Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Ngërç hakmarrës (II)
E hene, 23.09.2024, 06:55 PM
Ngërç hakmarrës
-Novelë
Pjesa - 2-
Nga V. Vrana
Haxhiraj- Vivra
Herë pas here në
kujtimet e mia më shfaqet mosha e pafajshme e fëmijërisë, ajo etapë dëlirësie
engjëllore e jetës me një pastërti qiellore, e cila është e papërlyer nga ligësitë, si dhe e
pashlyeshme nga kasaforta hermetike e kujtesës. Është thjeshtë memorja e
ruajtur në trurin tim ende të pazhvilluar, madje pa asnjë shtojcë. Është për
t’u çuditur se disa prej atyre kujtimeve më shfaqen shumë më të qarta, tejet të
freskëta, ndoshta janë ato që kanë lënë më shumë vragë në trurin tim prej
fëmije. Zakonisht kujtimet ruhen edhe nga bisedat, rrëfimet në netët e dimrit
pranë oxhakut, nën ngrohtësinë e zjarrit bubulak dhe nën ndikimin e dritë hijve
që krijohen nga gjuhët e flakës në vatrën familjare. Është ajo vatër që na
mbledh rreth zjarrit duke na dhuruar dashuri dhe mirëkuptim për njëri -tjetrin.
Nën afshin e ngrohtë të vatrës familjare, na zë gjumi me ëndrra shumë. Nuk di
pse ishin aq të ëmbla bisedat rreth oxhakut, të rehatuar në minderet e ngrohta
me flokate të punuara në vegj nga duarartat e artizaneve, nga gjyshet dhe nënat
tona. Të moshuarit, mes rrëfimeve të ëmbla apo të hidhura të së shkuarës,
rrufitnin kafenë me gllënjka të vogla, duke shpërndarë në dhomën e zjarrit
aromën e kafesë së freskët të pjekur dhe të bluar taze. Gjyshes sime i pëlqente
më tepër kafja e bluar në gurë, e shtypur me havan druri, sepse mbante më tepër
aromë se sa e bluar në mullirin e kafesë. Ne të vegjëlit hapnim sytë dhe veshët
për të dëgjuar më mirë. Ndërkohë
kënaqeshim duke shijuar nga një gotë qumësht, apo pekmez mani, rrushi, pse jo
dhe prej manaferrash. Gëzimi më i madh për ne ishte, kur gjyshja ime gojëmbël,
nxirrte shegë, ftonjë, fiq të thatë, bukëfiqe, dardha dimërore, kumbulla të
thara, gorrica, arra, bajame, lajthi dhe mjaltë blete në hoje që i ruante në
hambar, në tavanin me dërrasa apo në dollapët e murit që kishte në çdo dhomë.
Çuditërisht bisedat e tyre, rrihnin
mendime mbi jetën dhe vështitrësitë e saj, i dëgjonim duke rrëmbyer çdo fjalë
që dilte nga goja e secilit. Diskutimet bëheshin më interesante dhe më të
zjarrta, kur niste debati mes të rriturve për problemet e kombit. Babai im i mirë
shprehte dëshirën e tij të ethëshme për arsimimin e ne fëmijëve. Kërkonte t’i
rrëmbente kohës më të mirat e saj në dobi të edukimit tonë.Vija re tim Atë që
ishte pesimist dhe shpesh thoshte:“Po jetojmë kohë të vështira dhe duket se
presim të vijnë kohë akoma më të vështira. Ndaj nuk dua që fëmijët e mi të
rropaten në bujqësi. Duhet të kryejnë arsimin e lartë dhe të kenë një
profesion, me të cilin të sigurojnë një jetë normale, pa mungesa të ardhurash
për familjet e tyre...”
Gjithë bisedat, porositë dhe këshillat e prindërve, i kam
në tru sikur të jenë të ruajtura në një arkiv sekret memorjeje apo në një
kompjuter. Veçanërisht këshillat e babait, atij burri të paepur, i cili
krenohej për vlerësimin si pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, më 1920. Ata trima nuk
i thirri askush, por i ftoi toka e mëmëdhut e larë në gjak ndër shekuj. Ata
lanë vatrat e tyre, punët e përditshme dhe iu përgjigjën pushtuesit me çfarëdo
mjeti. Lufta e Vlorës ishte një luftë e drejtë e një pakice ndaj një perandorie
dyzetmilionshe. Im Atë ishte i rrahur me
vaj e me uthull, ndaj gjithmonë i vinte
pikat mbi ‘I’.
Kujtimet e ruajtura në kasafortën e fshehtë të
trurit qysh nga mosha njomzake e
fëmijërisë, më çojnë në disa iluzione të mjegullta, por që duken sikur kanë
ndodhur dje. Këto përvoja të hershme mbeten të gjalla dhe të pashyeshme në
kujtesën time. Ato në çdo kohë hedhin dritë mbi misteret që lindin në trurin e
çdo fëmije dhe fshihen pas çdo rifreskimi të kujtesës. Tani në moshë të thyer
kam kuptuar se kujtimet e fëmijërsë janë pjesë e rëndësishme e identitetit të
secilit që së bashku formojnë identitetin kombëtar. Gjithë sa mbaj mend ma
shton mallin për vendlindjen, kryezonjën time të bukur, përherë e gjelbëruar, e
rrethuar nga malet e thinjur, kurse gjymtyrët i shtrin në ujërat e rrëmbyeshme
të lumit Shushicë që zbret gjithë këngë e ligjërime. Burimet e këtij lumi
zbresin nga zonat e thella të Labërisë, por zanafillën e kanë në Buronjat e
Kuçit duke formuar pragje, katarakte dhe ujëvara mahnitëse. Kurse në të dy brigjet
e tij, krijohet lugina e lumit të Vlorës, me një gjelbërim të përhershëm. Duket
sikur lugina e tij bashkë me ujërat e kristalta, vjen e prehet aty ku jetonin
Kaonët e lashtë që kishin ngritur qytetërimin antik. Nërsa unë i malluari për
ato troje, bashkë me Shushicën jemi ulur
këmbëkryq në trevën antike dhe kujtojmë me nostalgji atë kohë me bëmat e saj
ndër shekuj që janë të pakthyeshme. Gjurmët e shekujve IV-III para Kr. janë artefakte historike që
flasin me gjuhën e së vërtetës, si, sa e sa qyteza antike, sa ura dhe mure
kështjellash para historike. Ura e lashtë, së cilës i ka ngelur vetëm skeleti
dhe këmbët është ndërtuar në shekullin XVI. Me vlera të rralla si mozaikët e
zonës, parqet arkeologjike, mbishkrime, shpellat mahnitëse, ku gjenden gjurmë jete
të kohës së gurit. Treva e Shqipërisë Juglindore me vendbanime të hershme të
kapura dorë për dore, flet bukur e qartë për etapat historike që i rrëfen kohës
së re të vërtetat për autoktoninë pellazgo-ilire në trojet e vendlindjes sime.
Sa herë sjellë ndërmend kujtimet e fëmijërisë, më kaplon një mall i patreguar
për çdo pëllëmbë toke, për çdo gur e mur. Dua të kthehem pas në vite dhe të
çaploj në sokakët me kalldrëm të qytezës sime të lashtë. Më merr malli të
rrokullisem në barin e gjelbër nga maja e kodrës dhe të përfundoj në brigjet e
lumit Shushicë që shushërin butë dhe ëmbël, kur ujërat e tij derdhen në Vjosë. Kur dikush apo tekat e natyrës e
egërsojnë, ai lumë dëshmi e historisë së zonës, i përgjigjet me tërsëllim, duke
marrë me vete dhe pllaka apo gurë me mbishkrime prehistorike që dikur gjendesin
në ato brigje të virgjëra. Erozionet dhe ujërat e rrëmbyeshme të përrenjve
zhdukën artefaktet me vlera të jashtëzakonshme.
Shumë nga këto vlera arkeologjike u dëmtuan nga hapja e tokave
bujqësore. Gjithsesi ato që ekzistojnë, vazhdojnë të ligjërojnë shqipen e
lashtë, gjuhën e filllimit të gjuhëve evropiane, atë Pellazgo -ilire, si dëshmi
e njerës prej gjuhëve më të lashta. Gjuha pellazge-ilirishte, paraardhësja e
gjuhës arbërore dhe shqipes së sotme u ka mbijetuar pushtimeve të gjata të
shekujve dhe elminimit nga pushtuesit e huaj.
Ajo vazhdon të mbijetojë për të deshifruar apo shqipëruar gjuhët e
vdekura.
Me gjithë zhdukjen e shumë zbulimeve arkeologjike, edhe
pse identiteti i vendlindjes sime është transformuar, më pëlqen të shkoj dhe të
ulem nën hijen e trungjeve të rrepeve
shekullorë. Pa kuptuar ndër sy më shfaqet fusha e pamatë që krahështrirë në
kodrat përreth, kurse këmbët i freskon në ujin e Shushicës. Me sytë e mendjes
shoh kohën e shkuar. Teksa gjendem aty i shtrirë dhe pres me padurim të më
vijnë në vesh zërat e dashur dhe kumbues të atyre burrave të mbledhur në
kuvende për fatet e kombit, të cilët kishin vetëm një fjalë: “Liria për
secilin nga ne, është e shenjtë!”
Oh, vendlindja dhe fëmijëria ime janë të bekuara nga Zoti
dhe të papërsëritshme, janë identiteti im kaon, për të cilin jam krenar. Ajo të
ofron një bukuri përrallore të pakrahasueshme, me natyrën e butë apo të ashpër,
që përshkohet nga ujërat gurgulluese që zbresin nga malet e thinjur nga bora.
Duket sikur këto male me shpate të thepisura, plot shkrepa e gurra magjike, çdo
pëllëmbë toke të fshatit tim manhnitës, të cilën e përkëdhel dhe e puth ëmbël
dielli, më bënte me krahë të fluturoja drejt shkollës sime të dashur çdo mëngjes.
Pasi kreva shkollën fillore në fshatin e lindjes, bashkë
me moshatarët e mi shkonim larg në një fshat tjetër të zonës që kishte shkollë
tetëvjeçare. Në atë godinë vinin fëmijët e tre-katër fshatrave të zonës. Ishte
dëshira e ethshme për dije dhe kulturë që nuk na trembte, nuk na stepte, por
kam parasysh veten që vrapoja nëpër shi dhe dëborë si një drer kërthi që i
ruhet stuhisë vetëm e vetëm për të thithur qumështin e ëmbël të mëmës, që për
mua është gjuha jonë e bukur. Vetëm ngrohtësia dhe ëmbëlsia e gjirit të nënës,
e rrit foshnjën me dashurinë për dheun e të parëve. Ndaj kam mall për gjithçka
që më dhuronte vendlindja, jo vetëm pranverën, verën dhe vjeshtën, po dhe
dimrin e egër e të stuhishëm që përfshinë anët tona. Më pëlqente, kur kthehesha
në shtëpi si kokosh i lagur, kurse nëna ime e mirë, fillimisht më bërtiste pak,
ngaqë kishte frikë se mos ftohesha. Pastaj më ndërronte dhe më ulte pranë
vatrës, ku më ngrohej shpirti im i mardhur. Pasi mora dëftesën e lirimit të
klasës së VII, me rezultate shumë të mira, një ditë të fundgushtit të gjysmës
së dytë të viteve ‘1950, u nisa me babanë për në qytet. Nuk harroj dot lotët e
nënës sime. Më pikon në zemër kur e kujtoj atje në fund të oborrit, te porta,
mbëshetur në harkun e saj, me dorën në faqe dhe dëneste pa zë.
Kurrë nuk më shqitet nga mendja gjesti i dhembshëm i saj
atë ditë, kur përshëndeste me dorë dhe më tundte shaminë e lagur nga lotët. Sa
herë që e kujtoj këtë skenë përlotem për mungesën e dhemshurisë së nënës. Ishte
diçka e ngjashme, një dhembje e natyrshme si atëherë kur isha fëmijë dhe
rrëzohesha. E nga një puthje e ëmbël e nënës, më qetoheshin plagët e shpirtit
tim të brishtë. Nuk ka si nëna në botë. Ajo është një dhe vetëm një, e cila
gjithë botën e fal vetëm t’i ketë fëmijët pranë.
U larguam me një skodë që vinte nga Memaliaj, duke lënë
pas nënën në dëshpërim të thellë dhe ne të dy me kokë prapa.
Së fundmi mbërritëm në qytet.
***
U regjistrova në gjimnazin “Ali Demi”që ishte më i vjetri
në qytet. Godina, ku nisa shkollën e mesme ishte një barakë e gjatë italiane,
dykatshe e kohës së luftës, natyrisht e shekullit aktual. Nuk e di me saktësi
moshën e ndërtimit të saj se cilës kohë i përkiste, luftës së parë apo të dytë
botërore.
Drejtori i shkollës pasi më regjistroi, i dha babait një
vërtetim që të regjistrohesha në konvikt. Mësimi fillonte pas dy ditësh. U
sistemova në konvikt, më caktuan dhomën, zgjodha shtratin dhe lashë valixhen me
rroba. Dola me babanë një shëtitje deri në Sheshin e Flamurit. Hëngrëm drekë në
restaurantin e hotel “Sazanit”. Atje gatuhej më mirë. Veçse unë isha mësuar me
gatimin e nënës sime që i kishte lezet dora dhe po e shtyja me pirun uhqimin si
pa dëshirë për të ngrënë. Im Atë më përfshiu me një shikim vledhurazi me bisht
të syrit dhe papritur më tha:
-Agron, biri im, këtu nuk ke as nënën dhe as babanë.
Djali im i mirë, këtu nuk ke ardhur as në kamp pushimi dhe as në dajo, ku, “ ha
Muço dhe pi Muço”. Vetëm në shtëpi tënde dhe te dajot, je si veshka në mes
të dhjamit. Askund veç në këto dy shtëpi thua: “Rënça dhe mos u vrafsha”.
Kurse këtu gatuhet në kazan për të gjithë konviktorët, njëlloj si në ushtri.
Biri im, ke ardhur për të mësuar dhe jo për të kërkuar oreksin. Mësohu të hash
gjithçka siç hanë gjithë të tjerët. Do ndjekësh rregullat që të dikton
rregullorja e konviktit dhe e shkollës. Çdo mëngjes do ta bësh zgjimin në orën
gjashtë. Duhet se s’bën të merresh me fizkulturë dhe vrap së paku gjysmë ore.
Kthehu në konvikt lahu, vishu, ha mëngjes në mensë dhe nisu për në shkollë. Nuk
dua të merresh me llafe, mos frekuento klubet apo lojërat e fatit. Detyra jote
është vetëm studimi. Kur të vijë në shkollë apo në konvikt nuk dua të dëgjojë
asnjë ankesë. Nëse e shpërdoron kohën me pingpong apo me baste dhe kinema, do
të të marrë prej leckash si skifteri që rrëmben pulën që ka dalë e vetme nga
koteci dhe do të çojë në fshat që të bëhesh çoban i bagëtive. Kjo është fjala
ime e fundit. Ti më njeh mirë. Babai yt nuk e bën fjalën dy, biri im.
Mirëmbetsh, bir dhe fillo shkollën me mendje në kokë! Mos e harro kurrë se unë
dhe nëna kemi besim tek ty.
Kur u largua babai, e ndjeva veten si peshku pa ujë. E
ndieja shumë vetminë. Më dukej sikur kisha humbur në një humbëtirë të pamatë
dhe unë fillikat kërkoja mbështetje diku.
Pas regjistrimit si në shkollë dhe në konvikt, kisha kohë
të njihesha me qytetin e Flamurit, ku Ismail bej Vlora, ngriti flamurin dhe
shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Isha djalë i ri dhe nuk e
njihja fare politikën e Fuqive të Mëdha apo historinë reale përsa i përket
shpalljes së pavarësisë. Më duheshin vite studimi dhe përvoje për të njohur
gjëmat e shteteve që hiqeshin si miq, por realisht me traktatet e tyre
famëkeqe, na kishin futur thikën pas
shpine.
Ato dy ditë që më kishin ngelur të lira, në shëtitjet
nëpër qytet për herë të parë u përballa me detin e pamatë. Qëndrimi në bregdet
më mbushi me frymë ashtu siç thithja
oksigjenin e pastër të vendlindjes sime, rrethuar mes malesh. Për herë të parë ndjeva aromën e
jodit dhe fluturimin e qetë e të bukur të pulëbardhave gati mbi sipërfaqen e
ujit të detit. Ajo që më mahniti ishte perëndimi i jashtëzakonshëm i diellit,
në horizontin e largët të brigjeve italiane. Agimet dhe perëndimet në këtë
qytet bregdetar, ishin tejet të rralla, të magjishme dhe të pangjashme me
njëri-tjetrin. Ndaj që ta shijoja këtë panoramë magjepsëse të qytetit tim,
vrapin dhe disa ushtrime çdo ditë vendosa t’i bëj në bregdet. Shumë shpejt u
mësova dhe u dashurova me Vlorën që e lagin dy dete. Adriatiku i kaltër që banorëve
u fal qartësinë e kthjelltësinë, kurse Joni blu, u dhuron me tepërì bujarinë.
***
Transferimi në Vlorë, ishte diçka e re për mua. Më duhej
durim të çmësohesha me jetën e kufizuar dhe monotone të fshatit. Ishte e
domosdoshme të përshtatesha me një ritëm të ri jete në një qytet me popullatë
më të madhe, i cili ishte përherë në lëvizje dhe me një stil tjetër jetik.
Programi i ngjeshur dhe kërkesat e mëdha në përvetësimin e shkencave të
ndryshme në shkollën e mesme bënë të mundur që të ambientohem shpejt. Sipas
vështirësive të lëndëve, mirëorganizoja kohën e studimit. Kurrë nuk pretendoja
të isha më i miri. Puna sistematike dhe vetë koha të jep vendin e merituar. Veç
detyrave dhe praktikave mësimore të detyruara, kisha filluar qysh në fshat të
mësoja në mënyrë të pavarur gjuhët e huaja, anglisht dhe italisht. Ato vite
ishte e detyruar gjuha ruse, madje e kishin futur në programet shkollore.
Për të thyer sadopak monotoninë, shkollë- konvikt, herë
pas here me shokët organizonim ndeshje futbolli, volejbolli ose luanim
basketboll tek këndi sportiv përballë shkollës sonë. Sipas mundësive financiare
shkonim në kinema. Kishim një shoqëri të mirë që e kujtoj me nostalgji. Kur
ishte moti i ngrohtë laheshim edhe në det. Gjithmonë isha mjaft i kujdesshëm e
nuk harrohesha pas lojës. Nuk qëndroja më shumë se një orë i shkëputur nga
studimi. Sa herë që largohesha, shokët më flisnin me shpoti nga pas, po pa të
keq më thërrisnin “profesor”.
-Ej,“Profesor”u largove ti? Kujdes se mos gjatë lojës të
ka humbur ndonjë formulë apo ndonjë ekuacion me dy a më shumë të panjohira.
Fjalëve të tyre thumbuese, u përgjigjesha veç me një buzëqeshje dashamirëse.
Një ditë erdhi babai në qytet.
Më parë u takua me mua dhe më pyeti:
-Agron, si i ke punët me shkollën, me shoqërinë? Më thuaj
se çfarë të mungon, biri im.
-Mirë baba, si me shkollën dhe me shoqërinë... Nuk më
mungon asgjë. Pastaj po të studiosh sistematikisht nuk krijon boshllëqe
njohurish dhe puna ecën mbarë. Kur kam nevojë, kërkoj ndihmën e mësuesëve, të
cilët, jo vetëm nuk janë kursyer, por as nuk ma kanë mohuar asnjëherë.
Gjithsesi, mësuesit janë ata që thonë fjalën e fundit.
Baba, ajo që më mundon, është se ndiej thellësisht
mungesën tuaj. Më djeg malli për ju të gjithë. Mbi të gjitha më mungon fjala e
ëmbël, dashuria dhe ngrohtësia e dorës së nënës.
Pas takimit me drejtorin e shkollës, dhe mësuesit e të
gjitha lëndëve, babai më përgëzoi për mbarëvajtjen në të gjitha disiplinat
shkollore. Më pas, im Atë, u takua edhe me drejtorin dhe kujdestarin e
konviktit, ku, edhe aty mori përgjigje të kënaqshme. Madje drejtori i ishte
shprehur babait:
-Agronin në çdo kohë e shikon me libra në duar. Kur bëhet zhurmë
në mensë, sepse nxënësit studiojnë aty, ai merr librat dhe ulet nën hijen e
akacieve, apo pak më tej nën portokalle. Atje do ta gjesh duke shfletuar
fjalorë të gjuhëve anglisht dhe italisht apo duke mbajtur shënime. Është
tip studiues. Nuk bëj gabim nëse djalin tuaj e quaj “Gjeni”. Po ta lënë të lirë
dhe t’i krijojnë mundësitë, djali juaj, Agroni, jam i bindur që do të bëhet
“Dikushi”, të cilin më vonë do ta nderojnë, duke hequr kapelen në shenjë
nderimi dhe respekti.
-Drejtor, ju faleminderit për
opinionin që keni krijuar për Agronin! Veçse,
Ju lutem, mos ia hapni syrin shumë. Dëshiroj që im bir të jetë ai djali
i thjeshtë që t’ia di vlerën jetës. Vetëm kështu mund të bëhet i zoti dhe të
jetë vetvetja.
Babai pasi mbaroi takimet e duhura dhe punët e tij në
qytet, më inkurajoi me fjalët:
- Po vazhdove kështu Agron, jam i bindur se do të shkosh
me studime jashtë shtetit. I ke të gjitha mundësitë për më të mirën.
Më merrte malli për nënën, motrën, vëllanë dhe gjithë të
afërmit. Kisha mall për shokët me të cilët isha rritur. Mund të shkoja
ndonjëherë në shtëpi, por nuk doja të humbisja studimin. Në fshat shkoja vetëm
në pushimet simestrale. Ditët, javët, muajt dhe vitet kalonin pa e kuptuar. Si
në shkollë dhe në konvikt kishim një shoqëri të sinqertë, të çiltër dhe me
shpirt të pasur, gjë që më bënte të mos e ndieja mungesën dhe mallin e atyre që
më mungonin.
Në verë pasi
mbarova vitin e parë të gjimnazit në qytet dhe shkova për pushime në familje,
në fshatin tim malor që ishte disi larg nga qyteti ku vazhdoja shkollën e
mesme. Gjatë qëndrimit në familje ndihmoja babanë apo nënën në punët e ndyshme.
E adhuroja tim’Atë se ishte burrë i matur, punëtor dhe pa fjalë. Si veteran i
luftës merrte pjesë kur mblidhej këshilli i pleqësisë së fshatit, pa mbajtur
anësi as për njërin dhe as për tjetrin. Banorët sipas tij, qofshin njerëzit e
partisë apo ish të pasur, kishin të drejta për të jetuar si gjithë të tjerët.
Atë kohë radiot buçisnin për
kooperativën e parë në vend, atë të Krutjes dhe më pas u kolektivizua
dhe fshati Risili, pak kilometra nga Vlora. Gazetat propagandonin fushatën për
kolektivizimin e bujqësisë duke marrë si shembull Krutjen dhe Risilin, në të
cilat kolektivizimi u kishte sjellë frutet e para të zhvillimit ekonomik, të
bujqërve në tufë si bagëtia. Vendi ynë duhet të ecte në gjurmët e kolkozeve dhe
sofkozeve sovjetike. Ata njerëzit pa tru, të cilëve u mungonte logjika dhe
arsyeja ngrinin dorën për të bashkuar ekonominë e tyre private të vogël, pa e
ditur se çfarë e ardhme i priste. Propaganda për kolekivizimin, e kishte
dëshpëruar babanë dhe shumë pronarë të tjerë, të vegjël apo me më shumë pronë.
Një ditë, gjatë
atyre pushimeve, po hanim drekë, babai më thotë: “More bir, këta komunistët
qenkan të bijtë e djallit. Duan të na marrin pronat, tokën dhe bagëtitë dhe të
na kthejnë në argatë të shtetit. Agron, mëso bir dhe mos u kthe më këtu që të
bësh argatin. Nuk di si do t’na vejë halli, biri im. Si në Myzeqe, edhe këtu ka
filluar fushata për kolektivizimin e bujqësisë. Fshatarin e vret dhe e bën që
të vdes para kohe po i more tokën, pa të cilën i duket vetja i humbur, si njeri
pa atdhe.” -Ishte një thënie e dhembshme e tim Etit që i dilte si helm nga
shpirti i tij i drithëruar. Aty kuptova se babai im ishte i lidhur me pronën si
mishi me kockën. Helmi i shpronësimeve i kishte shkuar në zemër dhe në palcë.
Rrinte i ngrysur në verandën para shtëpisë, duke fikur dhe ndezur cigaret
njërin pas tjetrit dhe ashtu papritur i thirri nënës:
-Grua, na bëj një
kafe, se më vonë nuk i dihet nëse do të gjejmë ndonjë pako kafe apo jo. Mos e
zijej ujin. Hidhi bashkë ujin me kafen në të njëjtën kohë, se bëhet për merak.
Kafja e fortë të mbledh shpirtin e hapërdarë ve të copëzuar nga hallet dhe
dertet që na kanë zënë.
Çuditërisht nuk paskan të mbaruar.
- Baba i
shtrenjtë, kam dëgjuar se komunizmi është një gjellë e paprovuar më parë, të
cilën na e kanë servirur pa na pyetur, ndoshta dhe kundër dëshirës së banorëve,
por që ne do ta ham me detyrim të gjithë, duam apo s’duam.
- Bir, kjo
politikë është si puna e një njeriu të trashë që nuk ka tru, si Muço
teleshmani, i cili mbante pasaportën e gruas si garanci martese, kur ajo e
kishte braktisur atë me kohë. Kurse ai duke tundur pashaportën, këndonte:“Doni
ju apo s’doni, kështu thotë Lala Gjoni; hani, pini dhe këndoni!”
-Edhe ne kështu do
të veprojmë, o Atë.
- Si të shohësh do
hedhësh valleno, moj nusezo. Edhe ne bashkë me të tjerët kështu do ta provojmë
gjellën e komunizmit, shpirt i babait.
***
Vazhdon