E merkure, 30.04.2025, 03:45 PM (GMT+1)

Kerko: a

Pilo Zyba:Lajm ‘’tronditës’’ nga Londra

E diele, 27.04.2025, 06:50 PM


LAJM "TRONDITËS" NGA LONDRA

"Çmëndet" shkrimtarja dhe poetja Alma Mehmeti!

Në Londër të gjitha kanalet televizive japin këtë lajm të "trishtuar"

NGA PILO ZYBA

Ja çfarë shkruan BBC:

Alma Mehmeti një shkrimtare dhe poete nga shqipëria, me prejardhje nga Çamëria ka tronditur opinionin anglez, dhe të gjithë ata që jetojnë e punojnë në mbretërinë e bashkuar.

Ajo, e veshur me një palë tumane që i kishte lënë gjyshja si kujtim, ka marrë një krrabë çobani labërie, ka marrë një kope me kafshë dhe ndodhet përpara parlamentit Anglez.

Për çudinë e të gjithëve, kopeja e saj mban lopë e gomarë, zogj, pula e këndezë, qën e mace. Kafshëve u ka vënë nga një emër si përshëmbull; dashi përçor me këmborë quhet Edi, Gomari Sali, një ka Ilir, ndonse si thotë ajo, Ai tani nuk është i lirë, sepse i kanë vënë prangat dhe është në burg.

Ajo proteston përpara parlamentit me kafshët e saj, sepse parlamentarët tanë nuk protestojnë për Çamërinë dhe Shqipërinë, që në këtë parlament e ndanë si bakllava. E gjithë kopeja bërtet e pëllet për të kërkuar të drejtat. Nga brënda parlamentit Anglez, degjohen të lehura, në fakt nuk kuptohet, lehin parlamentarët apo zagarët që ruajnë parlamentin anglez?

Pak më tutje Çurçilli i shikon nga monumenti i tij dhe, pasi shkund çibukun, tund kokën dhe pëshpërit; "Kanë ardhur kohë të liga".

Në korin e kopesë, Alma shikon që dashi përçor as nuk blegërin dhe as nuk e tund këmborën. Ajo me krrabën e saj e godet në mes të dy brirëve dhe i bërtet:

-Edi, hape gojën dhe tunde këmborën se, ndryshe, të ka ardhur koha që ta heq fare se po vinë ditët e votimeve.

Gomar Saliu tund kokën dhe shikon nga këmbora, mendon se me marrjen e këmborës, do tja heqin samarin e krimeve që ka kryer.

Kau i parmëndës Iliri, rri i heshtur e pret rastin të dali dhe të rrëmbejë ndonjë copë.

Më pas shpura e kopesë me në krye çobaneshën, kalon përpara të gjitha ministrive dhe mërr rrugën e madhe Oksford Cirkus dhe Pikandili. Atje kafshët përplasen me votuesit emigrantë që presin me duartrokitje Adriatik Llapajn. Adriatiku llap lart e poshtë se, kur të bëhet Kryeministër, populli do hajë me lugë floriri dhe do qëndrojë duke u ngrohur në diell. Takim i përzëmërt dhe brohoritës. Mes tyre Gomari ngren kokën përpjetë dhe pëllet që të bjerë në sy ndër të tjerë. Kopeja mërr rrugën e gjatë për në Rainham, pasi atje çobanesha dhe poetja Almë ka marrë një shtëpi të madhe dhe, si duket ka menduar të ketë dhe një stallë për kafshët.

I afrohem pranë për ta pyetur, por me kujdes, sepse me krrabën e saj nuk bëhet shaka:

-Alma, e latë përfundimisht lapsin dhe vendosët të mërrni bagëtinë?

Ajo shpërthen në të qeshura:

"Jo, krrabën e mora sepse u detyrova. Pa shikoje lopën Shqipëri si është katandisur, i mërren këmbët. Kanë 36 vjet demokraci që po e mjelin, po e lënë pa ngrënë, po e helmojnë me pesticide dhe salmonela. E shikon Edin, me brirët e tij dhe këmborën e drejtimit, e katandisi si stan bosh atdheun.

-Mirë, mirë, por ku do ta futësh gjithë këtë kope?

Ajo futi thellë dorën në tumane dhe nxori që andej kapakët e një libri. Mbeta i befasuar; u mësoni kafshëve shkrim e këndim?

" Jo, por të gjitha kafshët do ti fus këtu"!

-Po ku i nxë libri gjithë këto kafshë, o Alma!

"I nxë i nxë, sepse kafshët e mia janë ide, nuk janë lopë stallash, dhe as hajdutë mëhallash. Nuk janë as si Saliu që shqipërinë e griu...dhe as si Edi Dashi, që shqipërinë e plasi".

E mora librin e saj në dorë dhe çfar të shikoj. Kafshët flisnin si njerëz dhe, me të pëllitur dhe të bërtitur me zë të ngritur, godisnin me humor, çdo të prapë dhe tradhëtor. E ndërsa kopeja mori rrugën për në stanin e saj, unë u ula në një lulishte, me pemë dhe barishte, fillova të lexoj dhe kuptoj historinë e kopesë. Herë herë qeshja me shpresë, se humori jonë kurrë nuk do vdesë. Pra, autorja Alma Mehmeti, me dallgë ironie si deti, tregon si po afrohet tërmeti.

Aty pashë se, Ajo nuk e ka hedhur poshtë lapsin e prehur, por me majën e tij në këtë libër arrin të shpojë, dikë në mëndje dhe dikë në gojë, që herë tjetër të mos gabojë.

Ajo jep të kuptojë se, me gjuhën e kafshëve mund të goditen të metat e njerzve, në Ministri, në shtëpi dhe shoqëri. Autorja lehjen e një qëni, palljen e një gomari e bën shpatë, për gjuhën e gjatë. Dhe dashi me brirë të shpon për të mirë, për tu bërë për shoqërinë më i përtërirë.

Për mua qe e njoh Almën, syri i saj shikon thellë, kur mendimi mirë nuk është mbjellë. Ajo lapsin e bën çifte dhe vrapon nëpër gëmushat e shoqërisë, për të nxjerrë që andej të metat, dhe tua japi lexuesve si arra të qëruara. Autorja ka një aftësi të çuditshme për të kuptuar që larg prapësitë qoftë natë apo ditë, këtë dhunti ja kanë dhënë perënditë. Në fakt ajo akoma nuk ka vënë syze, se është e re, por vini re, për të metat në artin e saj nuk lëshon pe. Për ti bërë më të besushme këto që themi, le ti ilustrojmë dhe me fabulat që autorja ka krijuar.Marrim njërën prej tyre:

DOKTORI...

Doktorri i makinave një ditë u ngri e tha,

-Që sot e tutje do nis zanat të ri,

Kështu hekurxhiu kaçavidat la,

Përparse të bardhë, në dorë bisturi.

Ishte mësuar me alkool për frenat,

Ndonjëherë të frenohej, gjuhën e tij lagte.

Çuditërisht të mpira kishte ndjenjat,

Me gjuhën lopatë, edhe kundra femrave llapte.

Pacientët i zgjidhte, ndoshta nga soji,

O në mos sa iu rëndonte portofoli.

Nga lëvdatat e kota sa shumë gëzoi,

Në qafë i mori pacientët gogoli.

Do mësoj, siç mësova zanatin tjetër,

Edhe po vdiq ndonjë su bë hataja.

Doktorrata për mua është zanat i vjetër,

I moshuari bënte plane të mëdhaja.

Ti po mendon se, që sot të ka ardhur dita?

Nuk jemi hekurishte, lëro e shtrëngo vida.

Demokracia erdhi dhe bashkë me "bollëkun" e saj, në vend të mjekëve dhe specialistëve na solli dhe njerëz që për përfitime, ndërrojnë profesione dhe bëjnë presione. Atyre nuk u intereson shëndeti I popullit, por u intereson fitimi. Shumë u bënë doktorë dhe vdesin njerzit nga "Kshillat" dhe ilaçet e tyre. Të tjerë u bënë tregëtarë dhe po e helmojnë masën me prodhime të mbushura me microbe. Të tjerët i rrisin frutat dhe zarzavatet me pesticide. Këto dhe për të tjera, autorja e ka prehur lapsin mire dhe i godet pa mëshirë. Ajo ka aftësinë që të ndërtojë një komedi të vogël me ilaçin e shërimit, ta vendosi atë në gojën e një kafshe, për ta bërë vesin epiqëndër të fshikullimit të saj.

Vlen për tu përmëndur këtu se, autorja ka aftësinë e ndërtimit të bukur artistik të fabulës. Fabula në gjuhën artistike është vetë gjetja artistike që bën fabulisti. Për këtë mund të them se, qoftë dhe me librin e pare të saj, Alma, futet në grupin e fabulistëve tanë si Driteroi, Nonda Bulka, Gjikë Kurtiqi, Jani Duri etj. Përsa i përket gjinisë femërore, ajo është e para femër që del para lexuesve me një vepër letrare të plotë:

PËRÇORI I VELOS

Në stanin e Velos një dash përçor,

Me zile të madhe sa një këmbanë.

Udhëheq kopenë sikur ka bërë shkollë,

Nga një anë e kodrës i nxjerr matanë.

Kur ngopet për vete nuk pyet për të tjerë,

Kokën ngre dhe kthehet në stan.

Gjithë kopeja bark bosh të mjerë,

Dashin përçor në krye mbanë.

Kjo punë përditë, kopeja kockanjare,

Dashi dhjamin 5 gisht mbi kurriz.

Nga fundi ngrihet një dele mëndtare,

Por dy dash i afrohen me shpejtësi shtizë.

-Çfarë kishe zotrote për të më thënë?

E pyet dashi në fillim të stanit.

-Desha të të pyes, ke gjë për t'na dhënë?

Sikur dhjamin që ke, me ne ta ndanit."

Brirët përpjetë ju ngritën të ziut,

Bari Velos, diç i tha në vesh.

-Kur të duhet mish për të ngrënë,

Atë dele në fund duhet të zesh."

Kështu kopeja nxirrte mësim,

Ai vazhdoi të mbetej përçor.

Në dorë i kishte dënim e shpërblim,

Dashi i Velos me dy-tri palë këmborë.

Për të gjithë ata që lexojnë këtë fabul, do kuptojnë se, të gjithë përçorët tanë, pra, ata që e përçojnë këtë vend në rrugën e demokracisë, qëllimi i vetëm i tyre është përfitimi i tyre personal, familjar dhe jo ai shoqëror e kombëtar. Këtë e tregojnë më mire se gjithçka këto 36 vjet luftë, për të qëndruar në vend, ose më mire të themi, ne shumë raste jemi kthyer mbrapa. Autorja me bisturinë e saj artistike, dhe me mënyrën ironike të shprehur, nxjerr në dritë mendimet, qëllimet dhe paudhësitë e tyre. Me mënyrën e saj elastike, lakonike dhe forcën me të cilën e shpreh, ajo bëhet e këndshme në lexim, por dhe e shijshme në mesazhin që mërret prej saj.

Përveç këtyre që thamë më lart, Alma ka dhe një formë tjetër që shpalos para lexuesit krijimtarinë e saj në një mënyrë tjetër. Nisur nga tradita jonë dhe poetë dhe shkrimtarë të humorit, si Qamil Buxheli, Dionis Bubani, Gaqo Veshi etj, Alma përdor poezinë saterike. Poezia e saj satirike është e drejtpërdrejtë dhe shumë e këndshme në lexim, ne lirshmëri, në rime e ritëm por edhe në mesazhin e saj, që në mbyllje i ngjan një "bombe" humoristike që e përmënd lexuesin për tematikën që autorja bie në libër.

Në libër ka shumë fabula që kanë nivel të lartë si gjetje artistike, ndërtim dhe mesazh. Mund të përmëndim, Dhelpra dhe Ujku, Ca lot komediane, Lemza apo Kërriçat me diplomë.

Por në të njëjtën kohë duhen përmëndur dhe poezitë satirike si, Xhaxhua në kafene, Ah sikur të isha burrë, Prit kur të marr pensionin etj.

Për ti bërë një analize të thellë librit kuptojmë se, ky libër me fabula përbëhet nga tre gërsheta të bukura si mënyra të veçanta, fabula, poezia satirike dhe mënyra e ndërtimit. Këto të tria të gërshetuara së bashku krijojnë shtyllën kurrizore të librit. Këto janë tre dimesione, ku mbahet dhe ecën krijimtaria e saj.

Për të mos u zgjatur më shumë me analizën tone, duke e uruar autoren për punën e saj, mendoj që, vlerësimin e mëtejshëm t'ja lëmë lexuesit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx