Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Lamtumirë Rifat Buzuku
E merkure, 07.12.2022, 07:56 PM
NGA KËNDI IM I PIKËLLIMIT (Lamtumirë Rifat Buzuku)
Për
familjen e ngushtë dhe të gjerë Buzuku, erdhi një valë pikëllimi për shuarjen e
familjarit të çmueshëm të tyre, gazetarit Rifat Buzuku. Ky njoftim ishte
goditje edhe për mua!
Rifati
i kapërcente caqet tona individuale dhe, interesimet e tija për vendlindjen,
për Gjilanin dhe Kosovën, kapin dhe
përmasën kombëtare.
U
pikëllova për ikjen e Rifatit, i cili në fillim të verës sivjetme, më pat
premtuar se do të vinte në Gjilan dhe do të takoheshim, sikurse herave të
mëparshme dhe, të shkëmbenim pikëpamje, pikë-afrime e pikë-mospajtime për gjithçka
ngërthen fati ynë, fati i popullit tonë. Kishin kaluar vite, që nuk u pamë me
Rifatin, ngase kultivuam afri të gjatë e të ndërsjellë... E rëndë ishte
tragjedia e djalit të Rifatit në Vjenë!... Prej atëherë e kam pasur një qasje
me takt të butë e të dhimbshëm ndaj të ndjerit. Disa herë para mbërritjes në Aeroportin "Adem Jashari" të
Kosovës, Rifati më çonte fjalë për ta pritur në këtë aeroport dhe, të
çmalleshim bashkë, por edhe me prani familjarësh mes nesh. Kam shumë kujtime
për Rifatin dhe, në të gjitha ato
kujtime tash shtrihet pikëllimi im. Kishim mirëkuptim edhe për ndonjë
mospajtim, por asnjëherë nuk e harruam njëri-tjetrin... Asnjëherë nuk shkëputej
shpirtërisht nga Gjilani e Kosova, nëse ishte shkëputur fizikisht. Brengosej
për rrjedhat në Kosovë, kur sipas tij, nuk rridhnin të mbara. Notat për
mbarëvajtjen e shtet-ndërtimit tonë i kishte kritike, por të sinqerta.
Ai
në Vjenë ishte një lloj strehe për shumë figura të artit e të politikës, para
shpërthimit të Luftës së UÇK-s, edhe në periudhën e paqes. Madje, i ndjeri u
përpoq të ndërmjetësonte për vënie kontaktesh me figura diplomatike të shtetit
të Austrisë me veprimtarë të Kosovës,
për përkrahjen ndaj çështjes legjitime
të Pavarësimit të shqiptarëve nga pushtimi i gjatë dhe gjakatarë i Serbisë.
Rifati nuk ishte emër i panjohur në qarqet e mërgatës në Austri. Ai punoi në
njërën nga radiot e Vjenës. Karrierën e daljes nga anonimiteti e kishte nisur
si boksier i Klubit të Boksit në Gjilan, për ta vijuar në gazetarinë e Kosovës
pastaj përfundimisht në Vjenë.
E
posaçme ka qenë qasja e Rifat Buzukut për vendlindjen e tij, për Gallapin, për
atë malësi të virgjër dhe bujarinë e saj; për atë natyrë të pastër, por dhe për
përjetimet e një fëmijërie të varfër, ndonëse shumë të dashur. Përherë kujtimet
e mbanin pezull për këtë natyrë tashmë të shpopulluar.
Gjilan, më 6 dhjetor 2022
Mehmetali Rexhepi