Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Intelektuali quhej Salman Ruzhdie
E shtune, 13.08.2022, 08:59 PM
Blerim Latifi:
Pranverë
e vitit 1999. NATO ka filluar sulmet mbi caqet e ushtrisë serbe për të ndaluar
fushatën e krimeve të saj mbi popullin shqiptar në Kosovë. Millosheviqi jep
urdhërin fatal: spastrimin total etnik të Kosovës. UÇK e mbetur pa armatime bën
të pamundurën të rezistojë. Kosova ndodhet në orën më të ligë të historisë së
saj, në orën e gjenocidit.
Mijëra
kilometra larg skenave të kësaj tragjedie një intelektual i kalon netët dhe
ditët e tij i mbyllur në një shtëpi, e cila prej vitesh ruhet nga njësi të
veçanta të policisë britanike. E kanë kërcënuar t'i marrin jetën për shkak të
një libri që ka botuar 11 vjet më parë.
Ai
rri në dhomë duke shikuar në televizor lajmet nga bota. Kryelajmi është gjendja
në Kosovë: fshatra që digjen, masakra gjithandej, trena që bartin të dëbuarit
drejt kufirit maqedon, kolona të pafundme me gra, pleq e fëmijë që dëbohen
drejt Shqipërisë. Tym, gjak dhe lot. Kosova po jep frymën e fundit nën thikën
serbe.
Intelektuali
ngrihet. Ndihet i revoltuar nga ajo që po sheh. Ndërgjegjja i thotë se duhet të
bëj diçka.
Por
çfarë mund të bëj ai?
Nuk
është ushtar që të rrëmbej pushkën. As shtetar që të marrë një vendim politik.
Është vetëm shkrimtar. Armët e tij të vetme janë lapsi dhe fama ndërkombëtare
që gëzon. Ai vendos t'i përdorë ato. Ulet dhe shkruan. Fjalitë e tij janë plot
revoltë dhe mllef. Ai shprehet i revoltuar me një koleg të tij i cili ka dalë
në mbështetje të Millosheviqit. E quajnë Peter Handke. Si është e mundur një
shkrimtar kaq i njohur të vihet në mbrojtje të kasapit të Ballkanit?
Intelektuali nuk përmbahet. E quan idiot Handken. E propozon për t'i dhënë
çmimin e të marrit të vitit.
Ai
ndihet i revoltuar edhe me NATO'n. I duket se bombardimi i Serbisë nuk po shkon
siç duhet. Ka frikë se NATO do të konfuzohet dhe do t'i braktis shqiptarët e
Kosovës. Kërkon që fushata e bombardimeve të intensifikohet. Millosheviqi dhe
makineria e tij e luftës duhet të ndalohet, qoftë edhe nëse për këtë kërkohet
që trupat e NATO's të hyjnë në Beograd dhe të arrestojnë atë.
Intelektuali
reagon i mllefosur edhe ndaj opinioneve që e lidhin zbrazjen e Kosovës me
frikën nga bombardimet. I quan ato shfajësime idiotësh që duan t'i shfajësojnë
krimet e milicisë dhe ushtrisë serbe.
Intelektuali
e përfundon shkrimin e tij dhe ua dërgon gazetave. Të nesërmen ai botohet
gjithandej shtypit perëndimor.
Intelektuali
quhej Salman Ruzhdie. Dje ai u plagos rëndë nga një militant fanatik i ajatollahëve
të Iranit. Intelektualë e shtetarë nga e gjithë bota reaguan me indinjatë ndaj
këtij krimi. Vetëm në Kosovë askush, në Kosovën për të cilën ai ngriti zërin në
orën më të ligë të saj. Dhe kjo flet shumë për krizën e madhe që ka goditur
ndërgjegjën tonë kolektive.