Kulturë
Lekë Mrijaj: Tempulli i shpirtit hyjnor dhe atij shqiptar është “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë
E diele, 27.04.2025, 05:53 PM

Tempulli i shpirtit hyjnor dhe atij shqiptar është “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë
(Reflektim
në kuadër të festës së Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë)
 Shkruan:
Lekë Mrijaj
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
zemrën e Dardanisë, atje ku dheu flet gjuhën e përjetësisë edhe në gjuhën
shqipe dhe fryma e shekujve nuk është venitur kurrë, u shkrua një histori
lapidare që nuk është thjesht kronikë ndërtimi, por testament shpirti. Klinës,
qytetit të përvuajtur dhe të dashur, i mungonte një zemër që rrihte për Hyjin –
një vend i shenjtë i llojit të Pjetër Shkëmbit, ku tingulli i kambanës të
përzihej me lutjet e shpirtit hyjnor. Në çdo mëngjes, si rrezet e para të
diellit që përkëdhelin gurët e lashtë, shpirtërat e banorëve të saj ngriheshin
kah qielli me një lutje që përsëritej me shekuj: “O Zot, ndërtoje banesën Tënde
edhe ndër ne!”
Kjo
nuk ishte një kërkesë për mure, për dritare apo kulme – ishte një thirrje që
dilte nga zemra e një kombi që ka ditur të ruajë besimin e Krishtit përmbi 2000
vite më radhë, edhe kur kruspat e dhimbjes ia kanë këputur gjunjët. Kishte
ardhur koha që edhe Klinës t’i falej një dritare qiellore, një kishë që do të
ishte jo vetëm streha e sakramenteve, por edhe stolia më e çmuar e shpirtit
katolik shqiptar në këto anë të Lugut të Drinit-Dukagjinit. Dhe Zoti, që
gjithmonë vepron në heshtje, por me një përpikëri hyjnore, zgjodhi një njeri që
s’e kishte pushtuar lavdia e botës, por që e kishte pushtuar drita e Zotit –
don Fran Sopin, një nga pinjojt e martirëve të Karadakut, pra, edhe vet ky
meshtar i kompletuar vjen si dëshmi e gjallë e atij frymëzimi, duke bartur në
vete lavdinë e martirëve dhe fuqinë për ta jetuar me përkushtim binomin e
shenjtë të fesë dhe kombit.
Ai,
nuk erdhi si arkitekt i zakonshëm, por si një Moisi i epokës moderne, që jo me
shkop, por me fjalën, me lutjen dhe me qëndresën, i tregoi grigjës së Tij udhën
drejt tokës së premtuar – Kishës që do të lartësohej mbi dhembje e mbi
gërmadha.
Më
1 janar të vitit 1993 – një ditë që do të mbetet si një yll i shndritshëm në
qiellin e kujtesës, don Frani ynë, i dërgoi Ipeshkvisë së Shkup-Prizrenit një
letër që nuk ishte letër, por një psalm i shkruar me pendën e zemrës dhe
shpirtit të tij. Me dokumentin zyrtar nr. 1/93, ai kërkonte jo leje për
ndërtim, por bekim për ta mbjellë një dritë të re në arën e Zotit. Ai kërkonte
ta ndërtonte Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”, një emër që kumbon thellë në
vetëdijen historike të kombit tonë – sepse kjo Zojë, kjo Nënë Hyjnore siq
njihet edhe si Zoja e Shkodrës, ka qenë gjithmonë strehë, këshilltare dhe
udhërrëfyese e shqiptarëve në kohë mjegulle e furtune në kohën e otomanizmit...
Por, rruga drejt dritës kalon përherë përmes errësirës. Pushteti okupues
jugosllav e serbian i asaj kohe nuk kishte vesh për të dëgjuar zërin e besimit,
as sy për të parë nevojën e shpirtit. Heshtja e tij ishte e rëndë, si një gur
mbi kokën dhe fytin e popullit që kërkonte të lutej. Me vite të tëra, kërkesa
mbeti pezull – si një kandil që digjet, por nuk i lejohet të ndriçojë. Dhe kur,
më 6 qershor 1996, më në fund filluan punimet, dorë e errët e armikut u shfaq
me tërbim. Themelet u ndalën në mes të rrugës, sikur një këngë të ndërpritej në
kulmin e saj. Gurët e parë, të hedhur me dashuri e përkushtim, u shpërndanë nga
dhuna si eshtra shenjtorësh, ndërsa sytë e fëmijëve u njomën me lot që nuk
ishin të frikës, por të shpresës së shtypur.
Por
shpirti shqiptar është si rrënja e lisit: sa më shumë e godet stuhia, aq më
thellë ngul këmbë në tokë. Lufta për jetë a vdekje e viteve ’98-’99 u shndërrua
në pagëzim për tokën e Kosovës. Dhe kur agimi i lirisë çeli mbi Klinë, erdhi
dhe drita për Kishën e saj.
Më
30 gusht 1999, me vendim të Administratës së UNMIK-ut, u nënshkrua leja e
ndërtimit – dhe ajo që dikur ishte një ëndërr, tani u bë një thirrje:
“Ngrihuni, o bij të Zotit, se shtëpia e Tij po ndërtohet ndër ju!” E gjithë
Klinës iu zgjua zemra si një zog që ndjen pranverën. Nuk kishte buxhete
shtetërore, as kompani të mëdha ndërtimi – por kishte diçka më të fortë: një
popull që dinte të falë, të ndërtojë dhe të besojë. Gur pas guri, lutje pas
lutjeje, u ngrit një kishë që ishte më shumë se një ndërtesë – ishte një himn i
gurtë, një poemë që ngrihej drejt qiellit, një çati për shpresën.
Ndihma
erdhi nga të katër anët – nga mërgimtarët që nuk e harruan vendlindjen, nga të
moshuarit që falnin pensionin e tyre për një tullë më shumë, nga fëmijët që
sillnin lule, dhe nga gratë që sillnin bukë për punëtorët. Secili dha nga
vetja, dhe Zoti i bekoi me gjithçka.
 Kur
më në fund u përfundua ndërtimi, Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” u bë si një
zemër që rreh në qendër të qytetit, duke i ftuar të gjithë në një përqafim
hyjnor. Aty kremtoheshin meshët, pagëzimet, kungimet e para, martesat dhe
shpresat. Aty fjala e Zotit merrte trup në gjuhën shqipe, dhe Krishti zbarkonte
në çdo tryezë altari si bukë e përbashkët.
Kur
më në fund u përfundua ndërtimi, Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” u bë si një
zemër që rreh në qendër të qytetit, duke i ftuar të gjithë në një përqafim
hyjnor. Aty kremtoheshin meshët, pagëzimet, kungimet e para, martesat dhe
shpresat. Aty fjala e Zotit merrte trup në gjuhën shqipe, dhe Krishti zbarkonte
në çdo tryezë altari si bukë e përbashkët.
Në
këtë histori të bekuar, nuk mund të harrohet njeriu që i dha shpirt gjithë
kësaj vepre, don Fran Sopi. Ai, ishte bariu që nuk iku kur erdhi rreziku,
profeti që nuk u lodh nga pritja, njeriu që e deshi Klinën jo me fjalë, por me
gjak, me lot dhe me djersë. Për 26 vjet, ai mbajti mbi supe famullinë e Klinës
dhe Dobërdolit si një arkë të shenjtë, duke u bërë për shumëkënd si një Krisht
i vogël, që u gjunjëzua për të ngritur të tjerët.
Më
14 tetor 2007, me dekret të ipeshkvit Dodë Gjergji, don Fran Sopi, u transferua
si famullitar në Kishën “Shën Katarina” në Pejë. Por fryma e tij, lutja e tij,
lotët e tij dhe buzëqeshja e tij – mbetën përherë në muret e kësaj kishe. Dhe
sot, shumëkush nuk e quan më thjesht “Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë”, por
“Kisha e Don Fran Sopit” – si për të thënë se nuk është vetëm vend i Zotit, por
edhe vend i kujtesës së shenjtë të një njeriu të Zotit.
Ky
tempull qëndron sot si një monument i pavdekshëm i besimit, një altar i lavdisë
së Zotit dhe një stacion i përjetësisë për popullin shqiptar të Klinës. Është
një dritare nga toka në qiell, një udhëkryq ku takohen historia, shpirti dhe
kombi.
Klinë, më 25 prill 2025

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










