Editorial
Ndue Dedaj: 'Profecia' e politikës pa moral
E marte, 10.09.2024, 07:00 PM
“PROFECIA” E POLITIKËS PA MORAL
NGA
NDUE DEDAJ
Që
politika shqiptare nuk ka bosht dihet, por që ajo nuk ka kurrëfarë kodesh
morale, është vërtetë e dhimbshme. Asambleja e Partisë Socialiste u mblodh të
dielën për të parë si rregull punët e veta në prag të vitit të ardhshëm
zgjedhor, ndërkohë që kreu i saj deklaroi me një solemnitet të habitshëm se
opozita në zgjedhjet që vijnë nuk merr më shumë se 25 mandate, aq sa në vitin
1997!? Për çfarë i duhej një deklarim i tillë liderit “absolut”? A është kjo
politikë korrekte? Cili është morali politik këtu, pasi këtë deklaratë e bën
kryeministri i vendit? Nëse do të ishte fjala thjeshtë për liderin e
mazhorancës, ai nuk e ka tagrin të flasë me këtë ton autoritarist për një parti
tjetër. Denigrimi, përçmimi, intimidimi i kundërshtarit politik asnjëherë nuk
ndodh nga qejfi. Por ka një sekret këtu, Rama “urdhëron” një fitore
plebishitare, madje duke caktuar dhe rezultatin e zgjedhjeve pikërisht se
ndjenë humbjen e mandatit të katërt! Kjo nuk është retorikë nga ana jonë dhe
doemos që kërkon një analizë më vete. Sado e vrazhdët dhe jo normale të jetë
politika, kjo lloj qasjeje e bën atë amorale, ashtu si nga krahu tjetër,
tam-tamet pa kurrëfarë sensi të opozitës rreth foltores së Kuvendit për afro
gjashtë muaj. Amoraliteti politik, për fat të keq, vërehet kudo dhe është
kthyer në normë. Çfarë emëri mund t’i vësh asaj që në dy bashki verilindore,
Peshkopi dhe Kukës, qytetarët votojnë kandidatët e partisë në pushtet, paçka se
kishin ndodhur skandale bash nga përfaqësuesit e mëparshëm të kësaj force
politike. A ka moral politik këtu, se logjikë zgjedhore jo se jo? Mungesën e
moralit e dëfton përditshmëria e qeverisjes. Qeveria është arrogante me bazën
dhe “diplomatike” me të huajtë, mediat që i ka uzurpuar, ku bën çmos për piarin
e saj, gjer me librat e shkollës falas për një kategori nxënësish. Zëvendësja e
kreut të qeverisë, e tejngopur me pushtet, flet përditë kinse me shqiptarët, o
në autostradën e re para inagurimit, o në anijen e forcave detare, o në
aeroplan për të mirat që qeveria po bën për njerëzit, por refuzon t’i presë
protestuesit e rrugës Thumanë – Kashar aty para godinës së Kuvendit, edhe pse
këtë ia kërkon publikisht dhe njëri nga shefat e opozitës. Ku është morali i
shtetit këtu? Edhe të mbyll rrugën për te shtëpia e prona jote, dhe nuk dëgjon
zërin e revoltuar të një komuniteti të tërë? Sigurisht që njerëzit e kuptojnë
pse-në, “ortakërinë” e qeverisë me sipërmarrësit e mëdhenj, për të mos përdorur
vend e pavend fjalën oligarkë. Si ka mundësi që këta qeveritarë fjalët e mira
në Kalimash e në Kashar i kanë para se të inagurohet rruga, kurse pastaj ne
vend të tyre “flet” trau!?
Shoqëri
me kode morale të bjerra
Nuk
është vetëm politika, është në radhë të parë shoqëria. “Bota pa kode morale
është e rrezikuar”, shprehet një personazh filmi bashkëkohor italian. Kodet
morale janë zemreku që e kanë mbajtur jetë e mot botën në binarë. Ka ligje
ndërkombëtare, kushtetuta shtetesh, rregulla të qarkullimit planetar, nëse mund
të themi kështu, por prapë bota është e rrezikuar, ngaqë mungojnë ato që nuk
janë ligj i mirëfilltë me nene, por marrëveshje e pashkruar, apo mirëkutim, që
nis nga njeriu i thjeshtë e përfundon te më të lartit krerë shtetesh e
qeverish. Nëse problemin e vështrojmë brenda për brenda shoqërisë tonë, me
siguri që sociologët duhet ta kenë dhënë me kohë alarmin, se çfarë është
prishur në moralitetin shqiptar, thënë ndryshe, në moralin e individit, moralin
e bashkësisë (publikut), moralin e politikës dhe shtetit etj. Shkolla dhe
familja janë para një sfide të madhe edukimi. Adoleshentë të rrëmbyer nga
“shoqëria e keqe” nuk i dëgjojnë prindërit për të shkuar rregullisht në
shkollë, çka do të thotë se është prishur një kod moral tradicional, kur fëmija
ishte i bindur ndaj prindit. Në shoqërinë moderne duket sikur morali është
diçka e vjetëruar. “Mos na bëj moral” vjen reagimi i mënjëhershëm sapo t’i
thuash një të riu se ka jo vetëm të drejta, por dhe detyra, që sigurisht ai e
ka dëgjuar në shkollë, por nuk e ka përvetësuar si koncept. Por tjetër është
morali e tjetër moralizimi. Në këtë kontekst, çfarë edukate pune u japim sot
fëmijëve dhe të rinjve? Sa nxënës e studentë punuan këtë verë? Kryesisht në
turizëm, që për një pjesë mund të jetë dhe e ardhmja e tyre. A po arrijmë t’i
mësojmë ata se jeta nuk mund të jetë ditë - natë në telefon dhe në lojëra
elektronike me “qenie” të llahtarshme që të shfaqen natën në ëndrra. Fëmijët
nuk lëvizin më nga vendi kur hyn brenda një i madh, as në shtëpi për prindin,
as në klasë për mësuesin. Gjëra të vogla, mund të thotë ndokush. Sigurisht që
nuk duam njerëz që rrinë sus para nesh “me një këmbë”, por as të atillë që nuk
duan t’ia dinë për asgjë. Fëmijët janë problemi më i madh i shoqërisë së sotme
dhe nuk është “punë fëmijësh” marrja me ta.
Modelet
nuk vjetërohen kurrë
Katarsisi
i politikanëve, shtetarëve dhe nëpunësve është thelbësor në një shoqëri
demokratike, për më tepër që ajo dukshëm ka vartësi nga politika. Të
zgjedhurit, të emëruarit në drejtim si rregull përpiqen të tregojnë dhe grintën
e zyrës së shtetit. Të tillë ishin njëherë e një kohë ministrat e arsimit të
Shqipërisë, shkrimtarët Ernest Koliqi e Sejfulla Malëshova. Ata bënë të tyrën
paçka se çfarë bëri politika e mbrapshtë me ta. Ishin idealistë, pavarësisht
bindjeve që kishin dhe politikave që ndiqnin. Morali ka rënë aq poshtë se kemi
pasur ministra, o me dosje Sigurimi, o me diploma shkencore me plagjiaturë dhe
më e keqja hajdutë me “patentë”. Nuk kemi më as intelektualët e shquar që
konsideroheshin institucion në vete. I thonë Ylli Popës aty nga viti ’80, ju
jeni profesori ynë dhe s’mund t’ju thërrasim ndryshe, po pse nuk e mbroni
titullin “profesor”, ndërkohë që ai ishte docent. E dini si u përgjigj profesor
Popa? Do ta mbroj, por mbasi ta mbush Shqipërinë me kardiologë! Falë kujdesit
të tij, sapo kishte filluar specializimi pasuniversitar për kardiologji.
Profesor Popa më pas u bë dhe kryetar i Akademisë së Shkencave, por “akademia”
e tij qe në radhë të parë ajo që bëri për ta shumëfishuar profesionin e vet në
dhjetëra e qindra mjekë të tjerë specialistë të sëmundjeve të zemrës. Kurse sot
sigurisht që ka mjekë të zot, por nuk janë të paktë ata që përflitën për
sjellje si te Onkologjiku. Në tranzicion, të gjendur pa autoritetin e shtetit,
njerëzit e pushtetit ekzekutiv e nxorën vendin në “anëkand” për qëllimet e
tyre, ata sistemit të drejtësisë vendosën “autoritetin” e tyre vetjak përmes
korrupsionit, ashtu si të fortët që i forcuan pozitat përmes krimit të
organizuar, kush e kush nga palët të përfitonte e pasurohej në rrugë të
paligjshme. Shpesh ato e gjejnë aleatin te njëri-tjetri, siç dëshmojnë disa
procese hetimore ku aktorët e krimit janë trafikantë, prokurorë, shefa policie
etj.
Jo
“për shkak të lirisë!...”
Një
nga “apologjitë” e sotme është se kjo është natyra e demokracisë, nuk ka më
pengime, kufizime, censurë etj. Por nuk është kështu. Kush tha se demokracia është
amulli dhe mungesë përgjegjësie dhe se në emër të saj individi mund të bëje
çfarëdo prapësie, paçka se nuk është e natyrshme, e drejtë, e fisme, e
moralshme. Ka aq shumë formulime për lirinë, nga ato filozofike te më të
thjeshtat, që nuk duam t’i përsërisim. Si mund të thuhet se në emër të lirisë
së shprehjes deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që shpreh në Kuvend, edhe
kur ai thotë marrëzira? Presidenti nuk mban përgjegjësi për dekretet që firmos,
edhe kur ato nuk janë në interes të publikut? Qeveria nuk mban përgjegjësi për
vendimet që merr, edhe kur ato i hapin rrugë grabitjes së pasurisë publike e
kombëtare të shqiptarëve, siç janë aferat e mineraleve, ndërtimet masivisht të
HEC-eve mbi lumenj e përrenj, ndërtimet në zonat e mbrojtura etj. Liri është që
Gjykata të japë vendime të blera nga pala e gabuar? Liri është që profesorët e
universiteteve t’ua shesin provimet dhe diplomat studentëve, e pastaj qahen se
nuk na vijnë studentë të rinj? E shikoni sa problematike është liria, kur
abuzohet me të. Atëherë ajo nuk është liri. Sa u përket institucioneve të
shtetit, këto punë i rregullon ligji në një shoqëri demokratike të vërtetë, por
çështja është se askund në botë nëpunësit nuk i kanë larë duart si këtu me
moralin dhe të moralshmen.
*
Nesër
do të votohet dhe për një politikë të moralshme dhe e tillë është jo vetëm të
“sulmosh” për pushtet pareshtur si në Lindje, por dhe të tërhiqesh nga pushteti
pas disa mandatesh radhazi, pa u brengosur se po e lëshuam ne, do të bëhet
kiameti!? Kjo nuk ka lidhje me i bë nder opozitës, por mos me çue vendin në
krizë për shkak të qeverisjes steriotipe, pa ide, konkurrencë dhe programe
zhvillimi si të vendeve të BE-së.