E diele, 28.04.2024, 03:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Caka: Termat dhe terminologjia - hartimi i fjalorëve dhe glosarëve

E premte, 30.01.2009, 07:49 PM


Termat dhe terminologjia - hartimi i fjalorëve dhe glosarëve

Nga Ali Caka

Fjalori teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve i z. Mehmeti dhe Glosari Anglisht – Shqip i Formave të Dozuara Farmaceutike i Institutit për Ekselencë Farmaceutike në Prishtinë.

 Nëse të pyet kush për mollën se ç' është ajo mos i thuaj se është dardhë, se atëherë del se nuk e di se ç'është edhe dardha.

 Gjatë krijimit të termave të fushave të ndryshme të dijes nuk duhet tejngarkuar fjalët e përdorimit të përditshëm.

 Gjeçovi thotë: "fjalori është ai i cili nuk të lë të falsësh me gishta", e unë them se fjalët e përdorura pavend dhe me hamendësim jo që të lënë edhe më tej të flasësh me gishta por edhe të ngatërrojnë punë.

Është guxim dhe punë tejet e mundimshme të merresh me hartimin e glosarit në cilën do qoftë fushë të dijes, e posaçërisht kjo bëhet edhe më e vështirë kur fusha e dijes është teknologjia e informacionit dhe komunikimeve, e mos të flasim për fjalorët që mundi është krejt tjetër.

 Fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve është e vështirë edhe për vetë anglisht folësit që nuk janë të kësaj fushe. Një tekst profesional i kësaj fushe i shkruar në anglisht nuk mund të shpjegohet me përdorimin e fjalorit të gjuhës së rëndomtë (përditshme) angleze, se fjalët e njëjta kanë kuptime të ndryshme kur ato i përkasin fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve.

 E kur jemi tek termat në shqip të termave të anglishtes duhet të jemi të kujdesshëm në përzgjedhjen e fjalëve  dhe gjithmonë të kujdesemi që termi të dalë në të gjithë format e mundshme gramatikore duke mos ikur aspak nga struktura gramatikore e gjuhës shqipe.

 Shumica prej nesh shpesh kufizohemi në fjalësin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe dhe harrojmë se gjuha shqipe ka një fjalës shumë-shumë më të madh se 41 000. Profesionisti i cilës do fushë të dijes qoftë duhet për disa terma të diskutojë edhe me gjuhëtarët.

 Edhe vet anglezët kanë vështirësi të shumta që me fjalësin ekzistues të fjalorit të gjuhës së tyre të emërtojnë të gjitha pjesët dhe të gjitha veprimet që kryhen me ato pjesë që jepen nga zhvillimi i përshpejtuar i teknologjisë. Ata vazhdimisht krijojnë dhe huazojnë fjalë.

 Sot fjalësi i fjalorit të anglishtes numëron rreth 290.000 njësi me diku rreth 616.500 fjalë [hypertextbook.com/facts/2001/JohnnyLing.shtml - 8k.]

 Unë përgëzoj edhe njëherë z. Mehmeti për guximin lidhur me hartimin e Fjalorit Enciklopedik shumëgjuhësh të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve. E thërrasë z.Mehmeti të mos preket kur z.Kokonozi shërbehet me frëngjishten, se shpesh herë në përzgjedhjen e termave teknike frëngjishtja ndihmon tej mase shqipen.

 Dhe kur jemi te glosari Anglisht – Shqip i Formave të Dozuara Farmaceutike i Institutit për Ekselencë Farmaceutike në Prishtinë duhet të shikojmë mirë se a duhet përdorur fjala glosar ose fjalor. Kjo është çështje për të cilën duhet diskutuar me specialistë të gjuhës, por, kurrsesi me nguti dhe pa thellim të duhur gjuhësor.

 Anglishtja e ka në përdorim fjalën glossary por edhe fjalën dictionary. Në anglisht glossary është fjalës i termave në një fushë të caktuar të dijes ku fjalët e specializuara jepen me kuptimet e tyre për fushën përkatëse. Glosari mund të jetë njëgjuhësh por edhe shumëgjuhësh. Ndërsa në anglisht dictionary ka kuptimin e njëjtë si edhe fjala e shqipes fjalor: "1. Libër me fjalët e një gjuhe ose me termat e një fushe të caktuar të shkencës, të teknikës etj., të cilat renditen zakonisht sipas alfabetit dhe shpjegohen ose përkthehen në një gjuhë tjetër a në disa gjuhë. Fjalor shpjegues (normativ, terminologjik, etimologjik, historik, enciklopedik). Fjalori drejtshkrimor. Fjalor alfabetik (tematik). Fjalor dygjuhësh ( shumëgjuhësh). Fjalor i madh (i mesëm, i vogël). Fjalor xhepi. Fjalori i filozofisë (i ekonomisë, i fizikës, i botanikës, i mjekësisë). Fjalori i sinonimeve (i frazeologjisë). Parimet e fjalorit. Ndërtimi i fjalorit.

2. vet. nj. Tërësia e fjalëve që përdoret në një gjuhë ose që përdor dikush; leksik. Fjalor i pasur (i varfër). Njohja e fjalorit. Pasuroj fjalorin".[Fjalori i gjuhës së sotme shqipe].

 E kur jemi tek termat që kanë zënë vend në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe dhe janë "normuar" duhet të jemi të kujdesshëm. Ka terma që janë në këtë fjalor dhe ka ardhur koha që me një ofrim shkencor dhe me një përkushtim gjithëkombëtar po ashtu shkencor të zëvendësohen por pa u larguar nga fjalësi, e në anën tjetër në fjalës të kthehen të gjitha ato fjalë që "nuk do të na lënë të flasim me gishta".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora