E premte, 09.05.2025, 03:30 AM (GMT+1)

Kerko: a

Tahir Bezhani: Zjarr malli i pashuar

E premte, 06.12.2024, 08:31 PM


Tahir Bezhani:

ZJARR MALLI I PASHUAR

(Mikut e poetit Sejdi Berisha, i cili, këto ditë iku në amshim)

Më mashtrove miku im...

Në ndarje më fole  në përsëritje

Se do pimë kafe në Bajram Curri

Do bëhemi së bashku si dikur

E do flasim me zemër e shpirt të dlirë

Do përqafohemi fort te pishat

Të flasim pafund për letërsinë...

Ti ike....

Ike tinëz pa lamtumirë

Pa përqafim e shtrëngim eshtrash

Më le të vyshkur, si të shkretë

Në lëndinat e mallit duke bredhur

Në ballafaqim me erërat e mallit si zjarr

Duke të shikuar qyteteve tona kudo

E lotët ndalen në hijen  tënde

Në atë fushë  balli plot krenari

Aty ku shëtisin kohët si në log betejash...

Pushojnë kujtimeve mes  vargjeve tuaja

Zjarrmia  rritet shtatit të degdisur

Malli ngjeshet qepallave  si dru i djegur

Si kore buke e çerepit nën saç...

Djersë të valëta pikojnë  poreve  të shtjerrëta

Sytë nguliten te Blini i Poetit te ”Dukagjini”

Oh! Sa kujtime u derdhen nën aromën e tij

Sa piskamë lëshon dhimbja e heshtur

Fshehur në shpirtin tim të ganduar

Frymëmarrja zvogëlon diafragmën

Zemra zvogëlon ritmin përplasjeve

Gjoksi më dridhet si shelgu

E si t’ia bëj o miku im pa ty...

A  t’i flas Lulit, Rremës e miqve tjerë

Se ike pa  përqafimin tonë?...

Fol, fol!.. Si t’ia bëjë

Apo ty të morën me nguti në qiell

E nga andej na mëshiron  zemrat

Atje bën dritë të përhershme

Si meteorë  shkëlqen gjithësinë

I pavdekshëm mbetesh përgjithmonë

Miku im i shtrenjtë...

Gjakovë, 05.12.2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx