijuar pastaj në vëllimin e tretë me çështje të letërsisë gojore shqipe. Në vëllimet vijuese trajtohen me radhë që nga Meshari, krijimtaria e Buzukut dhe Budit, letërsia arbëreshe, Fishta, Koliqi e Camaj, duke vijuar pasytaj me autorët e huajt të cilat kanë shkruar për letërsinë shqipe (Biondeli, Meyeri, Weigandi, Lamberci), apo rolin e Eqrem Çabejt si njohës dhe studiues cilësor i saj, si e thekson autori, apo me analizën e shkrimtarëve shqiptarë e të huaj si Shkreli, Lera, Ramadan Musliu dhe Daniele Giancanes-s etj. Ndërkohë që vëllimi i 9-të i kushtohet disa kryeveprave të letërsisë botërore, kurse i dhjeti, përqendrohet tek letërsia për fëmijë dhe kontributi i disa prej lëvruesve të saj si Mark Krasniqi, Rifat Kukaj, Agim Deva etj. Kjo vepër e zgjedhur dhe gjithë veprimtaria krijuese poetike, studimore, botuese e mësimdhënëse e Prof. Dr. Anton Nikë Berishës është një dëshmi e gjallë e këndit të gjerë me të cilin vetë Ai e shikon botën, e përgjegjshmërisë së tij të lartë dhe përgjegjësisë intelektuale e atdhetare që ka dëshmuar e dëshmon me punën e veprën e tij të madhe. Më lejoni që në vijim të fjalës time të qëmtoj sipas meje, disa tipare të veprës së autorit, pa hyrë në analizën e hollësishme të ndonjërës nga veprat e tij.

Anton Berisha është njëra ndër mendjet krijuese më produktive bashkëkohore shqipfolëse në fushën e artit të fjalës. Ai është studies i njohur i letërsisë shqipe dhe asaj botërore, studiues i thellë i synimeve zhvillimore në këtë fushë, njohës i thellë i letërsisë gojore dhe i letërsisës së shkruar, sidomos letërsisë arbëreshe, përkthyes i shumë veprave e kryeveprave të letërsisë botërore, poet, romancier, njohës i trashëgimisë sonë dhe i fushave të tjera të ndërlidhura me artin e fjalës. Ai ka shkruar e ka botuar deri më sot më shumë se 100 tituj librash, veprimtari kjo shumëplanëshe që përbën kontribut themeli në letërsinë shqipe, por edhe një kontribut me rrezatim të gjithanshëm kombëtar.

Kjo është lartësia ku ai e ka vendosur veten me shumë punë, mund e djersë dhe kjo lartësi mund të shihet me “sy të lirë” nga kushdo. Mirëpo një lartësi e tillë as nuk mund të kuptohet nëse nuk depërtohet në përmasën e brendshme të tij dhe të veprës së tij, e cila është motivi i ngjitjes e baza e qëndrueshmërisë së saj. Rreth kësaj dua të ndaloj pak, pasi unë kam bindjen se sado të thuhen rreth figurës dhe veprës së tij, asnjëherë s’mund të thuash se janë thënë të gjitha, aq të gjera dhe të thella sa paraqiten ato. Anton Nikë Berisha mishëron në shpirtin e tij përmasa thuajse hyjnore. E them këtë nisur nga produkti letrar që e shohin të gjithë, por edhe nga njohja ime personale me të, njohje nga e cila përfundimi i sipërshënuar më është kthyer në një bindje të brendshme. Ai, kur e merr penën të shkruajë, kur lexon apo zhvillon një mendim kritik rreth një vepre letrare, apo në fushën e teorisë së letërsisë, gjithnjë niset nga të shikuarit e çështjes nga përmasa e dashurisë për të, i vendos vetes qëllim që të shënojë tek ajo qoftë edhe vetëm një filiz të shëndoshë dhe kujdeset në vijim që ky filiz të rritet, duke krijuar rreth tij një mjedis sa më të ngrohtë e të përshtatshëm. Pa këtë përmasë që reflekton dashurinë hyjnore në artin e fjalës, mendoj unë, nuk ka e nuk mund të ketë art cilësor, e profesor Antoni duket se e ka kuptuar herët këtë dhe e ka bërë pjesë të veprimtarisë së tij. Ky shpirt i pasur i tij është baza, themeli, apo rrënjët ku nisin ngjizjen e ngjitjen të gjitha veprat madhore, por edhe garancia e qëndrueshmërisë së tyre. Dashuria me të cilën ai e merr në dorë çdo punë të veten qëndron në themel të veprimtarisë së mirëfilltë krijuese, asaj studimore dhe mësimdhënëse.

Prof. dr. Anton Nikë Berisha e reflekton thellësinë e mendimit të tij përmes thjeshtësisë. Është njëri ndër rastet e bukura ku njeriu ka mundësinë reale të kuptojë filozofinë e thellë të shprehjes së urtë popullore “Kalliri që është plot e mban kokën ulur!” Edhe fjala e shkruar, krijimtaria e tij, edhe kumtesat e ligjëratat që ai mban, vijnë tek lexuesit apo dëgjuesit e shumtë, të thjeshta e të kuptueshme, aq sa shpesh them me vete se sa me fat kanë qenë ata studentët e shumtë, që i kanë ndjekur leksionet e tij. Kur them dhe e vë në dukje thjeshtësinë e fjalës, gjithnjë mbaj parasysh edhe thellësinë e saj, rigorozitetin shkencor që mbart, dhe e shoh atë si një përmasë të zgjedhur prej tij me vullnet, për të bartur tek të tjerët dijenitë e tij të thella pasi, në fillim të fillimit, (nuk më pëlqen të them kurrë në fund të fundit) ky duhet të jetë edhe qëllimi i krijuesit, studiuesit, pedagogut, por edhe i drejtuesit të çdo rendi qoftë, dhe pse jo, edhe i prindit ndaj fëmijëve, i më të rriturve ndaj më të rinjve, i atyre me më shumë përvojë ndaj atyre me më pak përvojë.

Edhe pse është kaq i thellë e ka zënë vend nderi në hierarkinë e vlerave të studimeve letrare shqiptare, ai gjithnjë e thotë se ajo çfarë shpreh është vetëm një këndvështrim i mundshëm, të cilën gjë e kushtëson, para së gjithash, gjuha poetike me të cilën ndërtohet teksti; marrëdhëniet e fjalëve dhe ballafaqimi i tyre, se një vepër letrare qëndron në këmbë sepse ngjallë më shumë se një kënd vështrimi, dhe se ajo (letërsia) nuk është matematikë e thjeshtë, por algjebër, apo matematikë e thelluar, analizë, ku nuk vlen “një plus një bëjnë dy”, por abstragimi përtej kësaj drejt diçkaje tejet përmasore.

Anton Nikë Berisha është njëri ndër të rrallët që meriton të quhet hierark i gjuhës dhe fjalës së bukur shqipe. Vepra e tij artistike dhe studimore shquhet për pastërtinë e gjuhës, për gjetjen e përdorimin e fjalëve burimore shqipe, për anashkalimin në maksimumin e mundshëm të huazimeve të panevojshme e të barbarizmave, të cilat ndodh që të përdoren rëndom prej shumë të tjerëve, si shprehje e modernizmit, apo thjesht si lehtësi e sjellë nga koha e globalizmave shumëplanëshe. Nëse ka një kategori të gjërave për të cilat vështirë se gjen pajtimësi ndryshe me profesor Antonin, është përdorimi i drejtë i fjalëve dhe shprehjeve të gjuhës sonë të bukur, edhe për arsye se ajo është identiteti ynë, por edhe pse fuqia e saj shprehëse e bën atë më të përshtatshme për një letërsi cilësore. Jo vetëm fjala e pastër shqipe, por edhe thellësia e qartësia e shprehjes, pasqyrim ky i thellësisë dhe i qartësisë së mendimit, janë tipare saktësisht të dallueshme në të gjithë veprën studimore e krijuese (poetike) të tij. Ai kur shkruan një studim, kur krijon apo përkthen nga gjuhët e tjera, mediton thellë mbi fjalën duke përzgjedhur mes një shumësi mundësish atë më shprehësen, e që i jep vlera arti fjalës e të shprehurit të tij.

Profesor Antoni shpreh gjithnjë mirënjohje ndaj punës së të tjerëve, paraardhësve apo bashkëkohësve të vet. Edhe në një shkrim të shkurtër e të thjeshtë, apo qoftë edhe në një bisedë joformale, ai gjithnjë përdor referenca, duke dëshmuar njohuritë e thella në punën e tij, seriozitetin shkencor me të cilin e trajton çdo çështje, por edhe respektin ndaj punës e të arriturave të të tjerëve në çdo fushë. Ndoshta pasioni dhe njohja e thellë që ka ndaj folklorit (letërsisë gojore) dhe gjuhës shqipe si gjuhë themeli, ndoshta nderimi, krenaria e përgjegjshmëria e tij intelektuale ndaj atyre që përbëjnë patentë identitare kombëtare shqiptare, ndoshta të gjitha këto bashkë e të tjera tipare që ai i zotëron si pakkush tjetër, e bëjnë profesor Antonin një rrëfimtar të rrallë dhe rrëfimet e tij shumë të këndshme. Për shumëçka, ai do të gjejë një anekdotë burimore shqiptare, një urti popullore a një shembull jete, për ta konkretizuar e ngulitur thellë rrëfimin e tij tek bashkëbiseduesi. Veç të tjerave, ka edhe një humor të hollë e të këndshëm, por edhe me plot vlera edukative, gjë që e bën kohën me të, të rrjedhë si pa e kuptuar dhe fundin e një bisede si një dëshirë për të qenë ai një fillim i ri. Ndodh kështu edhe me leximin e veprave të tij.

Është fat e privilegj për një popull relativisht të vogël, siç është populli ynë shqiptar, që të ketë nxjerrë nga gjiri i tij figura të dimensioneve përtej kombëtare edhe në letërsi, krahas atyre të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut e Shën Terezës, por është privilegj, që të ketë në gjirin e tij, të gjallë e akoma me aktivitet të larmishëm, studiues e krijues si Anton Nikë Berisha, Rexhep Qosja e të tjerë, të cilët duhen studiuar e nderuar nga shteti e shoqëria sa të jenë mes nesh, sepse atë që ndoshta politika nuk e bën dot, apo e bën në dekada kohëzgjatje, një shkrimtar, një studiues e një artist i madh e bën edhe me një vepër të tijën. Është kjo arësyeja që ata duhen çmuar si pararoja dhe memoria e kombit. Përmes tyre edhe integrimi ynë si shtete e si shoqëri në Evropën e kulturuar, bëhet më i shpejtë e më i natyrshëm.

Nisur nga sa thashë më lart, kam dëshirë të falënderoj edhe organizuesit e këtij takimi kaq të bukur kushtuar botimit më të ri të Anton Berishës me studime letrare të zgjedhura dhe t’i uroj atij jetë të gjatë e mbarësi në punën e aktivitetin e mëtejshëm.

Tiranë, më 31 tetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx