Kulturë
Llesh Ndoj: Pjetër Zarishi përmes dokumentave arkivorë
E hene, 23.09.2024, 06:56 PM
PJETËR ZARISHI PËRMES DOKUMENTAVE ARKIVORË
-
Rreth veprës së Nusha Zhubës: “Pjetër Zarishi mes plagëve e tradhëtive të
kohës” -
Nga
Llesh Ndoj
Libri
“Pjetër Zarishi mes plagëve e tradhëtive të kohës”, promovuar në Blinisht të
Zadrimës me datë 21 shtator 2024, është një ndër prurjet e pakta në kategorinë
e letërsisë dokumentare prej autores dr. Nusha Zhuba, por një prurje shumë e
mirëpritur, kryesisht për dy arësye:
-
Studjuesja e njohur për pasionin e saj, por edhe për konsekuencën,
rigorozitetin shkencor e skrupullozitetin njerëzor, ka vite që “gërmon” në një
nga arkivat më të fuqishëm të botës, për zonat e Veriut shqiptar edhe më e
rëndësishmja prej tyre, dhe prurjet e saj kanë origjinalitetin e dokumentit të
shkruar e freskinë e gjykimit që vjen nga një njeri mendjehapur, jashtë
gjykimeve politiko-partiake, krahinore e fetare.
-Studjuesja
sjell në vemendje të publikut me botimin e saj një figurë pak të njohur, për të
cilën është shkruar pak nga autorët e studjuesit shqiptar, përveç dr. Tonin
Çobanit, përmasat e të cilës kanë nevojë të ndriçohen e të zënë vendin që u
takon në çdo aspekt.
Pjetër
Zarishi është zadrimorë, i blinishtas, fis i studjueses Nusha Zhuba,
personalitet kishtar që ka shërbyer në Sapë dhe në Mirditë, e kjo për mua flet
shumë! A na duhet të presim që t’na e shkruajnë historinë të tjerët, apo duhet
ta ndriçojmë vetë atë? Nuk ka asnjë dyshim që edhe mendja më e mbrapshtë njerëzore
do t’i përgjigjej pozitivisht varjantit që ne duhet ta shkruajmë e ta njohim
mirë historinë tonë e këtë t’ia dëshmojmë botës jo si një trofe, por si një
shtysë e rëndësishme për t’na pranuar anëtarë të barabartë të familjes së madhe
të popujve të qytetëruar…
Dua
të theksoj se librin akoma nuk e kam lexuar plotësisht, për arsye kohe, ndaj
rezervohem të shprehem më hollësisht rreth fakteve të paraqitura, vlerësimeve
të bëra e konkluzioneve të nxjerra, por fjala e redaktorit te librit dhe
moderatorit të takimit promovues, z. Ernest Marku, mbi të gjitha parashtrimi
gojorë që na bëri vetë autorja, disa herë edhe duke e tejkaluar vetë librin,
fjala e botuesit, njëkohësisht studjues e autor i njohur, z.Fano Kulli, fjala e
dr. Nikoll Lokës, fjala e studjuesit të mirënjohur dr. Tonin Çobani, i pari
studjues që e ka bërë të njohur veprën e Zarishit në Shqipëri, rrëfimet e
jashtëzakonshme të Lekë Hilukut, e ndonjë diskutanti tjetër në promovimin e
librit me autor Nusha Zhuba, flasin për një prurje qënësore prej saj. Autorja
nuk paraqitet për herë të parë para lexuesit. Libri i Mario Guarnacit, skeduar
e përkthyer prej saj, hedh dritë mbi lashtësinë tonë, dhe ndonëse nuk bën fjalë
drejtpërdrejt për shqiptarët, ndriçon mjaft momente të errëta historike e vjen
si një dëshmi me peshë se historia jonë e pa shkruar është “vjedhur” e
deformuar nga të tjerët, dhe është edhe një shtysë e motiv më shumë që ne duhet
“të zgjohemi” nga gjumi e të tejkalojmë provincialitetin mental, që na mundon e
ta shkruajmë vetë historinë tonë.
Analiza
shkencore e Nushës për shkrimin e zbuluar në Gurin e lashtë të Xhuxhës në Fan
të Mirditës, na qon shumë larg në lashtési, ndoshta mijëra vite para Erës Sonë,
aq larg sa na qojnë edhe zbulimet në Liqenin e Ohrit e shumë vende të tjera.
Puna
e Nushës në arkivin e Vatikanit vazhdon. Njohja prej saj e gjuhës italiane,
shkollimi i plotë dhe i përshtatshëm në Shqipëri e Itali e bëjnë atë një
studjuese intilegjente që di ç’gjenë e ç’të shpalosë nga arkivi, di të
interpretojë faktet dokumentare e t’i ndërlidhë ato me fakte e të dhëna të
tjera që të arrihet në konkluzione ndriçuese historike kombëtare e sidomos
rajonale. Në fjalën e saj pershendetëse, autorja dhe studiuesja Ana Zhuba
theksoi se: Jam përpjekur të sjell para jush këto fakte dokumentare dhe këtë
analizë profesionale, për figurën e Zarishit, përmes këtij libri, për një pjesë
të viteve 1822 - 1864. Jam plotësisht dakord që "konkluzione të
rëndësishme nuk duhen bazuar mbi një fakt, qoftë ky dhe një dokument i
shkruar". Unë mendoj, vazhdoi ajo, se nuk duhet të gjykojmë askënd, por
t'i sjellim ashtu siç janë dokumentet, qofshin këto edhe personazhe historike
të sjella në një mënyrë tjetër nga ajo që i njohim ne. Për më tepër kur këto
dokumente vijnë nga Vatikani që e kishte në metodën e tij të punës që për një
ngjarje nuk bazohej vetëm mbi letrën e një prelati, por të disave. Në mënyrë që
libri të mos mbushej thjesht me dokumente të tilla, ato nuk janë sjellë këtu të
gjitha.
-
Kam edhe plot dokumente të tjera ndër duar, - thotë Nusha, e surpriza të reja
na presin… Përtej librit në fjalë, krejtësisht i bazuar në dokumenta arkivorë,
mendoj se një dokument i vetem, megjithë vlerat e padiskutueshme që ka, nuk
mund të ketë të gjithë vlerën e të vërtetës, qoftë edhe kur ai është shkruar
nga prelatë e shërbëtorë të fesë, për shkak se edhe ata janë njerëz, kanë
subjektivitetin e tyre, si dhe kufizimin e tyre e të kohës kur kanë jetuar.
Duke mos dashur aspak me nënvleftësue prurjet origjinale të dr. Nushës e
autorëve të tjerë të njohur, mendoj se arritja e konkluzioneve të rëndësishme
nuk mund e nuk duhet bërë bazuar vetëm në një fakt, qoftë ky edhe dokument i
shkruar, pa i peshuar mirë rrethanat e kohës e mendimet ndryshe, apo faktet
bashkëshoqëruese, pasi mundet që, në vend që “të vemë vetullat, mund të nxjerrim
sytë!”, veçanërisht kur bëhet fjalë për konflikte e ngjarje të zhvilluara në
zona të vogla. Kjo edhe pse karakteri jonë si shqiptarë e sidomos si veriorë,
është shpërthyes e reagues, por edhe deformimet e ndërlikimet që i janë bërë
sistematikisht historisë sonë, jo vetëm në periudhën e socializmit, janë të
pashoqe.
***
Në
mjediset e kishës së Blinishtit, me një pjesmarrje të madhe numerike, por edhe
cilësore, promovimi i librit të Nushës evidentoi momente të bukura historike e
vlera të panjohura të personazhit të librit, Pjetër Zarishi, si një nga ata që
kontribuan shumë në periudhën e postrilindjes kombëtare e të periudhës
pararendëse të përpjekjeve për pavarësi. Nga ky promovim, z. Salvator Kaçaj,
premtoi ndihmë për ngritjen në Blinisht edhe të një përmendoreje kushtuar
figurës së Pjetër Zarishit, ashtu siç edhe u apelua, që sa më shumë punë të
bëhet nga brezi i ri i intelektualëve, studjuesve e shkrimtarëve të zonës e jo
vetëm, për ta ndriçuar historinë e saj të pasur. Urime e suksese dr. Nusha
Zhuba!
Llesh Ndoj, poet e studjues
Lezhë, 21 shtator 2024