Udhëpërshkrim
Baki Ymeri: Qyteti që mban emrin më të bukur të të folurit shqip
E premte, 30.01.2009, 06:58 PM
Qyteti që mban emrin më të bukur të të folurit shqip
Nga Baki Ymeri, Bukuresht
Bukureshti për mua është qyteti më i bukur në botë, thot dr. Vehbi Bexheti nga Maqedonia, profesor universitar, ish/drejtor i Agjencionit republikan të Informatave. Babai i tij jetoi në Bukuresht në periudhën kur lëvizja shqiptare vazhdonte traditën patriotike të rilindësve tanë (1930/1940). Hamdi Bexheti banonte në rrugën Calea Rahovei. Tejmatanë saj banonte Asdreni, të cilin e patën përkrahur edhe shqiptarët e Maqedonisë, duke filluar që nga i jati i poetit Abdylazis Islami, e deri te Sinan Kadriu, ky i fundit duke e nderuar Asdrenin përmes pjesëmarrjes në varrim. Zonja Marieta Vasilescu, kunata e një shqiptari me prejardhje nga Tetova, përmendte emra tetovarësh me karroca ëmbëlsirash, me kësula të bardha, me besnikërinë dhe sinqeritetin e arnautëve të asaj kohe. Marietën e ka njohur edhe aktorja shqiptare, Shpresa Bërdëllima. Ishte motra më e vogël e mamasë sime që na fliste me admirim për shpirtbardhësinë karakteristike të shqiptarëve të asaj kohe, për sensin e humorit dhe optimizmin që i karakterizonte.
Me mbresa të paharruara janë kthyer nga Bukureshti në Zvicër, Amerikë, Kosovë, Belgjikë e Tetovë, Thanas Gjika, Ukë dhe Sali Bashota, Jeton Kelmendi, Fadil Sulejmani, Arian Miluka, Xhever Ymeri, Bekim dhe Dashmir Halili, Merxhan Kurtishi, Mumin Ramadani, drejtori i fabrikës Molika etj. Godina të shumta të kësaj metropole, ndër të cilat edhe ajo e hotelit Continental ku u mbajt mbledhja historike për përcaktimin e fatit të Shqipërisë, kanë një arkitekturë fantastike. Bulevardet e gjera, të drejta e të bukura, lulishtet dhe liqenjtë e panumërt, intelektualët, libraritë, institucionet e kulturës, Teatri Kombëtar, Akademia e Shkencave, Shtëpia e Operas, Pallati Mbretëror, Konzervatoriumi i Muzikës, Pallati i Parlamentit, Muzeu i Fshatit (Muzeul Satului), ish/kisha shqiptare e Bukureshtit, fizionomia e ngjashme e rumunëve me shqiptarët, janë impresione të paharruara që i nxisin bashkatdhetarët tanë të vijnë e ta vizitojnë, sa herë që t’u jepet rasti. Jo më kot, këtë vatër të atdhedashurisë shqiptare, Lasgush Poradeci e konsideronte si qytetin që mban emrin më bujar të të folurit shqip.
Kryeqendra e sotme e Rumanisë është e shtrirë në perëndim të Fushës së Baraganit, në pjesën jugore të vendit. Bukureshti është fryt i simbiozës mes Lindjes dhe Perëndimit. Ka rreth 2.300.000 banorë, prej të cilëvet, mbi 90% të nacionalitetit rumun, pas të cilëvet vijnë romët, hungarezët, gjermanët, hebrenjtë, bullgarët, grekët, shqiptarët. Numri i shqiptarëve sipas statistikës së kohë, para 150 vitesh sillej rreth 4 mijë, para 60 vitesh rreth 40 mijë (jozyrtarisht), ndërsa sot, sipas regjistrimit të fundit, rreth 500 vetë. Një qytet i vjetër, që daton që nga koha e Mesjetës, ku gërshetohet e bukura me të shëmtuarën, luksi me varfërinë, pasanikët me lëmoshtarët, automjetet luksoze me qenjtë e rrugëve. Në bazë të legjendës, emri i tij ndërlidhet me emrin e banorit të parë: bariu Bukur. Jo larg shtëpisë së lashtë të familjes korçare të Sherban Tabakut, përgjatë brigjeve të Dumbovicës, gjendet edhe sot e kësaj dite, kisha e parë e kësaj metropole, emri i së cilës ndërlidhet me emrin e bariut të sipërpërmendur: Biserica Bukur (Kisha Bukur).
Me dashurinë dhe krenarinë për vendin e të parëve
Bukureshti turistik |
Bukureshti është qyteteti që të magjeps, që në shikim të parë. Në qendrën e vjetër të tij, janë edhe sot e kësaj dite rrugët ku pat banuar treshi që e kalli flakën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kët metropolë: Gjorgji Gjeçua, Eftim Marko dhe Visar Dodani. Kujtime të bukura për Bukureshtin e dikursheëm ka edhe xha Nasi, shqiptar i kulluar me origjinë korçare, dashamir i arumunëve dhe hebrenjve. Në një libër që ia ka dhuruar dr. Ismet Dërmaku, lexojmë: “Zotëri Nasi Kristeskut, veteran dhe patriot shqiptar i dëshmuar, në shenjë miqësie dhe respekti” (Bukuresht, 1997). Xha Nasi është shqiptari që ruante thesarët e Rilindjes Shqiptare, bukureshtari që përmes intervenimeve të tij e ka bërë të njohur Shqipërinë në një revistë të famshme amerikane, atdhetar i rritur me dashurinë dhe krenarinë për vendin e të parëve, mërgimtari që nga malli ndaj shqipes i shkonte Dhimitër Polenës në vizitë, dhe kur delte të kthehet për në shtëpi, Polena e përcjellte deri te porta e shtëpise, kurse Nasi ia kthente përcjelljen deri te porta e Polenës, dhe kështu deri në mesnatë e përcillnin njëri-tjetrin nga malli për të kuvenduar në gjuhën e perëndive. A nuk është kjo një nga dëshmitë e atdhetarizmit, se shqiptarët pas hebrenjve janë populli më i zgjedhur i Zotit!
Shqiptaret e Bukureshtit me priftin Callamani ne mes (1930) |
Shpresa Bërdëllima dhe Marieta Vasilescu (1991) |
Shqiptare te Bukureshtiti ne kohen e Xhelku Maksutit (1995) |