Kulturë
Llesh Ndoj: Kontribut i paçmuar në themelin e letërsisë shqipe
E hene, 03.11.2025, 06:55 PM

KONTRIBUT I PAÇMUAR NË THEMELIN E LETËRSISË SHQIPE
-
Rreth botimit “Studime letrare (të zgjedhura)” të Anton Nikë Berishës -
NGA
LLESH NDOJ – STUDIUES
Kohët e fundit në Akademinë e Shkencave
të Republikës së Shqiperisë u perurua korpusi prej dhjetë veprash nga fusha e
studimit të prof. Anton Nikë Berishës. Pata rastin që mess humë referuesish, të
them mendimet e mija, të cilat po i ndaj me lexuesit.
x
x x
E çmoj nder të jem
pjesëmarrës dhe të them fjalën time përpara një auditori kaq cilësor e për
njërin nga ata njerëz që me kontributin e tij ka zënë vend nderi në panteonin e
letrave shqipe, Prof. Dr. Anton Nikë Berishën.
Nuk janë të shumtë
krijuesit, studiuesit e kritikët e letërsisë sonë që në harkun kohor të thuajse
gjashtë dekadave veprimtari, jo vetëm sjellin një produkt letrar kaq të gjerë e
të thellë për shoqërinë, si ai, por në të gjallë të tyre kujdesen edhe që ta
revizionojnë e të na e japin atë thellësisht të sistemuar e lehtësisht të
gatshëm për përdorim nga studiuesit e fushës, krijuesit e të gjitha gjinive
letrare e sidomos nga studentët, të cilët synojnë të përgatiten
për të marrë në dorë stafetën e për t’i çuar më përpara arritjet e derisotme. E
tillë është vepra e zgjedhur e tij në fushën e studimeve letrare që promovohet
sot. Edhe organizimi i brendshëm i kësaj vepre është gjithashtu mjaft didaktik
dhe akademik: në dy vëllimet e para autori ka përzgjedhur kryesisht çështje
teorike dhe ato të etikës e të estetikës së letërsisë, fushë ku ka kontribute
të mëdha e autentike, për të vijuar pastaj në vëllimin e tretë me çështje të
letërsisë gojore shqipe. Në vëllimet vijuese trajtohen me radhë që nga Meshari,
krijimtaria e Buzukut dhe Budit, letërsia arbëreshe, Fishta, Koliqi e Camaj, duke
vijuar pasytaj me autorët e huajt të cilat kanë shkruar për letërsinë shqipe
(Biondeli, Meyeri, Weigandi, Lamberci), apo rolin e Eqrem Çabejt si njohës dhe
studiues cilësor i saj, si e thekson autori, apo me analizën e shkrimtarëve
shqiptarë e të huaj si Shkreli, Lera, Ramadan Musliu dhe Daniele Giancanes-s
etj. Ndërkohë që vëllimi i 9-të i kushtohet disa kryeveprave të letërsisë
botërore, kurse i dhjeti, përqendrohet tek letërsia për fëmijë dhe kontributi i
disa prej lëvruesve të saj si Mark Krasniqi, Rifat Kukaj, Agim Deva etj. Kjo
vepër e zgjedhur dhe gjithë veprimtaria krijuese poetike, studimore, botuese e
mësimdhënëse e Prof. Dr. Anton Nikë Berishës është një dëshmi e gjallë e
këndit të gjerë me të cilin vetë Ai e shikon botën, e përgjegjshmërisë së tij
të lartë dhe përgjegjësisë intelektuale e atdhetare që ka dëshmuar e dëshmon me
punën e veprën e tij të madhe. Më lejoni që në vijim të fjalës time të
qëmtoj sipas meje, disa tipare të veprës së autorit, pa hyrë në analizën e
hollësishme të ndonjërës nga veprat e tij.
Anton Berisha
është njëra ndër mendjet krijuese më produktive bashkëkohore shqipfolëse në
fushën e artit të fjalës. Ai është studies i njohur i letërsisë shqipe
dhe asaj botërore, studiues i thellë i synimeve zhvillimore në këtë fushë,
njohës i thellë i letërsisë gojore dhe i letërsisës së shkruar, sidomos
letërsisë arbëreshe, përkthyes i shumë veprave e kryeveprave të letërsisë
botërore, poet, romancier, njohës i trashëgimisë sonë dhe i fushave të tjera të
ndërlidhura me artin e fjalës. Ai ka shkruar e ka botuar deri më sot më
shumë se 100 tituj librash, veprimtari kjo shumëplanëshe që përbën kontribut
themeli në letërsinë shqipe, por edhe një kontribut me rrezatim të gjithanshëm
kombëtar.
Kjo është lartësia ku ai e ka vendosur veten me shumë punë, mund e djersë
dhe kjo lartësi mund të shihet me “sy të lirë” nga kushdo. Mirëpo një lartësi e tillë as nuk
mund të kuptohet nëse nuk depërtohet në përmasën e brendshme të tij dhe të
veprës së tij, e cila është motivi i ngjitjes e baza e qëndrueshmërisë së saj.
Rreth kësaj dua të ndaloj pak, pasi unë kam bindjen se sado të thuhen rreth
figurës dhe veprës së tij, asnjëherë s’mund të thuash se janë thënë të gjitha,
aq të gjera dhe të thella sa paraqiten ato. Anton Nikë Berisha mishëron në shpirtin e tij përmasa thuajse
hyjnore. E them këtë nisur nga produkti letrar që e shohin të gjithë,
por edhe nga njohja ime personale me të, njohje nga e cila përfundimi i
sipërshënuar më është kthyer në një bindje të brendshme. Ai, kur e merr penën
të shkruajë, kur lexon apo zhvillon një mendim kritik rreth një vepre letrare,
apo në fushën e teorisë së letërsisë, gjithnjë niset nga të shikuarit e
çështjes nga përmasa e dashurisë për të, i vendos vetes qëllim që të shënojë
tek ajo qoftë edhe vetëm një filiz të shëndoshë dhe kujdeset në vijim që ky
filiz të rritet, duke krijuar rreth tij një mjedis sa më të ngrohtë e të
përshtatshëm. Pa këtë përmasë që reflekton dashurinë hyjnore në artin e
fjalës, mendoj unë, nuk ka e nuk mund të ketë art cilësor, e profesor Antoni
duket se e ka kuptuar herët këtë dhe e ka bërë pjesë të veprimtarisë së tij. Ky
shpirt i pasur i tij është baza, themeli, apo rrënjët ku nisin ngjizjen e
ngjitjen të gjitha veprat madhore, por edhe garancia e qëndrueshmërisë së tyre.
Dashuria me të cilën ai e merr në dorë çdo punë të veten qëndron në themel të veprimtarisë
së mirëfilltë krijuese, asaj studimore dhe mësimdhënëse.
Prof. dr. Anton
Nikë Berisha e reflekton thellësinë e mendimit të tij përmes thjeshtësisë. Është njëri ndër rastet e bukura ku
njeriu ka mundësinë reale të kuptojë filozofinë e thellë të shprehjes së urtë
popullore “Kalliri që është plot e mban kokën ulur!” Edhe fjala e shkruar,
krijimtaria e tij, edhe kumtesat e ligjëratat që ai mban, vijnë tek lexuesit
apo dëgjuesit e shumtë, të thjeshta e të kuptueshme, aq sa shpesh them me vete
se sa me fat kanë qenë ata studentët e shumtë, që i kanë ndjekur leksionet e
tij. Kur them dhe e vë në dukje thjeshtësinë e fjalës, gjithnjë mbaj parasysh
edhe thellësinë e saj, rigorozitetin shkencor që mbart, dhe e shoh atë si një
përmasë të zgjedhur prej tij me vullnet, për të bartur tek të tjerët dijenitë e
tij të thella pasi, në fillim të fillimit, (nuk më pëlqen të them kurrë në fund
të fundit) ky duhet të jetë edhe qëllimi i krijuesit, studiuesit, pedagogut,
por edhe i drejtuesit të çdo rendi qoftë, dhe pse jo, edhe i prindit ndaj
fëmijëve, i më të rriturve ndaj më të rinjve, i atyre me më shumë përvojë ndaj
atyre me më pak përvojë.
Edhe pse është kaq
i thellë e ka zënë vend nderi në hierarkinë e vlerave të studimeve letrare
shqiptare, ai gjithnjë e thotë se ajo çfarë shpreh është vetëm një këndvështrim i
mundshëm, të cilën gjë e
kushtëson, para së gjithash, gjuha poetike me të cilën ndërtohet teksti; marrëdhëniet
e fjalëve dhe ballafaqimi i tyre, se një vepër letrare qëndron në këmbë sepse
ngjallë më shumë se një kënd vështrimi, dhe se ajo (letërsia) nuk është
matematikë e thjeshtë, por algjebër, apo matematikë e thelluar, analizë, ku nuk
vlen “një plus një bëjnë dy”, por abstragimi përtej kësaj drejt diçkaje tejet
përmasore.
Anton Nikë Berisha
është njëri ndër të rrallët që meriton të quhet hierark i gjuhës dhe fjalës
së bukur shqipe. Vepra e tij artistike dhe studimore shquhet për
pastërtinë e gjuhës, për gjetjen e përdorimin e fjalëve burimore shqipe, për
anashkalimin në maksimumin e mundshëm të huazimeve të panevojshme e të
barbarizmave, të cilat ndodh që të përdoren rëndom prej shumë të tjerëve, si
shprehje e modernizmit, apo thjesht si lehtësi e sjellë nga koha e globalizmave
shumëplanëshe. Nëse ka një kategori të gjërave për të cilat vështirë se gjen
pajtimësi ndryshe me profesor Antonin, është përdorimi i drejtë i fjalëve dhe
shprehjeve të gjuhës sonë të bukur, edhe për arsye se ajo është identiteti ynë,
por edhe pse fuqia e saj shprehëse e bën atë më të përshtatshme për një letërsi
cilësore. Jo vetëm fjala e pastër shqipe, por edhe thellësia e qartësia e
shprehjes, pasqyrim ky i thellësisë dhe i qartësisë së mendimit, janë tipare
saktësisht të dallueshme në të gjithë veprën studimore e krijuese (poetike) të
tij. Ai kur shkruan një studim, kur krijon apo përkthen nga gjuhët e tjera,
mediton thellë mbi fjalën duke përzgjedhur mes një shumësi mundësish atë më
shprehësen, e që i jep vlera arti fjalës e të shprehurit të tij.
Profesor Antoni shpreh
gjithnjë mirënjohje ndaj punës së të tjerëve, paraardhësve apo
bashkëkohësve të vet. Edhe në një shkrim të shkurtër e të thjeshtë, apo qoftë
edhe në një bisedë joformale, ai gjithnjë përdor referenca, duke
dëshmuar njohuritë e thella në punën e tij, seriozitetin shkencor me të cilin e
trajton çdo çështje, por edhe respektin ndaj punës e të arriturave të të
tjerëve në çdo fushë. Ndoshta
pasioni dhe njohja e thellë që ka ndaj folklorit (letërsisë gojore) dhe gjuhës
shqipe si gjuhë themeli, ndoshta nderimi, krenaria e përgjegjshmëria e tij
intelektuale ndaj atyre që përbëjnë patentë identitare kombëtare shqiptare,
ndoshta të gjitha këto bashkë e të tjera tipare që ai i zotëron si pakkush
tjetër, e bëjnë profesor Antonin një rrëfimtar të rrallë dhe rrëfimet e tij
shumë të këndshme. Për shumëçka, ai do të gjejë një anekdotë burimore
shqiptare, një urti popullore a një shembull jete, për ta konkretizuar e
ngulitur thellë rrëfimin e tij tek bashkëbiseduesi. Veç të tjerave, ka edhe një
humor të hollë e të këndshëm, por edhe me plot vlera edukative, gjë që e bën
kohën me të, të rrjedhë si pa e kuptuar dhe fundin e një bisede si një dëshirë
për të qenë ai një fillim i ri. Ndodh kështu edhe me leximin e veprave të tij.
Është fat e
privilegj për një popull relativisht të vogël, siç është populli ynë shqiptar,
që të ketë nxjerrë nga gjiri i tij figura të dimensioneve përtej kombëtare edhe
në letërsi, krahas atyre të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut e Shën Terezës, por
është privilegj, që të ketë në gjirin e tij, të gjallë e akoma me aktivitet të
larmishëm, studiues e krijues si Anton Nikë Berisha, Rexhep
Qosja e të tjerë, të cilët duhen studiuar e nderuar nga shteti e shoqëria sa të
jenë mes nesh, sepse atë që ndoshta politika nuk e bën dot, apo e bën në dekada
kohëzgjatje, një shkrimtar, një studiues e një artist i madh e bën edhe me një
vepër të tijën. Është kjo arësyeja që ata duhen çmuar si pararoja dhe memoria e
kombit. Përmes tyre edhe integrimi ynë si shtete e si shoqëri në Evropën e
kulturuar, bëhet më i shpejtë e më i natyrshëm.
Tiranë, më 31 tetor 2025










