Kulturë
Tahir Bezhani: Laureta Rexha - Verë me diell të djegur
E marte, 08.04.2025, 08:33 AM
LAURETA REXHA, NJË POETE QË ZBËRTHEN KOMPLEKSET E JETËS NË DIMENSIONE TË NDRYSHME
Libri “Verë me diell të djegur” një kambanë
paralajmëruese në cilësinë e vargut
poetik.
Laureta
Rexha :“ Verë me diell të djegur,” poezi, 2024, botoi ”Logos. A” Shkup.
NGA
TAHIR BEZHANI
Para disa ditësh autorja me dhuroi
librin “Verë me diell të djegur” me dedikim, të cilin e pranova me
kënaqësi dhe dëshirë për lexim. Këto
ditë, sipas një “rregulli” të leximit me radhë të librave të miqve dhe
mikeshave, krijues-e të artit poetik, lexova librin me një kënaqësi të veçantë,
me që përafërsisht, njihja talentin e kësaj poeteje të re e me entuziazëm prej krijueseje me talent të spikatur.
Shkrimtari i madh Kolen thotë: “Njeriu
përbëhet nga gjërat që kanë kaluar, para se të arrijë aty”. Në këtë
kuptim, dua të them se e njihja që moti familjen e poetes, prindërit
intelektualë, gjyshi ishte një gojëtar me autoritet odash, i fjalës së mirëfilltë, me brumin e
traditës dhe edukatës familjare.
Prandaj, edhe kjo bimë nga trungu i traditës sonë kombëtare, do mbetet një
vazhdimësi me të gjitha mirësitë trashëguese e
respekt, jo vetëm në Rekën e Keqe, por
në mbarë vendin.
Kush
është Laureta Rexha?!
E
lindur me 1993 në fshatin Dobrosh të Gjakovës, e brumosur me dije universitare,
ka mbaruar Bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e “Hasan
Prishtina” ,dega në Gjakovë, ku ka vazhduar me Master në letërsi Angleze .
Merret me përkthim të poezive dhe hulumtimeve të ndryshme letrare e shkencore. Autore e katër veprave
letrare me poezi.
Libri poetik “Verë me diell të djegur,” botuar në
vitin e kaluar, është një libër poetik me vlera të veçanta, ku vargjet e poetes të drejtojnë në
shumësinë e këndvështrimeve jetësore. Nga
ku jeta ka burimin në rrjedhat e normale, pastaj teksa degëzohen përplasjet
e valëve të jetës, në shtratin me shumë dredha e me sakrifica për
ekzistencë
Intuita e poetes depërton deri në thellësi shpirti,
atje ku syri shikon thellësitë dhe zemra dëgjon dhimbjet, duke gjurmuar e
shijuar gjithë koloritin e jetës, atë plazmë dedikuese ku përplasen emocionet e brendshme njerëzore,
për të mësuar e kalitur strategjinë e një rrugëtimi me plot sfida.
Autorja e librit, Laureta Rexha që në poezinë e parë,
”Rrethimi”, plas cipën e durimit mbërthyer me vargje alternative, mes dashurisë
për vendin, ”ku me lule jam rrethuar” dhe pakënaqësisë së ecurive jetësore,
”nën
këmishë të gjatë, të zezë/vetja ime ka zënë vend thellë diku në mua,” dhe
guximit për të arritur atje ku synon imagjinata e saj, në emancipimin e
kuptimplotë të femrës shqiptare si domosdoshmëri kohe.
Prandaj e mbyll mendimin me vargjet “ Dhe
në një udhëtim të shkurtër/ Një premtim shumë kohë më parë asaj ja pata
dhënë/Prandaj vetja ime asnjëherë nuk më ka lënë!”
Guximi, durimi e vetëdija janë tipare që mbartin kohën
në vargjet e poetes Laureta Rexha. Këtë qëndrim autorja e mban edhe në poezinë
“Aromë Lulesh”, duke u përpjekur që ta korrigjojë veten në rrugëtimin e saj,
shkruan: ”Kalimi nëpër stinë të jetës/athua më kishte pjekur a venitur!..”
Një tjetër poezi nga libri “Vargje me diell të
djegur,” ku poetja i rikthehet të kaluarës së saj me nostalgji , plot krenari për arritjen në
dyert e dijes universitare, në atë metropol të universit të dijes . Këtë
emocion nostalgjik e lexojmë në poezinë
mjaft të ndjeshme, ”Vajza me xhaketë të kuqe ”,ku pos tjerash vargëzon:
“ Do të jam prapë ajo/vajza me xhaketë të
kuqe/që vrapon stacionesh/që ëndërron për jetën/ajo vajzë nuk ka frikë për
asgjë.”
Padyshim, një guxim dhe vetëbesim në vetveten, për
femrën shqiptare, për kohën e re dhe
emancipimin e gjinisë femërore në vendin tonë. Një guxim në ecje përpara si
shoqëri njerëzore, për t’u futur në rrjedhat e botës përparimtare .
E ngjashme, akoma më brilante është poezia “Këto
vajza” përmes së cilës nxjerr krahasimet kohore dikur dhe sot, kur emancipimi i
femrës ka arritur kulmin e përparimit njerëzorë.
“Toka ime,” një poezi e denjë ku vargjet rrjedhin
spontanisht si një “betim” imanent ndaj vendit, ndaj atdheut posaçërisht në
vargjet e fundit:
” Do të shkruaj në tokën time/Në atë
vetëdije/Derisa me Tokë të bëhem një”.
Përcaktimi i saj ideor për atdheun e kombin, ka vlerën
e padiskutueshme për autoren Laureta Rexha, është çelësi i çdo lëvizje
hapësinore, gjë që poeten dhe poezitë e saj e bëjnë të qëndrueshme e të
respektuar.
Duke hedhur mendimin vështrues në gjitha poezitë e
librit “Verë me diell të djegur” të
autores Laureta Rexha, nuk mund të kalohet pa dhënë mendimin personal mbi përcaktimet filozofike
të ngjeshura brenda botësisë personale të autores; ose çfarë i paraprin asaj në
synimet e saja jetësore.
Megjithëse autorja është në hapat e parë të
krijimtarisë poetiko-letrare e kjo nuk do të thotë se nuk do ndryshojë qëndrimet,
vlerësimet mbi jetën e tjera gjëra që imponohen
me kohën, dua të cek se në këtë libër, por edhe në dy të mëparshmet,
temë bosht e qëndrimit e drejtimit të
filozofisë jetësore është besimi në Zot. Qëndrimi ndaj
shpirtit dhe qëndrimi ndaj materies janë tema të filozofisë së kahershme dhe e
drejtë e secilit njeri në rruzullin tokësor.
Në poezinë mjaft përmbajtësore, “Përse nuk e kam të
vështirë të jem e fortë,” poetja shpreh gjithë egon e saj ndaj botës që e
rrethon nga brenda e jashtë vetes. Vetëm tek ai besim autorja gjen çerdhen e
qetësisë se saj shpirtërore. Sa e qetë ndihet shpirtërisht me vargjet e saja
kur shkruan:
” Jam mësuar me qetësinë/ Me paqen brenda
vetës/ Dhe me një mbretëri shpirtërore/ Që ngritët e forcohet vazhdimisht /Nuk
ka qenë çdoherë kështu/ Që stinët që ndryshojnë/ dalëngadalë u bëra gur? As
dhimbja shumë nuk më dhemb /Nga ajo ditë /Të jem e fortë nuk e kam problem”.
Mendoj se një portretizim ndaj besimit në Zot paraqet
atë plebishitin personal se çeshtja e materies është shpenzuese, ndërsa aspekti
shpirtëror si i pavdekshëm.Në këtë prizëm i kuptoj dhe vlerësoj disa poezi të
autores nga libri në fjalë.
Libri poetik “Verë me diell të djegur” i autores
Laureta Rexha, ka vlerat e
padiskutueshme në çdo aspekt letrar, duke u nisur nga gjuha, stili, komponimi i vargnimit, stili si
individualiteti përcaktues e autorial e shumë elemente tjera të qëndrueshme.
Pra, ky libër është edhe një pasuri në sfondin poetik të poezisë shqipe, një
pasuri në bibliotekat tona.
Gjakovë,7prill,2024