Mendime
Nexhmedin Saqipi: Kosova dhe rruga drejt identitetit të humbur
E diele, 26.01.2025, 07:57 PM
KOSOVA DHE RRUGA DREJT IDENTITETIT TË HUMBUR
Nga
Nexhmedin Saqipi
Kosova duhet të kthehet te identiteti i atyre që ia
vunë themelet e pavarësisë. Një identitet që, fatkeqësisht, u grabit dhe u keqpërdor
në mënyrë të tejskajshme nga pushteti që erdhi më pas. Në këtë moment historik,
vota e qytetarëve duhet të vendosë drejtimin e duhur në zgjedhjet parlamentare,
duke reflektuar mbi të kaluarën dhe të tashmen.
Kryeministri
Albin Kurti e kërkoi pushtetin me shumë kokëfortësi për vite me radhë, duke u
ngjajtur një fëmije të përkëdhelur që, kur nuk arrin atë që dëshiron, është i
gatshëm të thyejë dritaret apo të kallë shtëpinë. Populli i Kosovës, i lodhur,
i rraskapitur dhe shpesh i manipuluar, ia dha pushtetin dikujt që asnjëherë nuk
e pranoi në tërësi shtetin e Kosovës, flamurin apo Kushtetutën. Por ai i
përdori këto si karta politike, duke luajtur me emocionet dhe pakënaqësitë e
një populli të stërmunduar.
Albini
është njeri i ditur – apo të paktën i pëlqen të duket si i tillë. Megjithatë,
ai duhet ta kuptojë se ka ardhur koha të tërhiqet nga kjo lojë politike, për të
lejuar Kosovën të ecë në një rrugë të qetë dhe stabile. Kjo është rruga e
proceseve që filluan kur Kosova shpalli pavarësinë dhe që kërkojnë udhëheqje të
matur e largpamëse.
Për
vite me radhë, Kurti e provoi veten në pushtet, por në të njëjtën kohë shfaqi
një krizë të thellë mes Albinit të vërtet dhe Albinit politik, një lojë
dualiteti që vetëm thelloi krizat në vend. Akuzat e tij të mëparshme, se
pushteti ishte i kapur, bien në kundërshtim me realitetin. Nëse vërtet do të
ishte kështu, atëherë ai nuk do të kishte mundur ta rrëmbente pushtetin vetë.
Sepse ajo që nuk të përket, kurrë nuk mund ta bësh plotësisht tënden – gjëja e
huaj gjithmonë i kthehet të zotit të saj.
Kosova
ka nevojë për qetësi, stabilitet dhe udhëheqje që të rikthejë besimin te vlerat
themelore që ndërtuan këtë shtet. Albini e ka provuar veten dhe është koha të
reflektojë. Populli, i lodhur nga manipulimet, duhet ta ushtrojë me përgjegjësi
votën e tij, duke kthyer vendin në identitetin e tij të humbur dhe duke hapur
rrugë për një të ardhme më të ndritur.
Rruga
e ndryshimit pozitiv nga këto zgjedhje në Kosovë qëndron në disa shtylla
kryesore që duhet të udhëheqin procesin demokratik dhe përfaqësimin politik të
vendit. Këto shtylla janë:
.
Rikthimi te vlerat themelore të shtetndërtimit
Për
të ecur përpara, duhet të kthehemi te parimet që ndërtuan pavarësinë e Kosovës:
uniteti kombëtar, respekti për Kushtetutën dhe ndërtimi i një shteti të drejtë
e funksional. Qytetarët duhet të mbështesin liderë që vlerësojnë këto parime
dhe kanë një vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
.
Përzgjedhja e liderëve të aftë dhe me integritet
Qytetarët
duhet të votojnë për individë të përgjegjshëm, me integritet dhe përkushtim
ndaj interesave publike. Mbi të gjitha, ata duhet të largojnë nga skena
politike ata që kanë keqpërdorur pushtetin ose kanë manipuluar popullin për
interesa personale apo partiake.
.
Luftimi i korrupsionit dhe keqpërdorimeve
Një
qeverisje e mirëfilltë kërkon transparencë dhe luftë të vendosur kundër
korrupsionit. Duhet të forcohen institucionet e drejtësisë dhe të sigurohet që
të gjitha keqpërdorimet të ndëshkohen, pa përjashtime apo përkëdhelje të
individëve të fuqishëm.
.
Fokusimi në zhvillimin ekonomik
Papunësia
dhe varfëria janë ndër sfidat kryesore të Kosovës. Zgjedhjet duhet të nxjerrin
në pah liderë që kanë plane konkrete për krijimin e vendeve të punës,
përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, dhe investimet strategjike që
rrisin mirëqenien e qytetarëve.
.
Përfshirja e diasporës dhe të rinjve
Diaspora
ka një rol jetik në zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës. Ajo duhet të
përfshihet më shumë në proceset vendimmarrëse. Po ashtu, të rinjtë e Kosovës
duhet të kenë më shumë hapësirë dhe mundësi për të kontribuar, duke sjellë ide
të reja dhe energji pozitive në politikë.
.
Dialog për unitet dhe tejkalim ndasish
Klima
e përçarjeve politike ka dëmtuar rëndë zhvillimin e vendit. Liderët politikë
duhet të angazhohen në dialog të hapur dhe të sinqertë për të krijuar unitet
kombëtar dhe për të përmbushur interesat strategjike të Kosovës në arenën
ndërkombëtare.
.
Qeverisje stabile dhe afatgjatë
Kosova
ka vuajtur nga qeverisje të paqëndrueshme dhe kriza të shpeshta politike. Duhet
të zgjidhen liderë që nuk luajnë lojëra politike për përfitime të shkurtra, por
që punojnë për një vizion afatgjatë dhe të qëndrueshëm për vendin.
.
Rikthimi i besimit te vota si instrument i ndryshimit
Qytetarët
duhet të kuptojnë fuqinë e votës dhe të mos bien pre e manipulimeve apo
zhgënjimit. Pjesëmarrja e lartë dhe e përgjegjshme në zgjedhje është mënyra e
vetme për të siguruar ndryshime pozitive dhe për të krijuar një qeveri që i
shërben popullit.
Mesazhi:
Rruga
e ndryshimit pozitiv kërkon që qytetarët të bëjnë zgjedhje të vetëdijshme dhe të
mbështesin ata që janë të përkushtuar për të mirën e përbashkët. Vetëm përmes
një procesi të drejtë zgjedhor, udhëheqjes së përgjegjshme dhe përkushtimit
ndaj vlerave demokratike, Kosova mund të ndërtojë një të ardhme më të ndritur,
ku secili qytetar të ndiejë se është pjesë e një shteti të fortë dhe të drejtë.
(Autori është publicist dhe kryetar i
Shoqatës së Gazetarëve nga Lugina e Preshevës)