Mendime
Si po zhvaten pronat e forcave detare dhe po iu falen klientëve të qeverisë nëpërmjet trukeve shtetërore
E shtune, 04.06.2022, 09:58 PM
Nga Ferdinand Dervishi
Ditën
e gënjeshtrave, 1 prill 2021, pyetja e fundit për zhurmnajën e një procesi të
dyshuar si korruptiv iu drejtua presidentit Ilir Meta në emisionin televiziv
LOG.
–
Më 6 korrik (2020), ju keni deklaruar se keni ngritur një grup verifikimi për
çështjen e dhënies me qira të bazës detare të Sarandës. A ka një konkluzion?
Fjala
ishte për një pronë të Forcës Detare, në total 26.5 hektarë, e cila me Vendim
të Këshillit të Ministrave nr. 514, të datës 1 korrik 2020, i jepej me qira
simbolike, prej 1 euroje, për 20 vjet, me anë të metodës së shumëpërfolur të
Partneritetit Publik-Privat (PPP), dy shoqërive të njohura si kliente të
qeverisë. Vendimi ishte publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 6 korrik 2020.
Ministrja
e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku
(majtas) dhe ai aktual, Bajram Begaj (djathtas)
Në
përgjigje të pyetjes së drejtuesit të emisionit, presidenti Ilir Meta pohoi se
informacioni për Bazën e Sarandës i kishte mbërritur në zyrë gjatë asaj dite, 1
prill 2021, dhe se nuk kishte pasur kohë për ta shqyrtuar.
–
Do e shikoj me vëmendje maksimale, sepse asgjë nuk mund të ndodhë në mënyrë të
paligjshme dhe, e dyta, nuk mund të dobësohen kapacitetet mbrojtëse dhe të
sigurisë së vendit… për më tepër që jemi vend anëtar i NATO-s”.
Ky
ishte deklarimi i fundit publik lidhur me këtë zhvillim. Më tej, për muaj me
radhë për çështjen e pronave të Forcës Detare nuk është ndier më askush, nëse
nuk do të llogariten ca pak zëra të mekur në mediat online, si dhe Artur
Meçollari, ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, i cili e pagoi me largimin
flagrant nga detyra dhe ushtria për kushtet në favor të shtetit që vendosi në
këmbim të dhënies së Bazës Sarandës. Por, çfarë është duke ndodhur me pronat e
bazave të Forcës Detare dhe si janë përfshirë në këtë aferë të rrezikshme dhe
antiligjore vetë strukturat e shtetit?
E
vërteta thotë se pronat e Forcës Detare, të vendosura në disa pika piktoreske
dhe të lakmuara të vijës bregdetare, kanë qenë prej kohësh në shënjestër të
zhvatjes.
Ato
kanë qenë dhe mbeten pjesë e historisë së aferave të errëta dhe të paligjshme
të historisë së privatizimeve të pronave që dikur i përkisnin shtetit. Në fakt,
pronat e Forcës Detare kanë mbetur të fundit në radhë, ndërkohë që me
privatizimet apo dhënie/faljet me qira të pronave të ushtrisë, në brendësi të
territorit, është konsumuar një masakër e vërtetë. Mjeshtrit ua kanë gjetur
vendin, duke ia dalë mbanë që gjithçka të mbetet në terr informativ.
Pjesa
më kriminale është se në gjithë këtë aferë praktikat dokumentare për çlirimin e
pronave nga statusi i interesit publik janë mundësuar me ndihmën e disa trukeve
administrative, të gjeneruara në brendësi të zyrave të shtetit. Për më tepër,
me kalimin e viteve, metodat janë shfaqur edhe më flagrante. Pronat e ushtrisë
janë përlarë pa pasur nevojën e trukeve administrative, pasi kanë mjaftuar ca
trumbeta propagandistike që flisnin për strategji kombëtare të zhvillimit të
turizmit… Në fund, qëllimi i vetëm dhe i pandryshuar ka qenë përfitimi përmes
korrupsionit.
Truku i vitit 2016
Truku
bazë për të përlarë pronat e ushtrisë ishte dhe mbetet ai i nxjerrjes së tyre
jashtë Planit të Përhapjes dhe Vendosjes, duke shmangur ligjin Nr. 9235, (dt.
29.07.2004) “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” që thotë se “pronat e
paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik, nuk kthehen.”
Në
terma më të kuptueshme, nxjerrja me anë të këtij truku administrativ e pronave
të ushtrisë jashtë Planit të Përhapjes dhe Vendosjes i largon ato nga statusi
special i përdorimit ushtarak, duke i barazuar me pronat e zakonshme për
përdorim civil, që administrohen nga Këshilli i Ministrave.
Dokumentet
provojnë se, në vitin 2016, me qëllim për të shtënë duart në pronat e Forcës
Detare, është përpunuar dhe vënë në zbatim edhe një version edhe më i sofistikuar
i këtij truku.
Gjithçka
ka nisur më 26 janar 2016, kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe,
Gjeneral Major Jeronim Bazo, me anë të urdhrit nr. 78, të datës 26.01.2016,
ngriti në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura një grup pune për
vlerësimin e pronave të Forcës Detare. Kryetar i grupit të punës ishte Kolonel
Ilir Xhebexhia, drejtor i Operacioneve dhe Stërvitjeve në Shtabin e
Përgjithshëm të FA, aktualisht komandant i Forcës Detare me gradën Gjeneral
Brigade.
Në
përfundim grupi rekomandoi copëtimin e pronave në katër bazat kryesore të
Forcave Detare.
Baza
e Pashalimanit u nda në katër prona, ajo e Kepit të Palit, në dy prona, Baza e
Shëngjinit, në tri prona dhe Baza e Palermos, në dy prona. Aq i madh ka qenë
nxitimi, saqë në hartat shoqëruese, përbri pronave të nxjerra nga Plani i
Përhapjes, është shkruar “pronë e lirë”, në një kohë që këtë e vendos
Presidenti i Republikës dhe jo grupi që bën vlerësimin.
Kështu,
mbërritur në vitin 2016 me sipërfaqe totale rreth 94 hektarë, pas ndarjes, Baza
Detare e Pashalimanit do të rrudhej me 85% të sipërfaqes. Bazës i mbetën vetëm
14 hektarë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80 hektarë, e ndarë në tri prona, u la
jashtë Planit të Përhapjes.
Baza
e Pashalimanit. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë Planit
të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes
Baza
Detare e Kepit të Palit, që deri në vitin 2015 kishte një sipërfaqe prej 72.4
hektarësh, pas ndarjes së re në dy prona u reduktua në 38% të sipërfaqes, duke
mbetur rreth 45 ha.
Baza
e Kepit të Palit. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë
Planit të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes
Baza
Detare e Palermos, me sipërfaqe prej 28,8 ha, u nda në dy prona, duke mbetur
brenda Planit të Përhapjes dhe Vendosjes vetëm 6,01 ha ose 21% e pronës që
ishte para vitit 2015.
Baza
e Gjirit të Palermos. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë
Planit të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes
Baza
Detare e Shëngjinit, që deri në vitin 2015 kishte një sipërfaqe prej 6,59 ha, u
nda në tri prona, duke u reduktuar në vetëm 2,64 ha.
Baza
e Shëngjinit. Ndarja e sipërfaqes: me të gjelbër, ajo e nxjerrë jashtë Planit
të Përhapjes, me të kuqe, ajo e mbetur brenda Planit të Përhapjes
Sipas
një matematike të thjeshtë, shuma e pronave të nxjerra nga Plani i Përhapjes
shkon rreth 133 hektarë.
Kjo
ishte “qethja” e fundit dhe më e rënda, pasi edhe vite të shkuara nga Plani i
Përhapjes kishin dalë edhe prona të tjera që i përkisnin Forcës Detare.
Në
total, sot Forca Detare ka në Planin e Përhapjes dhe Vendosjes 31 prona me një
sipërfaqe të përgjithshme 157,5 ha, si dhe 80 prona jashtë Planit të Përhapjes
dhe Vendosjes, me një sipërfaqe të përgjithshme 479,6 ha. Ndryshimet e fundit,
të propozuara nga grupi i punës, u miratuan nga ish-komandanti i Forcës Detare,
Gjeneral Major Ylber Dogjani, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA,
Gjeneral Major Jeronim Bazo, dhe u vulosën përfundimisht me Vendimin e
Këshillit të Ministrave nr. 220, të datës 21.03.2017.
Vendimi
i vitit 2017 që i kalon Këshillit të Ministrave sipërfaqet e Forcës Detare, të
nxjerra nga Plani i Përhapjes
Paligjshmëria
Në
fakt, i gjithë truku i përdorur është menduar, konsumuar dhe ligjëruar, me
qëllim që të anashkalohej vendimmarrja e presidentit të kohës, Bujar Nishani,
pasi, sipas ligjit, pronat në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes miratohen nga
Presidenti i Republikës. Ndërsa formula e përdorur për të mënjanuar presidentin
në këtë rast shfaqet më e përpunuar.
Kleçka
për të lënë jashtë Planit të Vendosjes sipërfaqet më të mëdha të bazave detare
është gjetur pikërisht tek emërtimi i pronave. Kështu, ndërsa pronës së mbetur
brenda Planit të Përhapjes i është lënë emri, numri dhe koordinata gjeografike,
pjesëve të lëna jashtë këtij Plani iu është dhënë vetëm emër dhe numër i ri,
por janë lënë pa koordinata.
Me
këtë lloj statusi, të pashoqëruara me koordinata gjeografike, pronat e dala nga
Plani i Përhapjes janë aprovuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 220,
të datës 21.03.2017 dhe janë futur në inventarin e pronave të paluajtshme,
shtetërore, që janë në administrim të Këshillit të Ministrave.
Por,
ligjet shqiptare nuk e njohin një praktikë të tillë. Pas studimit që nxori
pjesën më të madhe të pronave të Forcës Detare jashtë Planit të Përhapjes,
radha e veprimeve vendimmarrëse i takonte Presidentit të Republikës. Dalja e
pronave jashtë këtij Plani, sipas ligjit, duhet të kalojë me firmën e tij. Pra,
Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 21 mars 2017 e ka anashkaluar
vendimmarrjen e presidentit.
Në
këtë mënyrë, të konsideruara si të dala nga kthetrat e ushtrisë dhe
njëkohësisht nga statusi i interesit publik, pronat e Forcës Detare u bënë gati
për klientët e vjetër apo eventualë të qeverisë, përfshirë individë që
pretendojnë trashëgiminë e tyre.
Gjithsesi,
e vërteta thotë se gjithçka e përfituar me anë të këtij truku është e
jashtëligjshme dhe rrjedhimisht e papërdorshme. Kapacitetet e reduktuara të
Forcës Detare në vitin 2016 nuk janë miratuar nga Presidenti i Republikës dhe
kjo e bën të gjithë procedurën të pavlefshme.
E
parë në tjetër këndvështrim, Presidenti i Republikës i miraton pronat e
ushtrisë si kapacitete operacionale. Vetëm atij ia mundëson ligji dhe askujt
tjetër. Logjika e do që sipërfaqja e pronës së miratuar të vihet në përpjesëtim
të drejtë me nevojat e ushtrisë, në këtë rast të Forcës Detare. Aty llogariten
madhësia e basenit dhe e bankinës ku ankorohen anijet luftarake, sheshi i
portit, ndërtesat ndihmëse dhe akomoduese, largësia e detyruar nga objekte
civile etj., etj.
Përkundër
kësaj, Këshilli i Ministrave e sheh dhe e trajton pronën si element
kontabiliteti; mund ta shesë, ta këmbejë, ta japë me qira etj. Këtë status të
pronave të Forcës Detare përgatiti për Këshillin e Ministrave truku i vitit
2016, edhe pse procedurat e zbatuara – e vjetra, që i jep plotfuqi presidentit
dhe e reja, – që anashkalon presidentin, bien ndesh me njëra-tjetrën.
Njëkohësisht,
truku i përdorur në vitin 2016 lë shteg që abuzimi të shkojë në nivele
qesharake, kjo sepse, sipas formulës së zbatuar, pronat në listën e Planit të
Përhapjes dhe Veprimit, të miratuara nga Presidenti i Republikës, mund të
zvogëlohen deri në disa metra katrorë, mjafton që të ruhet “numri i pronës”,
“emërtimi i pronës” dhe “koordinata gjeografike” të bjerë në këtë sipërfaqe të
minimizuar.
Së
fundmi, logjika më e thjeshtë thotë: nëse truku administrativ i zbatuar në
vitin 2016 do të ishte i ligjshëm, miratimi nga Presidenti i Republikës i
Listës së Pronave në Planin e Përhapjes dhe Veprimit të FA nuk do të kishte më
asnjë vlerë.
Baza e Shëngjinit
Pasoja
e parë e këtij truku administrativ do të shfaqej në Bazën Detare të Shëngjinit.
Në datën 16 qershor 2020, mjetet e një firme private hynë me forcë, duke thyer
gardhin rrethues, në pronën nr. 1311 të Forcës Detare. Firma kishte lidhur
kontratë për ndërtimin e një objekti trekatësh në pronësi të Rrok D., pronar
trashëgimtar i tokës, i cili ishte pajisur edhe me leje të rregullt ndërtimi.
Në
pamje të parë gjithçka dukej sipas ligjit. Para se të dilte nga Plani i
Përhapjes, sipas ligjit, prona e trashëguar duhet të kompensohej me një tjetër
pronë të shtetit, por tashmë, pas “daljes” nga Plani i Përhapjes, asgjë nuk e
ndalonte trashëgimtarin ta gëzonte këtë pronë.
Gjithsesi,
drejtuesit e Vendbazimit Shëngjin i pengojnë veprimet e firmës ndërtuese dhe
njëkohësisht bëjnë një kallëzim penal në prokurori, por hetimi pushohet, me
arsyetimin se nuk ka elemente të veprës penale.
Ndërkohë,
godina nis të lartohet. Hidhen themelet dhe ngrihen kolonat dhe kjo ndodh, edhe
pse shefi i Shtabit të Përgjithshëm kishte urdhëruar Policinë Ushtarake të
mbështeste Forcën Detare për sigurimin e bazës. Në fund të shkurtit të vitit
2021, godina e z. Rrok D., brenda pronës së Forcës Detare, mbërrin në katin e
katërt.
Ndërtimi pa leje në
brendësi të Bazës Detare të Shëngjinit
E
gjithë ecuria e ndërtimit shoqërohet me komente të ndryshme në media dhe
rrjetet sociale. Pothuaj të gjitha denoncimet dhe kundërshtitë për këtë ndërtim
kanë autorësinë e Kapitenit të Rangut të Parë, Artur Meçollari, i cili deri në gusht
të vitit 2020 kishte detyrën e zëvendëskomandantit të Forcës Detare. I njëjti e
vijoi betejën edhe pas lirimit nga detyra, duke detyruar një pjesë të medieve
që të reagonin.
Dikur
njerëzit e shtetit e mbledhin mendjen. Në fillim të marsit të vitit 2021,
ministri i ri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, urdhëroi Policinë Ushtarake që të
bllokonte punimet dhe të siguronte Bazën Detare të Shëngjinit. Gjatë së njëjtës
ditë Policia Ushtarake rivendos edhe gardhin rrethues me shënimin: “NDAL! ZONË
USHTARAKE”.
Po
ato ditë, në një intervistë të datës 8 mars 2021, në televizionin ABC,
komandanti i Forcës Detare, Gjeneral Brigade Ilir Xhebexhia, e konfirmoi
bllokimin e objektit nga Policia Ushtarake. Sipas tij, “ndërtimi cenonte
sigurinë në Bazën Ndihmëse të Shëngjinit dhe operacionalitetin e Forcës
Detare”. Në fakt, edhe pse tashmë do të merren në shqyrtim nga një tjetër
gjykatë, ngjarjet treguan se më në fund zyrtarët më të lartë të Ministrisë së
Mbrojtjes i vunë gishtin kokës dhe kuptuan se, pavarësisht “daljes” së këtyre
pronave nga Plani i Përhapjes, ato vijojnë të mbeten sërish pronë e Forcave të
Armatosura. Tashmë ata duhet të jenë më të qartë se kurrë për pasojat e së
vërtetës, që thotë se kapacitetet e reduktuara në vitin 2016 të Forcës Detare
nuk janë miratuar nga Presidenti i Republikës.
Gjithçka
sanksionohet në Ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004, Për Kthimin dhe Kompensimin e
Pronës, (Neni 6), ku shkruhet: “Subjekteve të shpronësuara iu kthehen të gjitha
pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që
janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i
Republikës…”
Ligji
i vitit 2004, “Për Kthimin e Kompensimin e Pronave”, parashikon se kthehen ato
prona të ushtrisë, të nxjerra jashtë Planit të Përhapjes, me miratimin e
Presidentit të Republikës
Teorikisht,
kjo situatë, që ende nuk mund të konsiderohet përfundimtare, mund të jetë
beteja e parë e fituar nga logjika që mbron faktin se kjo pronë vijon të
ndodhet në brendësi të Planit të Përhapjes, përderisa dalja e saj jashtë këtij
Plani nuk është miratuar nga Presidenti i Republikës. Por, me kalimin e kohës
rendja drejt aferave të dyshimta klienteliste do të hidhte tej si diçka të
pavlerë edhe trukun e vitit 2016. Dhënia apo falja e trojeve të Forcës Detare klientëve
të qeverisë do të niste të realizohej me anë të një tjetër metode, që paraqitet
edhe më e pacipë, edhe më flagrante, edhe më e jashtëligjshme se e para.
Baza e Kepit të Palit
Në
verën e vitit 2019, disa civilë, të paraqitur si miq të ministres së Mbrojtjes,
Olta Xhaçka, ishin parë të bënin ca matje e vlerësime në brendësi të Bazës së
Kepit të Palit. Qëllimi i vizitës do të mësohej pak muaj më pas, kur ministrja
e Mbrojtjes do të thërriste në disa takime të njëpasnjëshme zëvendëskomandantin
e Forcës Detare, Artur Meçollari.
Sipas
Meçollarit, ministrja i kishte kërkuar që të propozonte/lejonte ndërtimin në
brendësi të territorit të bazës të një investimi privat të disa miqve të saj.
–
Lidhur me këtë iniciativë të ministres kam qenë i prerë me përgjigjen. Nuk mund
të përfshihesha për të gjitha arsyet. Së pari, sepse Baza e Kepit të Palit ka
një rëndësi operacionale të dorës së parë… Për më tepër, në vitin 2012, mua më
liruan nga Forcat e Armatosura, pikërisht pse mbrojta Bazën e Kepit të Palit
nga zbatimi i një projekti të dyshuar si korruptiv të qeverisë paraardhëse.
Sipas
Artur Meçollarit, miqtë e ministres kishin në plan që të bënin një investim
turistik, saktësisht një port jahtesh, në zemër të bazës së Kepit të Palit.
Planimetria e vendit të zgjedhur për investimin vendosej përmbi gjysmën
perëndimore të basenit ku ankorohen anijet ushtarake.
Skema
e re e përdorur për të mundësuar këtë investim ishte ajo e Partneritetit
Publik-Privat (PPP). Investitori ofronte për nevojat e Forcës Detare
restaurimin e bazës ekzistuese ushtarake.
–
Nuk mund të bija dakord. Kërkesa e ministres së Mbrojtjes, Xhaçka, për investim
në Bazën Detare të Kepit të Palit ishte një iniciativë personale dhe jo
shtetërore. Gjithsesi, edhe sikur të ishte shtetërore, ajo binte në kundërshtim
me konceptin operacional të Forcës Detare. Baza e Kepit të Palit është një nga
dy bazat kryesore të Forcës Detare/Rojës Bregdetare, në një nga drejtimet
kryesore të kërcënimeve, për shkak të prezencës në afërsi të Portit të
Durrësit, portit më të madh në Shqipëri.
Gjithsesi,
çështja e Bazës së Kepit të Palit mbyllet pa shumë zhurmë. Me sa duket,
vartësit e kishin bindur ministren Xhaçka se Artur Meçollari, drejtuesi aktual
i Forcës Detare, për shumë arsye nuk do të tërhiqej nga pozita e tij. Mes të
tjerave, si më të pakalueshme, kishin renditur pasojat e asaj historisë së
vjetër të vitit 2012, kur Artur Meçollarin e kishin larguar nga detyra, për
shkak se kundërshtonte që një pjesë e mirë e Bazës së Kepit të Palit t`i jepej
një klienti të qeverisë Berisha, të quajtur Damir Fazliç.
Baza e Sarandës
Pa
u mbyllur ende mirë historia e Bazës së Kepit të Palit, në shënjestër të
kompanive kliente të qeverisë vihet Baza e Sarandës, njohur si Baza Ndihmëse e
Limionit. Kompanitë “Concord Investment” dhe “Kastrati Group” bëjnë një kërkesë
nëpërmjet Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës për të marrë me
koncesion sipërfaqen në inventar të Forcës Detare, prej 260.895 m2, nga e cila
39.466 m2 ishin në Planin e Përhapjes. Përgjigjja e Forcës Detare ishte
negative. Sipas zëvendëskomandantit Artur Meçollari, kërkuesve iu bë e qartë
se, jo vetëm që baza është e një rëndësie strategjike të nivelit të lartë, por
edhe se legjislacioni në fuqi nuk e njihte mënyrën e propozuar të investimit.
Pak
muaj më pas, në maj të vitit 2020, oferta korrigjohet. Ajo vjen në formën e një
marrëveshjeje për Partneritet Publik-Privat. Kompanitë bëjnë kërkesë nëpërmjet
Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për marrjen me qira të së njëjtës
sipërfaqe, por me një ofertë që thoshte: “për moscenimin e aspekteve
operacionale të FA., marrim përsipër “pro buono” ndërtimin, përkundrejt
pagesës, pa kosto për shtetin, të një bankine të re për ankorimin e anijeve të
FA dhe ambienteve të tjera mbështetëse në ndihmë të saj, sipas nevojave tuaja”.
Në
datën 11 qershor 2020, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, organizon një takim
në zyrën e saj me disa oficerë të Forcës Detare, të cilët do të përfshiheshin
në vlerësimin e kërkesës.
Gjatë
takimit, oficerët e konsiderojnë ofertën me interes, në kushtet kur Baza
Ndihmuese e Sarandës kishte sipërfaqe përtej nevojave ushtarake; ishte e
amortizuar, me kapacitete të kufizuara etj.
Oficerët
bien dakord me ofertën e kompanive private që propozonin ndërtimin e një baze
të re detare në një vend me thellësi më të madhe të detit. Grupi i punës, i
ngritur në Komandën e Forcës Detare, studion një pozicionim të përshtatshëm për
bazën e re, rendit kërkesat operacionale dhe teknike, si dhe konfiguron
sipërfaqen e saj të mundshme. Projekti cilësonte dhënien me qira të pjesës së
mbetur të trojeve të bazës menjëherë pas ndërtimit të bazës së re. I
përfunduar, projekti i dërgohet ministres, por, ndërkohë, Sipas Meçollarit, ajo
kishte ndërruar mendim.
–
Në një takim të datës 17 maj 2020 me mua dhe ish-shefin e Shtabit të
Përgjithshëm, ministrja Xhaçka na tha se projekti i propozuar prej nesh ishte i
ekzagjeruar dhe se për kompanitë investimi ishte shumë i madh. Por kjo nuk
ishte aspak e vërtetë. Ne kishim hartuar një projekt real për të marrë, aq sa
jepnim apo, më qartë, për të marrë të njëjtën bazë që kishim, sigurisht tashmë
të ndërtuar me parametrat që kërkon koha. Me fjalë të tjera, projekti i
propozuar përmirësonte kapacitetet operacionale të Forcës Detare, përmbushte
parashikimet ligjore, si dhe mbështeste investimin strategjik të kërkuar nga
qeveria”.
Marrëveshjet
e procedurat e mëtejme për çështjen e Bazës së Sarandës mbetën në errësirë deri
në datën 1 korrik 2020, kur Këshilli i Ministrave miratoi VKM 514, sipas së
cilës Baza Detare, Limion, Sarandë, me sipërfaqe të përgjithshme 265 2299,5 m2,
i jepej me qira për 20 vjet, me tarifën simbolike 1 euro, bashkimit të
shoqërive “Concord Investment” sh.p.k., dhe “Kastrati Group” sh.a.
Dhënia
e gjithë sipërfaqes së Bazës së Limionit në Sarandë – edhe të sipërfaqes së
truallit jashtë Planit të Përhapjes, edhe të sipërfaqes brenda Planit të
Përhapjes – si pjesë e planeve të qeverisë për të bashkëpunuar me investitorë
privatë në zbatimin e strategjive kombëtare për zhvillimin e turizmit, në këtë
rast përmban një varg shkeljesh ligjore.
Sipas
ligjeve të shtetit shqiptar, propozimi i bërë nga përfaqësuesit e Forcës Detare
për ndërtimin nga shoqëritë e interesuara me anë të PPP të një baze të re, që,
kushtëzuar edhe nga relievi, shtrihej edhe në brendësi të Planit të Përhapjes
dhe jashtë këtij Plani, kërkonte që procedura të ndiqej nga Shtabi i Përgjithshëm,
ministri i Mbrojtjes dhe të miratohej nga presidenti. Miratimi nga presidenti
do e fuste të gjithë bazën e re brenda Planit të Përhapjes dhe linte
automatikisht në administrim të shoqërive private të gjitha pjesët e tjera të
bazës. Kjo ishte rruga e vetme ligjore.
Nga
ana tjetër, procedura e zbatuar, deri në daljen e VKM, që ua dha të gjithë
Bazën e Sarandës me qira kompanive private, lë vend të dyshohet për veprime
korruptive, pasi veç anashkalimit të vendimmarrjes së Presidentit të Republikës
është mbajtur sekret edhe projekti final i bazës së re, i hartuar nga Forcat e
Armatosura.
Në
kontratën e qirasë të datës 16 korrik 2020, lidhur mes kompanive private dhe
Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, qiramarrësit (kompanitë private)
premtojnë “ndërtimin e një bankine të re dhe infrastrukturës së saj mbështetëse
sipas standardeve të kërkuara”, ndërkohë që në ofertën fillestare siguronin
“moscenimin e aspekteve operacionale të FA”.
Duket
qartë se këtu jemi përballë kushteve të ndryshuara. Për më tepër që Forca
Detare në projektin e parë për bazën e re sanksiononte ndërtimin: “sipas
nevojave të Forcave të Armatosura”.
Pikërisht
mbajtja sekret e “standardeve të kërkuara” të bën të dyshosh se Ministria e
Mbrojtjes, drejtues të lartë të saj, përfshirë ish-ministren Olta Xhaçka, kanë
urdhëruar dhe hartuar për bazën e re një projekt të dytë, krejt minimal, duke
bërë në këtë rast avokaturën e shoqërive private.
Krejt
logjikshëm këtë përfundim mbështet edhe fakti që pas kërkesave të
njëpasnjëshme, të ligjshme të ish-zëvendëskomandantit të Forcës Detare, Artur
Meçollari, Ministria e Mbrojtjes dhe më pas edhe Komisioneri për të Drejtën e
Informimit nuk i kanë mundësuar dhënien e kopjeve të dokumenteve që përmbajnë
kushtet e Shtabit të Përgjithshëm të FA për standardet e kapacitetet e bazës së
re, të marrë përsipër për t`u ndërtuar nga kompanitë private.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, është i bindur se në
këtë mes ka një aferë të pistë.
–
Pas këtyre zhvillimeve kemi të drejtë të dyshojmë se Ministria e Mbrojtjes dhe
Shtabi i Përgjithshëm nuk kanë paraqitur një projekt të plotë për bazën e re,
por vetëm disa kërkesa minimale, që, së pari nuk përmbushin kërkesat
operacionale të Forcës Detare. Rrjedha e ngjarjeve apo qoftë praktika e mbajtur
sekret zgjojnë dyshime, që përmes favorizimit të kompanive private drejtuesit e
Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA., etj., të kenë
dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë
juridikë për të siguruar përfitime materiale ose jomateriale.
Por,
dëmi i supozuar mendohet të jetë edhe më i konsiderueshëm. Realiteti i krijuar
pas vendimit të Këshillit të Ministrave, të 1 korrikut 2020 (VKM 514), që e jep
me qira të gjithë bazën, ka sjellë një situatë anormale. Për rezultat, kemi një
bazë të zhdukur, ku edhe pas ndërtimit të ambienteve të reja sipas marrëveshjes
për Partneritet Publik Privat anijet e Forcës Detare do të mbeten mysafire në
truallin që i është dhënë me qira shoqërive private…
Më
tej situata është shfaqur edhe bllokuese. Sipas VKM nr. 514, (01.07.2020),
dorëzimi i bazës shoqërive private ishte parashikuar të bëhej më 15 gusht 2020.
Por, edhe një vit më pas, në shtator 2021, për dorëzimin e saj nuk është hedhur
asnjë hap. Me sa duket, për shkak të paligjshmërive të dukshme askush nga
drejtuesit e Forcave të Armatosura dhe Forcës Detare nuk guxon të firmosë
dorëzimin e Bazës.
–
Është një situatë e krijuar prej faktit se propozimi ynë, pra i Forcës Detare,
për kompanitë investitore, sa iu përket kapaciteteve të bazës së re, nuk i
pëlqeu ministres Olta Xhaçka. Me sa duket, në vend që të bënte avokatinë e
Forcës Detare, ajo bënte avokatinë e firmave investitore. Për këtë arsye
ministrja duket se ka propozuar edhe dhënien me qira të të gjithë sipërfaqes së
Bazës Detare Sarandë, tashmë e materializuar në VKM nr. 514, 1 korrik 2020.
Më
7 gusht 2020, një javë para datës së parashikuar që Baza e Sarandës t`iu
dorëzohej investitorëve privatë, sërish me anë të një truku të paligjshëm Artur
Meçollari u lirua nga detyra e zëvendëskomandantit të Forcës Detare. Ashtu si
në vitin 2012, edhe këtë radhë pronat e Forcës Detare, saktësisht mbrojtja e
tyre, i hanë kokën. Një histori e trishtë që vërteton se si politika shqiptare,
e të dy krahëve, kur vjen në pushtet, impenjim kryesor ka pikërisht zhvatjen e
shqiptarëve, përfshirë pronat e tyre.
Të gjithë të implikuar
Të
shqyrtuara rast pas rasti, duket se pronat e ushtrisë, në këtë kuadër edhe ato
të Forcës Detare, që në thelb janë pronat e gjithë shqiptarëve, janë duke u
zhvatur si të ishin mall pa zot. Kjo është duke ndodhur, edhe sepse opozita,
presidenti, deri thellë edhe mediet, janë duke mbyllur gojën.
Kryetari
i rizgjedhur i partisë më të madhe të opozitës, Lulzim Basha, ka bërë vetëm një
deklarim publik për këtë çështje, që daton më 2 korrik 2020, pra menjëherë pas
vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien me qira të Bazës së Sarandës:
“Në
sekret të plotë është marrë një pjesë e territorit të bazës ushtarake navale të
Marinës së Flotës Luftarake Detare në Sarandë dhe është bërë gati t’iu jepet
klientëve të qeverisë. Mbetet të verifikohet se kujt do t`i jepet, por emrat e
përmendur janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 oligarkëve që marrin
çdo gjë në këtë vend… Iu bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare…
të investigojnë, nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po ua falin
bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë”.
Pak
ditë më pas, i pyetur nga gazetarët, presidenti i vendit, Ilir Meta, i prekur
drejtpërdrejt nga kjo histori, pasi shmangte vendimmarrjen e tij, pohoi se i
kishte kërkuar ekipit të tij të sigurisë kombëtare të niste verifikimet për
Bazën e Sarandës.
Por,
pas këtij pohimi, edhe opozita, edhe Presidenca, do të kaploheshin nga heshtja.
Opozita, përgjithmonë, ndërsa presidenti do të detyrohej nëntë muaj më pas, më
1 prill 2021, t`i jepte një përgjigje, që nuk mbartte informacion, drejtuesit
të emisionit LOG, që transmetohet në televizionin ABC. Më tej të gjithë kalojnë
sërish në heshtje.
Me
sa duket, të gjitha palët e kanë nga një lidhje komprometuese me kompanitë
private, që kanë aplikuar marrjen me qira të Bazës së Sarandës. Të shfaqura
kohë pas kohe, jo vetëm si kliente të qeverisë, por edhe të opozitës dhe mbase
edhe të Presidencës, duket ato iu kanë mbushur xhepat me të holla të gjithëve,
sidomos gjatë fushatave elektorale.
Por,
çfarë janë duke humbur shqiptarët përmes këtyre trukeve që shpiken, përpunohen
dhe vulosen në zyrat qeveritare?
Së
pari, truke të tilla janë duke zvogëluar dhe shkatërruar kapacitetet mbrojtëse
dhe operacionale të Forcave të Armatosura. Pa një bazë ushtarake-detare solide
në afërsi të Durrësit, porti më i madh i vendit mbetet i pambrojtur, ndërsa
shkatërrimi i Bazës së Sarandës duket edhe më problematik, në një kohë që
përbën pikën më të afërt pranë trafikut të rënduar të mjeteve ujore në Kanalin
e Korfuzit – një zonë ku historia deri vonë ka depozituar në memorie incidente
me pasoja të rënda.
Por,
nuk mbaron. Pak kohë më parë, në fund të vitit 2019, vetë ministrja e Mbrojtjes
e kohës, Olta Xhaçka, i propozoi drejtuesve të NATO-s të vendosnin/ndërtonin
një bazë të tyren në Pashaliman, duke marrë edhe një përgjigje paraprake pohuese.
Porse përballë faktit të zvogëlimit të sipërfaqes së bazës ekzistuese të
Pashalimanit – rrudhur me 85% me anë të trukut të vitit 2016 – dhe më tej edhe
shfarosjes së bazës ndihmëse të Sarandës, oferta e bërë paktit të NATO-s duket
e pandershme, kjo sepse një bazë e mirëfilltë detare e NATO-s nuk mund të
shtrihet në vetëm 14 hektarët e Bazës së Pashalimanit, të lënë brenda Planit të
Përhapjes.
Në
një tjetër kënd, zhvatja lart e poshtë e trojeve të Forcës Detare, falja apo
dhënia me qira simbolike e sipërfaqeve më të lakmuara të bregdetit cenon edhe
pronën publike të shqiptarëve. Kalkulime të thjeshta thonë se, nëse pronat e
nxjerra nga Plani i Përhapjes do të shiteshin me vlerën e tregut, qeveria
shqiptare do të mund të përfitonte deri në 200 milionë euro. Kjo do të ishte
një shumë e konsiderueshme, qoftë për të ndihmuar arkën e lodhur të shtetit,
qoftë për të rindërtuar nga e para apo restauruar dhe pajisur me mjetet më të
nevojshme, qoftë më modernet, të gjitha bazat e rëndësishme të Forcës Detare.
SPAK nis hetimin
Pothuaj
i vetëm dhe me pothuaj të gjithë kundër, zëvendëskomandanti i liruar i Forcës
Detare, Artur Meçollari, e ka vazhduar betejën.
Më
31 mars 2021 ai ka paditur pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe
Krimit të Organizuar (SPAK), ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, “për
shpërdorim detyre në rastin e çështjes së dhënies me qira të Bazës Ndihmëse të
Sarandës”. Sipas padisë, ”Znj. Olta Xhaçka ka aprovuar lidhjen e një kontrate
qiraje, e cila nuk ka ndjekur procedurën e parashikuar në aktet ligjore… duke i
shkelur këto të fundit.”
Po
sipas kallëzimit penal, ky propozim i ministres së Mbrojtjes, “ka dëmtuar
interesin publik, pasi ka cenuar funksionimin e konceptit operacional të Forcës
Detare, si dhe operacionalitetin për përmbushjen e misionit të tyre kushtetues
dhe ligjor në rajonin e Kanalit të Korfuzit dhe Detin Jon.”
Në
të njëjtin dokument, Artur Meçollari ka paditur për shpërdorim detyre edhe
Besnik Dervishin, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të
Dhënave Personale. Sipas Meçollarit, komisioneri nuk ka ndërmarrë hapat e
nevojshëm që parashikon ligji për njohjen e kërkuesit me informacionin që
konsiderohet publik.
Pas
disa ditësh, më 6 prill 2021, Artur Meçollari ka depozituar pranë SPAK edhe një
tjetër padi për shpërdorim detyre në adresë të Gjeneral Major Bajram Begajt, me
detyrë shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Ilir Xhebexhisë,
me detyrë komandant i Forcës Detare dhe kolonel Altin Kurtit, me detyrë
komandant i Policisë Ushtarake. Sipas padisë, drejtuesit më të lartë të Forcave
të Armatosura janë përgjegjës për ndërtimin e paligjshëm, të kryer në brendësi
të territorit të Bazës së Shëngjinit.
Më 29 korrik 2021, SPAK i konfirmoi autorit të këtij shkrimi se kishte nisur hetimet për të dyja këto padi, ndërsa më 14 shtator 2021 i pohoi se nuk kishte ende persona nën hetim. Edhe pse praktikisht duhet t`i përulemi vullnetit rrezikues të një njeriu të vetëm, ndëshkimi përmes ligjit është shpresa e vetme e një populli të tërë për të shpëtuar nga skemat mafioze të grabitjes së pasurive publike. Deri tani, të orkestruara nga maja e piramidës së pushtetit, këto skema kanë treguar se janë krijuar vetëm për qëllime kriminale. Abuzimi me pronat publike, falja e tyre klientëve apo oligarkëve si të ishin prona të lëna trashëgim nga babai, deri tani ka pasur vetëm një qëllim: mbushjen e xhepave. Le të besojmë nisjen e ca ndryshimeve domethënëse!
6 Tetor, 2021
Marrë nga
https://ina.media/?p=3048