Mendime
Idriz Zeqiraj: Riciklimi i sforcuar i deputetëve, zvetnon cilësinë e Parlamentit!
E premte, 07.03.2025, 07:55 PM
RICIKLIMI I SFORCUAR I DEPUTETËVE, ZVETNON CILËSINË E PARLAMENTIT!
NGA IDRIZ
ZEQIRAJ
Nga të dhënat e KQZ, kemi mësuar se 39
deputetë, pjesë aktive e jetës politike në Kosovë, nuk kanë arritur kuotën e
nevojshme, për t`u bërë sërishmi deputet në Parlamentin e Kosovës. Realisht,
Kosova me një zonë zgjedhore, nuk garanton përzgjedhjen më të mirë të mundshme
të deputetëve meritorë. Metoda klasike zgjedhore, në nivel komunal, ka disa
parësi të vlerësimit real. Por edhe në këtë rast dominon subjekti më i madh në
komunë. Krijimi i disa zonave zgjedhore, siç i ka bërë Shqipëria dhe disa
shtete të tjera, thonë se po funksionon mirë. Megjithatë, koordinimi në
përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe lënia me një anë e militantizmit
partiak, do ta përmirësonte cilësinë e Parlamentit të Kosovës.
Sugjerimi i shqiptarëve dhe i
ndërkombëtarëve, kanë qenë njësh: Listat e kandidatëve për deputetë, të jenë të
pastra dhe pa cene, pa akuza e ndëshkime ligjore paraprake dhe as të tanishme.
LDK-ja dhe LVV e morën seriozisht porosinë e vendorëve e ndërkombëtarëve dhe hartuan
lista të pastra. Ndërkohë, partitë e PAN-it: PDK-AAK-NISMA, sfiduan shqiptarët
vendorë e botërorë, si dhe ndërkombëtarët. Dhe, hartuan listat emërore të
pista, duke vënë në kandidaturë shumë persona me dosje krimesh, të penalizuar
dhe ndëshkuar nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare! Kjo është
skandaloze, e turpshme dhe skajmërisht kriminale.
Lista të tilla të janë ricikluar nga
legjislatura në legjislaturë, të cilët, me votat e tyre fatale për Kosovën, u
dhanë tokat të brezave shqiptarë, fqinjëve lakmiqarë. Gjithashtu, nënshkruan
marrëveshje të dëshme, siç janë Asociacioni dhe simotra të tjera. Njerëz të
listuar me dosje faktike krimesh, të shantazhuar dhe të dorëzuar shefave të
tyre dhe përmes tyre edhe Serbisë dhe ndërkombëtarëve, gjithnjë në veprime e
shërbime kundër Kosovës.
Disa nga krerët partiakë dhe shumësia e
eksponentëve në Kryesitë e partive të PAN-it, janë shantazhuar për të bëmat e
tyre penalizuese. Duke qenë prej dy dekadave në klanin drejtues të këtyre
partive, arrijnë të sigurojnë vota për deputetë.
Në renditjen emërore numrat nga 1 deri
20, zakonisht, janë të rezervuar për eksponentët, respektivisht, Kryesinë e
partisë të këtyre subjeketeve. Dhe, kjo qysh në nismë të listës emërore, është
pabarazi dhe padrejtësi e madhe. Ndërkohë, ushtrimi i së drejtës të barabartë,
duhet renditje emërore mbi bazën alfabetike. Dhe, kësaj norme duhet t´i kthehen
të gjitha subjektet politike, për t`i bërë të barabartë ligjor të gjithë
kandidatët për deputetë.
Partitë e PAN-it me klientelë të
abonuar elektorale!
Shtrohet pyetja, pse vazhdojnë të
riciklohen disa nga deputetët, për disa mandate radhazi, në veçanti, nga
torishta e PAN-it? Sepse këto parti, dikur të koalicionuara në PAN:
PDK-AAK-NISMA, kanë klientelë të abonuar, të rezervuar, nga tri kategori
elektorale:
E para, shumësia e 80 mijë nëpunëve
shtetërorë, janë të punësuar nga qeveritë e partive të PAN-it, për dy dekada
radhazi dhe klientelë elektorale e tyre;
E dyta, 30 mijë anëtarë të organizatave
ilegale kriminale "SHIK" dhe "Shqiponjat e Zeza"
gjithashtu, janë klientelë elektorale e partive PAN-iste;
E treta, nga 52.560 vetë, me statut
"dëshminë e veteranit", prej tyre 42.550 janë "veteranë" të
rrejshëm, të cilët janë, kryesisht, klientelë elektorale të partive të PAN-it.
Të trija këto kategori, kur e bashkojnë
votën me familjarët e tyre, farefisninë, miqasinë e dashamirë, sigurojnë,
mjaftueshëm, kuotën për deputetë fitimtarë, të cilët, paraprakisht, i përcakton
partia, përmes levave të saj. Përndryshe, pa këto kategori votuesish, partitë e
PAN-it: PDK-AAK-NISMA, nuk do ta kalonin pragun zgjedhor.
E gjithë kjo armatë argatësh,
kryesisht, të shpërblyer, të paguar, riciklojnë deputetë të përdhunshëm, të
cilët, më praninë e tyre në mediet e pushtuara, qofshin në pozitë apo opozitë,
me llapaqenërinë e tyre, torturojnë shqiptarët vendorë dhe ata botërorë,
përnatshëm dhe reprizën e përditshme!
Thonë se qenia e gjatë në politikë, i
konsumon edhe politikanët e shkathtë. Kjo u ka ndodhur edhe disa deputetëve
veteranë. Por, ka edhe deputetë të konsumuar edhe me vetëm një apo dy mandate
deputeti. Disa syresh, me sforcimin e tyre, me debatet politike, kundër
pozitës, duke mos kursyer as shpifjet monstrume me tepëri dhe vrazhdësi, nuk
kanë qenë racional e bindës dhe u është kthyer në bumerang. Rrjedhimisht, janë
vetëdeklasuar, konsumuar dhe kanë humbur besimin fillestar.
Një kategori tjetër, humbës të mandatit
për deputetë, janë viktima të ish-kreut partiak, të cilët me nostalgjinë për të
vazhduar koalicionin me dostat e shefit të tyre, të damkosur me të
"bëmat" e tij kundra-kombëtare, u zbuluan para elektoratit, që
mendonin ndryshe dhe humbën betejen.
Lista e pistë e PAN-it, hije e zezë e
Parlamentit!
Qenia deputet, nuk është kategori
shkencore, që kërkon vite e dekada kohë e dije profesinale, për ta arrirë.
Përkundrazi, posti deputetit është politik dhe lehtësisht i zëvendësueshëm.
Andaj, riciklimi i deputetit në dekada, madje deri në pension, siç ka ndodhur
në diktaturat fashizoide të komunizmit, është sa idiotesk, aq edhe kriminal. I
shikoni deputetet veteranë në lista e PAN-it, shefat të organizatave kriminale
të "SHIK-ut" dhe "Shqiponjat e Zeza", të cilët për 25 vjet
i bëjnë hije të zezë Parlamentit të Kosovës. Votat e tyre i sigurojnë tri
kategoritë e klientelës elektorale, që i trajtuam më lart.
Kryeministri shqiptar paralajmëroi se
nuk do t`i propozoj, favorizoj ata që kanë qenë më shumë se një mandat deputet.
Gjeneratat e reja, janë ngulfatur nga
një kastë burokratike, të cilët, përdhunshëm e përgjakshëm, në emër të luftës
së pabërë, uzurpuan pushtetin dhe institucionet shtetërore. Pavarësisht, në
pozitë apo opozitë, me kuadrot e tyre, janë ngulur fort në kulltuqet
burokratike dhe rezistojnë të mos lëvizin që andej. Megjithatë, ndjehet një
zgjim e vetëdijësim i rinisë, se ndryshimi duhet bërë. Kësaj radhe ka një
prurje të lehtë të rinisë në Parlament. Djemtë dhe vajzat tona, më lehtë po
bëhen deputet në shtetet e demokratike të Evropës dhe të botës, se sa në
Atdheun-Kosovë!
Skena politike e Kosovës ësht zhubrosur
e leckosur skajshëm. Sistemi i Drejtësisë, i rrënuar, deri në degjenerim, ka
mundësuar që kriminelët faktik, me vrasje e hajni industriale, të mbijetojnë së
bashku me bandat e tyre, madje, edhe pse fytyra të urryera, të mbetën në skenën
politike!?
Në një shtet normal e ligjor, subjektet
e tyre, pra, të partive të PAN-it, do të shpalleshin të jashtëligjshme. Ndërsa,
eksponentët e tyre do të zinxhiroseshin dhe lëre më të vazhdojnë ta ndotin
Parlamentin e Kosovës. Një deputet i partisë së Angela Merkelit, në
Bundestag-un gjerman, deklaronte se Parlamenti Kosovës ka, të paktën 27
deputetë kriminelë. Sa herë t`u japë dorën zyrtarëve të lartë të Kosovës, më
duhet t`i lajë duart fort me sapun, sepse i kanë të përlyera me gjakun e
bashkëkombasësve të tyre, kundërshtarë politikë.
Opozita PAN-iste e Kosovës, ka qenë
destruktive dhe ka penguar zhvillimin normal të vendit, ashtu sikurse dje
sabotoi luftën, madje, duke ekzekutuar edhe Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet
Krasniqin, në vlugun e luftës. Kjo opozitë e çoroditur vazhdon ta pengojë
Vettingun dhe Byronë e Verifikiit të Pasurisë pa mbulesë financiare. Sistemi i
Drejtësisë ka degraduar deri në përmasën e humbjes së besueshmërisë totale.
Qeveria nuk ka besim ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin, në Gjykatën
Kushtetuese, sepse ajo është e kapur nga njerëzit e shantazhuar, me dosje nga
Serbia dhe mund të vendosë në favor të Serbisë. Kjo ka ndodhur më parë, madje
edhe Gjykata Supreme, për kompleksin turistik në Deçan, duke ia faturuar
Manastirit të Deçanit së bashku me, të paktën, 24 hektar tokë-park dhe
bllokimin absurd të rrugës tradicionale e shumë shekullore, për dy fshatra,
bjeshkët e Deçanit, në Plavë dhe gjetkë.