Kulturë
Albert Zholi: Flet Shefi i Kuzhinës Alfred Marku
E enjte, 16.12.2021, 06:47 PM
Flet Shefi i Kuzhinës Alfred Marku: E kujtoj me dhimbje se si u shpërdorua Torta e Pavarësisë
Nga
Albert Z. ZHOLI
Ka
kohë që ai është pjesë e shumë televizioneve për mënyrën e të gatuarit.
Aktualisht është një ndër kuzhinierët më të spikatur jo vetëm në zonën e
veriut, por dhe në Evropë. Nga duart e tij kanë ngrënë shumë politikanë dhe
artistë italianë po ashtu edhe shqiptarë. U largua nga Shqipëria në moshën 15
vjeç dhe aty filloi të merret me artin e kulinarisë. Në fillim si punëtor i
zakonshëm derisa mori titullin Shef Kuzhine autodidakt. Në lokalin e tij në
Trento, si fillim komuniteti vendas e neglizhonte, ndërsa pas gatimit të
gjellëve tradicionale të Trentos dhe ftesës që u bëri të moshuarve, lokali i
tij ishte më i frekuentuari. Kjo bëri që Shefi i tij tashmë të kthehej në
zëvendës. Një njeri që e dashuron fort profesionin dhe që asnjëherë nuk pushon,
pasi klientët e rregullt e duan çdo gjë nga dora e tij. Ka vite që profesionin
tashmë e ushtron në qytezën e tij Shëngjin dhe klientët janë kryesisht nga
Tirana, për vetë cilësinë e gatimit, por në radhë të parë të gatimeve të
rralla, që nuk ekzistojnë në asnjë restorant tjetër shqiptar. Por ai mbahet
mend si ideatori i tortës gjigante për 100 vjetorin e Pavarësisë. Në këtë
bisedë ai shpjegon punën e palodhur që bënë për realizimin e saj, por edhe
shija e hidhur që la tek ai mënyra e ndarjes....
- Të gjithë e kujtojmë
tortën e Pavarësisë dhe mënyrën jo qytetare si u përpoqën të merrnin pjesë prej
saj. Tani pas 9-vjetësh si e kujtoni ju atë ditë?
Kur
më afruan të realizoja diçka të tillë vërtet u emocionova. Bëhet fjalë për
vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Me thënë të
drejtën ishte ngjarje historike. Vetë vendi ku do realizohej torta tregonte për
seriozitetin e këtij eventi të rrallë. Pra festa të tilla bëhen njëherë në 100
vjet. Megjithatë momenti i realizimit ishte i bukur, magjepës, plot gjallëri,
bashkëpunim, ndërsa momenti që filloi ndarja mbetet një kujtim i hidhur.
Gjithçka e bukur u prish për 30 minuta.
Një tortë e rrallë, sa
gjatësia e Pallatit të Kulturës. Kjo tortë madhështore u bë për nder të
100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Kush dominoi në këtë tortë?
Po,
një tortë gjigande e paparë ndonjëherë në Shqipëri. Torta u bë si simbol i 100
vjetorit dhe përbërësit e saj si shega apo ulliri, që ishin kryesoret në torte,
kishin sinjifikimet e tyre. Për shembull: shega është simboli i bashkimit,
simboli i rilindjes ( i nënës). Ndërsa ulliri simbol i paqes. Pra, ideja ishte
të gjithë të bashkuar për paqen.
Kush ishte ideatori dhe
çfarë karakeristikash kishin përbërësit e tortës?
Me
modesti e them se ideator i kësaj torte isha unë. Kur m’u besua përgatitja,
kërkova që të kem në dispozicion të gjitha asortimentet 20 ditë para. Ndërsa
idenë për këtë realizim të veçantë që mund të jetë Gines e kisha hedhur dy muaj
para që të kishte kohë për përgatitje. Torta ishte e gjerë 6 metra, e gjatë 97
metra, e trashë 15 cm, peshonte 18 tonë. Miell për pandispanja (3800 kg). Vezë
42 900 kokrra. Panna Krem pluhur 1320 kg. Dekori me xhelatinë 1000 kg sheqer,
për sherbet 200 kg shegë, 1000 kg gjethe ulliri. Ndërsa letër alumini 500
metër. Puna përgatitore zgjati 1 muaj, ndërsa realizimi për 24 orë ku punuan 60
vetë.
Por puna juaj ka një
hapësirë të madhe si shefi i Kuzhinës. Në një televizion kam parë që ju keni
organizuar një sfilatë me pjata. Çështë kjo sfilatë pjatash dhe çfarë kishin
brenda këto pjata?
Qysh
në vitin 2006 unë kam aplikuar për Festën e Luleve, e cila është më 6 Maj, por
sivjet e kam aplikuar më 22 maj në ditën e Bio Diversitetit. Kështu ndërlidha festën e luleve me ditën e Bio
Diversitetit. Pikërisht në këtë ditë për herë të parë në Shqipëri unë zhvillova
sfilatën e pjatave. Kjo festë u ndërpre vetëm në vitin 2020 për shkak të
Pandemisë. Me thënë të drejtën Pandemia na prishi shumë plane. Por këtë vit
duket se koha po na hap shtigje të reja.
Çfarë përmbante kjo
sfilatë, më konkretisht?
Pjata
akacie nostalgji. Ne përballë auditorit
paraqitëm apo sfiduam tetë pjata, që e paraqiste secilën nga një vajzë. Secila
pjatë kishte nga një emër, pra të ushqimit që ofronte. Këto ushqime kishin apo
ishin vetë me lule. Psh një nga këto ishte akacie nostalgji. Unë me sa mbaj
mend në shkollë, gjithmonë në oborr do të kishim një pemë akacie. Ishte për
mbarësi akacia në shkollë. Ne si fëmijë në pushim shkonim afër saj dhe hanim
lulet e saj, që na kënaqnin. Ndaj më kish mbetur si nostalgji e fëmijërisë kjo
lule. Pra një pjatë me këtë lule. Pjata me çikore e dehur. Pjata Mashtrimi i
një Shprese. Pjata me hithra. Byrek me
luledele.
Ku e mësuat këtë art
kulinar kaq të veçantë?
Unë
artin kulinar jo vetëm e kam pasion, por kam punuar për vite të tëra në lokale
luksoze italiane. Dhe nuk dua të ndalem në këtë profesion. Kam shkuar në Itali qysh 15 vjeç dhe aty kam
mësuar në mënyrë autodidakte artin e kulinarisë në disa lokale me emër ku dhe
mora titullin shef Kuzhine. Unë isha në veri të Italisë. Kur fillova në fillim
në kuzhinat italiane më dhanë të laja pjata. Por unë kisha egoizëm profesional
dhe pse aty kishte shumë racizëm në
vitet e para. Kështu rritesha çdo ditë me këtë ide që të bëhem dikush.
Pas 6 vjetësh unë arrita atë që ata nuk e besonin.
Aty hape restorant më
vete?
Po.
Shqiptari në karakterin e tij ka dy gjëra shumë të rëndësishme, mikpritjen dhe
kokëlartësi. Kjo kokëlartësi e bën që të marrë vendime. Unë pasi u bëra shef
kuzhine në Trentino dhe Breshia hapa një restorant me qira. Në fillimet e mia
nuk pata punë pasi thoshin ja shqiptari do na mësojë ne se si të gatuajmë? Një
javë rresht vetëm shikoja. Pastaj një darkë ftova të gjithë pleqtë e fshatit,
të gjithë gjyshërit dhe gjyshet se ata janë lidhësit mes djalit, nipit, mbesës,
nuses, ata që përhapin fjalën dhe fjalët e tyre zënë vend. Ata janë motori i
marketingut për një zonë të caktuar. Unë gjatë kësaj jave, studiova ushqimet
tradicionale të asaj zone dhe atë natë ju shtrova për të ngrënë ato gjellë që
ata i kishin ngrënë ahere kur ishin 15 vjeç (tashmë 70 vjeç). Ndryshimi ishte
se tani po i gatuante një shqiptar. Mbas këtij momenti ata u çuditën dhe e bënë
reklamë në të gjitha shtëpitë e tyre. Rastësisht aty njoha dhe një skulptor
gjerman që më ndihmoi. Pas pak kohësh ndodhi që ai, të cilin dikur e kisha
mjeshtër dhe unë isha ndihmës i tij, erdhi të më bënte ndihmësin. Ky moment
ishte në Trento.