Kulturë
Rovena Vata Mikeli: Naim Frashëri - Bilbili i gjuhës shqipe
E marte, 28.10.2025, 06:55 PM

Rovena Vata Mikeli:
Ndjehem
e nderuar, që isha pjesë e aktivitetit përkujtimor kushtuar 125 vjetorit të
ndarjes nga jeta të poetit të madh të rilindjes, Naim Frashërit, veprimtari kjo
e organizuar nga Qendra Kulturore "A. Moisiu" Durrës.
Me
pjesëmarrjen e veçantë të dy ikonave të kinomatografisë shqiptare Zonjës Yllka
Mujo dhe Zotit Ndriçim Xhepa, ku me interpretimet e tyre fantastike ia shtuan
magjinë kësaj mbrëmje.
Nuk
munguan edhe aktorët e Teatri Aleksander Moisiu Durres, të cilët i sollën të
gjalla vargjet poetike të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri.
Një
portret fisnik dhe plot sharm i poetit Naim Frashëri ishte vendosur në qendër
të sallës, pikturuar nga drejtoresha Alketa Tragaj Myshketa.

Një pjesë të referimit
tim nga takimi:
Në
këtë 20 tetor të vitit 2025, kujtojmë me nderim, respekt e dashuri, emrin dhe
veprën e Naim Frashërit, poetit tonë kombëtar, mendimtarit dhe veprimtarit të
shquar të arsimit e kulturës shqiptare, arkitektit të Rilindjes sonë Kombëtare,
hartuesit të teksteve në gjuhën shqipe, ideologut të shquar të filozofisë
bektashiane, dashuronjësit të flaktë të gjuhës shqipe dhe flakadanit të
Shqipërisë europiane.
Te
krijimtaria letrare e Naim Frashërit qëndrojnë bashkë në kuvendim të përhershëm
gjuha shqipe dhe viset shqiptare, miti dhe historia, etnosi dhe qytetërimi,
ndjenja atdhetare për Shqipërinë dhe ndjenja për të bukurën si vlerë estetike.
Poezia
e Naim Frashërit është poezi filozofike, poezi atdhetare, ku zënë vend edhe
poemat heroike dhe proza filozofike, për të mos harruar një tjetër kontribut të
çmuar të Naim Frashërit në letërsinë shqipe, lëvrimin e prozës dhe poezisë për
fëmijë, ku përmes vargut e frazës shqipe, përcillen mesazhe të nivelit më të
lartë artistik dhe universal, për botëkuptimin e fëmijëve dhe miredukimin e
tyre.
Bilbili
i gjuhës shqipe dhe mjeshtri i fjalës së shkruar, poeti i madh kombëtar Naim
Frashëri, përgjatë periudhës së angazhimit të tij në letërsi, vuri bazat e
gjuhës letrare kombëtare, vepra e tij poetike luajti rol në zgjimin e vetëdijes
atdhetare kombëtare.
Tradita
që krijoi Naim Frashëri është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë
sonë të sotme, pasi ai vazhdimisht është vlerësuar nga kritika si një mendimtar
dhe veprimtar i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare.
Botëkuptimi
i Naim Frashërit ishte në thelb panteist e idealist dhe e gjithë veprimtaria e
tij letrare e kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e
vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e mendjes së popullit shqiptar.
I
përjetshëm qoftë kujtimi i tij, në kujtesë, në fjalë, në mendime dhe në
shkrimet shqipe!












