Speciale
Dorian Koçi: Kontaktet politike e ushtareke arbërore-hungareze
E shtune, 08.07.2023, 08:26 PM
KONTAKTET POLITIKE E USHTARAKE, ARBËRORE-HUNGAREZE GJATË MOTIT TË MADH
Nga
Dorian Koçi
Kontaktet
arbërore-hungareze duhet të kenë qenë të hershme, që në momentet kur kurora
hungareze zotëronte territore të gjera të Kroacisë dhe të Bosnjës së sotme.
Dokumentacioni në dispozicion nuk na ndihmon shumë në këtë drejtim, por duke
ditur se prania e arbërve qoftë si qytetarë, apo si tregtarë dhe udhëheqës
ushtarakë të Republikës së Raguzës ka qenë relativisht e madhe, mund të
sugjerojmë se ka pasur një kontakt të ngushtë mes tyre.Gjithësesi këto kontakte
do të marrin një rëndësi edhe më të madhe politike dhe ushtarake sidomos në
shekullin XV, kur territoret e Arbërit dhe të Hungarisë ishin nën kërcënimin e
drejtpërdrejtë të osmanëve. Më 1439 veprimtaritë e trupave osmanne erdhën duke
u intensifikuar në Serbi, pranë kufirit jugor të Hungarisë. Në pranverë të po
atij viti sulltan Murati II sulmoi dhe pushtoi rajonin në lindje të lumit
Morava. Në të njëjtën kohë disa prej vasalëve të osmaneve po shkretonin pjesët
perëndimore të mbretërisë së Serbisë. Sulltani rrethoi kryeqytetin e Serbisë,
Smederevon. Despoti serb Gjergj Bankoviç ia besoi mbrojtjen e kështjellës së
birit, Gregorit, dhe ungjit të tij, Thoma Kantakuzenit, ndërsa për vete u
strehua në Hungari tok me djalin e vogël dhe gjithë çmund të mbartë me këtë
rast. Në shpurën e tij bënin pjesë edhe shumë fisnikë hungarez. Kjo e fundit,
gjatë mbledhjes së Dietës të mbajtur në Bude më 29 maj 1439, vendosi që të
organizojë një fushatë kundër osmanëve për të zhdukur rrezikun që i kanosej
Beogradit, çfarë e bënte jo dhe aq për tu ardhur në ndihmë serbëve. Në të
vërtetë Dieta vendosi që mbreti të shkonte në luftë vetëm me ushtrinë vetjake dhe
me forcat e fisnikërisë së madhe e të prelatëve, pa pasur të drejtë të
thërriste nën armë të gjithë fisnikët, me përjashtim të rasteve tejmase të
ngutshme, as të kërkonte taksa të përgjithshme për të pajtuar mercenar. Është pikërisht ky momenti kur fillojnë dhe
kontaktet e para arbëre-hungareze për të organizuar një rezistencë të
përbashkët. Në thelb, ky bashkëpunim do të mbështetej mbi sferën e përbashkët
kulturore, pasi të dyja territoret përkisnin në nocionin gjeografik e kulturor
të Europës. Familjet fisnike arbëre ishin përfshirë në atë, çka po përbënte
idetë e para të Rilindjes Europiane, një lloj ringjallje të së kaluarës së
lavdishme së kulturës së antikitetit dhe lidhjes së origjinës së tyre me heronj
të asaj periudhe. Familjet fisnike arbëre fillojnë të mbajnë anale dhe kur
botohen veprat e tyre më vonë, si ato të Engjëllorëve, p.sh - një familje
fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me
trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme
në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë e
identitetit që këto familje fisnike ndiejnë, por edhe sepse ato përfshihen në
afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera europiane duke përforcuar kështu
idenë europiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Europës, por që
ushqehet rrugës edhe me mite të rinj.
Kontaktet
e para diplomatike shqiptaro-hungareze mendohet se janë vendosor për herë të
parë pikërisht në fillimet e epokës së Skënderbejane. Protagonistët kryesorë të
tyre kanë qenë Heroi ynë Kombëtar Gjergj Katrioti Skënderbeu (1405-1468) dhe
mbreti polak Vlladisllavi III (1424-1444) dhe regjenti hungarez, governatori i
Transilvanisë Janosh Huniadi, sundues të shtetit polako-hungarez. Kryeqyteti i
këtij shteti ishte me rotacion, njëherë Krakovi i Polonisë dhe herën tjetër
Buda i Hungarisë. Fillimet e fitoreve të Janosh Huniadit në digën danubiane
përforcuan autoritetin e mbretit polak Vladislav në Hungari dhe ngjallën
shpresat tek popullsitë e Ballkanit që ishin nën zgjedhën osmane. Popullsitë e
krishtera të Ballkanit, e sidomos ato të vendeve kufitare me rajonet që kishin
pushtuar osmanët, vuanin nën arbiritretin dhe dhunën ndaj tokave të pushtuara
që ende nuk kishin pranuar Islamin apo nuk kishin realizuar një armëpushim me
Sulltanin. Në ligjin klasik islamik, ndarjet kryesore tëterritoreve që sundonte
Sulltani ishin si më poshtë: Dar al-islam (territori i Islamit / nënshtrimi
vullnetar i Zotit), duke treguar rajone ku mbizotëronte ligji islamik, dar
al-sulh (lit. territori i traktatit) që tregon - Tokat joislamike të cilat kanë
përfunduar një armëpushim me një qeveri myslimane, dhe dar al-harb (territor i
luftës), që tregon vendet fqinje jo-islamike sunduesit e të cilave thirren të
pranojnë Islamin. Inkursionet e osmanëve, gjithnjë më të shpeshta në atë kohë,
shkatërronin fshatra e qytete dhe me mijëra njerëz ishin shndërruar në
skllevër. Tregtarët u shmangeshin zonave që qenë vazhdimisht të kërcënuara.
Jeta ekonomike ishte e trazuar, skamja sa vinte e rritej. Mund të shtohej edhe
fakti që njerëzit asokohe nuk arrinin ta kuptonin, çfarë do të bëhej e qartë
vetëm falë perspektivës historike, se sundimi osman ushtronte ndikim negativ
mbi jetën e popujve të pushtuar ngaqë osmanët kishin një regjim feudal-ushtarak
i cili nuk merrej aspak me organizimin e prodhimit, nuk merrte masa për ta
nxitur, po vetëm synonte të shfrytëzonte popullsinë e nënshtruar. Ushtria
osmane dhe punonjësit civile qenë të pandershëm dhe të korruptuar, abuzonin
shumë me njerëzit duke e përkeqësuar kësisoj gjëndjen ekonomike dhe duke e çuar
mbrapa kulturën në vend. Marrëdhëniet arbëre-hungareze u zhvilluan në harkun e
viteve 1440-1460 kur Hungaria nën udhëheqjen e Janosh Huniadit ndërmorri
ofensivën e madhe në brigjet e Danubit, Serbi e Varnapër të dëbuar osmanët nga
Ballkani. Në vjeshtën e vitit 1443 po përgatitej beteja e madhe e Nishit, midis
forcave të Unionit Polako-Hungarez dhe atyre të Perandorisë Osmane. Në këtë
betejë Skënderbeu braktisi forcat osmane dhe u kthye në Krujë më 28 Nëntor
1443. Marrja e kështjellës së Krujës shënon fillimine kryengritjes arbëre
kundër osmanëve duke ndërtuar tashmë krahas digës antiosmane të Danubit dhe atë
të Adriatikut. Edhe pse në pamjen e parë mund të duket si një aksion i
koordinuar dokumentacioni historik nuk dëshmon një kontakt të drejtë për së
drejt midis Huniadit dhe Skënderbeut. Në veprën e Marin Barletit, “Historia e
Skënderbeut” (1508-1510) përmendet se Skënderbeu duhet të kishte qenë i
informuar rreth ofensivës dhe planeve të Huniaditdhe Gjergj Brankoviçit dhe në
fakt ai duhet të ketë bërë marrëveshje me ta, por ky konstatim është më tepër
një hipotezë e Barletit sesa mbështetet në një dokumentacion historik. Barleti mund të ketë pasur informacion të
besueshëm por gjithësesi narrativa e tij historike nuk mund të merret si një
provë në vetvete e një marrëveshje mes Huniadit dhe arbërve. Në pranverën e
vitit 1444 rezistenca arbëre u institucionalizua me themelimin e Lidhjes së
Lezhës (2 mars 1444) dhe në pritje të invazioneve osmane ishte e natyrshme që
Skënderbeu të shikonte për një aleancë të qëndrueshme te Huniadi dhe kurora
hungareze. Skënderbeu, pavarësisht dëshirës së mirë, të shprehur në letrën e
tij, nuk mundi dot t’i bashkohet koalicionit europian, të udhëhequr nga mbreti
Vladislav III në Varnë të Bullgarisë. Barleti njofton se despoti i Serbisë,
Gjurad Brankoviç e pengoi kalimin e arbnorëve drejt Varnës. Në mungesë të
dokumenteve, historia e ka lënë me kaq këtë çështje.
Dy
fushatat e mëdha të ushtrisë së krishterë të përbashkët, të përbërë nga elementë
të ndryshëm prej kombësive europiane, nën udhëheqjen e mbretit të Polonisë dhe
Hungarisë, Vladislavit III, të quajtur të Varnës (i biri i Vladislavit II
Jagellonit) dhe të vojvodës së famshëm transilvan, Janosh Huniadit, i
nxitëndëshirat e popujve ballkanas për t’u çliruar, duke sprapsur me luftë të
armatosur rrezikun osman. Më 16 tetor
1444 ushtria hungareze mbërriti në Nikopolis dhe pasi ndenji aty tri ditë,
vazhdoi rrugën e vjetër romake drejt bregut të Detit të Zi, duke pushtuar,
grabitur e shkretuar shumë qytete e kështjella. Përballë Varnës kjo ushtri
arriti më 9 nëntor dhe, po atë natë, ushtarët nga larg panë zjarret e ushtrisë
së Sulltanit. Ishin vetëm 16.000 ushtarë të përbërë nga trupat e mbretit
Vladislav, ato të siguruara nga kardinali Cesarini, trupa translivane dhe
rumune, kroate dhe vllahe. Kjo ushtri modeste duhej të mbante shpresën te
përforcimet që duhej të vinin nga zbarkimi i galerave burgunde e atyre papnore.
Sipas planit të Cesarinit, trupat e zbarkuara nga flota do t’u dilnin nga pas
otomanëve, duke i vënë mes dy zjarresh. Mirëpo flota nuk kishte mundur të
mbërrinte në kohë dhe Murati II, i cili qe rikthyer në fron me urgjencë, kishte
mundur që t’i kalonte trupat e tij në kontinentin europian me ndihmën perfide
të galerave gjenoveze. Fatkeqësisht,
kryqëzata europiane dështoi dhe mbreti Vladislav III u vra më 10 nëntor 1444.
Burimet historike otomane nuk e fshehin mendimin se fati i luftës ishte me
ushtrinë e krishtere që në fillim të betejës. Epërsia e saj ia prishi mendjen
dhe vetë Sulltanit, që po matej të kriste e të ikte. Kthesa e betejës në
kronikat otomane parashtrojnë ndërhyrjen e perëndisë në fatin e betejës. Mbreti
Vladislav III, i fryrë nga mburrja, vendosi t’i shkatërronte ai vetë
kundërshtarët dhe u vërsul kundër trupave të Muratit. I gozhduar midis një
jeniçeri dhe një azapi, që i vranë kalin, ai tanimë ishte pa kalë. JeniçeriKoca
Hidir ia preu kokën dhe ia dërgoi Sulltan Muratit. Marcin Bielski, humanisti polak, në veprën e
vet, “Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, princin shqiptar” shkruan se Skënderbeu me
njerëzit e tij nuk mundi të ishte në kohë në këtë betejë sepse për të vajtur në
Varnë duhet të kalonte përmes Serbisë dhe Bosnjes dhe Despoti i Serbisë në
tokat e tij i krijoi vështirësi e vonesa të panumërta. Kur dëgjoi se hungarezët
u mundën dhe mbreti mbeti i vrarë, u zhyt në dëshpërim e vajtoi. Tri ditë nuk
hëngri e nuk piu dhe me asnjë njeri nuk bisedoi ngaqë ndiente keqardhje. Ky relacion i Bielskit konfirmon edhe një
herë tjetër letrat e shkëmbyera midis mbretit Vladislav III dhe Skënderbeut, si
edhe dëshirën e të dyve për të ndërtuarnjë aleancë të ngushtë antiosmane. Por
detaji më interesant në këtë libër është pasazhi, ku shkruhet se ndoshta një
pjesë e shpëtuar e ushtrisë së Unionit Polako-Hungarez gjetën strehë edhe në
Shqipëri. Luftëtarët e ushtrisë hungareze, shkruan Bielski u shpërndanë. Disa
shkuan dhe në Shqipëri. Këtu Skënderbeu i strehoi, i ushqeu, u kuroi plagët, u
garantoi siguri, u dha dhurata, pavarësisht cilës kombësie i përkisnin. Deri më tani nuk ka të dhëna dokumentare të
tjera që ta vërtetojnë këtë fakt, por nuk përjashtohet mundësia që një
kontigjent i shpëtuar i ushtrisë hungarezo- polake të ketë arritur në portet e
Arbërisë me anijet veneciane. Në këtë rast, prania e këtij kontigjenti të
ushtrisë polake do të përbënte edhe vendosjen e kontakteve të para të
drejtpërdrejta midis ushrisë së Skënderbeut dhe ushtrisë hungarezo-polake.
Mirëpo pavarësisht këtyre burimeve të tërthorta historike nuk ka gjurmë në
dokumentacion që të shkëmbimit të ambasadorëve apo dërgatave diplomatike në
këtë periudhë dy vjeçare 1444-1446 midis Skënderbeut dhe Huniadit. Vetëm në
vitin 1447, në prag të fushatës së Huniadit në Fushë-Kosovë ka dy burime
historike që dëshmojnë për planet e bashkëpunimit midis dy heronjve të krishtërimit.
Burimi i parë historik është historiani bizantin Chalkokondyles i cili
shkruajti në 1460 se Huniadi dërgoi lajmëtarë tek Skënderbeu dhe Araniti, sepse
qëllimi i tij ishte të bashkonte forcat me ta ndërsa ishin duke depërtuar
thellë në Europë. Për këtë arsye ata (Skënderbeu dhe Araniti) ishin informuar
më parë.
Ky
bashkëpunim shikohej në fakt në kuadër të një gjeostrategjie më të madhe
paneuropiane rreth rrezikut otoman sesa një bashkëpunim lokal administrativ
midis Hungarisë dhe Arbërisë. Plani i Janko Hunyadit ishte ti dëbonte osmanët
nga Europa në disa faza. Hapi i parë, i cili duhej të realizohej në vjeshtë të
vitit 1448 me ndihmën e Skënderbeut, ishte pushtimi i Maqedonisë dhe i portit
të Selanikut. Duke marshuar drejt jugut të Serbisë dhe duke bashkuar forcat me
ushtrinë e arbërve, ai kishte për ti ndarë më dysh zotërimet e Perandorisë
osmane në Europë. Duke pushtuar Maqedoninë, Arbëria ishte e mbrojtur nga sulmet
e reja të osmanëve; Selaniku mund të shëndërrohej në një bazë për flotat e Venedikut
dhe të Aragonës me synimin për të bllokuar Ngushticat dhe një pikënisje, në
stere, për të ndërmarrë një sulm vendimtar në drejtim të Adrianopojës. Një urë lidhëse tepër e rëndësishme midis
Arbërisë dhe Hungarisë ishte Mbretëria e Napolit, shtet që nën udheheqjen e
Alfonsit të Aragonës kish zhvilluar një politikë aktive antiosmane në rajonin e
Europës Lindore. Mirëpo kjo politikë dhe ekspansion i Mbretërisë së Napolit në
Europën Lindore zhvillohej në rivalitet me politikën dhe ekspansionin
territorial që kishtë në këto territore Republika e Venedikut. Vetë konflikti
me Venedikun që pati Skënderbeu në 1448 shikohej si një reflektim i këtij
rivaliteti ku Princi arbër i zhgënjyer nga ndihma e deri atëhershme venedikase
filloi të ndërtonte themelet e një politike të jashtme të lidhur ngushtë me
Mbretërinë e Napolit. Ishte pikërisht ky konflikt qëvonoiSkënderbeun dhe fuqitë
arbëre që komandonte të bashkoheshin me fuqitë e Huniadit në Fushë Kosovë.
Pavarësisht faktit që në Traktatin e Paqes së nënëshkruar midis prijësve
shqiptarë dhe Venedikut në 4 tetor 1448 sh kruhej se gjithashtu , mbasi kanë
pleqëruar në mes tyre zotërinjtë e sipërshënuar të Shqipërisë dhe kanë vendosur
që i sipërshenuari zoti Skënderbe të shkojë ai vetë me sa më shumë ushtri që të
mundet për t’u bashkuar me zotin Janus(Janosh Huniadi) i përmenduri zotërim i
Venedikut duhet të urdhrojë t’i jepen e ti dorëzohen të përmendurit Skënderbe,
për llogari të shpërblimit të tij, brenda 15 ditëve një mijë e katërqind dukatë
që do të zbriten nga shpërblimi i tij ,ushtria arbëre nuk arriti të ishte e
pranishme në betejë. Një shkak tjetër i
pranuar gjerësisht nga historianët ishtedhe neutraliteti i Despotit Serb George
Brankovic (1377 –1456) që pengoi akoma më seriozisht që forcat arbëre të
bashkoheshin me ato hungareze në Fushë-Kosovë. Arsyet e këtij qëndrimi të
Despotit Serb ndaj fushatësantiosmane hungareze shtriheshin sa diplomatike po
aq dhe fetare. Ai nuk i zinte besë plotësisht Hunyadit. Druhej se pas
përpjekjeve për çlirim guvernatori i Hungarisë fshihte synimin për të
nënshtruar popujt e Ballkanit. Frika e tij ushqehej edhe nga ndryshimi i
besimeve. Pas koncilit të Firences në 1439 kur papa ti kishte manifestuar
haptazi qëllimin për të përfituar prej vuajtjeve të popujve të Lindjes për ti
kthyer ata në katolicizëm, serbët – popullsi ortodokse –shpesh shihnin te
ndihma e ofruar nga një vend katolik një orvatje të fshehtë për ti kthyer në
katolicizëm. Madje edhe në këngët popullore serbe rreth Janko Huniadit – të
cilin ata e thërrasin Jank Sibiniani –ngandonjëherë ai na paraqitet si një
kryqtar fanatik që rrihte të kthente me forcë në katolicizëm popujt e çliruar
prej ushtrisë së tij. Fushata e vitit
1448 e ndihmoi luftën e popullit arbër, edhe pse nuk jemi në gjëndje të pohojmë
ekzistimin e një aleancë formale. Aty nga fundi i pranverës së vitit 1448 i
vendosur t’i jepte fund “rebelimit” të arbërve, sulltani e sulmoi Skënderbeun
me një ushtri prej afro 100.000 vetash. Ai pushtoi disa lokalitete dhe rrethoi
Krujën, qendrën kryesore të qëndresës por nuk mundi ta pushtonte. Lajmet e
përgatitjeve të Hunyadit, por edhe arsye të tjera të mundshme, bënë që sulltani
të vendoste ta ngrinte rrethimin e Krujës dhe gjatë muajit gusht të tërhiqej
nga Arbëria .
Ushtria
hungareze depërtoi në thellësi të mbretërisë serbe duke mos hasur forca osmane
çka e dobësoi dhe vigjilencën e tyre. Më 28 shtator nisi marshimin në drejtim
të jugut, nga vendi ku lumi Morava shkon e derdhet në Danub. Më pas zbriti në
luginën e lumit Lab dhe në më pak se dy ditë arriti në Fushën e Mëllenjave. Kjo
ka ndodhur më 14 ose 15 tetor 1448. Një gabim që beri Janko Huniadi gjatë
marshimit për më shumë se 300 kilometra në territorin e armikut – pavarësisht
nga përvoja e gjatë – ishte organizimi i keq i shërbimit informativ lidhur me
lëvizjet e osmanëve.Mendohej që Janko Huniadi të takohej me Skënderbeun pa
mbërritur te qafat që të nxirrnin në luginën e Vardarit, drejt Maqedonisë. Ai
qëndroi në mënyrë që ushtria të pushtonte për pak ditë, në veri të Fushës së
Mëllenjave, pranë Prishtinës. Mirëpo osmanët
që ishin lajmëruar më parë nëpërmjet shërbimit të tyre të informimit kishin
marrë masat për t’u prerë rrugën forcave hungareze në Fushë-Kosovë.
I
përballur me shfaqjen e papritur të osmanëve, Janko Huniadi kishte dy
rrugëdalje: ose tërhiqej drejt jugut, të përshpejtonte kësisoj bashkimin e
forcave me Skënderbeun, ose t’u bënte ballë në vend, në pritje të ardhjes së
arbërve, të cilët nuk mund të ndodheshin larg. Guvernatori e hodhi poshtë idenë
e tërheqjes në drejtim të jugut. Një gjë e tillë kishte për të qenë
demoralizuese për ushtarët kur ta shihnin veten të ndjekur nga armiku në një
territor të panjohur për ta dhe në drejtim që i largonte edhe më nga vendi i
tyre. Në të njëjtën kohë, kishte për të qënë e vështirë të shmangej një sulm i
osmanëve me ushtrinë të rreshtuar në pozicion marshimi, duke krijuar një
situatë që sillte humbje të sigurt. Kundrejt lumit Sitnica, në krahun e djathtë
të ushtrisë osmane, ishin vendosur trupat e Anadollit, të komanduara nga
bejlerbeu i ri, Sgur-pasha me origjinë arbërore. Beteja u zhvillua e ashpër, por hungarezët
humbën, osmanët vranë shumë fisnikë hungarëzë gjatëtërheqjes dhe vet Huniadi ra
rob te zotërimet e George Brankovic. Humbja ushtrisë hungareze në Fushë-Kosovë
në 1448 i privoi forcat e koalicioneve antiosmane evropiane nga ofensiva e
sulmit dhe dëbimit të otomanëve nga Ballkani dhe tashmë Huniadi do mbronte me
sukses zotërimet hungareze ashtu si dhe Skënderbeu principatën e vet.
Vetëm
në vitin 1455 pas shpalljes si Papë të Romës të Papa Kalistit III ideja e një
kryqëzate të organizuar do të zinte vend sërish në mendimin dhe aksionin
politik të vendeve evropiane, ku sërish do kryqëzoheshin fatet e rezistencës
arbëre dhe hungareze. Ai ishte ideatori dhe organizuesi i ndërmarrjes së një
kryqëzate, e cila u quajt "Liber Brevium Callisti III". Kardinalët
dhe predikuesit iu drejtuan turmave popullore, duke u bërë thirrje "të
rrokin kryqin" për të luftuar armiqtë e besimit. Kontigjenti më i madh i
kryqtarëve u mblodh në Gjermani, Bohemi dhe Hungari në sajë të predikimeve të
fratit Xhiovani da Kapistrano. Rezultati
i parë i kësaj mbështetjeje qe pjesëmarrja e këtij kontigjenti forcash në
marrjen e Kështjellës së Beogradit nga ana e forcave hungareze, me në krye
Janosh Huniadin më 6 gusht 1456. Më 6 gusht 1456, në të kremten e
shpërfytyrimit të Krishtit, mbërriti në Romë lajmi se turqit qenë thyer në
Beograd. Me këtë rast, papa organizoi festime falënderimi për ushtarët e
kryqëzatës, sepse Beogradi ishte etapa e parë. Tashmë lipsej të marshonte drejt
Konstandinopojës dhe Jeruzalemit.
Mirëpo, pavarësisht kësaj ndërmarrje dhe angazhimi papnor për të
mbledhur njerëz për Kryqëzatën duhet pranuar se dukej se mungonte në angazhimin
e vet pothuajse e gjithë fisnikëria, që asaj kohe zotëronte gati përjashtimisht
ndaj shtresave të tjera, profesionin e përdorimit të armëve; për shembull në
betejën e Beogradit ku kryqëtarët luftuan trimërisht dhe fituan, nuk kishte mes
tyre asnjë fisnik, por vetëm artizanë dhe fshatarë. Në këtë kontekst europian të përpjekjeve të
papa Kalistit III për organizimin e një kryqëzate të sukseshme, Skënderbeu dhe
Arbëria kishin pasur një interes maksimal për të pasur pjesë të rëndësishme në
të. Skënderbeu pati pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik 1455 dhe pati
luhatje të pushtetit të tij pas tradhtive të nipërve të vet, Gjergj Stres
Balshës, që kish dorëzuar kështjellën e Modricës më 1456 dhe Hamzait më 1457.
Por pas fitores mbi ushtrinë osmane të udhëhequr nga Isak Bej Evrenozi,
(gjenerali osman më me përvojë përsa u përket betejave me shqiptarët dhe i
këshilluar ngushtë nga Hamza Kastrioti), në Betejën e Albulenës, Skënderbeu
fitoi sërish mbështetjen e vazhdueshme të Papa Kalistit III dhe mbi të gjitha,
vlerësimet pozitive në të gjitha oborret e Europës përmes korrespondencës të
Papës me këto oborre për t’i tërhequr në politikën e tij antiosmane. Në planin
teorik të kryqëzatës, Skënderbeu zinte një rol kryesor në rreshtimin e forcave:
Arbëria dhe forcat e tij gjendeshin në linjën e parë. Për Shqipërinë u caktua
si nunc për kryqëzatën, ipeshkëvi i Krajës, Pal Engjëll-Dushi, i cili do të
vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në
Dalmaci dhe në Serbi, besojmë, ndoshta për të mbledhur në të parën ndihma për
Shqipërinë, e në të dytën, për të mbështetur pozicionin e saj të lëkundur e
kësisoj, drejtpërdrejt të rrezikshëm për Shqipërinë. Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu arriti ta mposhte pushtuesin me zotësinë e tij. Kështu
shembulli i tij, nga motiv ndihmash, u shndërrua në motiv inkurajimi për
princat e krishterë në luftën kundër osmanëve. Ky fakt duket qartë në letrën që
papa Kalisti III i dërgonte mbretit të Hungarisë, Matia Korvinit: Falë fitoreve
të tjera të arritura nga biri ynë i shtrenjtë, fisniku Skënderbe i Shqipërisë
kundër turqve, forcat e armikut duhet të jenë ligështuar në maksimum . Në vijim
Papa Kalisti III flet me superlativa për Skënderbeun, duke e quajtur atë
kavalier trim dhe atlet i Zotit: Në Shqipëri, kavalieri dhe atleti i Zotit,
Skënderbe, forca dhe qëndresa jote shpirtërore, që ti vë në veprim kundër
turqve dhe lëngesat e vazhdueshme që ti duhet të përballosh... I falemi Zotit
për vendin tënd, që të ka vendosur për të qëndruar si një pendë dhe një mur i
fuqishëm, mbi të cilin turren duke u mundur shpesh, për të dhënë lavd e nderim
të jashtëzakonshëm, armiqtë me të cilët lipset të përleshesh edhe trup me trup.
Ah, sikur të kishim edhe të tjerë me vlerën tënde, mes princërve kristianë, për
të mos qenë kaq të ankthshëm e kaq të shqetësuar për mbrojtjen e besimit tonë!
Kjo korrespodencë inkurajuese i drejtohej Matias Korvinit për ta tërhequr në
kryqëzatë, pasi menjëherë pas fitores së Beogradit, nga kufomat e shumta, si
edhe nga mungesa e ushqimeve shpërtheu murtaja. Midis shumë të tjerëve kishte
vdekur dhe Janosh Huniadi më 11 gusht 1456 çka e kishte komplikuar shumë fatin
e kryqëzatës së porsafilluar. Lajmi i vdekjes së Huniadit tronditi gjithë botën
evropiane të krishterë.Madje edhe njeriu që ai e kishte mundur, Mehmeti II, u
prek nga vdekja e Huniadit duke thënë se qysh nga agimi i kohërave nuk kishte
pasur ndonjë burrë që ti shërbente më mirë kauzës së tij. Trupi i heroit u soll
në Transilvani dhe u varros në katedralen katolike në Alba Julia, ku dhe sot
mund të shihet rrasa e bukur e vendosur mbi varrin e tij pas disa vitesh. Edhe
pas vdekjes ai qëndroi në Transilvani, ku edhe ishte ngritur në majat e lavdisë
prej përkushtrimit të njerëzve, të cilët i ranë pas dhe e ndoqën në betejat në
të cilat Huniadi u priu me trimëri dhe zotësi të pashoqe. Pas vdekjes së Huniadit, djali i tij mbreti
Mathias Corvini ndoqi një politikë të përqendruar më së tepërmi në zotërimet e
tij sesa në mbështetje të koalicioneve evropiane antiosmane. Kjo ishte arsyeja
që papa Kalisti III në subvencionet e mbledhura në Dalmaci urdhëroi të
ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet mbretit të Hungarisë, mbretit të
Bosnjës, si edhe Gjergj Kastriotit të Shqipërisë. Mbreti i Hungarisë, Matthias
Corvinus (1458–1490) nga botëkuptimi i përkiste Rilindjes Europiane: Ai kishte
një nga bibliotekat më të pasura në Europë që ia kalonte vetëm ajo e Vatikanit.
Ai kishte arriturnjë administrim të përsosur të vendit dhe ishte përkrahës e
mbrojtës i arteve të bukura. Gjatë kohës së tij, aleancat dhe vizitat e
ndryshme të europianëve rritën interesimin për Europën në këto territore. Për
fat të keq, pas vdekjes së Huniadit, qëndresa hungareze nuk do të jetë aq e
fortë, sa pati qenë nën udhëheqjen e tij dhe pesha e veprimeve luftarake kundër
osmanëve do të përqëndrohet në Arbëri e More, ku jeton një numër i madh
popullsie arvanitase.
Mbreti
i ri i Hungarisë Matthias Corvinus do të negociojë me Skënderbeun në 1459
nëpërmjet Vendedikut por gjithmonë me dëshirën për të përforcuar pozitat
hungareze në Kroaci dhe Bosnjë pas shkatërrimit të Serbisë nga otomanët dhe
humbjes së kontaktit të drejtë për së drejtë me territoret e Skënderbeut.
Corvinus nuk gjendej në pozita të favorshme brenda Hungarisë dhe nuk dëshironte
të ndërmerrte aksione luftarake jashtë mbretërisë së tij. Shpresat për një
alencë të re me Skënderbeun u ringjallën nëvjeshtën e vitit 1464 kur pas
përpjekjes së dështuar të otomanëve për të pushtuar Jajcen në Bosnjë, ai
ndërmorri një ofensivë të re për të zgjeruar territoret e sundimit të tij në
Bosnjë. Në fakt Republika e Venecias ishtë për të dytin vit radhazi në luftë me
otomanët dhe në alenca formale me Hungarinë dhe për këtë arsye ata i kërkuan
Corvinusit që nën shembullin e babait të vetë të bashkonte forcat me arbërit,
të hapte frontin e dytë me otomanëtdhe të lehtësonte në këtë mënyrë venedikasit
që ishin të anagazhuar me luftime me otomanët në More. Matthias Corvinus duket
që të ketë kontaktuar sërish Skënderbeun me një propozim për një aksion
ushtarak të përbashkët: qëllimin e të cilit është e vështirë për ta dyshuar. Si
duket ka qenë lajmi i vdekjes së Papa Piut II në fillim të shtatorit që e bëri
atë që ta braktiste planin e ofensivës së përbashkët me venedikasit dhe arbërit
dhe të kufizohej në mbrojtjen e zotërimeve të tij në Bosnjën e veriut. Mattias
Corvinus vazhdoi të ishte në kontakte diplomatike me Venedikun dhe Skënderbeun
por tashmë ishte një realitet i njohur se qëllimi i tij ishte të përforconte
pozitat e mbretërisë hungareze në Bosnje dhe Hercegovinë. Për këtë arsye është
e vështirë të besohet se ai hyri në një marrëveshje alence me Skënderbeun në
vjeshtën e vitit 1466 si përmendet në një burim historik nga mediavelisti Pall.
Asnjë ndihmë efektive nuk iu dha Skënderbeut dhe në gusht 1466 ishte pothuajse
një fakt i njohur në Itali se Mbreti i Hungarisë nuk do të kalojë lumenjtë
Drava dhe Sava në fushatë kundër otomanëve në këtë vit. Pavarësisht se Mattias Corvinus e la
Skënderbeun ashtu si dhe serbët dhe boshnjakët më parë në fatin e vet qëndresa
arbëre do të vazhdojë deri në fund të shekullit XV, çka do të bëjë që
inkursionet osmane drejt Italisë të mos jenë të sukseshme dhe në kujtesën kolektive
shqiptare, kjo luftë do të hyjë si “Moti i madh”. Në vitet e Rilindjes
Kombëtare, motivet historike, politike e kulturore të kësaj kohe do të bëhen
motivet kryesore të zgjimit kombëtar dhe sëbashku me to edhe të idesë europiane
mes shqiptarëve. Marrëdhënieve arbëre-hungareze do trajtohen në Këngën VIII të
“Istorisë së Skënderbeut” (1898) të Naim Frashërit duke ngulitur në memorien
kolektive të shqiptarëve themelet e një miqësie dhe aleance të ngushtë.