Kulturë
Halil Xani: Urimomania (tallava)
E shtune, 31.01.2009, 02:21 PM
Halil Xani
Urimomania ( tallava )
Jo vetëm nëpër radiot lokale, por edhe në atë publike, është bërë si modë që për ndonjë gëzim familjar ( ata që kanë xhepa pak më të thellë) të rezervohet një bllok ditor i urimeve.
Dhe ja si rrjedh emisioni i cili familjes i përgatitet edhe në CD, në mënyrë që ata ta shtjerrin pastaj duke e dëgjuar e duke u kënaqur me përmendjen e emrave të tyre në radio
( emrat këtu janë të imagjinuar):
1. Babai Zyhdiu që gjendet me familje në Gjermani i uron fejesën djalit Dulit me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet bashkëshortja Zaha, djali Liti, vajza Nora, mbesa Sela, nipi Goni, daja Uka,
tezja Nita.
Porosia për qiftin e ri shkon:
U çova herët e fala sabahun, unë për ju e luta allahun.
Kurse urimin e përcjell kënga: Urime loçka ime.
2. Nëna Zaha që gjendet me familje në Gjermani i uron fejesën djalit Dulit me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet bashkëshorti Zyhdiu, djali Liti, vajza Nora, mbesa Sela, nipi Goni, daja Uka, tezja Nita.
Porosia për qiftin e ri shkon:
Mora avdesin e fala akshamin, shumë ju dua pasha mamin.
Kurse urimin e përcjell kënga: S`ka randsi a jam i pari.
3. Vëllai Liti që gjendet me familje në Gjermani i uron fejesën vëllait Dulit me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet babai Zyhdiu, nëna Zaha, motra Nora , mbesa Sela, nipi Goni, daja Uka, tezja
Nita.
Porosia për qiftin e ri shkon:
Sa peshq ka në deti nuk mundesh me i numru, sa ju dua unë s`mundeni me besu.
Kurse urimin e përcjell kënga: Do t`i kallim fitilat e llomës.
4. Motra Nora që gjendet me familje në Gjermani i uron fejesën vëllait Dulit me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet babai Zyhdiu, nëna Zaha, vëllai Liti, mbesa Sela, nipi Goni, daja Uka, tezja Nita.
Porosia për qiftin e ri shkon:
Drandofilli fleta
fleta me gëzime ju shkoftë jeta.
Kurse urimin e përcjell
kënga: Do të pi kadal kadal se ti je ma i miri djalë.
5. Mbesa Sela që gjendet me familje në Gjermani i uron fejesën axhit Dulit me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet gjyshi Zyhdiu, gjyshja Zaha, halla Nora , axhi Liti, vëllai Goni, daja Uka, tezja Nita.
Porosia për qiftin e ri shkon:
Jam e vogël ende
s`di me shkru, por axhit fejesën po du me ja uru.
Kurse urimin e përcjell kënga: Prej nji shpati t`i lshova sytë.
6. Nipi Goni që gjendet me familje në Gjermani i uron fejesën axhit Dulit me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet gjyshi Zyhdiu, gjyshja Zaha, axhi Liti, halla Nora , motra Sela, daja Uka, tezja Nita.
Porosia për qiftin e ri shkon:
Këndon zogu në maje pipi, o sa shumë axhi, të do nipi.
Kurse urimin e përcjell kënga: O sa mirë sa lezet paska hy dhandrri n`xherdek.
7. Ukë daja nga Dushkaja i uron nipit Dulit që gjendet me familje në Gjermani fejesën me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet bashkëshortja Nita, dhëndrri Zyhdiu, motra Zaha, nipat Liti e Goni, mbesa Nora.
Porosia për qiftin e ri shkon:
Edhepse jemi në largësi, uron daja qiftin e ri.
Kurse urimin e përcjell kënga: Lujmi, lujmi o vithet e gjona.
8. Gruaja e dajës Nita me bashkëshortin Ukën i urojnë fejesën nipit Dulit që gjendet me familje në Gjermani me Zaden.
Të fejuarve u dëshiron bashkim sa më të shpejtë dhe harmoni në jetë.
Urimit i bashkohet dhëndrri Zyhdiu, kunata Zaha, mbesa Nora , nipat Liti e Goni.
Porosia për qiftin e ri shkon:
S`është mahi, s`ka kopalla ju uron fejesën halla.
Kurse urimin e përcjell kënga: S`kam lan ven pa t`permen.
9. Në fund edhe stafi i radios Krrokama e Sorrës pasi e falënderon familjen e Dulit për këtë bllok urimesh edhe ata i urojnë fejesën Dulit që ndodhet me familje në Gjermani me bukuroshen Zade. Të sapofejuarëve iu dëshirojnë bashkim të shpejtë dhe harmoni në jetën bashkëshortore.
Urimin e shoqëron kënga: O rrushi i Prishtinës ta hangsha rruzën e shpinës.