Kulturë
Bardhyl Maliqi: Shahin Hasani - Shkoza: Shqiptarokroati me zë tingëllues
E diele, 08.05.2022, 05:27 PM
SHAHIN HASANI - SHKOZA, SHQIPTAROKROATI ME ZË TINGËLLUES
Nga
Bardhyl Maliqi
Tani është vjeshtë, stina
kur bien gjethet dhe piqen frutat. Por edhe shkrimtarët e moshës së tretë, siç
është Shahin Hasani - Shkoza,
shqiptro-kroati me zë tingëllues e vibrant, janë ashtu si vjeshta në
stinën e begatë.
Në letërsi shpesh tharmi
krijues evidentohet herët, por talenti piqet vonë. Nuk ka nevojë as për emra
dhe as për argumente të veçanta, pasi kjo ndodh se pa mbushur plot hambarin
tënd, nuk mund të korrësh, të shish e të bluash për të tjerët. Natyrisht ka dhe
raste të veçanta, si Migjeni p.sh, por rastet e vçanta kurrë nuk e
përjashtojnë, por e legjitimojnë rregullin.
Pse e quaj unë zë tingëllues
dhe vibrant shkrimtarin dhe poetin Shahin Hasani-Shkoza? Ai flet me zë të
lartë, një arsye janë punët që ka kryer në jetë, arsyeja tjetër publikimet e
shumta në dhjetra ligjërime publike e tjetra si gjithmonë...produkt i moshës së
tretë, kur shikimi apo dëgjimi dobësohet, por mendja është gjithmonë syçelur.
Shahini ka zë tingëllues jo thjesht në formën e jashtme, në ton, por në
përmbajtjen e asaj çka thotë, në stil. E ky ton tingëllues është vibrant, pasi
jo vetëm ai, por edhe ne i përjetojmë ato ç'ka Shahini ligjëron. Vibrimi poetik
është dridhje emocionale, rrëmbim pasioni, pushteti i fjalës së një shpirti të
bukur.
Po kush është ky shqiptar
artist me dy mbiemra në Republikën e Kroacisë? Njeri mbiemër me orgjinë perse e
tjetri me përmbajtje toponimike dhe pagane? Dhe pse pikërisht jeton përmbi 5
dekada ne Zagreb? Shahin Hasani – Shkoza lindi më 24.06.1943 në fshatin
Koshtovë të Mitrovicës. Shtojca Shkoza në mbiemrin e tij është pjesë e ruajtjes
së indetitetit, të origjinës së të parëve që kishin migruar nga fshati Shkozë i
Tiranës për në Koshtovë të Mitrovicës për arsye pune. Hasani në vendlindjen e
tij Kosovë kreu tri klasë të shkollës fillore, ndërsa të katërtën në Veriq dhe
tetëvjeçaren në Istog të Pejës. Normalen e ndoqi në Prishtinë. Pas një kohe
mësuesise u largua nga Kosova për shkak të persekutimit dhe reprezaljeve,
kështu u shpërngul për t'u rrënjuar në
Zagreb. Këtu punoi dhe u shkollua njëherësh, shenjë kjo e një inteligjence dhe
objektivizimi real të dëshirave të lindura, si dhe përpjekjeve integruese në
jetën e këtij qyteti 1000 vjeçar ndanë lumit Sava afër shpatit jugor të malit të Medvednicës. Pas akomodimit, këtu Shahini a kreu Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit
të Zagrebit, pa shkëputje nga puna.
Shkollimi dhe profesionalizimi i dha mundësinë që të kryej detyrën e
inspektorit në Entin e Inspektoratit të planit urbanistik të qytetit të
Zagrebit.
Ai shpejt integrohet edhe në botën e letrave,
shkruan dhe boton nga viti 1960 në gjuhën shqipe dhe kroate, letërsi për fëmijë
e për të rritur, pezi e prozë siç dhe përkthen nga të dyja gjuhët: shqipe e
kroate. Kjo cilësi e fundit më dha mundësinë edhe mua ta njihja më mirë, pasi
ai është përkthyesi i sukseshëm i librit tim me poema »Perandoria e
zogjve«. Si poet Shahin Hasani – Shkoza
është përfshirë në Planprogramin e teksteve shkollore të Republikës së
Kroacisë: Libër leximi për klasën VIII të shkollës së detyruar publike në
gjuhën kroate me dy vjersha: «Majci Tereziji«, »Nënës Terezë« dhe »Maj?in
lik« - »Portreti i nënës« në gjuhën kroate dhe shqipe, 2005. Me 25 janar 2007
me rastin e provimit të nëntë veprave te tij në Shkollën fillore »Jusuf Rexha«
në Koshtovë të Mitrovicës në mënyrë solemne grupi letrar pagëzohet me emrin e
tij: »Shahin Hasani – Shkoza«. Gjithashtu i është dhënë mirënjohje për
kontributin në afirmimin e vlerave të kësaj shkolle, me rastin e 90-vjetorit të
themelimit.
Është anëtar i Shoqatës së
Shkrimtarëve të Kroacisë dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Siç
përmendëm më sipër ai nuk shkruan vetëm poezi, por edhe prozë. 15 janë veprat e
botura deri me sot. Por duhet thënë patjetër se pjesë e pandarë e kesaj
krijimtarie është edhe përkthimi. Ndër të tjera Shahini ka përkthyer ese nga
Miroslav Kërlezha, Tin Ujeviqi, Ivan Goran Kovaçiqi në shqip dhe Begzad Baliun
e Bardhyl Maliqin në gjuhën kroate etj.
KUR PEMA E
GJELBËR E MALLIT MBIN NË ZAGREB
Diku më lart thamë se pas
largimit të imponuar prej rrethanave nga Kosova, Shahini rrënjoi në Kroaci e
posaçërisht në Zagreb. Themi rrënjoi pasi ai u shkollua, u dashurua, u martua e
lindi fëmije e sot rrit edhe nipër e mbesa; punoi deri në moshën e pensionit e
tash është aktivist shoqëror për shumë veprimtari kulturore të Unionit të Shqiptarëve
dhe shoqatave krijuese të Kroacisë si »August Shenova« e »Dea« të shkrimtarëve
kroatë e shqiptarë të Kroacisë. Ndryshe themi se për Shahinin si krijues,
përkthyes e mederator kulturor nuk ka prehje dhe pension, për Shahinin këto
janë fjalë të huaja.
Ndaj ne duke u rrekur për të
përshkruar e ravijëzuar portretin artistik të Shahinit, vërejmë se shumë
studiues kosovarë kanë evidencuar cilësitë kryesore të personalitetit të tij
krijues. Ndër ta Prof. Dr. Hysen Matoshi thekson se emri i poetit Shahin Hasani
– Shkoza për lexuesin tonë është sinonim i krijuesit të rikthyer në skenën tonë
letrare pas dyzet vitesh, krijuesit që në pak kohë ka kapur një ritëm të
lakmueshëm prurjesh, por, pa dyshim, edhe njërit ndër krijuesit
më të shquar të diasporës sonë, autorit biling dhe përafruesit të
kulturës sonë letrare me kultura të tjera evropiane. Në përpjekjet e tij të vazhdueshme letrare, Shahin Hasani
del para lexuesit shqiptar me librin e vet të radhës, përmbledhjen poetike Urnë
e ndezur, një titull pa dyshim simbolik dhe një gjetje poetike
interesante.
E unë do të thosha se në të
gjithë librat e Shahinit ka një fill të ndezur të zjarrit poetik, por dhe të
dhimbjes, dashurisë dhe mallit njerëzor;
e kjo lexohet si kumt i metaforave, epiteteve apo simboleve nga zenë
fill ato. Kjo është shenjë e sigurtë e një talenti të pjekur e të
mirëorganisuar, pra përzgjedhja e titujve dhe përmbajtja ciklike e librave të
tij nuk është rastësi. Po ndalem gjatë këtu, pasi për ne studiuesit e letërsisë e psikologjisë
krijuese na duhet të hulumtojmë dukurinë. Nga lind dhe me se lidhet ajo?
Njëzëshëm pohojmë se ajo është pjesë e indetititetit të emigrantit dhe dukuri e
proceseve shpirtërore që ndodhin tek çdo njeri gjatë emigrimit, e pastaj bëjnë
strehë të përhershme atje, ashtu si një fidan i mbjellë me dashuri e dhimbje.
Emigranti, atdheun e merr me vete, ashtu si breshka zhguallin, merr kujtimet,
pejsazhet, përrallat, folklorin, gjuhën e të parëve, pra këto të gjitha
konvertohen në mall. Le t’u kthehemi për argument vetë titujve të librave të
këtij autori, ku spikat malli njerëzor si brengë, dhimbje, dashuri dhe ndjesi e
ëmbël, e si i tillë ai është gjithkund i pranishëm: “Hojet e shpirtit”
– Prishtinë, 2003; - malli për gjerat e
embla e të shtrenjta të jetës, për mjaltin e hojeve të saj. „Zapjevaj
Kosovo“, (Këndo Kosovë)- Zagreb, 2003 ;
kënga është mall e për më tepër të ndjell mall emri i atdheut, i Kosovës
që e lindi dhe e mëkoi me qumështin e ëndrrave për liri, “Dallëndyshet
mbi Kosovë” - Prishtinë, 2004; fjala dallëndyshe ndryshe mund të thuhet zogu shtegëtar,
emigranti i përjetshëm, ashut si Shahini në trajektoren Zagreb-Prsihstinë,“Ylli
i shpresës” – Prishtinë, 2004;
ylli është hapsira, largësia dhe zjarri, distanca mes Kosovës dhe Kroacisë projekton një ndjesi të
brendshme të përhershme, ndjesia e mallit për zjarret e largëta është njëherasi
edhe një sendërtim dhe objektivizim i shpresës njerëzore, një shprese që kurrë
nuk e braktisi Shahinin, ndaj brenda tij Ditën e Pavarësisë së Kosovës ngriti
një përmendore të bardhë drite. “Nijemi krik”, (Klithje memece)
Zagreb, 2005; Ç'janë klithjet? A s'janë shfrime të brendshme të artikuluara apo
memece? Rëndom memece, pasi nuk gucon ta ngresh zërin kur sundon dhuna e
tolitarizmi, shtypja nacionale apo racore; “Fillim a fund”- Prishtinë,
2005; kur je në fund, fillimi le pas gjurmët si shenjim apo një ndjesi malli; “Muri i dhembjes” - Prishtinë,
2005; ndërkohë është një mall i ngujuar brenda gurit, “Në mes valësh”-
Prishtinë, 2006; vala është dallgëzim emocional, pra ndjesi e hepuar malli
njerëzor, “Veku i jetës”- Prishtinë, 2006; veku është avelmendi, vegja, pra malli; “Urnë
e ndezur”- Prishtinë, 2007; këtu
malli është zjarr i pa shuar, ura e ndezur, pishtari udhëndriçues, »E
diela e vetmisë«- Prishtinë,2008;
e diela eshte koha kur trupi mund të pushojë, por brenda teje pluskon
ndjesia e vetmise së të qenit larg, emigrant, pra ndjesia e mallit, »Dallgë
malli«- Prishtinë, 2009; kjo s'besoj se ka nevojë për koment, veç po të
shtonim tallazin shpirtëror të emigrantit, që megjithëse e ka gjetur një atdhe
të dytë, shpirti i rron edhe te atdheu i orgjinës, »Puni krug«
(Rrethi plotë) Zagreb, 2010; - këtu nis të përmbyllet qarku i sendeve që të
rrethojnë dhe njeriu fillon të vendosë çdo gjë në vendin e vet; »Aromë
Kujtimi«- Prishtinë, 2011; fjala
'aromë' na çon tek lulet e oborrit, tek era e rigonit, tek buka e shtëpisë;
e këto gjithmonë konturojnë ndjesi të bukura që vijnë e sendërtohen si mall; »Përplasje
erërash«- Prishtinë, 2012; që mund të lexohen si përplasje mes së
djeshmes dhe të sotmes, mes realiteteve
të mugëta të mbetura në thellësinë e vetvetes dhe atyre që vinë rishtas e
kërkojnë të zenë vend brenda teje. Pra në titujt e të gjithë librave të botuar
deri më tash kemi elementë të fjalorit poetik, të stilit që e lidh atë së brendshmi
me përmbajtjen dhe shprehësinë ideore dhe artistike në verbin poetik të këtij
krijuesi të njementë.
Nga leximi fillimisht
diagonal e tash dhe rrokësor i veprës së tij 15 vëllimshe ne ndajmë me kritikët
e tjerë mendimin se pesë dekada e gjysmë të jetuara larg atdheut vërtet ia kanë
krijuar poetit një distancë hapësinore me tokën e lindjes, që në veprën e tij
shpërfaqet në trajtën e mallit, por kjo trajtë synohet të relativizohet dhe
madje edhe të zhbëhet nëpërmes afrisë shpirtërore që autori e ndien për
njerëzit e vendlindjes e përgjithësisht për botën shqiptare, ajo në krijimtari
vjen e bëhet si diçka e natyrshme, madje trashedentale, e brishtë e delikate,
por tejt njerëzore.
E GJITHË
BOTA ËSHTË NJË LOT
Motivi atdhetar në poezinë e
Shkozës ( nuk di pse preferoj ta shenjoj kështu) vjen e ngjizet edhe nga
leximet apo ngjarjet e përjetura, janë me dhjetra poezitë për Kosovën të
konturuara prej kësaj doze malli, por atij i ndodh që edhe nga leximi i poezive
të Bilal Xhaferrit, veçanërisht Baladës çame të vijë e të skicohet e
pastaj të rritet si ullishte e re. Ndaj krejt cikli poetik për Ullinjtë, një
cikël vërtet i frymëzuar që na ka ngjallur një ndjenjë habie për prurjet e reja
që me finesë ai i sjell poetikisht bukur. Le të hedhim një vështrim mbi itujt me një sy të shkathët: Ulliri- i vjetër...sa vet njerëzimi, ulliri
si shtrirje kohore e hapsinore me zanafillë të stërlashtë: Ullinjtë e Ilirisë,
ullinj të kopshtit tim, ullinj të pavjelur e të zhuritur të Çamërisë, ullishte
të reja të Jugut, ullinjtë e krujës ai kujtesë e martesave në kohën e arbërit,
ullinjtë e tërë Shqipërisë e gjer lart, të Dalmacisë... Ndaj autori i këndon
Ode ullirit, tërheq dhe e intrigon Gjaku i bardhë i ullirit, Zanafilla dhe
përjetësia e tij e shpesh hidhërimi i vetëm i ullirit që vjen prej prerjes si
ndalje e rrjedhës së jetës, ndaj përjetohet rëndë. Ndaj kemi dhe poezi për
Gjakimin r ullirit, për Vajin e tij të bekuar, për Gjurmët e ullirit, për
lashtësinë e tij si Metafora e re. Dhe ja tek mbrijmë te Dega e ullirit, herë
si Ngushtimi i largësive, e herë si kurorë për homazh të Tribunit kombëtar Bilal Xhaferri, aty te Krahu i
shqiponjës, tek luajnë tango Joni dhe ulliri. Dhe shkojmë te Gjeniu
prej ullirit dhe padyshim te përfundimi se E gjithë bota është një lot. Janë 19
poezi, pra një cikël poetik më se i plotë. Për nga përmbajtja dhe forma këto
poezi u ngjajnë familjeve të një fisi, të fisit të vjetër të ullinjve që janë
banorët e përhershëm të të njejtës lagje të moçme.