Kulturë
Mark Kalaj: Një 'dhuratë' e çmuar për Tropojën
E diele, 09.01.2022, 05:33 PM
Një “dhuratë” e çmuar për Tropojën
Nga
Mark Kalaj, Mësues
Ka kohë që qarkullon libri i Frrok Vukajt
“Rrugëtim arsimdashës i Tropojës”. Frroku është
një nga filizët e Nikaj- Mërturit (Shëngjergj), ndër
intelektualët e tij, mësuesi, drejtuesi, studiuesi, hulumtuesi i vlerave
shpirtrore të kësaj zone. Ai në këtë libër dha një pjesë të shpirtit të tij, duke e parë relitetin në
sy, me optimizëm, larg politizimit, larg servilizmit, duke analizuar e
vlerësuar me syrin e specialistit edhe arritjet e sukseset, edhe mangësitë e
kufizimet. Ai nuk e fsheh qëndrimin e tij,
nuk stepet e nuk heziton, nuk
rrudhet e nuk tkurret, për të thënë
realitetin. Ai këtu ka derdhur talentin
e tij profesional, ka shprehur dufin e
zemrës, inteligjencën e aftësitë e tij, përvojën gjysëmshekullore në edukimin e brezit të ri.
Ai arriti ta shohë shkollën e Mesme të Bashkuar Lekbibaj, në të cilën drejtoi
për një kohë të gjatë, në shkollat më të dalluara të rrethit, dhe e dekoruar
nga Kuvendi Popullor me 7 Mars 1987. Në
libër janë pasqyruar me realizëm puna me përkushtim e mësuesve dhe
nxënësve, ndihmesa e pashembullt e
prindërve. Për pasqyrimin e kësaj pune titanike, e kanë ndihmuar dhuntitë
metodike, burrëria e bujaria që i ka trashëguar nga prindërit, forca dhe karakteri i tij i pashoq, trimëria e guximi, me të cilat çau përpara me krenari. Puna e tij sistematike e
këmbëngulëse, gërmimi në arkivat dhe në materialet studimore, shfrytëzimi i
ditareve e shënimeve të mbajtura në vite, përvoja e grumbulluar në punë, janë
baza e këtij libri shkencor, profesional, të punuar me aq dashuri e ndjesi, për
t’ua lënë brezave. Përfshirja e
historikut për gjithë rrethin e Tropojës
dhe ndërthurja e kësaj pune me vendimet e direktivat e Qeverive, i ka
rritur këtij libri karakterin
shkencor dhe gjithëpërfshirës.
Frroku, këtë libër ua “dhuron” njerëzve të tij të
dashur që i pati krah dhe e kanë frymëzuar gjithnjë, por dhe kolegëve të një
llogorje të përbashkët, miqve dhe dashamirëve, fshatarëve të tij të dashur që
megjithëse është shkëputur prej tyre prej shumë vitesh, i duket se është pjesë
e pandarë e trupit, e dëshirave, bujarisë, respektit, trimërisë,
vendosmërisë, inteligjencës.
Pak nga brendia e librit:
Libri është
konceptuar në katër kapituj :
1. Fara e dijes,
në të cilën autori i mëshon shumë fuqishëm aktorëve dhe faktorëve të
rëndësishëm që ndikuan në përparimin dhe dijen ku rol të veçantë luajtën
familja dhe feja si pjesë e supërstrukturës;
2. Nga masivizimi në rritje cilësore (1945-1990);
3. Tranzicioni
dhe shkolla, ku përfshihen jo vetëm probleme të ndryshimit të sistemit, por
edhe të rejat që lindën bashkë me sistemin e ri demokratik, ku janë analizuar
me hollësi.
4. Kapitulli ilustrues
i paisur me literatutën mbi të cilën është mbështetur autori për përpilimin e
këtij libri si dhe fotografi.
Vlerësimet:
Në libër
vlerësohen përpjekjet e vazhdueshme titanike të popullit të kësaj treve për
arsim e dituri, të bëra në periudha të
ndryshme historike. Tradita në edukim, odat e burrave dhe kuvendet e malësisë,
kanë dhënë një ndihmesë të madhe.
Shembull për t’u ndjekur kanë qenë titanët e mendimit popullor të
krahinës si: Binak Alia, Nikë Mengja, Balec Gjoni, Tunxh Miftari, Sali Mani,
Hoxhë Dollapi, Gani Sokoli etj. Natyra fantastike dhe format e
relievit, cicërimat e zogjve, e britmat e kafshëve të egra, gurgullima e përrenjve, vërshëllimat e
erës, u pasqyruan në krijimtarinë e njerëzve
të kësaj treve.
Tropoja bënte
pjesë në Dioqezën e Pultit e themeluar që në vitin 877. Kuvendet e
fretërve në Gash (1649), në Toplanë (1696), në Mërtur
(1705), kishat e Shën Premtes në Tetaj (shek 13), famullia e Nikajt
në Gjonpepaj më 1779, në Curraj të Epërm 1897, pa mohuar shërbimin
për ruajtjen e kultivimin e fesë, kanë shërbyer si vatra edukimi për ruajtjen e
vlerave kombëtare, të zakoneve dhe traditave të popullit tonë: gjuha e pastër,
doket, këngët, vallet, tregimet, legjendat, veshjen, veglat muzikore, bujarinë,
trimërinë, heroizmin, mësimn dhe edukimin e njerëzve dhe i kanë pasqyruar në
ditaret e tyre. Nga dokumentat del se që në vitin 1638, në Gash të Tropojës
u bë mësim dhe predikim shqip.
Pas shpalljes së
Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesa të vazhdueshme të popullit dhe pas
këmbënguljes së Drejtorit të Përgjithshëm të Arsimit z. Luigj Gurakuqi, me
1 qershor 1917, hapet shkolla e parë në Gjonpepaj, me mësues
famullitarin Atë Nikoll Kolaj. Pak më vonë(1918), hapet shkolla tjetër
në Raja të Mërturit dhe në Malësinë e Gjakovës, në Bujan, me 04.01.1923 me 40 nxënës, me mësues Osman Shaqirin.
Rëndësi pati hapja e internatit “Kosova” më 1923 në Kolgecaj(Bajram
Curr). Pas tyre vijuan shkollat në Palc,
Shëngjergj, Degë, Curraj i Epërm etj. Shkollat u
hapën e u mbyllën disa herë gjatë atyre
viteve, por ato janë të parat
dallëndyshe të arsimit në zonën e
Tropojës dhe shërbyen për shkollimin e
fëmijëve të kësaj zone të thellë.
Një vënd të
veçantë zen arsimi pas Çlirimit. Hapja e 5 shkollave fillore në vitin 1946 në Selimaj,
Llugaj (Rrogam), Berishë, Salcë Gjonpepaj dhe e
kurseve kundër analfabetizmit, u bënë një bazë e shëndoshë për arsimimin e
zonës së Tropojës, ku u dalluan mësuesët: Shaqe Sokolja, Qerim Alia,
Osman Hoxha, Ndue Kola, Vlash Gurashi, Burhan Hoti dhe dhjetra të
tjerë. Përgatitja e mësuesve vendas krijoi mundësitë e hapjes së shkollave 7 e
8-vjeçare në fshatin Kolgecaj më 1948, në Tropojën e vjetër
(1949), në Babinë më (1950), në Buçaj (1952), Gjonpepaj (1953), Geghysen
(1953), Kovaç (Kërrnajë () 1953), Shëngjergj (1960), Salcë
(1964), Curraj i Epërm (1966), në Q.Mulaj (1975), Bricë (1977),
Tetaj (1982), ku u dalluan drejtuesit e shkollave: Zef Doda, Lazër
Martinaj, Gjokë Doshi, Ndue Doshi etj. Pas viteve 1975 u hapën edhe shumë
shkolla të tjera 8-vjeçare në Qeresh-Mulaj (1975), Bradozhnicë
(1976), Kovaç (1976), Markaj (1979), Luzhë (1981), Tetaj
(1982) etj. Në vitin 1975, numri i nxënësve në të gjitha hallkat, brenda
dhe jasht rrethit deklarohet në 10 000, rritur 2,5 herë krahasuar me 10
vite më parë. Në jetën e shkollës së kësaj zone ndikuan hapja e Konviktit të Xhanit, në vitin 1946, që një vit
më vonë u transferua në Theth, dhe më 1953 konvikti pranë shkollës
7-vjeçare Kolgecaj, në të cilin u strehuan mbi 100 konviktorë nga
Tropoja.
Hapja e shkollës
së mesme bujqësore në shtator të vitit 1970, në Tropojë, ish qendër e
rrethit, ishte ngjarje me rëndësi. Në fillim të viteve 70, në qendër të rrethit
kanë funksionuar edhe shkolla e mesme e mamive, shkolla ekonomike dhe
industriale shumëdegëshe në Fierzë (1972). Një ngjarje e veçantë ishte
hapja e shkollës së mesme bujqësore në Gjonpepaj, në shtator të vitit
1976 dhe e një dege të arsimit të mesëm të përgjithshëm në vitin 1985, në të
cilat kanë marrë dëftesa mbi 2000 nxënës dhe kanë mbaruar arsimin e lartë mbi
150 prej tyre.Në vitin 1976 u hapën edhe tre shkolla të tjera të mesme
bujqësore: në Llugaj, Bujan e
Pac dhe në vitin 1983-1985 edhe shkollat e mesme në Cërnicë,
Babinë Margegaj etj. Në vitin shkollor 1999-2000, në rrethin
e Tropojës kishte :20 kopshte të edukimit parashkollor, 45 shkolla
8-vjeçare, 35 shkolla fillore vartëse, 11 shkolla të mesme. Nga këto shkolla vazhduan arsimin e
lartë dhe janë diplomuar mbi 800 kuadro të lartë vendës.
Pas viteve 1990,
në kapitullin tranzicioni dhe shkolla, autori është ndalë në problemet me të
cilat u përball zona: me lëvizjet masive të popullsisë dhe me uljen drastike të
numrit të nxënësve e me largimin masiv të mësuesve me arsim përkatës. Në vitin
shkollor 2014-2015 në Zonën e Nikaj-Mërturit funksiononin vetëm shkolla e mesme
Lekbibaj me 140 nxënës, shkolla 9-vjeçare Gjonpepaj me 83 nxënës
dhe shkolla 9-vjeçare Shëngjergj me 39 nxënës. Janë mbajtur ende
shkollat e c.ulët në fshatrat Tetaj, Mserr, Palc, Salcë, Bricë, por në
dsa prej tyre me mësues pa arsim përkatës. Autori ven në dukje disa arritje të
shkollës së këtyre viteve si depolitizimi, hapja e arsimit privat, evoluimi i
metodave të mësimdhënies e mësimnxënies, alterteksti etj, por është ndalur në
dukuri negative që ndikojnë në cilësinë e punës së shkollës si: Krijimi i
klasave kolektive në ciklin e lartë, mungesa e arsimit privat në Tropojë, mungesa e mësuesve të kualifikuar
në zonat e thella, gjakmarrja dhe ngujimi i nxënësve, stresi dhe ndikimi në
rezultatet e shkollës, etj. Autori është
përpjekur dhe ka dhënë eksperiencën e tij disavjeçare në punën me nxënës, për
të gjetur burimet e stresit dhe për të dhënë forma të përballimit të tij. Është
ndalë veçanërisht në kurrikulën dhe shkollën, në ngarkesën mësimore dhe format
e shmangies së mbingarkesës. Ai është ndalë në altertekstin, në problemet që
dalin me maturën shtetërore, metodat e mësimdhënies dhe metodat me qendër
nxënësin, vlerësimi dhe vetëvlerësimi, puna me kuadrin, roli i drejtuesit në
shkollë dhe probleme të tjera që vlerësojnë punën e palodhur të qindra mësuesve
vendës dhe të ardhur nga rrethe të tjera për ta bërë Tropojën një nga rrethet e
dalluara në arsim dhe kulturë. Këtu ka lista të plota të autoriteteve shkencore
të rrethit, doktorë shkencash dhe profesorë, lista të mësuesve sipas profileve,
lista të kuadrove të dalluar në kulturë,
të dalluar në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, në shëndetësi e kudo kanë
dhënë kontributin e tyre të vyer.
Libri shoqërohet
në vend të parathënies nga dy shkrime të Prof.Dr Musa Krajës dhe të Mujë
Buçpapajt të cilët vlerësojnë nga ana shkencore, rëndësinë e këtij punimi
dhe rëndësinë e tij jo vetëm për Tropojën por për gjithë Shqipërinë. Libri ka
edhe sentenca nga njerëz të shquar të artit dhe kulturës për arsimin. Është i
paisur me shifra e fakte për numrin e nxënësve e të mësuesve në vite, me tabela
për listën e mësuesve të shkollave, të mësuesve me arsim të lartë sipas
specialiteteve, të nxënësve konviktorë në vite, të njerëzve të shquar të
shkencës dhe të artit që kanë dalë nga shkollat e kësaj treve, doktorë në degë
të ndryshme të shkencave, profesorë e doktorë me tituj që kanë dhënë
kontributin e tyre të padiskutueshëm në zhvillimin e arsimit dhe kulturës në
vend e jashtë vendit. Ai për çdo kapitull ka përcaktuar arritjet më të
rëndësishme dhe është përpjekur të japë edhe problemet për të cilat kërkohet
zgjidhje dhe mënyrat e zgjidhjes.
Në mbyllje të
këtij libri, autori shkruan: “Gëzohem e ngazëllehem, për sukseset e arritura
në të katër anët e Shqipërisë e më gjërë, për kontributet e sukseset e
tropojanëve, bashkudhëtarë e pjesmarrës të zhvillimeve transformuese të cilët
arsimohen e punojnë me qytetari për një jetesë më të mirë. Me modesti dhe pa
vetëmburrje, duhet pohuar se mundësitë dhe energjitë e tyre, janë të
pashtershme dhe faktor i rëndësishëm i përparimit”.
Libri ka një gjuhë
të zgjedhur e të përshtatshme për çdo lloj moshe e për të gjitha shtresat,
është i këndshëm dhe tërheqës dhe tregon për një punë të gjatë në vite dhe nuk
është një “Udhëtim i rastit”, por një ndalesë e thelluar në historikun e arsimit
të Tropojës, i lidhur ngushtë me historinë e shkollës shqiptare, me evenimentet
e saj më të rëndësishme dhe është i bazuar në dokumente historikë të besueshëm.
Ky libër i shkruar me kompetencë, ka vënë një gur themeli në arkivin e Arsimit
e kulturës në zonës së Tropojës dhe nuk duhet t’u mungojë bibliotekave tona.
Libri është paisur
me foto të mësuesve, shkollave dhe
veprimtaritë shkollore e kulturore në rrethin e Tropojës. Është rezervuar një vend i veçantë për nxitësit e
sponsorët, zotërinjtë Kadri Basha dhe Gjin Niklekaj, të cilët
edhe ne i falenderojmë që kanë bërë të mundur botimin e këtij libri. Libri
përmban një punë voluminoze të autorit të cilin e falenderojmë dhe e
inkurajojmë për punë të tjera të tilla që i shërbejnë jo vetëm vendlindjes së
tij, por edhe gjithë arsimit në tërësi.