Mendime
Ndue Dedaj: Një bari i vogël i një bjeshke të madhe
E diele, 03.07.2022, 07:31 PM
NJË BARI I VOGËL I NJË BJESHKE TË MADHE
Nga
Ndue Dedaj
Është
e njohur shprehja “Një fotografi sa një mijë fjalë”, por në këtë rast na duket
se fjalët do të ishin dhe më shumë. Është fotoja rastësore, ndonëse e
përditshme, e një vogëlushi 7 - vjeçar, Borisit (për publikim e së cilës morëm
leje nga familjarët), i cili është duke ruajtur tufën e dhive në bjeshkët e
Selitës, në kreshtat malore mes Kroit të Bardhë dhe Lurës. Ai pas mësimeve
është ngjitur në male bashkë me prindërit, kushërin 10-vjeçar Xhonatanin dhe
gjyshin e tij, Ndue Përgjoni, që është i zoti i tufës prej 700 krerësh dhi, më e
madhja në krejt Veriun, ku bashkë me kecat e kësaj pranvere tufa ka shkuar në
1200 krerë.
Pronari
i tufës, kishte qenë për dhjetë vite bari i kooperativës dhe kur iu dha
mundësia, pas 90-s, ngriti tufën e tij familjare, simbas traditës së banorëve
të këtyre anëve, që kanë qenë dalluar për tufa të mëdha. Ne nuk kemi qenë te
tufa e “Përgjonit”, por presim të shkojmë në shtator, duke ftuar dhe miq të
mediave që ta vizitojnë këtë tufë, pasi kanë shumë për të parë, përfshi dhe
mjelësit e vegjël, që ashtu si të mëdhenjtë njohin çdo kec e dhi, një zakon i
lashtë i barinjve.
Këta
fëmijë nesër mund të jenë mjekë veterinerë, sipërmarrës e menaxhues të
blegtorisë dhe prodhimit blegtoral, siç mund të jenë dhe në profesione të
tjera, por sot e rëndësishme është se ata punojnë. Mësohen që të vegjël me
punën, natyrën, jetën e gjallë përtej asaj virtuale. Ky është një mësim i madh
për bashkëmoshatarët e tyre dhe ata më të rritur, për shoqërinë shqiptare në
tërësi.
Kaq
kësaj here, kur të vemi mes tyre do të shkruajmë më gjatë, duke shpresuar se
atje nalt nuk do të ngjitën vetëm reporterët dhe kamerat televizive, po dhe
zyrtarët e shtetit, veçanërisht agjensitë që merren me zhvillimin e zonave
malore.
(Të dhënat nga biseda me Gjergj Përgjonin).