Kulturë
Lekë Mrijaj: Shpresë e pashuar për kthim në atdhe
E premte, 03.01.2025, 07:55 PM
Recension
nga Prof. Lekë Mrijaj për librin MALL E DASHURI PËR ATDHE, të autorit Florim
Zeqa
Shpresë
e pashuar për kthim në atdhe
Nga
Lekë Mrijaj
Pasi
e lexova librin (në pdf.) me titullin “Mall e Dashuri për Atdhe” të autorit
Florim Zeqa, pashë se libri ishte punuar jashtëzakonisht mirë, me një reflektim
dhe përmbledhje tejët
profesionale
dhe me një stil të lartë, ku gërshetohej modeli i stilit të shkrimtarit,
atdhetarit, gazetarit e historianit të vlerave shumëdimensionale.
Thënia
monumentale qe përmban edhe titullin e librit; “Mall e Dashuri për Atdhe”
përmbledh në mënyrë të thellë ndjenjat më të theksuara të një mërgimtari: Pra,
mallin dhe dashurinë e pashuar për vendin e tij të lindjes. Fjala mall
përfaqëson dhimbjen e largimit, mungesën e vendlindjes dhe familjes, si dhe
dëshirën e zjarrtë për t’u rikthyer në atdhe. Nga ana tjetër, dashuria tregon
lidhjen e pazgjidhshme që mërgimtari ruan me vendin e tij, pavarësisht
largësisë dhe viteve të kaluara në dhe të huaj. Ky titull reflekton përjetimet
emocionale të çdo individi që, edhe pse i larguar, e mban vendlindjen në zemër,
duke gjetur forcën dhe frymëzimin për të përballuar çdo sfidë në emër të
dashurisë për atdheun.
Libri
i autorit Florim Zeqa, është një përmbledhje e ndjenjave të thella patriotike
dhe përkushtimit ndaj atdheut. Në këtë vepër monografike të skalitur mirë, autori
në fjalë përpiqet të përçojë emocionet dhe përvojat e tij për atdheun përmes
një gjuhe të pasur shqipe dhe përshkrimeve të hollësishme. Ai, në librin e tij
trajton temën e dashurisë për vendlindjen dhe kujtimet e lidhura me të, duke u
ndalur në çështjet e identitetit kombëtar, historisë dhe vuajtjeve të popullit
shqiptar në përgjithësi.
Në
hyrje të përmbajtjes; largimi i imponuar nga vendlindja, shfaqet si një akt i
detyruar që ndikon thellësisht në shpirtin e mërgimtarit. Ndërsa fraza “Ditën
kur u nisa për mërgim qau edhe moti”, është një metaforë që ilustron dhimbjen e
largimit dhe përshkon tërë veprën me një atmosferë melankolike. Kjo tregon jo
vetëm thyerjen personale të autorit, por gjithashtu e lidh atë me një ndjenjë
të përbashkët që ndajnë shumë shqiptarë të detyruar nga armiku gjakatarë
serbian, që të largohen nga vendlindja gjatë periudhës së represionit politik
në Kosovë.
Ndjenja
e largimit forcohet më tej me frazën “Thyerja shpirtërore në fillimin e
rrugëtimit drejt shpresës së madhe”, e cila përmbledh ambivalenten e të qenit
mes dhimbjes së largimit dhe shpresës për një jetë më të mirë. Kjo ndarje
shpirtërore theksohet edhe më shumë kur autori përmend se mbetet pranë
vendlindjes përmes valëve apo frekuencave të Radio Prishtinës, një simbol i lidhjes
me identitetin dhe kulturën shqiptare.
Pjesa
që pason përqendrohet në ndalesat në Treviso dhe Romë të Italisë, ku fillon një
kapitull i vështirë i jetës së mërgimtarit, i mbushur me procedura burokratike
dhe sfida të përditshme për të mbijetuar. Ndërsa reflektimi me titullin “Treni
i fundit për shpëtim” është një metaforë që simbolizon jo vetëm mundësinë për
të dalë nga situata e rëndë, por edhe të gjitha sakrificat e bëra në kërkim të
një jete më të mirë. Në këtë fazë, autori ndeshet me burokracinë italiane dhe
ndërmjetësit e punës që abuzojnë me bashkatdhetarët, një temë e zakonshme për
shumë mërgimtarë të asaj periudhe.
Ndërsa
fillimi i punës së autorit në ngjyrosje (veriniciatura) shënon një kthesë të
rëndësishme në jetën e tij. Kjo punë, megjithëse e vështirë dhe e thjeshtë, i
hapi rrugën për stabilitet financiar dhe përmirësim të kushteve të jetesës, siç
përshkruhet nga ndryshimi nga “kushtet misterioze të banimit në Treviso” në
“kushte luksoze të banimit në Orsago.” Ky përmirësim është simbol i arritjes së
suksesit përmes punës së palodhur dhe këmbënguljes, duke konfirmuar që “Kur don
Zoti me ta dhanë askush nuk mundet fatin e mirë me ta ndal”.
Përmendja
e Caritasit, dhe tempujve sakral fetarë, tregon sesi mërgimtarët kanë gjetur
mbështetje dhe solidaritet nga institucionet fetare dhe organizatat e tjera
humanitare. Në kohëra të vështira, ky solidaritet ka qenë shpesh një shpëtim
për shumë shqiptarë në mërgim, duke i ndihmuar ata të përballen me izolimin dhe
sfidat e jetës në një vend të huaj. Pra, rëndësia e raporteve të mira shoqërore
përmendet në disa raste, ku autori thekson sfidat e ruajtjes së marrëdhënieve
miqësore dhe bashkëpunuese me bashkatdhetarët dhe vendasit. Shoqëria e mërgimit
është e përshkruar si një “sfidë e njerëzimit,” duke theksuar vështirësitë që
lindin nga bashkëjetesa mes komuniteteve të ndryshme dhe luftën për të mbajtur
një ndjenjë të përkatësisë dhe mbështetjes në një mjedis të huaj.
Ndërsa
Lufta e Kosovës përbën një moment kthesë të rëndësishme në narrativë, duke
theksuar përjetimet personale dhe largësinë e ndjeshme nga atdheu në kohën më
kritike të kombit. Peripecitë e bashkimit familjar gjatë kohës së luftës
shtojnë dimensionin emocional të veprës, duke treguar dhimbjen e ndarjes dhe
përpjekjet e një familjeje për të qëndruar e bashkuar në një periudhë kaosi dhe
pasigurie. Kthimi i tij apo i autorit në Kosovë pas luftës është një moment
reflektimi dhe përjetimi i një ndjenje triumfi, por gjithashtu edhe i një
trishtimi të përzier, ku autori ndihmon refugjatët dhe merret me çështje
pajtimi. Ky veprim përçon mesazhin e solidaritetit dhe të rikthimit te vlerave
njerëzore pas periudhave të dhimbshme historike.
Poezitë
e përmendura nga autori Zeqa në fund te këtij libri, si “Ëndrra për atdhe,”
“Monolog me Nënën,” dhe “Vaji i mërgimtarit”, përmbajnë një përmbledhje të
ndjenjave të brendshme të autorit dhe lidhjes së tij me atdheun. Poezitë
përfaqësojnë jo vetëm një formë të
shprehjes artistike, por edhe një shprehje të sinqertë të dhimbjes dhe
mallëngjimit që një mërgimtar përjeton për vendin dhe familjen e tij. Ato
pasqyrojnë një
gjendje
shpirtërore që tejkalon fjalët e zakonshme dhe bëhet një përshkrim poetik i
mallit të pashuar për vendlindjen. Autori përveç përpjekjeve emocionale dhe
sfidave të përditshme, përjeton një rritje të dukshme në suksesin e tij
financiar.
Kthimi
i të hollave në bankë, marrja e kredive dhe ndërtimi i besueshmërisë së
përhershme në shoqërinë italiane përshkruajnë realizimin e ëndrrave të tij
financiare, që shpesh janë një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të
mërgimtarëve. Kjo tregon jo vetëm përmirësimin e kushteve jetësore, por edhe
stabilitetin dhe respektin që ka arritur në komunitetin ku jeton.
Kthimi
në vendlindje pas lufte është një moment i mbushur me ndjenja të përziera. Ai e
përjeton vizitën si një rikthim te rrënjët, por ndjen edhe trishtim për
ndryshimet që kanë ndodhur. Megjithatë, ai tregon sesi ndihmoi refugjatët dhe
përpiqet të pajtojë një ngatërresë, duke shfaqur një ndjenjë të fortë të
përgjegjësisë sociale dhe humanizmit.
Në
tërësi, “Largimi i imponuar nga vendlindja” përshkruan një rrugëtim të gjatë
dhe të mundimshëm të një individi, që përmes përvojave të tij tregon përjetimet
e thella të mërgimit, ndjenjën e dashurisë për atdheun, sfidat e jetës së
përditshme dhe suksesin përmes përpjekjeve personale.
Përmbyllja
e librit Mall e Dashuri për Atdhe; i autorit Florim Zeqa, përmbledh ndjenjat
dhe përvojat e një mërgimtari që ka kaluar dekada larg atdheut të tij.
Nëpërmjet rrëfimeve personale, autori sjell në pah sfidat, përpjekjet, dhe sakrificat
që një shqiptar i diasporës përjeton në përballje me mërgimin. Largimi i
imponuar nga Kosova për arsye politike dhe socio-ekonomike përshkruhet si një
ndarje e dhimbshme nga familja dhe vendlindja, duke theksuar mallin e pashuar
për atdheun.
Pavarësisht
vështirësive, përkushtimi i autorit për të ndërtuar një jetë më të mirë për
veten dhe familjen e tij është i përshkruar përmes momenteve të triumfit dhe
arritjeve të rëndësishme. Gjithashtu, Florim Zeqa thekson rëndësinë e
solidaritetit, besimit dhe lidhjeve shoqërore në mërgim, duke treguar se përtej
largësisë fizike, dashuria për atdheun mbetet një forcë që i mban gjallë të
gjithë mërgimtarët.
Me
poezi të ndjera dhe reflektime personale, libri mbyllet duke forcuar mesazhin e
qëndrueshmërisë, sakrificës, dhe shpresës së mërgimtarëve për t’u rikthyer një
ditë në tokën e tyre, duke përmbushur ëndrrën e përbashkët të çdo shqiptari:
rikthimin në atdheun që nuk harrohet kurrë.
Autorit
të librit, Florim Zeqa, i urojmë suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij
letrare, publicistikë, gazetari dhe poezi. Puna e tij qëndron si një zë i
fuqishëm për përjetimet e mërgimtarëve dhe dashurinë e pashuar për atdheun,
duke ndikuar jo vetëm në botën letrare, por edhe në ndërgjegjësimin për
çështjet që prekin kombin tonë. Le të vazhdojë të frymëzojë dhe të pasurojë
kulturën tonë shqiptare me veprat e tij të ndjera dhe të thella.