Kulturë
Timo Mërkuri: Rrjedha e figurave artistike në një përjetim poetiko ekzistencial
E marte, 24.12.2024, 07:54 PM
RRJEDHA E FIGURAVE ARTISTIKE NË NJË PËRJETIM POETIKO EKZISTENCIAL
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
e Ilirian Zhupës "Është vonë të më mungosh" është një krijim që reflekton
mbi mungesën, vetminë dhe mënyrën se si dashuria, edhe në mungesë, vazhdon të
jetë e pranishme në shpirtin (jo vetëm) e poetit. Krijimi ndërthur tensionin
shpirtëror me elegancën lirike dhe ndërton një botë emocionale të ngarkuar me
ndjeshmëri e simbo-likë, madje qysh në krye bie në sy se dhe vetë vargu titullor
është një kulm artistik e filozofik dhe përmbledh përjetimin e mungesës si
prani dhe plagë ekzistenciale.
I-Nisur
nga kjo, më së pari le të zbërthejmë titullin e poezisë, i cili do na hapë
dyert për në brendi të saj, pse në thelb ai është sintezë poetike e ndjenjave
të mungesës dhe reflektim mbi kohën, dashurinë dhe marrëdhënien e përjetuar. Titulli
"Është vonë të më mungosh" është shprehje e një dashurie që nuk
pranon kufizime, sepse mungesa, e cila “..është vonë” bie ndesh me ndjenjat e dashurisë
universale të heroit, pasi e lexuar ndryshe, titulli ka kuptimin se: “është vonë
pasi unë jam shkrirë i tëri në këtë dashuri” apo unë dhe ti jemi shkrirë së
bashku në këtë dashuri dhe nuk mund të ndahemi. Sipas poezisë, ndjenjat e
heroit janë sa të fuqishme aq dhe gjithkund të pranishme, sa mungesa e saj përjetohet
si një “shkëputje e pamundur ”. Poezia, përmes vargjeve, ndërtimit të figurave
dhe intimitetit të ndjenjave, shpreh bukurinë e dashurisë dhe tragjedinë e
mungesës. Sinqerisht që është hera e parë që has një poezi të ngritur për
“mungesën” në dashuri, në të cilën poeti ofron një situatë ku mungesa (e të dashurës) nuk është thjesht boshllëk emocional, por një gjendje
ekzistenciale që nuk pranohet dot për shkak të thellësisë, gjerësisë dhe peshës
së dashurisë. Jam i bindur se kushdo që e ka provuar një mungesë të tillë,
kursesi nuk e ka pranuar dhe e përjeton më qartësisht poezinë. Megjithatë një sërë
pyetjesh lindin qysh në titull dhe më e para: Pse do mungojë e dashura e heroit,
kur ai e dashuron kaq shumë?
1.Qysh
në leximin e parë të poezisë vërejmë se e dashura shfaqet si një figurë e
largët, e cila, pavarësisht mungesës fizike, mbetet e pranishme në mendimet dhe
ndjenjat e poetit në mënyrë aktive, ndaj ai e përjeton këtë mungesë në mënyra
të ndryshme : “Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia” ku ky
varg shfaq tronditjen shpirtërore të tij, të tillë që e ka bërë të “humbuasë
busullën” e orientimit emocional; e ka të pamundur të bisedojë me të tjerët apo
të kuptojë veten. E parë në këtë kontekst, ajo, e dashura mungon jo vetëm si
person, por edhe si simbol i qetësisë, ekuilibrit dhe kompletimit shpirtëror.
2.
Sigurisht që ka lexues që me naivitet do pyesin: Ku mungon ajo? Në një takim
apo në dashurinë e tij? Në poezi mungesa e të dashurës ndjehet kudo, si në
rrafshin fizik ashtu dhe në atë shpirtëror: në mjediset ku poeti jeton e ndërvepron, në hapësirat e tij
shpirtërore, në botën dhe mendimet e tij. Në poezi ajo “shfaqet” si mungesë që
mbush çdo hapësirë, duke e bërë të pamundur që poeti të gjejë një vend ku të
ndihet i qetë larg saj. Poetika e vargut:“Rruga më shtyn me bërryla, sikur do
të më nxjerrë në skaj.” sugjeron që mungesa e saj e bën botën e tij të
pasigurtë e të huaj.
3.Ka
një frazë në këtë varg që të ve në mendime dhe të fton në eksplorime,fraza kur
poeti thotë: “është vonë”. Psikologjikisht dhe artistikisht e quajtura "vonë" lidhet me disa aspekte të kohës dhe ndjenjave:
a.Në
konceptin e përjetësisë së dashurisë,
dashuria e poetit për të vajzën është aq e madhe sa mungesa e saj nuk mund të
pranohet në asnjë moment kohor, as tani, as më vonë sepse i humbet kuptimin jetës.
Kjo është e dukëshme te vargjet: “Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku
nisin”, pra rruga e jetës ka marrë formën e një rrethi që të kthen në fazën
fillestare ose ndoshta dhe të një pike, prej së cilës nuk lëviz dot. Pra vargu
përforcon idenë se dashuria është ciklike, e pafund, dhe mungesa thyen këtë
cikël, duke e bërë të pamundur rikthimin në normalitet. Kështu,mungesa përjetohet
si dhimbje e përhershme që sfidon logjikën e zakonshme të kohës dhe hapësirës. Parafytyroni
psh, mungesën e fëmijës adoloshent në shtëpi në orët e vona të natës dhe
shqetësimin e prindërve.
b.Dikush
do të sugjerojë se poetit (ndoshta) i duket se koha që kanë kaluar bashkë është
aq e rëndësishme sa çdo mungesë tani , qoftë dhe momentale përjetohet si një
padrejtësi e madhe.Po, kështu është, në fakt për poetin, ajo, e dashura është
bërë pjesë e pandarë e qënies së tij, e pazëvendësueshme, ndaj ai shprehet te
vargjet: “O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin.” duke nënkuptuar
se mungesa e saj është shumë më tepër se një mungesë fizike, është një mungesë
shpirtërore
4.Përmes
vargut "Është vonë të më mungosh," poeti nuk e shfaq vetëm dhimbjen,
por edhe një përjetim shpirtëror që ka kaluar: nga revolta te pranimi. Kjo
shprehje nënkupton që dhimbja e mungesës ka marrë përmasa kaq të thella e të
gjera sa që është bërë fakt i kryer, pjesë e ekzistencës së tij, pranim i
heshtur, e ngjashme me disa plagët që nuk shërohen kurrë, por që egzistojnë në
trup, madje kthehen në simbole të jetës. . Sdi pse më kujtohet shprehja: larg
syve larg zemrës.
5.Artistikisht,
ky varg përfaqëson një kulm të finesës lirike dhe ndjeshmërisë njerëzore . Ai
përcjell idenë se dashuria dhe mungesa nuk janë dy gjendje të ndara, por është
një pjesë të pandashme e një përjetimi të madh dhe kompleks: “Këndoj dashurinë
që e kam dhe s’e kam”.Kjo mënyrë konceptimi e bën mungesën një prani të përhershme
dhe paradoksale, ku ajo vazhdon të ekzistojë përmes fuqisë së saj shpirtërore
dhe krijuese.
Kështu
fraza vargore "Është vonë të më mungosh" përmbledh filozofinë e
poezisë në tërësi, duke shprehur jo vetëm një vetëdije të qartë për dhimbjen e
humbjes,por edhe pranimin e saj si burim
frymëzimi dhe pjesë e pashlyeshme e jetës së poetit. Përmes këtij vargu,
mungesa shndrohet nga një ndjenjë kalimtare në gjendje të përjetshme, një lloj
paqeje melankolike, si një plagë që duhet gjithmon ta ledhatosh me idenë se po
lehtëson dhimbjen, ndjenjë që vetëm dashuria e humbur ta sjell.
II-Është
interesantë se poezia e Ilirian Zhupës përfaqëson një përjetim të mungesës së
të dashurës, duke ndërthurur ndjeshmëri estetike dhe filozofi moderne. Teksti
lidhet me disa rryma të modernizmit, si ekzistencializmi dhe absurditeti, por
përmban dhe dimensionin metafizik të
veçantë që i jep karakter unik. Për këtë arsye e shohim të nevojëshme që analizën
ta ndajmë në dy pjesë: e para të përqendrohet te qasjet moderniste, ndërsa e
dyta të ndalet te veçoria e saj special dhe konkretisht:
1.Poezia"Është
vonë të më mungosh" nga Ilirian Zhupa i përket rrymës ekzistencialiste
brenda modernizmit, pse eksploron vetminë dhe përpjekjen për të gjetur kuptim
përmes introspeksionit dhe krijimit artistik. Në këtë poezi, pyetjet si “Unë ku
të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?” pasqyrojnë krizën ekzistenciale
që vjen nga humbja njeriut të dashur, por që ajo, kriza zgjerohet e përfshin
ndjenjën e vetmisë së njeriut modern në një botë të pakuptimtë. Ndjenja e
mungesës shndërrohet në simbol të zbrazëtisë më të thellë që individi përjeton
kur përballja me jetën duket e pafund dhe e paplotë.
2.Lirizmi
introspektiv dhe subjektiviteti poetik shfaqet përmes pamjeve të përditshmë-risë,
ku objektet dhe vendet - librat, stolat, rruga, kafja - marrin një vlerë
simbolike. Imazhet e tyre konkrete, që zakonisht janë pjesë e jetës së
përditëshme, shndërrohen në pasqyra të brendisë shpirtërore të poetit dhe, ndërkohë
që ai përpiqet të gjejë qetësi përmes tyre, ndjesia e mungesës shfaqet si mur i pakapërcyeshëm. Kjo duket si një lojë mes realitetit dhe brendisë
emocionale, madje krijon tension poetik, duke pasqyruar dilemat e individit
modern.
3.Simbolika
është shtyllë qendrore e kësaj poezie.
Zjarri që “brufullon brenda gjoksit” shfaqet si metaforë e fuqishme për
ndjesitë e pasionit dhe dhimbjes së brendshme, ndërsa “horizontet e grivëra”
evokojnë ndjenjën gri, që krijohet nga pengesat dhe pasiguritë shpirtërore të
poetit. Yjet që ndriçojnë natën në fundin e poezisë nuk janë thjesht imazh
natyror, ato janë simbol i shpresës dhe universalitetit.Kushdo që e ka përjetuar
këtë situatë, asnjëherë nuk i ka humbur shpresat e një rikthimi.
Interesante
është fakti se kjo poezi ofron dhe dy qasje të tjera speciale dhe konkrete:
a.Paradoksi
i dashurisë moderne, shfaqet qartësisht: ajo, dashuria është njëkohësisht sa e
pranishme aq dhe e paarritshme. Ky dualitet krijon tension emocional dhe poeti gjendet
midis pranimit të realitetit dhe dëshirës për diçka më të lartë. Pohimi “e kam dhe s’e kam” shfaq
pikërisht këtë ambivalencë, duke reflektuar kompleksitetin e dashurisë.
b.Është
hera e parë që has dhe ndjej dukurinë e një krijimi poetik që paraqitet si akt
që i jep kuptim jetës dhe ndihmon në përballjen e boshllëkut ekzistencial. Realisht
ky koncept është tipar thelbësor i modernizmit , ku arti shihet si mjet për të
kaluar kufijtë e të zakonshmes. Përmes krijimtarisë, poeti shndërron dhimbjen
në një univers më vete, të mbushur me vlerë dhe estetikë. Në vargun: "Pas
të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje," krijimi poetik shfaqet si akt që transformon gjendjen emocionale të
poetit, ku ai (poeti) si një demiurg modern,(Zot,krijues) arrin të kapërcejë
mungesën dhe përmes fuqisë së vargut, e bën krijimin një formë shpëtimi dhe
transcendence. Konkretisht, poeti nëpërmjet krijimit vepron si një demiurg
(Zot) që krijon e ndriçon kaosin e jetës përmes artit dhe:
-Poezia
bëhet (krijohet)si një univers më vete, ku ndjenjat, emocionet dhe konceptet
abstrakte marrin jetë dhe rregull.
-Procesi
i krijimit përjetohet si përpjekje për të kapërcyer realitetin fizik dhe
ndërtuar një botë shpirtërore ose estetike të re.
-Poezia
e Zhupës është një përjetim estetik i rrallë: e ngre përvojën personale në nivelin
e universalitetit njerëzor, duke na ofruar një tablo të fuqisë transformuese të
artit. Nuk është pjellë e fantazisë shprehja që poetët janë si Zoti, këtu e kanë
patur fjalën.
III-
Poezia "Është vonë të më mungosh" e Zhupës përdor një gamë të gjerë
figurash artistike, ku simbolet, metaforat, personifikimet dhe imazhet
ndërtojnë një tekst që flet njëkohësisht për përjetimin e boshllëkut
ekzistencial, ndjesinë e brendshme lirike dhe kompleksitetin simbolik të
modernizmit. Të gjitha këto qasje lidhen organikisht me rrymat e
ekzistencializmit, lirizmit introspektiv dhe simbolizmit modernist. Por le ti
shohim konkretisht figurat artistike sipas qasjes dhe të shpjegojmë
shkurtimisht arsyen e saj :
1.
Simbolet dhe qasjet e tyre:
a.Simboli:"Zjarri
brufullon brenda gjoksit" në ekzistencializëm shpreh trazirat shpirtë-rore
të individit, një përpjekje për të ndier ekzistencën vetike në kaosin dhe
absurdin. Në kuadrin simbolist, zjarri përfaqëson fuqinë krijuese dhe
shkatërruese të ndjenjave, duke lidhur jetën emocionale me pasionin dhe
dhimbjen.
b."Horizontet
e grivëra" janë simbol i paqartësisë dhe mungesës, por njëkohësisht janë
një metaforë ekzistenciale e kufizimeve dhe të panjohurës. Përmes simbolizmit
modernist, ato aludojnë për pamundësinë e një shikimi të pastër drejt së
ardhmes.
c.Te
vargu: "Nata më mbushet me yje" në sens lirizmi introspektiv, yjet
simbolizojnë ndriçimin shpirtëror, një lloj shprese përtej errësirës
ekzistenciale. Në simbolizëm, ato përfaqësojnë idealet e largëta dhe dëshirën
për transcendencë.
ç.
Simboli i pleqve te vargjet:“Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të
bardha/ Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.” shfaq një gjendje statike e ciklike, ku
individët humbasin individualitetin në uniformitet, duke pasqyruar ndjenjën e
absurdit në modernizmin ekzistencial.
d.
Simboli i librave te vargu:“Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga
dashuria”, ku librat simbolizojnë peshën e kujtimeve dhe emocioneve, duke
shprehur përballje me të kaluarën që është po aq e dashur sa edhe e rëndë.
e.
Te vargu::“Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj”,rruga
është simbol i jetës që shtyn individin drejt një fundi të paqartë, ndjesi kjo
e shpeshtë në letërsinë moderniste të absurdit. Sigurisht që këto shpjegime të
simboleve nuk zbërthejnë thellësisht vlerat e figurave artistike, por ne le të
plotësojmë mangësinë me analizën e metaforave, personifikimeve dhe imazheve, ku
do qartësojmë idenë.
2.
Metaforat dhe lidhjet e tyre:
a.Metafora:"Rruga
më shtyn me bërryla" është qartësisht ekzistenciale dhe pasqyron ndjenjën
e individit përballë presionit të realitetit. Në simbolizmin modernist, rruga
përfaqëson udhëtimin e jetës, një përpjekje për të gjetur kuptimin në botën
kaotike. Duket sikur ky varg krijon një përplasje me vargun e mësipërm simbolik
(pika e), porn ë fakt nuk është përplasje por është një ndërshfaqje. Kemi thënë
që figurat e Ilirian Zhupës ndërlidhen, ndërshfaqen e ndërveprojnë me njera
tjetrën dhe këtu kemi të bëjmë me këtë dukuri, ku simboli shfaqet dhe si
metaforë pikërisht te fraza ”…shtyn me bërryla”. Sigurisht që këtë ndërlidhje
dhe ndërshfaqje do ta hasim dhe te analiza e personifikimit dhe imazhit, por
mjafton të kuptojmë se kjo është një vlerë dy-trifishe e figurës dhe jo ndonjë
lapsus i poetit. Këtë dukuri do ta hasim dhe te figura të tjera artistike,
krijuar me të njejtin efekt.
b.Te
vargu:"Librat më kërrusin nga dashuria", në kuadrin e lirizmit introspektiv,
kjo metaforë shfaq ndikimin transformues të dijeve e ndjenjave, që shpeshherë
mbartin një peshë të madhe emocionale dhe shpirtërore. Edhe kjo metaforë ndërlidhet
e ndërshfaqet me simbolin e mësipërm (pika d) ku pesha e dashurisë bëhet një
barrë që ndikon te lexuesi.
c.Metafora:"Këndoj
dashurinë që e kam dhe s’e kam" ndërthur dualitetin e ekziste-ncës: praninë
dhe mungesën. Ajo është ekzistenciale në thelb, pse reflekton pasigu-rinë e
jetës dhe paradoksin e dashurisë. Në simbolizëm, ajo krijon një ndjesi
abstrakte të ndjenjave të paprekshme.
3.
Personifikimet dhe funksionet e tyre:
a.Te
vargu:"Rruga më shtyn me bërryla", rruga personifikohet dhe shfaq një
ndjenjë ekzistenciale, ku ajo (rruga), si një forcë e jashtme, përfaqëson
presionin dhe sfidat e përditshme që ndikojnë në individin. Shpjegimet e ndërshfaqjes
janë të njejta me pikën “a” te analiza e metaforave.
b
Thamë më sipër se vargu simbolik:"Zjarri brufullon brenda gjoksit" në
shpreh trazirat shpirtërore të individit, por zjarri personifikohet me fjalën
("brufullon") dhe i jep jetë këtij simboli, duke krijuar një imazh të
një force të brendshme që vlon dhe konsumon. Ndërveprimi i këtyre figurave
përçon një ndjenjë të thellë vetmie, sepse megjithëse zjarri ngroh të tjerët,
dashuria e munguar nuk ngrohet. Ajo që duam të shprehim është se ndërveprimi I
simbolit me personifikimin krijon imazhin dhe në këtë mënyrë vargu shfaq tri
kuptimeshmëri.
c.Personifikimi:
"Librat më kërrusin" tregon
marrëdhënien intime dhe transformuese të individit me artin dhe dijen, ndërkohë
që në lirizmin introspektiv, ai simbolizon ndikimin emocional dhe intelektual
të letërsisë në përvojën personale. Shpjegimet e ndërshfaqjes janë të njejta me
pikën “n” te analiza e metaforave.
ç.Përmes
personifikimit "Udhët përfundojnë pikërisht atje ku nisin" udhët marrin një dimension ciklik, duke pasqyruar
një perspektivë ekzistenciale mbi jetën si një proces të përsëritshëm dhe
shpesh pa kuptim përfundimtar.
4.
Imazhet dhe lidhjet e tyre:
a.
Imazhi vizual: "Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të
bardha" shpreh një atmosferë monotone e të qetë, që buron nga pasiviteti
dhe pranimi i një ekzistence të kufizuar.Në simbolizëm, fytyrat e bardha janë
metafora për zbrazëtinë dhe uniformite-tin e botës. Për ndërshfaqjen e kësaj
figure dhe te pika “ç” e analizës së simboleve, le të bëjmë paralelizmin me sa
thamë te analiza e metaforave.
b.Imazhi:"Ndjek
fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë" krijon një
ndjesi të lirizmit introspektiv, ku fluturimi i shtërgjve simbolizon lirinë dhe
kujtesën, ndërsa vajza përfaqëson idealin e dashurisë, përjetësinë e saj dhe një
shpresë të vagët të heroit poetik.
c.Ndërkohë
imazhi: "Mbështes kokën në horizontet e grivëra" shfaq një pamje
ekzistenciale të lodhjes përballë një bote të mjegullt dhe të paqartë. Në
simbolizëm, ky imazh aludon për ndjesinë e humbjes në kërkimin e një kuptimi të
pakapshëm, pra kemi të bëjmë me një ndërshfaqje, jo me një lapsur të poetit.
Kështu
mund të flasim edhe për vargun “Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e
bukur” ku kombinimi i metaforës së qiellit (si shpresë dhe qetësi) me
personifikimin e moshës që "ndihet e bukur" krijon një imazh të
harmonisë së brendshme që lind nga krijimtaria, për vargun: “Nata më mbushet me
yje.” ku nata personifikohet si hapësirë që "mbushet me yje," ndërsa
yjet vetë bëhen metaforë e shpresës dhe
ëndrrave. Kjo ndërthurje krijon një imazh kozmik që pasqyron çastin e një
përmbushjeje shpirtërore në kontrast me mungesën dhe dëshpërimin e mëparshëm.
Në
thelb ndërveprimi i figurave artistike te Zhupa krijon një botë imazhesh që shfaqin
tensionin midis dhimbjes e shpresës, vetmisë e krijimtarisë. Simbolet,
metaforat dhe personifikimet jo vetëm që forcojnë ndjesinë ekzistenciale të
poezisë, por ndërtojnë një realitet të pasur që shpalos thellësinë e përvojës
njerëzore në modernizëm. E parë në këtë lente, shprehemi se: poetika e Zhupës
është ftesë për lexuesin të eksplorojë dimensionet më të thella të përvojës
njerëzore te arti I tij poetik që ndriçon misteret e qenies dhe botës dhe të
mos mjaftohet me kuptimshmërinë e dukëshme të saj.
IV-
Ka një dukuri interesante poezia, në vargun e fundit: "Është vonë të më
mungosh e dashura ime",ku fraza “e dashura ime” përdoret për herë të parë
në poezi duke sjellur një përshkallëzim
emocional dhe kulm estetik. Kjo shprehje, e lënë për në fund, krijon ndjesinë
sikur poeti e ka ruajtur emërtimin më të drejtpërdrejtë për çastin më intim dhe
më domethënës të poezisë. Përdorimi i saj i jep peshë të veçantë ndjenjës së
"ruajtur" (dhe të kristalizuar brenda tij), që, deri në atë moment,
ishte shfaqur përmes toneve dhe figurave më të tërthorta. Në fakt, kjo vonesë
për ta përmendur cilësimin "e dashura ime" tingëllon si një strategji
artistike dhe psikologjike: poeti e ngre dashurinë në mënyrë graduale, duke e
ndërtuar fillimisht si atmosferë ndjenjash, që rritet e përforcohet deri në
çastin e fundit. Gjithmon kështu ndodh, djemtë fjalën “të dua” ose “e dashura
ime” e shprehin me vonesë. Kjo "vonë", e përdorur në këtë moment,
mbart peshën ekzistenciale që e bën ndjenjën më të thellë dhe më të ndjerë. Megjithatë,
mendojmë se ka edhe një efekt tjetër: ndonëse fjala “vonë” sugjeron humbjen,
përdorimi i frazës “e dashura ime” lë hapur mundësinë e një shprese të fundit.
Dhe së treti: kjo vendosje në fund e frazës “e dashura ime” i jep poezisë një
ndjenjë përmbyllëse, duke e lenë hapur interpretimin për rilidhjen e pritëshme.
Në fakt poetët modernist shqiptarë pothuaj se të gjithë rezervojnë në fund të
poezive shpresa optimizmi, ndryshe nga modernistët europianë që zhyten në
pesimizmin e pashpresë. Por ajo që është e rëndësishme është fakti se te kjo
gfrazë është kristalizuar ideja se :mungon e dashura (fizikisht) pranë poetit,
por jo dashuria (si ndjenjë) te poeti. Dhe kjo është shumë e rëndësishme në
poezi dhe këtë analizë.
V-
Poezia "Është vonë të më mungosh" nga Ilirian Zhupa përmban një
melodicitet të brendshëm që buron nga përmbajtja emocionale e fuqishme, ritmi i
ngadalshëm i vargjeve dhe ndërveprimi harmonik i elementeve stilistike.
Tonaliteti është i ulët, melankolik, dhe i përmbajtur, duke krijuar një ndjesi
të dhimbshme, por njëkohësisht të këndshme për t’u dëgjuar dhe përjetuar, sit e
këngët shumëzërrëshe të Bregut të detit.
1.Melodiciteti
i poezisë mbështetet te tonaliteti i saj i ulët, i cili i ngjan një bisede
intime mes dy personave, madje shpesh një monologu intim. Ky tonalitet krijohet
nga përdorimi i frazave të shkurtra, pyetjeve retorike, të cilat gjithsesi nuk
presin përgjigje : “Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?” Këto
pyetje pasqyro-jnë një gjendje shpirtërore të pasigurisë, dhe shoqërojnë lexuesin me ritëm të ngada- lshëm.
Ndërprerja ritmike që krijohet nga pyetjet i jep poezisë një efekt të ngjashëm
me valëzimet e një melodie të qetë dhe melankolike.Tonaliteti i ulët e
melankolik përforcohet (edhe) nga motivet e vetmisë dhe dhimbjes:“Po unë çfarë
të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,” vargje këto që
përcjellin ndjenjë të fortë vetmie, e
cila shndrohet në një tingull të brendshëm të butë dhe të përmbajtur.
2.Një
element kyç në melodicitetin poetik
është përsëritja e frazave dhe strukturave, pse këto krijojnë një ritëm të
qëndrueshëm dhe ndjenjë ciklike, e cila mbështjell poezinë me një harmoni të
qetë: “O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin” , ku përsëritja
e idesë së mungesës dhe braktisjes në disa vargje radhazi i jep poezisë një
tingull të vazhdueshëm, që ndërtohet ngadalë dhe lë hapësirë për reflektim. Kjo
përsëritje nxit lexuesin të ndjejë ritmin e qetë, por të qëndrueshëm të
ndjenjave të shprehura.
3.
Përdorimi i zanoreve “u” dhe “ë” në poezi krijon një efekt të theksuar
trishtimi dhe melankolie, duke ndikuar thellësisht në tonalitetin e saj. Këto
zanore, të cilat lidhen shpesh me dhimbjen dhe pikëllimin në traditën orale dhe
gjuhësore të banorëve të bregdetit, i japin vargjeve një tingëllim të ulët dhe
të zgjatur, që përforcon atmosferën e mbytur të poezisë. Në fjalorin e
bregdetasve, zanoret “u” dhe “ë” shpesh përfshihen në vajtime mortore, duke
bartur prej tyre tek poezia e Zhupës ndjenjë të përjetshme pikëllimi.Në këtë
poezi, ato përdoren në mënyrë të ndërgjegjëshme për të shprehur boshllëkun
emocional të subjektit lirik.Psh., “Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më
nxjerrë në skaj.”ku tingulli “u” krijon një ndjenjë shtytjeje të dhunshme dhe
të pashmangshme drejt izolimit. Ose:“Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen
shumë në të, po jo ti.” Ku përsëritja e “u” dhe “ë” përcjell një ndjenjë
tensioni të brendshëm dhe përpjekjeje për ngushëllim, e cila mbetet e
paplotësuar. Shikoni pak vargun:“Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja.” Këtu,kombinimi
i këtyre zanoreve reflekton një vetmi të thellë, ndërsa zëri i lexuesit duket
sikur kthehet tek vetja, duke mbartur një jehonë të mbytur dhimbjeje. Ky
përdorim i qëllimshëm i zanoreve,(ose përgjedhja e fjalëve me këto zanore) i
lidhur me simbolikën e tyre në ritet mortore, jo vetëm që thellon ndjenjën e
melankolisë në poezi, por gjithashtu i jep asaj dimension universal të
dhimbjes, duke e ngritur përmbajtjen emocionale në një nivel artistik të lartë.
Në
analizën e melodicitetit mund të shtojmë edhe efektet e aliternacionit dhe
efektet fonike sit e vargu:“Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në
të, po jo ti.” Ku tingulli përsëritës “b” dhe harmonia midis fjalëve si
“brufullon,” “brenda,” e “gjoksit” krijojnë një aliteracion të ndjeshëm që
shton një dimension muzikor, duke I ndihmuar lexuesit të përjetojnë poezinë si melodi
e brendshme, krijuar përmes tingujve. Po ashtu, përdorimi i tingujve të butë
dhe fjalëve me zanore të hapura, si: “ngrohen,” “zjarri,” dhe “brenda,” krijon
një efekt të ngrohtë dhe të rrjedhshëm, duke theksuar melankolinë e ndjenjave.
Nuk mënjanojmë efektin e imazheve me muzikali-tet visual, si: “Ndjek fluturimin
e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë.” i cili krijon një lëvizje të
butë dhe ritëm të qetë lidhur me imazhin e shtërgjve në fluturim. Ky imazhi
vizual shoqërohet me “melodi” të qetë, dalur nga përfytyrimi i fluturimit dhe
pikturi-mit në qiell.
Ndërkohë
lirizmi i poezisë, i përforcuar nga tematika e dashurisë dhe dhimbjes, është
thelbësor për melodicitetin e saj. Psh vargu: “Këndoj dashurinë që e kam dhe
s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe.” ka një ngarkesë të fuqishme
emocionesh që krijojnë një kontrast mes asaj që është dhe që mungon, ku tingulli
i këtyre vargjeve i ngjan një melodie që ngrihet e bie, duke pasqyruar ndjenjat
e ndryshueshme shpirtërore të poetit.
VI-
Pikërisht këtu duhet të sqarojmë se: tonaliteti i ulët dhe atmosfera melankolike
që shfaq kjo poezi e Ilirian Zhupës imponon një mënyrë leximi ose recitimi të
përshtatur me këtë ndjeshmëri, ku specifikisht leximi me zë do të kërkojë një
ton të qetë, intim, të përmbajtur, duke ruajtur formëqn e një bashkëbisedimi
emocional. Përmendëm se kjo poezi ngjan më shumë me një rrëfim të brendshëm ose
një letër të shkruar për një dashuri të humbur, ndaj për këtë arsye edhe
recitimi i saj nuk kërkon forcë zëri apo theksime dramatike. Përkundrazi,
intonacioni duhet të jetë i ulët, i matur, duke reflektuar dhimbjen dhe vetminë
që përcillet në vargjet: “Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën
në horizontet e grivëra.” Në një recitim, ndalimi i shkurtër pas secilës pyetje
i lejon dëgjuesit të ndjejë pasigurinë dhe vetminë që përjeton subjekti lirik.
Po ashtu, fraza përmbyllëse “Është vonë të më mungosh, e dashura ime!” kërkon theksim të veçantë, por jo dramatik. Zëri
duhet të bjerë I ëmbël në fund, duke shprehur një ndjesi të plotë dorëzimi te
fati. Kjo strategji e leximit forcon idenë e bashkëbisedimit të përmbajtur dhe
melankolik mes dy shpirtrave, ku dashuria është e humbur, por akoma e ndjerë
thellë në zemër.
VII-
Poezia e Ilirian Zhupës ka
karakteristikë të veçantë që nuk e kanë poezitë e shumë poetëve të tjerë
modernist shqiptarë: ajo, ndërsa është
poezi moderniste e kuotave të larta europiane ka meritën se lexohet,
kuptohet, ndjehet dhe kërkohet nga masë
shumë e gjerë lexuesisht, madje lexxues nga krahina dhe nivele të ndryshme
arsimore e kulturore. Madje mbajtja e
ekiulibri komunikimi në
kuptimshmërinë tekstuale dhe ndjesore të
poezisë së tij moderniste në shtresa me botë poetike tradicionale është vërtet
arritje befasuesi e këtij poeti. Kjo e
përafron atë dhe me poezinë europiane, madje të niveleve më të larta të saj për
arsye se:
1.Zhupa
është në thelb një poet modernist shqiptar
që shkruan në qasje me rrymat moderniste europiane duke ndërthurur përvojat
personale me ato universale, ndërsa lufton shmangien e izolimit elitar të artit të tij
poetik. Në këtë aspekt ai krahasohet me
Jacques Prévert në Francë, i njohur për poezinë e tij, në të cilën shpreh
ndjenjat dhe përvojat njerëzore me gjuhë të thjeshtë, por poetikisht të pasur.
Si Prévert, edhe Zhupa rruan ndjeshmëri të lartë për realitetin njerëzor, madje
krijon një dialog poetik të hapur, të
ndjeshëm dhe të kuptueshme nga një masë e gjerë lexuesiosh. Gjuha e tij është e
natyrshme, por mban brenda saj strukturë komplekse dhe mendim të thellë.
2.Ilirian
Zhupa dallohet për angazhim social dhe
reflektim personal në poezinë e tij. Në shfaqien e realitetit dhe përvojave të
njerëzve të zakonshëm, Zhupa afrohet me poetë të mëdhenj si Nazim Hikmet, që
është i njohur për ndërthurjen e dhimbjeve personale me aspiratat e njerëzimit
me një gjuhë të drejtpërdrejtë, të kuptueshme e ndikuese. Edhe Zhupa, duke
ndërlidhur aspekte sociale e personale, ndërton një poezi që është sa intime aq
dhe universale, madje angazhimi i tij me temat njerëzore e shoqërore reflekton
një ndjeshmëri, që nuk mbetet thjesht brenda individit, por shtrihet edhe në
dimensionin kolektiv.
3.Në
mënyrë tepër të dukëshme poeti Zhupa dallohet për ruajtjen e lidhjes me rrënjët
kombëtare, duke mbajtur një ekuilibër midis identitetit shqiptar dhe përmasës
universale të poezisë së tij. Në këtë drejtim, ai krijon një paralele me poetin
Seamus Heaney në Irlandë, që ndërthur përvojat personale me historinë dhe
kulturën kombë-tare, duke krijuar një poezi që është sa kombëtare aq dhe
universale. Zhupa mban të njëjtin linjë, transformon përvojat dhe ndjeshmëritë
shqiptare në një art që flet për përvoja universale.
4.
Poezia e Zhupës është e pasur me përjetime estetike që lidhin natyrën dhe jetën
e përditshme me përvoja poetike universale. Në këtë aspekt, ai mund të përafrohet
me Odysseas Elitis, i cili trasformon detaje të vogla të përditshmërisë në
poezi fine. Zhupa, në qasje me Elitis,shndërron momente të zakonshme në përvoja
poetike që rezonojnë me lexuesit e çdo niveli. Të gjitha këto karakteristika të
poezisë së Ilirian Zhupës janë të lexuesme lehtësisht te kjo poezi.
Kështu
që përfundimisht, mund të themi se Ilirian Zhupa është një poet modernist që
ruan një ekuilibër të rrallë midis thellësisë moderniste dhe kuptueshmërisë së
gjerë të poezisë. Ai ndjek traditën e poetëve modernistë evropianë, por arrin
të mbajë lidhje të forta me përvojat dhe ndjeshmëritë njerëzore të vendit të
tij, ndërkohë paralelet me poetët e mëdhenj europianë dëshmojnë për dimensionin
universal të krijimtarisë së tij. Në thelb, poezia e Zhupës flet për botën
moderne, duke mbetur një art poetik i hapur, i prekshëm dhe i dashur për
lexuesit e çdo sfondi kulturor, por duke mbetur vlerë poetike kombëtare e jona.
Sarandë, më Dhjetor
2024.
Është
vonë të më mungosh
poezi
nga Ilirian Zhupa
Më
mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga
më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje,
nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe
të gjitha fytyrat ngjajnë.
Unë
ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj
në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek
fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas
me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.
O,
po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri
brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët
ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë
më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.
Pi
një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin
kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po
unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris
gjer në thirrje dhe më merret fryma.
Pas
të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli
më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj
dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E
ndihem demiurg dhe pre i dashurive.
Është
vonë të më mungosh, e dashura ime!