Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Ligjëratë për letrarët e rinj
E premte, 02.02.2024, 08:55 PM
LIGJËRATË PËR LETRARËT E RINJ
FEJTON
NGA
PROF. DR. RESMI OSMANI
Nga
t’ia nis, nga t’ia filloj? Janë aq shumë ndodhi sa e kam zor t’i rrëfej, ca më shumë se edhe mund ta mërzis
lexuesin durimmadh. Do ta filloj nga gripi. Si edhe gjetkë, qyteti ynë i vogël
nuk u shpëtoi epidemive të gripit:Gripit të derrit, gripit të pulave,të zogjve,
gripit të qenve, por ndryshe nga qytete e krahina të tjera, tek ne u shfaq një
epidemi e re, “gripi i të shkruarit”. Epidemia ishte e rëndë infektuese, në
dukje e pashërueshme dhe u përhap shpejt si flama e pulave.Nuk shfaqej me
temperaturë, por me dalldi dhe të folur përçart, që zgjonte dellin artistik, që
nga mosha e kopshteve deri te të moshuarit e mbaruar që kishin zënë radhën për
në botën e amëshuar! Shkruheshin nga të rinjtë e të rejat sidomos poezi për
dashurinë,nga rapsodët bejte, prozë gjithfarëshe,nga gjyshët e gjyshet përralla,
por kryesisht kujtime për heroizmat e dikurshme. Mjekët e spitalit, edhe ata të
molepsur nga virusi, nuk po dinin ç’emër t’i vinin. Astrologia e famshme Meri
Rrena, tha se virusi vinte nga planeti Mars dhe e kishin sjellë alienët, kurse
virologu Leonard Hiçi, e emërtoi WPP-15 dhe njoftoi për zbulimin OBT dhe
propozoi që qyteti të vihej në karantinë.Thanë se për këtë do t’i jepej nga
Akademia Suedeze, Nobeli për shëndetësi. U krijuan shoqata,OJQ, bashkësi dhe
filluan të shapallen konkurse, ishin me qindra dhe mijra konkurimet saqë
komisionet nuk arrinin ti lexonin dot, por sido qoftë filluan të shpallen
fituesit dhe të jepen çmime, me ceremoni
madhështore.Shoqata e poetëve dentist,”Dhëmbi i artë”
dha çmim të parë për poezinë “O lele ç’më dhemb dhëmballa”, ajo e gjinekollogëve
për “Hapa shalë, bëra djalë!”, e gjuetarëve, “Ariun e artë” për “Mora çiften
dola për gjah”, e berberëve dhe parukierëve “Krehëri i artë”, poems epike ”Më
rrove të rrova,brisku i berberit”, e blegtorëve”Qëngji butë lara-lara”, e
taksistëve”Udhëtim i lumtur” , poemës erotike ”Aman shofer, më puth dhe një herë”.
Çmime pafund ”Pena e mjellmës”, “Pena e pates”,”Pena e palloit” u krijua kësisoj
paria e artistëve të fjalës, që ishin ajka dhe krenaria e krijuesve të qytetit
dhe krahinës sonë. Pati një bum të shtëpive botuese. Në shtypshkronjë s’merrnin
dot frymë, u detyruan të punonin me tre turne, përditë dilnin libra të rinj.
Tregu i librit pati lulzim të paparë. Librat shiteshin por edhe faleshin kudo:
në markete, kjoska, trotuare, te shitsit e fruta-perimeve.Autorët të lumtur e
të kënaqur jepnin autografe me shkrim të palexueshëm. Televizioni lokal futi në
program orën letrare. Nuk pati xhelozi dhe cmirë se pothuajse nuk mbeti kush pa
marrë një çmim e pa një botim.
Ca
kohë, jeta e qytetit u paralizua. Të gjithë u mbyllën brenda apo morën arratinë,pyjeve,
maleve, burimeve e zabeleve, ditën në diell dhe natën nën yje. Buka dhe
artikujt e tjerë ushqimorë të domosdoshëm nisën të vinin nga dy qytetet fqinjë.Shkrimet,
vërshuan si lumë në fejsbuk,në portalet elektronike te internet gazetave. Pëlqimet
dhe lavdërimet ishin të pafundme dhe fantastike, për vlerën dhe bukurinë e
jashtzakonshme sidomos të poezive të dashurisë të shkruara nga femrat. Në qytet
nisi të botohej gazeta “Mesnata” e cila nga e përjavshme u kthye në të përditshme,
të gjithë prisnin me padurim botimin e krijimeve të tyre dhe nuk linin rast pa
falnderuar e lavdëruar botuesin Lame Kamberi, i cili për çdo numër shkruante një
esse të ndjerë. Kur u velën me të
shkruar, e kuptuan se duhej edhe të punonin dhe nëpër rugët e qytetit u vunë re
lëvizjet e para. Për çudi gjithë meshkujt kishin rritur mjekrat e mustaqet,por
kishin rruar kokën kjo ishte pjesë e domosdoshme e portretit të një shkrimtari
e poeti modern, e një artisti të vërtetë. Femrat, u kishin punuar qindin flokëve,
në ngjyrosje, qethje në tëmbla dhe krehje në formë kreshte, që u quajt moda e
poeteve.
Kur
u lehtësuan nga ethet dhe u ra temperature e krijimit, të rinjtë u kujtuan edhe
për ne, që na quanin “Gunat e vjetra” E kuptuan qës’bënin dot pa përvojën tone. Kuptohet, që i pari më me emër , më i
njohuri, më i talentuari, maja më e lartë
isha unë, që kisha shkëlqyer në qiellin e poezisë si një yll, pas viteve
90-të. E pranova me modesti ftesën për të mbajtur një leksion këshillimi
artistik për letrarët e rinj. U shpërndanë ftesa, lajmërime ne fejsbuk,
shpallje në vende të dukshme tejembanë qytetit. Rrëmeti rrodhi si rrëketë e
malit, jo vetëm nga qyteti ynë por edhe nga ata fqinjë. Salla ishte e
tejmbushur, shumë kishin mbetur pa vende, të tjerë ishin te shkallët dhe në
oborrin e pallatit të kulturës. Kishin ardhur edhe invalidët dhe paralitikët të
ngujuar në karrocat e tyre që i shtynin familjarët.Nuk mungonin as shurdhët dhe
të verbërit. Për ta u vunë altoparlante. Kryebashkiaku, e shpalli ditë pa
makina dhe vetë erdhi me biçikletë. Shefi i rendit shtoi patrullat për të
mbajtur rregullin. Ishte një ditë e madhe, por unë jam stekë e vjetër, nuk më
rrëmbejnë emocionet. E lashë gjindjen të priste, por jo sa të humbiste durimin.
Kur hyra në sallë, gjindja u ngrit në këmbë dhe shpërthyen duartrokitjet. Përshëndeta
me kokë e me dorë majtas e djathtas si me pa sajdi, dhe me hap të sigurtë u
drejtova për në foltore. Krah meje kasha edhe time shoqe, Zymbylen, që përveçse
muza ime, lexuese e parëe veprave të mia, ishte edhe partnere, pjesë e skuadrës.
Dola
në foltore. Salla, ende pa hapur gojën, ushtoi nga duartrokitjet. E kuptoni de,
për mua, aq i njohur isha bërë. Por e pashë të udhës të bëja një vetparaqitje,
para auditorit dhe u thashë: ”Të nderuar letrarë, poetë e poetesha, prozatorë,
tregimtarë, novelist e romancierë, eseistë, rapsodë e përralltarë të qytetit tone,
miq e dashamirë të letërsisë. Jam krenar për ju,që jeni mburrja diturake e
qytetit tonë dhe jam sinqerisht krenar qe me ftuat pikërisht mua për këtë ligjërate,
por më parë, për ata që s’kanë patur rast të më njohin, le të njihemi: emëri im
në defterët e gjëndjes civile, është Muço Zavalli. Eh, midis qindra emrave, im
atë, që i ndrittë shpirti aty ku prehet, gjeti tamam këtë. Një miku im, kur
lexoi vjershën time të parë në gazetën “Vetëtima”, u përlot nga emocioni, por e
dini ç’më tha? E bukur vjersha, po çe do,mender zonjave të pranishme, mut emri
mut mbiemri! Nuk e desha veten, dhe që atëhere emri im i artit, siç e dini është Bilbil Gjyzari.
Nuk dua tu flas për vete, është e tepërt, mjaftojnë librat e shumtë të botuar, çmimet e fituara dhe titujt e nderit,
por nuk mund të rri pa folur sesi i kam arritur ato suksese, gjë që besoj do
t’u shërbejë shumë.
Miqtë
e mi. Të shkruarit, të bërit letërsi, është një punë që bëhet vetëm, pra tepër
vetiake, për kënaqësi, për qejf, në ekstazë, si një masturbim shpirtëror. Kur
shkruani, nën përqafimin e muzës, harrojeni atë për të cilin shkruani,
lexuesin, pasi nuk e vlen, shpesh ai është
i paditur, i mungon shija dhe formimi, injorojeni atë, poeti duhet të
jetë narcissist, t’i pëlqejë vetja, të ngazëllehet, emocionohet bile të mallëngjehet
nga bukurirat dhe mendimet e larta që shkruan. Mos u qederosni se ç’do te thonë
të tjerët, kritizerët, ziliqarët, ngjelkat e letërsisë,që do t’u quajnë
shkarrashkrues, zhgarravitës e letërnxirës su plas fare! Ata janë hiena që
ushqehen me kërmat e artit. Shpërfillini, ruani qetësinë. Ky është ekuilibri
shpirtëror, paqja e shpirtit krijues.
Cilat
janë rregullat, kush janë principet? S’ka rregulla, ska principe, quajini
dogma, me dogma nuk bëhet art. Thyejini kornizat, shkallmojini rregullat,
çlirohuni nga dogmat: rroftë liria e krijimit. Këputini zinxhirët. Duhet të
jeni novatorë, krijoni një gjë të re ,të paparë dhe gjithmone nje hap para nga
më të mirët. Anarkia është mëma e rregullit! Vargje të lira, vargje të thyera,
në daçi të shqyera, njëfjalëshe, njëshkollo0në, pa strofa, pa fillim e pa fund,
rroma për toma. Prozë dyste, pa shenja piksimi, pa paragrafë, fjalë pafund, pa
fillim e pa mbarim, diçka të pezullt, të ëndërrt si në ethe në kllapi e përçartje,
që lexuesi të çoroditet, por edhe të tronditet.Shkruani atë që ju as vetë nuk e
kuptoni, pasi paqartësia është vetë qartësia,
nuk mund të kthjellohet po s’u turbullua! Kërkoni dritën në errësirë dhe
errësirën në dritë. Pas kësaj famën e keni te dera dhe do të flitet vetëm për
ju! A nuk është kjo ajo, që keni ëndërruar?
Po
gjuha? O tempora, o mores! Flakeni
tej standardin, këputini prangat e tij, shkruani gjuhën e nënës, të fshatit, të
krahinës, bëhuni Buzukët e rinj, sa më shumë fjalë të panjohura e të
pakuptueshme aq më me vlerë të shkruarat. Le të mbeten gojëhapur si guakë gjuhëtarët.
Që të jesh shkrimtar i madh e poet i famshëm, nuk duhen më shumë se dyqind fjalë.
Mos e lodhni mendjen, të krihni dhe kërkoni fjalën, hidhini fjalët ashtu siç i
dini dhe si ju vinë. Silluni mbi to si kali në lëmë, ku përzjehen tok byku dhe
kokrrat! Mjaftojnë e teprojnë. S’ka fjalë të ndaluara, vetë ekzistenca e tyre është
liria e përdorimit. Fjalët më të bukura janë të shëmtuarat. Bukuria shkëlqen
nga shëmtimi dhe përçudnimi. Banaliteti dhe
natyralizmi është fisnikëri. Arti modern, nuk pranon finesë e delikatesë, por
vrazhdësi, e ashpërsi, abstraksion në formë dhe pakuptishmëri në përmbajtje.Të
të vërë në mendim, makar të të lerë edhe pa gjumë, por të mos ketë spjegim.
Përse
duhet të shkruani? Ah miq dhe mikesha të artit të letërsisë, temat janë pa
fund. Veteranë të nderuar, shkruani kujtimet sesi e keni vrarë kuçedrën, për
bukurinë e fshatit tuaj që e kapercen atë të Parisit. Ju gjuetarë, sesi e keni
rjepur lëkurën e ariut pa e vrarë atë, ju berberë si i rruani klientët pa i
lagur. Tregtarë të nderuar, si ua boshatisni xhepat klientëve tuaj. Shkruani për
gjëra që as i dini as i keni jetuar. Ju të rinj e të reja, s’keni pse të
lodheni. Shkruani për dashurinë, ngazëllimet, drithërimet e shpirtit lektisjet,
leqendisjet, tradhëtitë, çgënjimet, lotët dhe qurret, keni tema për gjithë jetën
dhe s’do ti mbaronit dot. Pa janë dielli dhe hëna, yjet dhe qielli, galaktikat
dhe universi, retë shiu dhe era, pemët , lulet, zogjtë dhe fluturat. Lum si ju
për begatinë e motiveve. Prozatorë: verini personazhet të bëjnë seks të egër, pasionant,
si i thonë anglezët”Hot” çvishini çipllak, rrëfeni gjithë imtësirat, saqë kur
ti lexojnë të moshuarit tu bjerë dambllaja, kurse të rinjve t’u ikë fiqiri.
Thurni rrjetën e intrigave, befasirave, krimeve të përgjakshme, të llahtarshme
dhe ligësive tmerruese. Zonja që jeni bërë
nëna, shkruani për tmerrin e urryer të dhimbjeve të lindjes, që vajzat të
llahtarisen e ta dine seç’i prêt, që jeta nis me një pellg gjaku, një lumë
qumështi dhe klithma e të qara.
Kur
duhet shkruar? Faleminderit që e bëtë këtë pyetje. Frymëzimi nuk njeh as kohë
as hapsirë. Mbani me vete një bllok shënimesh dhe shkruani kudo që ndodheni, në
kafe, në shëtitje, po ruhuni mos u shtypin makinat, në prag gjumi sa herë të
keni ngacmimin e muzës, të atij që quhet frymëzim. Shkruhet në letër, por edhe
në mendje. Por koha ideale është mesnata deri sa të këndojnë gjelat e parë.
Vetmia, qetësia e mistershme, shfaqia e gjerave si të mjegullta, të tymta, i
japin krijimit kuptim fluid. Sido që thonë se nata është ditë pa drita, nuk e
mendoj ashtu. As Shekspiri nuk e mendonte ashtu, në këtë kohë ai nxirte
shtrigat dhe fantazmat, shpirtrat e të vdekurve. Kur këndojnë gjelat, fantazmat
marrin arratinë, atëhere edhe ju ndërpriteni të shkruarit, dorzojani veten
gjumit, që edhe ai me ëndërrat është vazhdim i krijimit! Punoni punoni,punoni!
Shkruani, shkruani dhe shkruani! Arti është i pafund, jeta e shkurtër, ose si e
kanë thënë latinët”Ars longa vita brevis”Është
e trishtueshme por fatalitet, ç’do ditë që ikën është një ditë më pranë fundit!
Por ju mos e mendoni këtë se do të bini në pesimizëm. Arma juaj e përjetësisë është
arti!
Edhe
një porosi të fundit: Jini ambiciozë, se ambicja është forca e përparimit, por
mos jinni ziliqarë, mos i lini vend cmirës, se ajo është gërryese dhe ju dëmton
talentin dhe shëndetin. Qielli i letërsisë është i pafund.Aty ka vend për tërë
yjet. Në fejsbuk, në internet gazetat,
jepni pëlqime për të njohur e të panjohur, lavdërime, lavdërime pafund, edhe
kur është e zezë bëjeni të bardhë, edhe kur është e shëmtuar bëjeni të bukur,
edhe kur është marrëzi thoni që është mençuri, edhe kur nuk u ngjit dhe u prek
thoni se jeni shumë të emocionuar, jeni përlotur dhe gjë më të bukur s’keni
lexuar.Ky është lumturim për kolegët.
Kjo është alfa e përgatitjes suaj për të qënë kritikë…..
Fola
e fola sa mu mpiks pështyma e mu tha goja.
Kur
mbarova ligjëratën time akademikike, shpërthyen duartrokitje të forta, aq sa u
drodhën llampadarët dhe nga tavani ranë ca cefla gëlqere. Ata ishin të lumtur
se dëgjuan atë që dëshironin dhe unë ngaqë mu dha rasti të shisja diturinë dhe
shtuar famën time.
Veprimtarinë
e dha të plotë televizioni lokal “Alfa & Omega”, kurse gazetarja e shquar Olta
Fusha, më mori një intervistë me titullin”Manifesti i artit modern” që bëri
jehonë të madhe.
Pata
edhe ca telefonata nga ca fanatikë dogmatikë që më bënë rrezil, por mua më
është bërë lëkura shuall dhe nuk dua t’ia di nga ca të tillë mëndje mukur.
Miqtë
e mi, fama ka çmimin e saj!
Tiranë, dhjetor 2015