Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Ngërç hakmarrës (I)
E diele, 22.09.2024, 06:55 PM
Ngërç hakmarrës
-Novelë
Pjesa -I-
“E
sotmja tronditëse s’më lë të harroj të djeshmen e hidhur dhe të pres të
nesërmen dilemë!” Vivra
“E
sotmja tronditëse s’më lë të harroj të djeshmen e hidhur dhe të pres të
nesërmen dilemë!” Vivra
Nga
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Ehhh...!
Një psherëtim e gjatë, e thellë, madje e pavetëdijshme më
doli befas nga shpirti, e cila më çoi larg si në kohë dhe hapësirë. Nuk jam në
gjendje të kuptoj, se për ç’arsye këto vitet e fundit, herë pas here ndiej një
boshllëk që më shkakton në shpirt një zbrazëti tejet të pakuptimtë. Vazhdimisht
ndiej përpëlitjet e dhembjeve të zemrës sime të paqetuar dhe të copëtuar.
Përherë më duket se qenia ime s’është gjë tjetër veçse një zgavër e boshuar, e
cila, nuk merr dhe as dhuron gjë. Mos vallë e kanë fajin kujtimet apo mosha ime
disi e thyer, e cila më bën të vuaj për ato që kam arritur jo ashtu siç kam
dashur unë, apo mos vallë për gjithçka që nuk kam realizuar dot?!
E kam mëse të qartë se jo gjithçka në jetë, njerëzimi e
bënë në mënyrë të përkryer. Gjithmonë do të lindë ndonjë pikëpyetje apo pengesë
rreth veprimeve gjatë jetës të cilitdo. Shkencërisht ose psikologjikisht dihet,
se kush punon, edhe gabon. Veçse gabimet janë njerëzore, aq më tepër, kur janë
të korrrigjueshme, ndaj janë dhe të falshme. Si të tilla dhembjet kalojnë e
njehsohen madje dhe binjakëzohen me bashkudhëtaren e tyre, moshën, duke u
shkrirë me njëra-tjetrën në brazdat e kohës. Kjo për disa është e butë, e ëmbël
apo përkëdhelëse, kurse për shumë të tjerë kohëbota është e ashpër, e egër,
mizore, mbytëse dhe aq fshikulluese, sa lë gjurmë të thella në ndërgjegje. Kjo
ngjet me një dhembje apo me një lëngatë të vazhdueshme mendore që të lëndon
trup dhe shpirt. Ky lëndim ndjesish, të cilin nuk je në gjendje ta kontrollosh,
apo ta mbash nën fre që të mos harbohet dhe më pas kërkon shpagim, krijon një
gjendje apatie, pse jo dhe skeptike apo shkakton një gjendje të plogësht e të
njelmët, e cila ka hyrë në çdo qelizë të gjakut, duke e helmuar atë. Kjo
gjendje jo harmonike mes nevetes, është e njëjtë me një padrejtësi që të bëhet,
kur dikush të hynë në hak pa asnjë arsye. Ky helm i shkaktuar nga “Tjetri” apo
“Tjetra” shpërndahet dhe hyn thellë në qelizat e zemrës, të trurit dhe të çdo
organi, prania e të cilit përherë të kujton, se diçka që ka ngelur zvargur në
kurmin tënd, kërkon mjekim. Si e tillë, edhe pas shumë vitesh, sa herë ta
sjellësh ndërmend dhembjen apo plagën që, jo pa qëllim ta kanë hapur njerëzit e
kohës së pabesë, ata të “Tjerët”, ditëzinjtë që, pasi kanë mbushur
kuletën e tyre, kërkojnë të boshatisin xhepin e shpuar të cilitdo, kur nuk ia
jep haraçin. Këta janë përfaqësuesit e së keqes, të ligësisë pa të cilën nuk
jetojnë dot. Ata të “Tjerët” kërkojnë të të rrëmbejnë atë që nuk ua ke borxh.
Veçse ngaqë kanë shikim të lëbyrtë dhe janë dritëshkurtër, nuk e dinë se bota
është si portokalli dhe rrotullohet. Për njerëzit që janë të drejtë, kohëbota
nuk lë hak pa marrë dhe borxh pa larë. Ndaj kohë pas kohe kujtesa e sjellë
ndërmend, krijon po ato shqetësime si atëherë, kur e ke përjetuar dhe e ke
ndjerë veten shumë keq. Nuk mund të numërohen rastet, kur keqëbërësit të kanë
futur në kurthin e një udhëkryqi të jetës pa asnjë dalje. I zhytur në ditë të
hallit që të merr fymën, i drejtohesh me shpresë horizontit të pamatë, por
fatkeqësisht asgjë të re dhe shpresëdhënëse nuk të zë syri, asnjë dritë jeshile
nuk shihet në fund të tunelit. Kur personi arrin të kuptojë se këto ndjesi që
nuk e lënë të qetë, s’janë gjë tjetër veçse ankth apo ngërç i
një shpirti të lënduar që kërkon shpagim hakmarrës ndaj dhunës morale dhe
psikologjike të ushtruar ndaj tij. Veçse ai, ndryshe nga keqbërësit, nuk e ndot
ndërgjegjen, por fatin e tij ia lë kohës si gjykatësja më e drejtë dhe më e
paanshme. Në këtë rast pa përmendur pasojat tronditëse në opinion që janë tejet
të rënda moralisht, të dëmtojnë ekonomikisht dhe politikisht. Kjo dhunë e egër
është një krim i pafalshëm që nuk të le të qetë as ditë dhe as natë. Atëherë,
ti lëshon krahët i pafuqishëm si një qenie e mjerë dhe e pashpresë. Ky njeri
shpresëhumbur, pret më kot që t’i trokasë fati me mendimin se një ditë do të
thyhet këmba tersndjellëse e shejtanit. Çuditërisht në kushte të tilla me
pasoja politike, ekonomike e mbi të gjitha psikologjike, ti e humb torruan i
çoroditur, pa e ditur se nuk ke nga t’ia mbash. Ndërkohë vë re se padrejtësia
ka një forcë imponuese tejet negative ndaj vetëdijes tënde, aq sa pasoja e
zhgënjimit të njëpasnjëshëm, përsëri të krijon një gjendje shpirtërore të
vrarë. Ti mundohesh t’ia lësh harresës, por ajo të shfaqet dhe rishfaqet rishtazi
më e freskët, më e pranishme dhe më dominuese si kurrë ndonjëherë më parë.
Ndaj, nëse s’e kujton ti, të kujton ajo duke gërthitur, këtu jam enkas për ty.
Kujtimet e hidhura që kanë lënë vragë në shpirt dhe
ndërgjegje, të lëndojnë edhe atëherë kur ti nuk e pret. Jo vetëm të zgjojnë nga
gjumi i qetë i natës, por të lënë edhe pa gjumë. Ashtu gjum’arratisur ti
përpëlitesh për të rifituar qetësinë e humbur dhe mendon se si ta zbosh apo ta
përzësh nga kurmi yt i paqetuar atë rëndesë të së keqes shkaktuar prej asaj
“Tjetrës” apo atij “Tjetrit” që të është ngjitur pas si rrodhe, si dhe
hakmarrja e tij pa shkak që të është futur në çdo qelizë si mish i huaj.
Ndodhesha shumë larg nga vendi im, në gjysmën e
hemisferës perëndimore, në pjesën më veriperëndimore të Globit tokësor.
Megjithë qetësinë e fituar në dhè të huaj, flama e të djeshmes së hidhur,
nuk më lë të qetë. Truri, me tërë qenien time është zhvendosur atje, ku fitova
një përvojë të pasur mes një ankthi të paparë...
Papritur u zhyta në mendime. Kërkoja me çdo kusht që të
zhbiroja shqetësimin tronditës brenda kurmit tim, i cili më dukej si një trup
inert apo si një send pa asnjë vlerë. Por jo... Ndërgjegjen time e gërryen një
mendim i vetëm ogurzi që më torturon ditë dhe natë:
“Në këtë botë hileqare dhe të përdalë, nuk ka hak pa
marrë dhe borxh palarë”. Kjo metodë shkatërrimtare s’është gjë tjetër veçse
dhunë psikologjike, morale dhe jetike. Një torturë e tillë i kalon kufijtë e
dhunës fizike, të burgosjes, të internimit me vite, sepse është e pranishme çdo
çast, për një kohë të gjatë, deri sa të të shkatërrojë mendërisht dhe
ekonomikisht. Të çon në një nivel të atillë mendor, sa të bënë që ti të flasësh
me vehten tënde.
Një nënzërimë e papritur, e cila filloi dialogun ma shtoi
trishtimin :
-Hesht! Heshtja është kapak floriri, o njeri që
zotëron fjalën, mendimin, maturinë, arsyetimin dhe gjykimin.
Përdori këto dhunti që të janë
dhuruar për të rritur e madhuar veten tënde si njeri. Ti e di mirë se këtë
epitet tejet dashamirës dhe të nderuar“Njeri”,nuk e meriton çdokush. Shoqëria
ka nga ato qenie të ndyra që hanë bukën e tyre dhe bëjnë llogarinë e botës.
Nëse vazhdon të ecësh me këto mendime, jo vetëm je i humbur, por ende do të
ngelesh i vogël si shpirtërisht e mbi të gjitha si njeri. Shpirtvogëlsia është
ves i njerëzve cinik, ziliqar,smirëzinjë
e të paaftë që nuk ndalin dhe as pendohen, kur helmojnë të tjerët me
vrerin që vjellin prej shpirtit të tyre të zi.
-Pse duhet të hesht vallë?! Nuk
dua diçka që s’më takon apo që nuk realizohet. Ne jetojmë në një mjedis
heterogjen. Në këtë vorbull, kërkoj me ngulm të punoj me nder, me
pofesionalizëm dhe të flas për drejtësinë, për të gjetur të vërtetën, e cila
është bekim, si dhe përparësi qytetërimi. Unë kërkoj rritjen e ndërgjegjes
kombëtare, zhvillimin e kombit dhe nivel të lartë ekonomiko- kulturor të
njerëzimit, përmes dijes dhe punës.
-Po kur ta mohojnë punën, këtë të
drejtë legjitime?! -ia priti një
zë tjetër më i fortë, më kumbues, më mbizotërues dhe më imponues.
-Agron, të lutem bëji apel
ndërgjegjes. Mëso se heshtja është streha që ruan çdo lloj sekreti.Heshtja s’ka
gojë, por shpirtin e trondit deri në rënkim të thellë. Madje heshtja e
heshtur këlthet dhe ulërinë aq fort, sa tronditen edhe malet. Kush nuk zhbiron
në skutat apo labirintet e errëta të shpirti, nuk mund të arrijë të njohë kurrë
as veten dhe as botën. Është pikërisht logjika e heshtjes ajo që do të të japë
mend dhe do të të bëjë njeri fatlum... Përdo arsyen në heshtje që të të tregojë
rrugët e suksesit.
-E nëse do ta mbaj gojën mbyllur,
atëherë si do të çlirohem nga ankthi që më shkatërroi shpirtin dhe po më merr
frymën?! E di kush vallë, se kërkimi i mënyrës për të zhbiruar dhembjen, po më
shkurton jetën?! Dëshirat e mia për punë po mpaken, po rrudhen dhe
dalengadalë po e humbasin interesin për arritje profesionale të një niveli të
epërm.
-Hapi veshët mirë dhe më dëgjo! Gjatë
jetës rrëzohemi, jo për t’u përbaltur, po për të mësuar se si të ringrihemi
përsëri më të fortë, më të vendosur dhe më të ndërgjegjësuar.
-Po profesioni, dinjiteti,
personaliteti, krenaria ime që m’i nëpërkëmbën duke më trajtuar si një hiç dhe
sikur i përkisja asgjësë, do t’i lë të zvargen si laklitar në fyt?! Apo t’i lë
të marrin turravrapin nëpër rrugët e përbaltura të vendit tim, ku shkelet pa
mëshirë mundi, djersa dhe jeta e papërlyer e mjeranëve që hiqen zvarrë në
mëshirën e fatit?!
-Çdo njeri bën aq sa di dhe aq sa ka
në dorë. Të keqen kishin në dorë, të cilën dinin ta bënin mirë dhe ligësinë
bënë. Mos vallë kërkon të hakmerresh? Jo...Rrobën mate tetë herë që ta presësh
një herë, por ama të saktë.
-Nuk e di, a do mundem të përballem
dot vallë me ata të”Tjerët”?!
-Hiq dorë nga urrejtja se të çon në
rrugë të gabuar... Ajo të shton mllefin dhe armiqësinë. Hakmarrja i ngjet
gjellës që shërbehet e ftohtë në netë të acarta, në palcën e dimrit.
-Pse nuk thua që unë qenkam një njeri
i humbur në mes të humbëtirës.
-Jeta i ngjet rrjedhës së lumit
malor, e cila merr me vete gjithçka që i del përpara dhe nuk njeh kthim pas. Ai
që nuk është në gjendje të njohë veten, nuk arrin të njohë askënd tej hundës së
tij. Një njeri i tillë është i destinuar të ngelet skllav i parimeve të
diktuara nga politika e mbrapshtë, vulgare apo nga mediokriteti i lëbyrtë i
njerëzve pa botëkuptim për jetën.
-Nuk të kuptoj. Çfarë të bëj? Të ul
shpinën dhe të pranoj fajjin e pafaj?! E tmerrshme dhe e padurueshme
nuk është vetëm dhembja, po edhe
heshtja të lë pa gjumë.
Ata të”Tjerët”janë aq të cekët sa
vetquhen,ligji, firma dhe vula, shteti dhe kushtetuta, drejtësia dhe
diplomacia, pasi kanë në dorë jetën dhe vdekjen e çdo qytetari. Ata janë
patronazhist që shpërblehen dhe janë të shumtë në numër, kurse njerëzit si ti
që punojnë dhe kërkojnë të vërtetën apo mbrothësinë e kombit, janë pak. Ndaj
ata të mbysin me një lugë ujë. Bëj durim, puno dhe studio për të qenë aq i aftë
sa të ndihesh vetvetja. Vetëm me punë ua thyen turinjtë ditëzinjëve
gjëmëmëdhenjë.
-Atëherë si do ta qetësoj shpirtin
tim të plagosur, kur ma mohuan atë që adhuroja, profesionin tim?! Puna nuk
është vetëm burim jete, por dhe rruga e suksesit për t’u rritur profesionalisht
dhe mendërisht. Si do ta arrij këtë liri të ndërgjegjes, kur shoh se bishti
është bërë më i madh se sqepari?!
-Gjëja e parë që të duhet në jetë,
është liria vetjake, e cila si çdo qytetari edhe ty të mungon. Me dituri, me
punë dhe me vullnet, kur ecën pa“paterica” apo pa hijen e ndonjë “lisi
gjigand”, je vetvetja dhe nuk i zgjat dorën askujt. Nëse nuk merr mendimin e
asaj “Tjetrës’,atij “ Tjetrit’,apo të atyre“Të Tjerëve”dhe nuk bën si duan ata,
atëherë ke fituar pavarësinë individuale. Ke njohur virtytet njerëzore, me të
cilat të ka pajisur përballja me të keqen që mbjellin demonët që shpërndajnë
vetëm errësirë.
Këto cilësi të fituara me mund dhe
djersë,janë tregues, se ti ke njohur labirintet e errëta të shpirtit tënd
të drobitur. Ke fituar lirinë
vetjake, e cila të udhëheq drejt mirësisë, profesionalizmit, duke krijuar
individualitetin tënd intelektual tejet të veçantë. Edhe pse mes një lufte të
ashpër psikologjike, morale dhe dhembjeje shpirtërore, ndalo dhe shiko se ku e
ke vendosur veten.
-Diçka të tillë jam munduar të bëj
dhe të shoh, por... Përse vallë kam një ankth shqetësues?! Një lëvizje e
pavetëdijshme e qelizave periferike, fillon e lëvrin me shpejtësi në të gjitha
indet dhe nervat e kurmit tim. Kjo gjendje më shkakton një shqetësim të
përgjithshëm, i cili përfshin, jo vetëm gjymtyrët, por edhe trurin. Më pas më
shkakton pickime në gjithë lëkurën dhe indet e trupit që ngjasin me shpimin e
majave të gjilpërës. Si pasojë, më përfshin një i nxehtë që duket sikur më
rritet temperatura. E gjithë kjo gjendje trupore shkakton nxehjen e shputave të
këmbëve dhe të pëllëmbëve të duarve që fillojnë e më djegin. Çfarë është
kjo“diçka”e pazakontë që i turbullon ndjesitë e mia?! As vet nuk e di se çfarë
borxhi i kam jetës apo atyre “Të Tjerëve”që e kam shpirtin kaq të rënduar e po
kaq të vrarë, sa më duket se do të më çahet zemra e do të më asfiksojë
frymëmarrjen...
Papritur nënvetëdija ma priti shkurt dhe prerë:
-Shpirti është streh i dhembjes, i
aftë për të mjekuar plagët e jetës. Pastaj...,nuk duhet të harrojmë se
njeriu lind i lirë për të qenë i tillë në rrugëtimin e tij të gjatë e të
vështirë, me emrin “jetë”.
-Në një shoqëri utopike si e jona, ku
vendos antivlera, e cila ka përbaltur dhe varrosur vlerat e vërteta,
ndershmëria ende vlerësohet pak, për të mos thënë hiç fare. Gjithsesi
askujt nuk i lejohet që t’ia mohojë të drejtat dhe liritë që i përkasin çdo
qytetari.
-Të fitosh lirinë e shpirtit dhe të
ndërgjegjes, do të thotë se je njeri i lirë...Njeri i bukur je, vetëm kur je
vetvetja. Një njeri që ka fituar lirinë vetjake, është në gjendje që të
kapërcejë të përpjetat dhe të tatëpjetat e asaj rruge të gjatë e të vështirë me
emrin “Jetë”.
Këtë mos e harro kurrë, Agron!
***
Dialogu mes
ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes, i shtyu mendimet e mia më tej. Sa më shumë
pyetje i bëja vetes, aq më thellë u shkoja poblemeve, të panjohurave, të
vërtetave të pathëna si drita e diellit. Kujtoj mirë se sa më tepër pikëpyetje
më dilnin, aq më shumë më fusnin në ngërçin e së vërtetës, sidomos drejt
zgjidhjeve filozofike
tejet të
koklavitura të jetës. Njeriu para se të hulumtojë e zhbirojë për filozofinë e
jetës, më parë duhet të jetë në gjendje të di se ç’kuptim ka jeta me aq shumë
kundërshti dhe dashakeqësi.
Kuptimi i
jetës është domethënia vetjake që njeriu i jep qenies së tij në jetën
që bën në këtë botë. Nëse duam të dimë se çfarë kuptimi ka jeta, si dhe
pyetja përse jetojmë, janë enigma dhe çështje të ndërlikuara dhe shumë të
rëndësishme. Jeta njerëzore i ngjet një xhungle ku bashkëjeton e mira me të
keqen, dituria me injorancën, pasuria me varfërinë, jeta me vdekjen që ecin
paralel në të njëjtat shina. Me aq mend sa kam unë, zgjidhja e pyetjeve të
ndërlikuara për jetën, është nga më të vështirat që kanë munduar dhe mundojnë
njerëzimin për të dhënë përgjigjen e duhur, që nga lindja e njeriut të parë.
Ndoshta janë pyetjet më të koklavitura që kërkojnë një përgjigje të saktë si
vazhdimësi e një anomalie sociale, jo vetëm për njeriun, por dhe për mistikën,
metafizikën, filozofinë dhe shkencat në tërësi. Përgjigjen e këtyre të
panjohurave nuk mund ta japë vetëm filozofia pa teologjinë dhe pa ditur se
ç’është spiritualiteti që besohet verbërisht nga pamjaftueshmëria e njohurive
për ekzistencalizmin, mbi jetën e njerëzimit dhe ligjet apo rregullat e saj.
Secila nga këto degë të dijes humane, ka dhënë përgjigjen e vet, por një zgjidhje
vendimtare të pajtueshme dhe të pranueshme botërisht për njeriun nga këto degë
të diturisë universale nuk ka ende. Sikur ta dinin këtë të fshehtë të dijes
njerëzore mbi qëllimin e jetës, si dhe se çfarë është më e çmueshme në jetë, ai “Tjetri”, ajo “Tjetra’, apo ata “Të
Tjerët”, si vdekatarë që janë, nuk do të guxonin të preknin individualitetin e
njerëzve që punojnë për zhvillimin kulturor dhe pa të drejtë ta flaknin në
rrugën e madhe. Nëse do të kishte dijet e mjaftueshme, cinizmi, shpirtligësia dhe
urrejtja e skajshme e tyre nuk do të shërbente për asgjë. Një frenim i tillë i
hakmarrjes politike si rezultat i verbërisë së besimit të një ideali euforik
dhe utopik të pathemeltë nga hienat që nuk ngopen me gjak, do të sillte
mirëkuptim, tolerancë dhe vëllazërim mes qytetarëve. Po për fat të keq ata “Të
Tjerët” janë qenie pa gjykim moral, pa karakter dhe pa taban kombëtar. Përbindëshat pasi shkatërrojnë njerëzit e
pafajshëm e të ndërgjegjshëm, fillojnë luftën një e nga një apo në grup
armiqësor të hamendësuar dhe ekzekutojnë edhe vëllezërit e ideve brenda llojit
apo sojit të tyre. Lufta brenda llojit është më tinëzare, më e keqe, më
hakmarrëse se ndaj armikut, të cilin jo vetëm e ke përballë, po i di qëllimet
apo synimet e tij. Ishin pikërisht këta përbindësha që për gjysmëshekulli
hëngrën të njëjtën gjellë në gavetën e përbashkët të komunizmit, pastaj filluan
të hanë kokat e njëri -tjetrit, me pretendimin se ti hëngre më shumë dhe unë më
pak. Kjo ishte dhe hakmarrja e së drejtës së muguar të shumicës që jetonte në
varfëri dhe pasiguri jete.
Pyetja mbi
kuptimin e jetës është e lidhur ngushtë me
të panjohura të tjera si; prejardhja e jetës, qëllimi i jetës së një
njeriu, domethënia që ka jeta dhe çfarë vlen më shumë në jetë. Për t’i dhënë
një përgjigje të drejtë këtyre pyetjeve, duhet të kemi parasysh se pikëpamjet
dhe botëkuptimet mbi jetën, mund të ndryshojnë nga një njeri tek tjetri. Kjo
varet nga këndvështrimi që ka gjithësecili për botën që e rrethon. Ndaj çdo
çast që të sjellë një grimë lumturi, mos e humb dhe mos e lerë të të shkojë
dëm. Çaste të tilla janë të papërsëritshme. Ato vijnë vetëm njëherë në jetë.
Në mënyrë
instiktive fillova të meditoj...
“Jetë, moj
jetë! Askush nuk të jetoi dy herë, ndaj s’është në gjendje që të gjykojë e të
bëjë krahasimin se cila prej tyre ishte më e bukura dhe më e lumtura. Atëherë, duhet fshirë pluhuri i harresës që
të dalë në dritë e vërteta dhe realiteti i së shkuarës. Realitet nuk është ai
që ne e imagjinojmë dhe e dëshirojmë me të gjitha ndjenjat apo në gjithë
ëndrrat tona, por realitet është ai që jetojmë në të vërtetë.”
Ndërgjegjja nuk më
la të qetë që të mendoja lirisht. Filloi nënzërimën e saj, si me porosi e
gjithë maturi...
-I lumtur është ai njeri që merr më të mirat e kohëbotës dhe i shndërron në
vlera.Veçse koha as frenohet
dhe as që lidhet me litar! Çdo kohë ka të mirat dhe të këqijat saj. Në çdo
etapë të kohëbotës, jo të gjithë janë të lumtur apo fatkeq. Kurdoherë kanë qenë
në garë të kundërtat: pasuria me varfërinë, bukuria me shëmtimin, lumturia me
vuajtjen, dituria me paditurinë, i ngopuri mee të uriturin, me të uriturin apo i veluri me barktharin dhe
sa antiteza të tjera, që kur arrijnë një kufi kontradiktash të thella, ndeshet
lufta me paqen.
Ky rifreskim i
asaj që kam përjetuar, më bëri të sjell ndërmend disa fakte tronditëse të së
shkuarës. Jeta qenka një luftë e padeklaruar, e cila nuk të lë të ngresh kokë
dhe të ecësh përpara. Ashtu si të internuarit, edhe ata individë pa përkrahje,
ndeshin mure betoni të dukshëm dhe të padukshëm apo tela me gjemba të
pakalueshëm, të cilët krijojnë stres, humbje shpresash dhe rritje tensioni për
këdo që i dalin pengesa të pakapërcyeshme. Ndërkohë kujtova miqtë e mi të
deklasuar, të rropatur dhe të mohuar nga çdo e drejtë dhe liri njerëzore, të
privuar nga arsimimi, profesioni, e drejta për të jetuar në normalitet në
trojet e veta, ku kishin lindur dhe kishin derdhur gjak e djersë, për të cilët, ruaj respektin dhe
kujtimet më të mira. Ata
shkëlqenin në çdo drejtim, në veshje, në sjellje, në kulturë, në të nxënit e
dijeve shkencore. Ishin nxënësit më të mirë, pasi e kishin trashëgimi edukatën
dhe kulturën. Edhe një i paditur, me një origjinë edukate dhe kulture të dobët
e të pamjaftueshme, kishte ç’mësonte prej atyre të mohuarve dhe të denigruarve,
ndoshta të sapokthyer nga internimet e gjata.
Përsa i përket
personit tim, ata djemë dhe vajza që kam njohur gjatë fëmijërisë apo rinisë
sime, që shiheshin nga “ Ata të Tjerët”me syrin klasor, kanë qenë për t’u
admiruar, ishin për t’u hequr kapelen. Nuk kisha asnjë arsye që t’i urreja.
Njerëzit lindin lakuriq dhe janë të barabartë para Zotit dhe të tillë duhet të
jenë edhe para ligjit. Një analizë e tillë e bërë nga unë, kur isha ende në
moshë të njomë, bëri që unë ta tejkaloj shoqërinë dhe miqësinë me një vajzë të
kësaj shtrese. Doja që kjo lidhje të vazhdonte, por ata “Të Tjerët” m’i vranë
dëshirat dhe më plagosën ndjenjat rinore ende pa lindur, jo vetëm mua, por dhe
asaj vajze të mrekullueshme ia varrosën ëndrrat
Qysh fëmijë,
nxënës i ciklit të ulët në shkollën shtatëvjeçare, unë, i mituri ndieja
diferencimin që bëhej mes meje dhe shoqeve apo shokëve të mi që ishim të
përkrahur nga pushteti dhe shokëve tanë që dikur familjet e tyre kishin qenë të
pasura. Të them të drejtën në fshatin tonë secila familje kishte shtëpinë,
tokën, kopshtin rreth shtëpisë, pemë frutore, vreshtën apo një bahçe me ullinj
dhe kopenë e vogël me bagëti. Çdo familje e pasur apo e vobektë kishte pronën e
saj. Pra për fshatarët punëtorë dhe krahnjomë, nuk njihej jo uria, por as
varfëria e skajshme. Secili e kishte një mur, një portë apo një gardh, të cilën
e quante pronën e tij prsonale. Përsa i përket mënyrës së jetesës, kjo varej
nga shkalla e kulturës së familjes, nga rrethanat fisnore dhe sa të zotët ishin
familjarët për të bërë një jetë të qytetëruar. Për derisa nuk kishte disnivele
të theksuara të jetës, përse duhej të luftohej shtresa dikur e kamur? Shumë
prej prindërve të tyre kishin studiuar në universitetet më në zë të Perëndimit
apo të Stambollit. Mes banorëve të vendlindjes sime ndryshimi binte në sy në
mënyrën e veshjes, të jetesës apo të sjelljes së kulturuar të të përndjekurve.
Megjithëse i vogël, me sytë dhe mendjen time ende të pazhvilluar, i shikoja me
kërshëri, madje i adhuroja bashkëmoshatarët e mi, për të cilët na i kishin
mbushur trurin se ata ishin ndryshe nga ne, madje të këqijë. Më vonë kur u
rrita dhe nisa të njihja sadopak botën, mendoja me vete dhe nënzërisja që të
mos më dëgjonte askush:“Unë do mësoj shumë që të bëhem njeri i mirë dhe i
ditur si këta njerëz me të cilët jemi rritur nga e njëjta baltë. Jeta sado e
vështirë që të jetë, ajo që na bashkon pa interesa, është raca, gjaku, gjuha,
zakonet, mosha, vendi i lindjes dhe dëshira për të mësuar e jetuar në harmoni
në një shoqëri të lirë.”
***
Vazhdon....