E merkure, 29.10.2025, 10:45 PM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Alida Hisku dhe 50-vjetori i “Vajzat e fshatit tim”

E marte, 28.10.2025, 06:58 PM


Alida Hisku dhe 50 vjetori i këngës fituese në Festivalin e 13-të, të këngës viti 1975 “Vajzat e fshatit tim.”

Nga Shyqyri Fejzo

Historia njerzore flet se çdo epokë prodhon heronjtë e saj. Në momente të caktuara kjo histori ka treguar se një qytet, fshat, krahinë apo vend nxjerr personalitete të përmasave epokale. Ne, për një pjesë të mirë të tyre, jemi mësuar të lexojmë apo të flitet për heronj e personalitete që kanë kaluar një epokë apo një kohë të caktuar, kur karakteristikat e tyre janë fiksuar e njohur nga mbarë bota shqiptare dhe më tej. Por, sa të rinj e të reja të talentuar kemi në vënd dhe nëpër botë, që punojnë, mësojnë, shpikin por jo të gjithë njihen, nxiten dhe i vlerësojmë në kohë.

Për kushtet e mia si dhe statusin e gjendjes civile vitet e fundit, më është dashur të jetoj shumë kohë në Gjermani, së bashku me djemtë të cilët kanë vite të vendosur familjarisht në qytetin e Hamburgut. Po e flak pak tutje modestinë, duke treguar  se edhe këtu jam përpjekur e po bëj një jetë aktive, duke lexuar e shkruar dhe synuar të mos më shpëtojë gjë. Mirpo kot nuk thonë që vigjilenca është çmimi i epërsisë. Kam botuar edhe libra me personazhe shqiptare, gjermane etj. si dhe shkruaj në gazetat shqiptare dhe sidomos ne portalin “Zemra Shqiptare.”E pranoj që për disa shqiptarë nuk e kam pasur shkallën e vigjilencës në lartësinë e kërkesave të kohës. Në portalin  “Zemra Shqiptare” lexova një shkrim të z. Albert Z. Zholi me titull “Flet këngëtarja e mirënjohur Alida Hisku.” Jam befasuar jo vetëm për intervistën aq cilësore, por edhe për faktin se gazetari i talentuar kishte intervistuar një nga divet e  këngës, e cila nuk dihej se ku ishte për dekada të tëra. Në disa shkrime që kam botuar këtu në Gjermani, i kam dhënë prioritet atyre që janë personazhe të cilët kanë rol të rëndësishëm dhe nuk gabojmë të quhen nyje lidhëse e urave midis popullit e vendeve të Gjermanisë me Shqipërinë, si Xhelil Musa: “Magjistari që gërshetoi lindjen me perëndimin”, për shkencëtarin botanist Friedrich Markgraf,   piktorin Shuk Oran, për shkrimtaren Waltrud Tuger Bejko, për Peter Lutzen, për “Mirushen e Mitrovicës Elbenita Kajtazi”etj. Por, intervista e dhënë nga zonja Alida Hisku, më hapi sytë, më shkundi, edhe pse me vonesë, kujtova fjalën kuptimplote që përdoret në Shqipëri;”ai që kërkon gjen, ai që këmbëngul gjen dhe merr” dhe për këtë nuk është vonë kurrë.

Këngëtarja Alida Hisku, që moshë fare të re që në festivalin e Pionierëve, në Shqipëri u bë  shumë e mirënjohur për intrepetimet e saj në festivalet, veprimtaritë e rëndësishme duke arritur kulme në festivalin e 13-të me këngën e bukur “Vajzat e fshatit tim,”me tekst të poetes të njohur, Zhuliana Jorganxhi e kompozim nga kompozitori Enver Shëngjergji. Kam qënë dhe jam dashamirës i kësaj kënge, mbasi e merrte temën nga fshati, ku punohej e luftohej me vështirësitë, ekzekutohej në  mënyrë të përkryer nga Alida. Ruaj një kujtim me kompozitorin  e saj, Enver Shëngjergji, i cili në një bisedë intime me dy tre shokë të tjerë, na tregoi për historinë e kompozimit, si dhe vlerësimit të asaj kënge.  Ajo këngë ka dhe do të ketë jetëgjatësi të madhe. Në faqen e facebook të këngëtares, më ka bërë përshtypje një video ku një djalë Irlandez këndon këngën “Vajzat e fshatit tim” shoqëruar me një instrument karakteristik muzikor. Ai në video bëri një interpertim vyrtioz, se e kishte hak kjo këngë të shkonte e korrte duartrokitje deri në Irlandën e largët.

Duke dëgjuar videon e shkruar për këto probleme, të kujtohen menjëherë mendimet e dietarëve e personaliteteve të shquara, si Hygoj, Tolstoi, Heminguej apo Lasgushi ynë se ”faktor kryesor për arritjen e një suksesi  në jetë është dhe një fëmijëri e  vuajtur dhe e varfër.” Dhe personazhi i këtij shkrimi nuk bën asnjë përjashtim nga ato konkluzione të njerëzve të shquar. E themi këtë për arësye se po të dëgjosh odisenë e vështirësive dhe pengesave, sidomos ato shpirtërore, dhe vuajtjeve të Alidës deri në arritjet e sotme, sipas tregimeve të saj dhe në një emision televiziv:  mbetesh pa frymë. Në veçanti  momenti i kapërximit  të vijës së kufirit me të dy djemtë, të cilët nuk i la asnjëherë  jashtë vemendjes e kujdesit, është një odise  sa e rrezikshme aq dhe kurajoze   e cila u realizua në saj të qartësisë dhe këmbënguljes saj.

Në këtë shkrim, me “penelata të theksuara”, dua të ndalem në dy momente:- Në rolin dhe dashurinë e saj për artin, veçanërisht muzikën e këngën dhe së dyti:–Alida Hisku-njeri.

Kuptohet dhe shkencërisht është vërtetuar se në ecurinë e Alidës në fushën e muzikës dhe veçanrisht të këngës, ndikimin kryesor e ka trashëgimia, prejardhja e saj, geni. Kështu, është vërtetuar se gjenetika (geni) trashëgon 40 deri 60 përqind e aftësive. Në veçanti me theks trashëgohet ndjeshmëria ndaj tonit, ritmit dhe kujtesës muzikore. Faktor bazë është gjithashtu dhe mjedisi familjar, i vlerësuar dhe ai 40 deri 60 përqind. Mjedisi stimulon zhvillimin e prirjeve nëpërmjet shembullit dhe praktikës. Aty aktivizohet potenciali i trashëguar duke u shndërruar në aftësi reale. E thënë shkurt dhe  më shkoqur; geni mbjell farën e muzikës, ndërsa mjedisi e “ujit” dhe e rrit.

I theksuam diçka dhe nga ana teorike këto tregues mbasi lumturisht për Alida Hiskun dhe shoqërinë njerzore këto dy faktorë, siç pohon vetë ajo, kanë qënë të shkallës sipërore. Këto cilësi të saj i kanë kapur dhe evidentuar si prindët dhe kompetentët e muzikës. Nga ana tjetër, vetë Alida si fëmijë, në veprimtarinë e saj në këtë drejtim, nuk ka pasur asnjë lloj force që të vepronte nga e kundërta dhe ta frenonte. Pjesmarrja e saj që në moshë fare të vogël në veprimtari e deri në festivale, filluar nga 9 vjeç e më tej tregonte se po lindëte (siç lindi) një talent i ri. Ja. Sot ky sukses i merituar i Alidës në festivalin e 13-të të vitit 1975, mbush plot 50 vjet.Kemi të drejtën ti japim lexuesit “Cfarë bëhet me këtë këngë dhe interpertuesen brilante të saj Alida Hisku?”

Unë jam i një brezi më të hershëm se Alida, këngën e së cilës e kam dashur e adhuruar, për iterpertimin plot dinjitet, për tingullin, timbrin dhe shqipërimin shumë pastër të fjalëve të këngës. Fizikisht nuk e kam njohur heret, u desh Gjermania dhe media virale të na njohë dhe afrojë. Dua të  theksoj një moment. Kam punuar si drejtues në disa fshatra të rrethit tim. Kur vinte koha e korrjes e shirjes e grurit, tamam, siç jepen në videon e këngës “Vajzat e Fshatit Tim”ndodhte edhe në lëmenjtë tanë. Vajzat e të rejat që hidhnin grurin në erë me lopata dhe gjithë gëzim dëgjonin në ato radiot me bateri, këngën që këndonte aq bukur Alida. Vazhdoj më tej. Alida asnjëherë nuk i është trembur punëve të vështira. Këtu, në Gjermani duhet theksuar se puna (që është babai i të gjithave) e ngriti dhe po e mban aq lart me të gjitha të mirat. Ajo nuk  e ka pasur për turp të punojë në punët më të vështira, sidomos në vitet e fillimt. Por edhe tani ajo në vazhdimësi, pa pikë qibarllëku u futet dhe i mbaron në kohë dhe cilësi çdo punë që ze.

Të përgatitësh me lugën e drunjtë (karakteristike e guzhinave tona) gjellët shqiptare në bisnesin tënd, të dalësh para klientëve  gjermanë që kanë mbushur tavolinat me praninë e tyre, me pyetjen;”A u pëlqeu gatimi?” Ata të përgjigjen me një breshëri duartrokitje. Pas dy minutash tingujt e këngëve shqiptare dhe gjermane si :Hurra…Wir leben noch (cover)…të kënduara aq bukur nga Alida, mbushin ëmbëlsisht sallën. Kjo ndodh shpesh në bisnesin e Alidës, dhe vetëm ajo me energjitë e saj të pashtershme mund ta bëjë kështu. Ka kohë që gjermanët po i njohin se cilat janë shqiptaret.

Për shqiptarët, nuk ka pasur njohje të plotë,  për arsye të kufizimeve politike. Kjo dihet nga të gjithë.  Trajtimi mitik i Shqipërisë është  mjaft i përhapur sot në vend dhe jashtë tij. Jo  shqiptarët që kanë vizituar vendin, apo analizuar problemin, janë përqëndruar tek historia, gjuha e veçantë, nga pejsazhi dhe natyra e pa ndotur, prapambetja dhe mjerimi, sponatniteti popullor, zakonet e lashta si dhe përzjerja e lindores me perëndimoren, nga copëzimi dhe larushitja e  vendit, nga e panjohura e zanafillës së tij. Bota kështu na njeh në vija të trasha, po kjo nuk është e tëra. Jo më pak shkrime e analiza ka për karakterin, vetitë genin e shqiptarit, se i tillë është dhe realiteti.

Shqiptarët dallohen jo vetëm për qartësinë e mendimit, por veçanrisht në këmbënguljen. Këto dukuri lidhen direkt  me përvetësimin e gjuhëve të huaja, përshtatëshmërinë dhe dukuri e tendenca për të realizuar më të mirën bashkëkohoren, në përputhje me stadet e zhvillimit të vendeve ku jetojnë dhe të shoqërisë në përgjithësi. Të gjitha këto dukuri,në një formë  apo në një tjetër, janë manifestuar edhe tek Alida.

Alida Hisku-njeri.

Alida Hisku bën pjesë në “kreshtat” e njerëzisë të kombit shqiptar. Njerëzit si Alida janë si të gjithë të tjerët, por dallohen sepse ata bëjnë gjënë e duhur në kohën e duhur. Aq më tepër në Gjermani, banorët e të cilës dhe gjithë struktura shoqërore, kohën e përcakton si gjënë më të shtrenjtë, ndaj së cilës nuk bën asnjë lëshim. Energjitë, parashikimet dhe realizimet faktike, në mbajtjen dhe konsolidimin e familjes, në ngritjen dhe funksionimin e bisnesit, në krijimin dhe forcimin e urave të komunikimit midis popullit shqiptar dhe atij gjerman, në humanizmin  dhe bujarinë e saj, janë treguesit kryesorë që përbëjnë identitetin e karakterin e Alidës.

Alida Hisku është unike dhe nuk mund ti gjesh dot binjaken në të gjitha drejtimet, së pari si artiste, si karakter, si prind dhe atdhetare klasi. “Aksidenti” në se mund ta quajmë kështu, atë nuk e mposhti, po i dha forca dhe energji për ta përballuar, mbasi proçesi, materiali i paraqitur nga njerëz jo të denjë, vërtetoi pasaktësinë e tij. Në një intervistë televizive u pyet:”Po të takosh ato dëshmitaret e gjyqit tënd sot çfarë do të bësh?” Do ju flas normalisht, mund t’u jap edhe kafe.” Vetëm kaq do të mjaftonte për të përkufizuar atë, “këngëtare e madhe, dhe njeri, me barkun hambar dhe zemrën behar.” Shoqëria atë nuk e veçoi me gjithëse atyre mund t’u krijoheshin probleme. Liljana Kondakçi, Ema Qazimi, Irma Libohova, ishin dhe mbetën shoqet më të mira të saj, ashtu si   Bashkim Alibali, Kozma Dushi, etj.

Në fillimet e saj si emigrante, me paratë që fitonte si pastruse në 3-4 vende jo vetëm për familjen, por mbante dhe shqiptarë të ardhur për nevoja të ndryshme e shëndetsore duke i dërguar nëpër doktorë e spitale, kur ishte nevoja e këto nuk janë një ose dy, por me dhjetra e dhjetra. Në vitin 2000 në luftën e Kosovës ka dërguar në Shqipëri 5 avionë të Bundesëehr Gjermane (privatisht) me 62 ton hilfe materiale për popullsinë e Kosovës të strehuar nëpër Shqipëri. Po ashtu, ajo, në atë kohë ka dërguar dy maune me paisje të sallave të operacionit për të plagosurit të UCK në Tiranë. Është për tu ardhur keq që ky kontribut i kësaj këngëtarje vip nuk u pasqyrua nga organet perkatëse të Kosovës.

Më lart theksuam se:…” ka bërë gjënë e duhur në kohën e duhur…”Në se kërkojmë dhe shikojmë në videot e saj do të gjejmë..” Kisha nisur të përputhesha në shumë pika me mendimin se është një botë që duhet të gjesh forca e t'i bësh gjërat vet, duke menduar për veten, për fëmijët..” Ky ka qënë ai motiv aq karajoz por edhe me përgjegjësi ndaj vetes dhe djemve, kur  mori rrugën e vështirë të emigracionit. Por, edhe në Gjermani dhe gjetiu, gjërat nuk vinë vetë. Puna është baza, puna është “babai” i të gjithave. Është e vërtetë se duhet edhe pak fat, por mençuria popullore mëson se “fati rri krah për krah me trimin.” Alida për këto probleme në kohën e sotme, ka mendimet e veta realiste për emigracionin e të rinjve e të rejave dhe për Gjermaninë. Gjermania nuk është më ajo parajsa e para 30 viteve që punoje, fitoje dhe kurseje..

Të rinjtë shqiptarë në Gjermani punojnë nga dy punë pasi jeta është e shtrenjtë dhe taksat të larta.

- Sa herë vij në Shqipëri shikoj vetëm të moshuar që rrijnë me sytë nga dera.

Nuk ka skaner me të fortë dhe real se këto thënie e mendime për të vijëzuar gjendjen në vend dhe problemet e mprehta të emigracionit. Patriotizmi sot duhet kërkuar jo larg qelizës bazë të shoqërisë, familjes. Tamam aty është themeli. Alidën problem i familjes e ka përshkuar si fill i kuq gjatë gjithë jetës. Nuk po përsëritim peripecitë e emigracionit me gjithë djemtë, por atyre, me kujdesin e veçantë të nënës, i rriti dhe edukoi, por më e rëndësishmja, këmbënguli dhe ata mësuan mirë gjuhën shqipe. Në një emision televiziv pak kohë më parë Alida para publikut derdhi lotë gëzimi nga mesazhi aq i ngrohtë dhe domethënës që i drejtoi e bija…”..Mami e dashur! Ti i ke të të gjitha mrekullitë e botës të mbledhura së bashku në shpirtin dhe zemrën tënde, jo vetëm për neve, po ti je për të gjithë shqiptarët një mrekulli e vërtetë.” Mbas këtij mesazhi njeriu mbetet pa fjalë, duke dëgjuar vlerësimin e fëmijës saj, i cili i ka brenda të gjitha mirësitë, si një model i pa përsëritshëm. Në një shkrim të gazetarit Albert Z. Zholi në portalin “Zemra Shqiptare” midis të tjerave shkruan: “Ka 35 vjet në emigracion dhe lidhja e saj me atdheun dhe shqiptarët nuk është ndërperë kurrë. Shtëpia e saj ka qenë e hapur për sa e sa emigrantë nga të gjitha vendet e botës. Madje ajo ka dhënë shumë koncerte në Gjermani apo dhe në Itali me disa shoqata me këngë shqiptare. Kohët e fundit ajo ka filluar të këndojë gjermanisht dhe e ka bërë shumë publike në rrethinat e qytetit ku jeton. Tre fëmijët e saj flasin lirshëm shqip, por dhe krenohen që janë shqiptarë.” Kuptohet, në këto rrjeshta të koncentruara nuk ka vend për shtesë për  paksim, apo për koment. Është komplet Alida Hisku njeri.

Kur kthen kokën pas, veren në fytyrën e  Alida Hiskut gjithjë çel trëndafili i një buzëqeshje të mirë, që buron nga shpirti i saj i pastër, nga fakti se gjatë gjithë jetës së saj, në çdo hap që ka hedhur, e ka karakterizuar mirësia, fisnikëria dhe dashuria e pakufishme për  kombin, për njerëzit. Njeriut të qeshur i hapet çdo portë. Ajo të qeshurën gurgulluese e mban në buzë,  dhe thellë në shpirt.

Në një varg urimesh asaj i vinë nga Shqipëria, nga miqtë shoqet e shokët e shumtë dhe nga shumë shtete të botës përshëndetje dhe urime. Nuk është rastësi që në facebook-un e saj numurohen mbi 2.100 shokë. Kjo, midis të tjerave, tregon se këtë mënyrë bashkëkohore komunikimi Alida e vlerëson si faktor i rëndësishëm për lumturinë. Miqtë, shoqet e shokët në komunikimet e urimet kryefjalën e kanë për “lumturinë familjare.”Ky është një kapitull më vete, të cilin për ta njohur më mirë na e lehtëson vetë Alida, duke theksuar për familjen e vet, bashkëshortin e saj gjerman se : Them se ka gjetur tenxherja kapakun. Unë i jam përshtatur atij në artin gjerman, në korrektësinë e xhentilesë, ndërsa ai për mua në artin shpirtëror. Ai më ka gjetur telat e shpirtit, di të vlerësojë brendësinë e njeriut dhe kjo më ka mahnitur tek karakteri i tij, gjë që më ka bërë të dashurohem pas tij që prej shumë vitesh.”

Ajo pranon se:”Mosha dhe jeta ime ka shumë gërvishtje…,por pohon dhe faktin se:”Mbas çdo stuhije del dielli, një diell më i fortë..”Dhe vërtet, ai diell po shndrit e do të shëndritë më tej me të gjitha ngjyrat dhe zëri i mrekullueshëm  i Alida Hiskut do të  dëgjohet në vazhdimësi në të dy gjuhët. Pema gjenealogjike e familjes saj rritet e zbukurohet në vazhdimësi. Në këtë pemë të bukur, degët, degzat  e saj, Alidën e kanë “graduar” duke e bërë pesë herë gjyshe dhe një herë stërgjyshe.

Në vargun e shqetësimeve të Alidës me prioritet e më të theksuara janë ato që lidhen me braktisjen e vendit nëpërmjet emigracionit masiv. Shkatërrimi i asaj baze materialo- teknike të dobët që trashëgoi sistemi që ndërruam dhe shpërdorimi i saj e çdo aseti, industrial, ushtarak, naftë e miniera etj.u bënë shkak themelor për papunësinë. Nënvleftësimi i rolit të bujqësisë e blegtorisë, pa përcaktuar asnjë lloj strategjie ku do të shkojmë, cilët do të jenë prioritetet si dhe sigurimi i fondeve për financimin e tyre, kanë qënë dhe sot ato mbeten probleme themelore për  punësimin kthimin e moshës së re në vend dhe rritjen e mirëqënies, mbasi ekzistojnë kushtet natyrore, toksore,ujore për një ecuri tjetër, të mençur, duke marrë mendimin shkencor e profesional e siguruar prioritete të qëndrueshme.

Rrjedhja e trurit të kualifikuar është një nga humbjet më të mëdha të vendit. Duke e parë gjendjen dhe vlerësuar, ashtu si jep disa mendime me vlerë dhe Alida, studimi, financimi e tërheqja e tyre së bashku me përvojën e fituar bëhet faktor dhe domosdoshmëri për zhvillimin. Përvojë, “mësuesja që nuk merr pension” kemi. Për këtë flet më mirë dhe hapur ndërtimi, turizmi etj. Aktivizimi i trurit të kualifikuar, mbështetja, nxitja me të gjitha mënyrat, duke i afruar në të gjitha llojet e veprimtarive, duke stimuluar, sistemuar ligjet ku duhet si dhe vlerësimi me publikime, me tituj, medalje e dekorata për arritjet, me ato do u bëhej nder dekoratave në rradhë të parë, pastaj individëve.     Duke parë gjithë veprimtarinë, veçanrisht rolin dhe vendin që i takon si artiste, interpretuese e përkryer e këngës që nga fëmijëria e deri më sot, “koka dhe këmbët i mbeten gjithnjë në truallin e vet” së bashku me të shoqin, familjen, fëmijët të cilët e dinë dhe e duan gjuhën shqipe. Alida, nuk e shfaq nga modestia, por  i lumtur është sot ai njeri që gjatë gjithë jetës tij bën të mirën e mundëshme dhe mbetet i nderuar dhe i kërkuar nga të gjithë ata që e njohin. Kjo Alidë, e “zier me lëng çeliku”,në kuptimin e fjalës që është rrahur me të mira dhe të  këqia nga më të ndryshmet, por peripecitë e shumta të jetës nuk e lodhën, por e forcuan. Kapitulli “Alida dhe Gjermania” është një temë dhe një odise e gjatë dhe komplekse. Mençuria flet konkretisht se; “Ai që do vendin e vet respekton dhe vendin e tjetrit.” Kjo, konkretisht ka gjetur zbatim të plotë në jetën dhe punën e Alidës. Ajo, në tërë kuptimine fjalës, është kthyer një nyje e rëndësishme e urave lidhëse midis popujve e shtetit Shqiptar e atij Gjerman. Theksojmë se Alida në këtë veprimtari, futet me më shumë forca, sepse veç punës, jetës familjare me burrin  gjerman, bisnesit saj, prezantohet bukur dhe me këngët gjermane, krahas atyre shqiptare. Ja. Për këto dhe disa të tjera nga këto,  kemi mendimin që Alida konkretisht në fakt është ambasdore e grave Shqiptare në Gjermani, në këtë 50 vjetor të këngës fituese të festivalit të 13-të. De jure le të shikohet nga kompetentët.

Shyqyri Fejzo

Hamburg-Gjermani-Tetor 2025



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx