Mendime
Florim Zeqa: Kosova po vuan nga idiotët politik!
E premte, 24.01.2025, 07:52 PM
Kosova po vuan nga idiotët politik!
Shkruan:
Florim Zeqa
Politika është art i së mundshmes në kohë
dhe rrethana të caktuara. Në politikë ngadhnjen forca kolektive dhe shkathtësia
individuale e politikanit. Nuk e bën një politikan të suksesshëm intelegjenca
as sinqeriteti, nuk e bën atdhedashuria dhe as ndershmëria, por të suksesshëm e
bën aftësia e përfitimit të masave të gjëra popullore dhe e krijimit të
marrëdhënjeve ndërkombëtare.
Në
poste të larta ministrore zgjedhen idiot(e) politik
Në skenën politike kosovare për fat të keq kemi shumë politikanë me intelegjencë të kufizuar, por me ambicie të zgjuar për poste dhe privilegje. Akoma më keq se kaq, kemi politikan të ngritur në poste ministrore pa përgatitje profesionale për ministritë që drejtojnë!
Politikanët që pranojnë të zgjedhen në
poste të larta ministrore pa përgatitje adekuate profesionale lirisht mund t'i
quajmë idiot politik, të cilët, përveqse nuk janë të aftë të ndërtojnë politika
zhvillimore në dikasterin që drejtojnë, e degradojnë atë akoma më shumë.
Pa aluduar në asnjë politikan, është pak
më tepër se gabim të zgjedhet ministër i bujqësisë një elektricist apo ministër
i shëndetësisë një jurist dhe anasjelltas.
E për fatin e keq, në të gjitha qeveritë
e pasluftës kemi pasur raste të tilla të mishmashit politik në qeverisje, kur
jo profesionistët i kanë drejtuar ministritë e caktuara.
Angazhimi i njerëzve pa përvojë politike
në diplomaci e ka gjymtuar imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Me
caktimin e ambasadorëve dhe konsujve analfabet në përfaqësitë diplomatike,
përveq imazhit të shtetit, koston e gabimeve ortografike (drejtshkrimore) po e
paguajnë mërgimtarët!
Lëshimi
i dokumentëve me afat të skaduar!
Është
shkruar dhe folur gjatë për përformancën e dobët të ambasadorëve dhe konsujve
të Republikës së Kosovës në disa vende të rajonit dhe botës. Nuk janë të rralla
rastet kur shkaku i analfabetizmit, naivitetit apo pakujdesisë mërgimtarëve ju
lëshohen dokumentat e udhëtimit me afat të skaduar!
Mirëpo
këtë më së miri e vërteton rasti i disa viteve më parë në Aeroportin e Verona-s
(Itali), ku një familje me qendrim të përkohshëm në Udine (Itali) iu ndalua
rrugëtimi tutje drejt Kosovës shkaku i injorancës dhe analfabetizmit të
shërbimeve konsullore.
Pavarësisht faktit, se a ishte mungesë e
vëmëndjes apo injorancë e zyrtarit konsullor, nëna e re u kthye pas me lotë në
sy dhe shpirtë të plagosur së bashku me vajzen e saj tremuajshe shkaku i
lëshimeve ortografike në dokument! Pra, shkaku i një zyrtari të papërgjegjshëm
konsullor, një nënë e re, një motër e jona nuk arriti të marrë pjesë në varrimin
e nënës së saj.
Përveq kthimit prapa, çifti nga Kosova me
qëndrim të përkohshëm në Udine (Itali), u përball me një kosto të lartë
financiare dhe thyerje të rëndë shpirtërore.
E gjithë kjo konseguencë, familjes
kosovare i erdhi si rezultat i injorancës së stafit diplomatik në Ambasadën e
Republikës së Kosovës.
Këtë rast e përdora si ilustrim për të
tërhequr vëmëndjen e qeveritarëve në ardhje, se kur janë në pyetje përfaqësitë
diplomatike duhet të tregohen më të kujdesshëm në caktimin e stafit diplomatik!
Ngase, niveli i lartë apo i ulët
intelektual i ambasadorëve dhe konsujve vërehet në secilin takim me mërgatën
tonë!
Do të ishte gabim të thuhet se të gjithë
njerëzit e politikës dhe përfaqësuesit e stafit diplomatik janë të njëjtë. Kemi
pasur dhe kemi diplomat të karrierës që i zbardhin fytyrën shtetit të Kosovës,
porse numri i tyre sot është tepër simbolik!
Për
të qenë një politikan i suksesshëm në profesionin që e ushtron, duhet t'i
nënshtrohet kurseve dhe trajnimeve të vazhdueshme në përputhje me avancimin
teknologjik dhe rrethanat e kohës, në mënyrë që të jetë i aftë të përballet me
sfidat që prodhon teknologjia bashkëkohore.
Florim Zeqa, 22 Janar 2025