Kerko: a
Florim Zeqa: Vazhdojnë reprizat e fushatave zgjedhore!
E marte, 28.01.2025, 07:49 PM
Vazhdojnë reprizat e fushatave zgjedhore!
Votuesit kërkojnë garanci dhe
afate kohore për realizimin e premtimeve të dhëna
Kaluan
dy javë të fushatës zgjedhore, i përcjellëm 14 ditë dhe netë të njëjtat fytyra
politike, me të njëjtat sllogane dhe me të njëjtat fjalime zhurmuese të
liderëve partiakë që nuk i dëgjon askush!
Shkruan:
Florim Zeqa
Rutina
e tubimeve partiake parazgjedhore është bërë e njëjtë, e mërzitshme dhe e
gërditshme, me akuza dhe kundër akuza të liderëve partiak kundër njëri-tjetrit,
e shumë pak shpalosje të programeve politike.
Fjalimet e liderëve partiakë stonojnë si
gramafona të prishur, pa asnjë fjalë apo fjali bindëse për elektoratin, përveq
atyre të pushtetarëve për vazhdimësinë e tyre me rritje astronomike dhe
shprehjes së dëshirave të opozitarëve për t'u rikthyer në pushtet.
Vrapimi pas liderëve partiakë e jo pas
programeve politike do t'iu kthehet bumerang votuesve të rinjë të cilët
vërbërisht ju besojnë premtimeve të fushatës zgjedhore.
Megjithatë, votuesit e vjetër në moshë do
të jenë më të matur dhe më të kujdesshëm në voten e tyre! Shkaku i zhgënjimit
dhe mashtrimit nga politikanët, tri herë do të mendojnë para se të përcaktohen
për një subjekt politik.
Votuesit janë pjekur dhe vetëdijësuar nga
dështimet e politikanëve në mbajtjen e premtimeve, ngas nuk ju mjafton vetëm
ajo që dëgjojnë nga goja e politikanëve. Ata kërkojnë diçka më shumë, kërkojnë
garanci dhe afate kohore për realizimin e premtimeve të dhëna, e jo si më
parë, "u tha u bë", premtime që nuk i realizuan asnjëherë liderët
shtetëror dhe partiakë.
Kush e pengoj këtë klasë politike që 17
vjet nga pavarësimi i vendit që nuk e realizuan skemën e sigurimeve
shëndetësore dhe përmirësimin e sistemit shëndetësorë në përgjithësi!
Ngase pikërisht është mungesa e
sigurimeve shëndetësore që po i detyron njerëzit ta braktisin vendin edhe 26
vjet pas çlirimit!
Qytetarët
nuk besojnë më në gënjeshtrat e politikanëve mashtrues
Kështu
pra, qytetarët
nuk besojnë më në gënjeshtrat e politikanëve mashtrues! Nuk dëshiroj
të hy në premtimet elektorale të secilit subjekt veç e veç, pasi, përafërsisht
gati të gjitha premtimet e partive politike janë të njëjta, të kriposura me
hipokrizi dhe mashtrim.
Nga ajo që shihet nëpër tubimet e partive
politike, po vazhdon repriza e fushatave paraprake zgjedhore, me logjikë
provinciale pa logjikë të mirëfilltë shtetërore.
Askush nga kandidatët në garë për deputet
nuk përkujdesën për të ardhmen e shtetit, por për të ardhmen e tyre provinciale
për kënaqjen e egos personale për t'u ulur në karrigën e deputetit në Parlament
për t'i marrë 2 mijë euro të buta në muaj pa e bërë asnjë punë të mirë për
shtetin.
Përvoja nga e kaluara e ka dëshmuar, që
kemi pasur deputet që nga fillimi i mandatit politik në Kuvend asnjëherë nuk e
kanë marrë mundin të diskutojnë apo të marrin ndonjë nismë personale për të mirën
e qytetarëve dhe as të votuesve të tyre!
Për më keq se kaq, në legjislaturën e
fundit të Kuvendit kemi pasur pasivizim enorm dhe mbi 5 mijë mungesa të
paarsyeshme të deputetëve në Kuvend dhe çdo gjë përfundoj pa asnjë masë
ndëshkimore ndaj deputetëve që muarën paga të majme pa qenë fare prezent në
seancat e kuvendit.
Florim Zeqa, 27 Janar 2025