Mendime
Jusuf Buxhovi: Në përvijimet e tanishme bullgare-maqedonase shqiptarët duhet të kërkojnë barazi kushtetuese!
E shtune, 25.06.2022, 09:06 PM
NË PËRVIJIMET E TANISHME BULLGARE-MAQEDONASE SHQIPTARËT DUHET TË KËRKOJNË BARAZI KUSHTETUESE!
-
Në vend se të implikohet në çështjet identitare që u përkasin maqedonasve dhe
bullgarëve, faktori politik shqiptar në Maqedoni, që deri me tash i ka
anashkaluar apo manipulur kërkesat e drejta të shqiptarëve për barazi
kushtetuese, duhet t’i rikthehet kodit të barazisë. Pra, të kërkohet barazi
kushtetuese dhe assesi ligjore. Ndërsa, Shqipëria zyrtare, duhet të ketë
kujdes, që me deklarime jodiplomatike, siç ishin ato të fundit të kryeministrit
shqiptar në Bruksel, të mos bëhet e anshme në “kazanin ballkanik” në dobi të
polit “serbo-rus”!
Nga Jusuf BUXHOVI
Kohëve
të fundit, raportet midis Maqedonis së Veriut dhe Bullgarisë, nga ato të
natyrës ndershtetërore, kanë zënë të kthehen në aso identitare, pak a shumë,
mbi modelin e matricës politike të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur e
ashtuquajtura “krizë e Maqedonisë”, e inskenuar qëllimisht nga Bullgaria,
Serbia dhe Greqia për qëllime hegjemoniste të përvetësimit e tri vilajeteve në
hapësirën europiane të Perandorisë Osmane (Kosovës, Manastirit dhe të Janinës,
të shumtën të banuara me popullate shqiptare) në kuadër të shteteve të tyre
nacionale.
Ndonëse
realitetet e tanishme politike në këtë hapësirë, me krijimin e shteteve
nacionale: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë qysh në shekullin XIX dhe të Shqipërisë
në shekullin XX dhe të Kosovës në shekullin XXI, përjashtojnë stereotipet e një
krize për territore të vilajeteve osmane në formën e pushtimeve që do të
vendoste raporti i forcave, siç ishte ai i krijuar gjatë Luftës së Parë
Ballkanike në vitin 1912, megjithatë, spostimi i saj në çështje “identitare” të
mbështetura mbi gjuhën dhe “historinë e përbashkët” të një etnie sllavofone të
degëzuar mbi shtrirjen gjeografike (njëra pjesë në Bullgari dhe tjetra në
Maqedoninë e Veriut), e përkufizuar në dy realitete shtetërore: atë të
Bullgarisë nga vitit 1908 si dhe të Maqedonisë, si republikë në kuadër të
Jugosllavisë së Titos (nga viti 1945-1991) kur me shpërbërjen e saj ajo do të
shpallë pavarësinë, fillimisht si ish republika federale e Maqedonisë në
Jugosllavi, mandej si Maqedoni, që më marrëveshjen e Prespës do të emërtohet
Maqedoni e Veriut, prej nga ajo edhe do të zhvishet “nga identiteti i
përvetësuar antik” rreth njëzetvjeçar për t’iu kthyer atij sllavofon,
megjithatë lë për të kuptuar se çështjet e së kaluarës jo vetëm që nuk janë
mbyllur, por ato, në forma të ndryshme, qoftë edhe te ndonjë “ridefinimi
kulturor” e të ngjashme, mund të kthehen në tektonizma politike, që shpërndahen
tutje “qendrës”, siç shfaqet ajo e sotmja midis Shkupit zyrtar dhe Sofjes rreth
“identietit të përbashkët gjuhësor” e me këtë edhe “të historisë”, që doemos
prek edhe faktorët tjerë rajonalë deri te përmasat gjeostrategjike.
Pa
hy te çështjet e hapura identitare midis etnisë sllavofone të këtij rajoni
(asaj bullgare dhe maqedonase) mbi emërtimin gjeografik dhe ndjesisë së tyre në
rrethanat e ndryshme politike që përcaktuan edhe konfikgurime e tanishme
shtetetërore qoftë edhe mbi platformën komb-shtet (në rastin e parë) dhe të
asaj shtet-komb (në rastin e dytë) dhe të jurididikcionit të tyre ndërkombëtar,
çështje këto që u takojnë atyre që t’i zgjidhin në përputhje me realitet e
reja, megjithatë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si shtetas të saj,
konfliktet “identitare” midis shtetit bullgar dhe atij të Maqedonisë së Veriut,
pa u implikuar me asgjë në dimensionin e saj të brendshëm se çfarë përgjigje do
t’i japin çështjes së gjuhës, të kulturës së përbashkët dhe dimensioni
historik, pra që t’u iket çështjeve që implikojnë gjeopolitikën kur faktori
shqiptar në rajon është bukur shumë i margjinalizuar dhe me anatemat që atë e
lidhin me krimin e organizuar dhe islamin politik, duhet të shikohen vetëm nga
prizmi shtetëror, që të mos prekën shtylla e tij të brendshme, meqë vetëm
ashtu, duke u përjashtuar faktorët e jashtëm (serb dhe grek), ata dhe interesat
e tyre mbesin në lojën që shtetit maqedonas ia kushtëzon ekzistencën.
Ky
qëndrim konsekuent i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pra që e
gjithë çështja të vendoset në planimetrinë shtetërore, duhetë të sherbejë si
shkas që në raportet midis Shkupit dhe Sofjes, por edhe ato ndërkombëtare (në
kuadër të NATO-s dhe anëtarësimit në BE), të ngritët çështja e statusit të tyre
në kuadër të Maqedonisë së Veriut si popull shtetformues, çështje kjo së cilës
nuk i ka dhënë përgjigje as marrëveshja e Ohrit, për ç’gjë edhe shpërtheu edhe
konflikti i armatosur i vitit 2001, e as ajo e Prespës. Përkundrazi, edhe në
aktet e Ohrit, si dhe në ato të Prespës, përkundër përfaqësimit politik të
shqiptarëve në jetën parlamentare dhe atë të strukturave qeverisëse deri në
nivelet më të larta dhe të rritës së shkallës së tyre në institucionet
shtetërore, nuk është arritur që shqiptarët, në përputhje me konceptin e
qytetarisë të jenë qytetarë të barabartë të shtetit Maqedoni e Veriut. Sepse,
krahas inercionit të kombit-shtet të politikës maqedonase, që në njëfarë mënyre
është pranuar heshtas edhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe pasojave
diskriminuese për shqiptarët etnik, klasa politike e dalë nga lufta e vitit
2001, përqendrimin tek arritja e barazisë, e ka zëvendësuar me ambiciet për
përvetësime personale, gjithnjë duke u bërë pjesë shërbyese e shemave të
strukturave maqedonase - zotëruese të krimit ekonomik. Akomodimi i shpejtë i
politikanëve shqiptarë brenda për brenda strukturave kriminale me të zhytura në
korrupcion, nepotizëm dhe kapje të resurseve ekonomike në nivelet vendore, ka
ndikuar që interesat kombëtare, që e motivuan edhe kryengritjen e armatosur të
vitit 2001, jo vetëm të anashkalohen, por edhe të shtrembërohen me anën e
mashtrimeve të hapura, siç është ai i manipulimit të barazisë kushtetuese të
shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, jashtë formulimeve kushtetutë, me të
ashtuquajturën bazi ligjore të gjuhës shqipe, si kategori e të drejtave
elementare njerëzore (për çfarë nuk nevojiten as formulime të veçanta meqë ato
nënkuptohen) tek “barazia ligjore”. Ky "standard", shqiptarët si etni
e vetme kulturore dhe historike nga antikiteti në këtë hapësirë, i kthen në
pakicë nacionale, në minoritet, të drejtat e të cilit kushtëzohen me logjikën e
numrave! Pra, aty ku ka mbi 20% të popullatës, mund të kërkohet “barazia
ligjore”, në administratë, shkollim dhe jetë institucionale (mbishkrime lokale
e të tjera). Dhe, aty ku kjo përqindje bie (siç ndodh tashmë me disa qytete
shqiptare që gjithnjë e më shumë rrudhen nga faktori demografik po edhe nga
dokuria e konvertimit të identitetit kombëtar në atë fetar), atëherë ata
privohen nga “barazia ligjore” gjë që i pret asimilimi! Ky diskriminim
kushtetues sot është fakt i pranuar nga përfaqësuesit politik të shqiptarëve kryesisht
i atyre me "oreolin e luftës"!
Në
këto, rrethana pra, hapja e çështjeve identitare apo çfarëdo midis Shkupit dhe
Bullgarisë, që sipas propozimit francez nënkuptojnë edhe ndryshime kushtetuese,
atëhetë ky rast i përshtatshëm, duhet shfrytëzuar, që doemos të përcillet edhe
me vendosmërinë që në kushtetutën e shtetit shqiptarët të përcaktohen si popull
i barabartë shtetformues, ndërsa gjuha e tyre si gjuhë kushtetuese. Të tjerat
janë mashtrime dhe veprime që historia dihet se çfarë gjykimi u jep!
Realiteti
i pabarazisë së shqiparëve në Maqedoninë e Veriut, gjithësesi duhet të brengos
Shqipërinë zyrtare si dhe Kosovën. Por, jo në formën e deritanishme, të bllanko
përkrahjes së shtetit maqedonas si faktor “stabilizues paqeje në rajon” edhe në
rrethanat e kthimit të tyre në "dekor parlamentar" dhe "farsë
demokratike" dhe as përkrahjes strukturave politike shqiptare në
Maqedoninë e Veriut, përgjegjëset kryesore të gjendjes diskriminuese të
shqiptarëve në Maqedoni me statusin e pakicës dhe tendencat e asimilimit të
hapur nga logjika e “barazisë së numrave”!
Kundruall
këtyre realiteve, kur në nivelet ndërshetërore midis Shkupit dhe Sofjes ngritën
çështje të tilla që prekin edhe raportet politike në BE (statusin e kandidatëve
për anëtarësim), të cilin Bullgaria po mundohet ta shfrytëzojë si kartë për
interesat e veta (siç ishte vetoja e paradoditshme në Këshillin e Europës, që
pas pak edhe e tërhoq), politika zyrtare e Shqipërisë, nuk guxon të teregojë
naivitet e as anshmëri të dëmshme, siç ndodhi me rastin e prononcimit të
kryeministrit shqiptarë kur Bullgaria vuri veto ndaj hapjes së procesit të
anëtarësimit të Maqedonisë. Ndonëse kjo nuk prekte statusin e Shqipërisë në
këtë proces, kryeminsitri shqiptar, pa takt politik dhe diplomatik, hudhi
breshëri ndaj Sofjes zyrtare, gjë që u bë i anshëm në gjithë këtë përvijim.
Qendrimet
e tilla, në “kazanin ballkanik” doemos së përcillen me pasoja, veçmas kur dihet
se, në këtë rast, ato kanë dy pole: atë serbo-rus në njërën anë dhe
bullgaro-europian, në anën tjetër.