Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lekë Mrijaj: Tempulli i shpirtit hyjnor dhe atij shqiptar është “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë

| E diele, 27.04.2025, 06:53 PM |


Tempulli i shpirtit hyjnor dhe atij shqiptar është “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë

(Reflektim në kuadër të festës së Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në zemrën e Dardanisë, atje ku dheu flet gjuhën e përjetësisë edhe në gjuhën shqipe dhe fryma e shekujve nuk është venitur kurrë, u shkrua një histori lapidare që nuk është thjesht kronikë ndërtimi, por testament shpirti. Klinës, qytetit të përvuajtur dhe të dashur, i mungonte një zemër që rrihte për Hyjin – një vend i shenjtë i llojit të Pjetër Shkëmbit, ku tingulli i kambanës të përzihej me lutjet e shpirtit hyjnor. Në çdo mëngjes, si rrezet e para të diellit që përkëdhelin gurët e lashtë, shpirtërat e banorëve të saj ngriheshin kah qielli me një lutje që përsëritej me shekuj: “O Zot, ndërtoje banesën Tënde edhe ndër ne!”

Kjo nuk ishte një kërkesë për mure, për dritare apo kulme – ishte një thirrje që dilte nga zemra e një kombi që ka ditur të ruajë besimin e Krishtit përmbi 2000 vite më radhë, edhe kur kruspat e dhimbjes ia kanë këputur gjunjët. Kishte ardhur koha që edhe Klinës t’i falej një dritare qiellore, një kishë që do të ishte jo vetëm streha e sakramenteve, por edhe stolia më e çmuar e shpirtit katolik shqiptar në këto anë të Lugut të Drinit-Dukagjinit. Dhe Zoti, që gjithmonë vepron në heshtje, por me një përpikëri hyjnore, zgjodhi një njeri që s’e kishte pushtuar lavdia e botës, por që e kishte pushtuar drita e Zotit – don Fran Sopin, një nga pinjojt e martirëve të Karadakut, pra, edhe vet ky meshtar i kompletuar vjen si dëshmi e gjallë e atij frymëzimi, duke bartur në vete lavdinë e martirëve dhe fuqinë për ta jetuar me përkushtim binomin e shenjtë të fesë dhe kombit.

Ai, nuk erdhi si arkitekt i zakonshëm, por si një Moisi i epokës moderne, që jo me shkop, por me fjalën, me lutjen dhe me qëndresën, i tregoi grigjës së Tij udhën drejt tokës së premtuar – Kishës që do të lartësohej mbi dhembje e mbi gërmadha.

Më 1 janar të vitit 1993 – një ditë që do të mbetet si një yll i shndritshëm në qiellin e kujtesës, don Frani ynë, i dërgoi Ipeshkvisë së Shkup-Prizrenit një letër që nuk ishte letër, por një psalm i shkruar me pendën e zemrës dhe shpirtit të tij. Me dokumentin zyrtar nr. 1/93, ai kërkonte jo leje për ndërtim, por bekim për ta mbjellë një dritë të re në arën e Zotit. Ai kërkonte ta ndërtonte Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”, një emër që kumbon thellë në vetëdijen historike të kombit tonë – sepse kjo Zojë, kjo Nënë Hyjnore siq njihet edhe si Zoja e Shkodrës, ka qenë gjithmonë strehë, këshilltare dhe udhërrëfyese e shqiptarëve në kohë mjegulle e furtune në kohën e otomanizmit... Por, rruga drejt dritës kalon përherë përmes errësirës. Pushteti okupues jugosllav e serbian i asaj kohe nuk kishte vesh për të dëgjuar zërin e besimit, as sy për të parë nevojën e shpirtit. Heshtja e tij ishte e rëndë, si një gur mbi kokën dhe fytin e popullit që kërkonte të lutej. Me vite të tëra, kërkesa mbeti pezull – si një kandil që digjet, por nuk i lejohet të ndriçojë. Dhe kur, më 6 qershor 1996, më në fund filluan punimet, dorë e errët e armikut u shfaq me tërbim. Themelet u ndalën në mes të rrugës, sikur një këngë të ndërpritej në kulmin e saj. Gurët e parë, të hedhur me dashuri e përkushtim, u shpërndanë nga dhuna si eshtra shenjtorësh, ndërsa sytë e fëmijëve u njomën me lot që nuk ishin të frikës, por të shpresës së shtypur.

Por shpirti shqiptar është si rrënja e lisit: sa më shumë e godet stuhia, aq më thellë ngul këmbë në tokë. Lufta për jetë a vdekje e viteve ’98-’99 u shndërrua në pagëzim për tokën e Kosovës. Dhe kur agimi i lirisë çeli mbi Klinë, erdhi dhe drita për Kishën e saj.

Më 30 gusht 1999, me vendim të Administratës së UNMIK-ut, u nënshkrua leja e ndërtimit – dhe ajo që dikur ishte një ëndërr, tani u bë një thirrje: “Ngrihuni, o bij të Zotit, se shtëpia e Tij po ndërtohet ndër ju!” E gjithë Klinës iu zgjua zemra si një zog që ndjen pranverën. Nuk kishte buxhete shtetërore, as kompani të mëdha ndërtimi – por kishte diçka më të fortë: një popull që dinte të falë, të ndërtojë dhe të besojë. Gur pas guri, lutje pas lutjeje, u ngrit një kishë që ishte më shumë se një ndërtesë – ishte një himn i gurtë, një poemë që ngrihej drejt qiellit, një çati për shpresën.

Ndihma erdhi nga të katër anët – nga mërgimtarët që nuk e harruan vendlindjen, nga të moshuarit që falnin pensionin e tyre për një tullë më shumë, nga fëmijët që sillnin lule, dhe nga gratë që sillnin bukë për punëtorët. Secili dha nga vetja, dhe Zoti i bekoi me gjithçka.

Kur më në fund u përfundua ndërtimi, Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” u bë si një zemër që rreh në qendër të qytetit, duke i ftuar të gjithë në një përqafim hyjnor. Aty kremtoheshin meshët, pagëzimet, kungimet e para, martesat dhe shpresat. Aty fjala e Zotit merrte trup në gjuhën shqipe, dhe Krishti zbarkonte në çdo tryezë altari si bukë e përbashkët.

Në këtë histori të bekuar, nuk mund të harrohet njeriu që i dha shpirt gjithë kësaj vepre, don Fran Sopi. Ai, ishte bariu që nuk iku kur erdhi rreziku, profeti që nuk u lodh nga pritja, njeriu që e deshi Klinën jo me fjalë, por me gjak, me lot dhe me djersë. Për 26 vjet, ai mbajti mbi supe famullinë e Klinës dhe Dobërdolit si një arkë të shenjtë, duke u bërë për shumëkënd si një Krisht i vogël, që u gjunjëzua për të ngritur të tjerët.

Më 14 tetor 2007, me dekret të ipeshkvit Dodë Gjergji, don Fran Sopi, u transferua si famullitar në Kishën “Shën Katarina” në Pejë. Por fryma e tij, lutja e tij, lotët e tij dhe buzëqeshja e tij – mbetën përherë në muret e kësaj kishe. Dhe sot, shumëkush nuk e quan më thjesht “Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë”, por “Kisha e Don Fran Sopit” – si për të thënë se nuk është vetëm vend i Zotit, por edhe vend i kujtesës së shenjtë të një njeriu të Zotit.

Ky tempull qëndron sot si një monument i pavdekshëm i besimit, një altar i lavdisë së Zotit dhe një stacion i përjetësisë për popullin shqiptar të Klinës. Është një dritare nga toka në qiell, një udhëkryq ku takohen historia, shpirti dhe kombi.

Klinë, më 25 prill 2025