E merkure, 29.10.2025, 07:59 PM (GMT)

Kulturë

Rovena Vata Mikeli: Naim Frashëri - Bilbili i gjuhës shqipe

E marte, 28.10.2025, 06:55 PM


Rovena Vata Mikeli:

Ndjehem e nderuar, që isha pjesë e aktivitetit përkujtimor kushtuar 125 vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit të madh të rilindjes, Naim Frashërit, veprimtari kjo e organizuar nga Qendra Kulturore "A. Moisiu" Durrës.

Me pjesëmarrjen e veçantë të dy ikonave të kinomatografisë shqiptare Zonjës Yllka Mujo dhe Zotit Ndriçim Xhepa, ku me interpretimet e tyre fantastike ia shtuan magjinë kësaj mbrëmje.

Nuk munguan edhe aktorët e Teatri Aleksander Moisiu Durres, të cilët i sollën të gjalla vargjet poetike të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri.

Një portret fisnik dhe plot sharm i poetit Naim Frashëri ishte vendosur në qendër të sallës, pikturuar nga drejtoresha Alketa Tragaj Myshketa.

Një pjesë të referimit tim nga takimi:

Në këtë 20 tetor të vitit 2025, kujtojmë me nderim, respekt e dashuri, emrin dhe veprën e Naim Frashërit, poetit tonë kombëtar, mendimtarit dhe veprimtarit të shquar të arsimit e kulturës shqiptare, arkitektit të Rilindjes sonë Kombëtare, hartuesit të teksteve në gjuhën shqipe, ideologut të shquar të filozofisë bektashiane, dashuronjësit të flaktë të gjuhës shqipe dhe flakadanit të Shqipërisë europiane.

Te krijimtaria letrare e Naim Frashërit qëndrojnë bashkë në kuvendim të përhershëm gjuha shqipe dhe viset shqiptare, miti dhe historia, etnosi dhe qytetërimi, ndjenja atdhetare për Shqipërinë dhe ndjenja për të bukurën si vlerë estetike.

Poezia e Naim Frashërit është poezi filozofike, poezi atdhetare, ku zënë vend edhe poemat heroike dhe proza filozofike, për të mos harruar një tjetër kontribut të çmuar të Naim Frashërit në letërsinë shqipe, lëvrimin e prozës dhe poezisë për fëmijë, ku përmes vargut e frazës shqipe, përcillen mesazhe të nivelit më të lartë artistik dhe universal, për botëkuptimin e fëmijëve dhe miredukimin e tyre.

Bilbili i gjuhës shqipe dhe mjeshtri i fjalës së shkruar, poeti i madh kombëtar Naim Frashëri, përgjatë periudhës së angazhimit të tij në letërsi, vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare, vepra e tij poetike luajti rol në zgjimin e vetëdijes atdhetare kombëtare.

Tradita që krijoi Naim Frashëri është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme, pasi ai vazhdimisht është vlerësuar nga kritika si një mendimtar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare.

Botëkuptimi i Naim Frashërit ishte në thelb panteist e idealist dhe e gjithë veprimtaria e tij letrare e kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e mendjes së popullit shqiptar.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij, në kujtesë, në fjalë, në mendime dhe në shkrimet shqipe!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx