Kulturë
Kadri Tarelli: Bukuria gjen vend edhe në një shpirt të trazuar
E marte, 14.12.2021, 07:07 PM
BUKURIA GJEN VEND EDHE NË NJË SHPIRT TË TRAZUAR
Nga
Kadri Tarelli
E lexova në
dorëshkrim librin me tregime, “Pylli me Lisa”, të autorit Bashkim Saliasi.
Çuditem me vete, pasi më tërhoqi shumë, jo vetëm tematika e larmishme, copëza
jete të jetuara ngultas me të gjitha të papriturat e tyre, por në veçanti
përshkrimi i natyrës. Oh çfarë mrekullie? Sa realiste, çfarë ngjyrash të
diellit, dritës, hijes, natës, yjeve, hënës, gurgullimit të ujit, këngës së
zogjve, simfonia e këmborëve të bagëtive, e deri te lehja e qenve të stanit.
Kisha kohë që nuk më kishte rënë në dorë një libër i tillë, pasi për vete
lakmoj tema historike.
Kur lexoj këtë
libër, i jap plotësisht të drejtë At Zef Pllumit, kur shkruan librin ”Rrno për
me Tregue”. Janë këto ngjarje, që pasqyrojnë atë kohë të trazuar, të paprovuar
më parë, por edhe në një lloj pështjellimi mbarë shoqëror. Të gjitha në një
kohë, kur edhe mendja edhe shpirti i autorit ishin të trazuar dhe mbushur plot
mërzi dhe trishtim. Sa e vështirë të marrësh vendime të tilla. Nuk është e
lehtë të lesh familjen, shtëpinë, shoqërinë dhe vendin ku ke lindur. Vetëm ata
që e provuan dhe përjetuan atë kohë mund të thonë të vërtetën e hidhur, shpesh
edhe tragjike.
Kur po lexoja,
megjithëse në moshë të pjekur, po kuptoja filozofinë e përrallave që na
tregonte gjyshja, kur ishim të vegjël: Heroi i mbetur në udhëkryq, duhet të
zgjidhte rrugën, njëra e njohur dhe e rrahur nga udhëtarët e shumtë, tjetra që
shkon por nuk dihet a kthesh. Ç’ vendim duhet marrë? Librat që kishim lexuar
nuk na kishin mësuar mirë, ose ne nuk i kishim kuptuar si duhet. Kështu ndodh
kur nuk e provon mbi kurrizin tënd. Plaga e tjetrit nuk të dhemb ty.
Autori, si në një
film dokumentar, na i sjell të gjalla ato kohë të turbullta. Ç’të numërosh më
parë: Rrëmujë nëpër rrugët e qyteteve, gjendja ekonomike për të qarë hallin,
pasiguri e jetës të secilit, shteti i pa formuar plotësisht pas rrëzimit të
sistemit komunist: “Një ushtar me kambale të
zbërthyera dhe me xhaketën hedhur krahëve, ngrohej në një shullë dielli. Armën
e kishte lënë një metër larg vetes. Pinte duhan pa e prishur terezinë. Ne
“shkelësit” e kufirit po kalonim afër postës. Tjetri nuk e bëri qejfin qeder”. Besoj se mjaftojnë vetëm këto pak radhë, për t’u bindur se
shteti ishte shkërmoqur deri në qelizë dhe sa e shpifur kishte qenë propaganda
që ushqeu këtë popull për gjysmë shekulli.
Vendi dhe koha
ishte në absurd dhe askush nuk mund të thoshte ç’po bëhet dhe si do të bëhet.
Ikjet drejt kufirit me Greqinë, kishin marrë përmasa të mëdha, si një lloj
dehje kolektive: O burra kush të ikë më parë, pa kthyer kokën prapa! Ishte si
të largohesh nga pushtuesi, apo nga një vend ku ka plasur sëmundja e murtajës.
Të gjitha dëgjoheshin, të tjerat merreshin me mend. “Të gjitha vërtiteshin
rreth Greqisë. “Sëmundje” e emigrimit ishte përhapur në të gjitha skutat e
jetës së njerëzve”, shprehet diku autori..
Ata, kryesisht të
rinjtë merrnin rrezikun në sy, pavarësisht se policia dhe ushtria greke
përpiqej t’i pengonte. Shumica, ata që guxonin më shumë, nuk i llogarisnin
pasojat dhe të papriturat e udhëve të mbetura pa udhë.
Vetë autori i
përjeton çastet, si pjesëtar i një grupi shokësh, që morën në sy një
“aventurë”, pa ditur se ku dhe si do të përfundonin. Ndaj është i besueshëm
deri në hollësitë më të vogla, pa qenë nevoja të trillojë apo të dehet nga
frymëzimi. “Hijet e malit përtej lumit që ndanin
kufirin shqiptar nga ai grek, formonin një dekor të frikshëm, ku mbizotëronte
një qetësi e thellë. Të krijohej ideja, sikur bota sapo qe krijuar dhe yjet
dilnin për herë të parë në qiell”.
Sapo kaluan
kufirin, ndjejnë frikë, ankth, pasiguri, vuajtje dhe mundim, shpresë dhe
tundim, për të gjetur “Eldoradon”, në tokën Helene, në shtegtimin e mundimshëm
të mërgimtarit, apo refugjatit, siç i thërrasim sot me një fjalë moderne. Mjafton të përmend fjalët e sportelistit të një hoteli në
qytetin e Përmetit, kur merr vesh se ata janë nisur drejt vendit fqinj, me
qëllim punësimi: “Mirë do të bëni. Gjithsesi, tregoni kujdes, sepse dje janë
kthyer shumë vetë. Disa prej tyre ishin rrahur keqas nga ushtarët grek”.
Pak më lart thashë
u çudita, për të shtuar u mrekullova, pasi ka kohë që nuk me ka rënë në dorë
libër me përshkrime kaq të gjalla të një
pylli, njësoj si të vizitosh një galeri pikture dhe të sodisësh tablotë
e famshme të Pyllit me mështekna dhe berjozka, të piktorit rus Ivan Ivanoviç
Shishkin, i mbiquajtur “Poet i pyllit”, cili jetoi deri në vitet e fundit të
shekullit 19-të.
Nuk di si t’i
shpjegoj këto ndjesi kaq të holla artistikisht, pasi autori është biolog për
nga profesioni, kështu problemet shkencore i prek lehtë, por i kalon pa u
ndjerë. Ndaj pyes veten: Ç’ forcë apo ç’ magji e shtyn njeriun të mendojë gjëra
të bukura edhe kur ndjehet keq? Vërtet ka një magji që e ve në lëvizje trurin
për të parë e vërejtur gjëra të harlisura, kur në çaste të tjera nuk bien në
sy? Ndoshta këto pyetje do t’i bëjë çdokush nga lexuesit.
Në këtë hulli të
meditimit, e gjykoj si veprim të mençur të autorit, pasi mund të ngatërrohej si
litar nëpër këmbë dhe libri merrte ngarkesa te tjera, duke humbur artin e
fjalës dhe romantizmin e shpirtit krijues. Kam përshtypjen se Bashkimi, këtu
kërkon të na japë një mesazh të fortë dashurie për mjedisin, e sidomos për
pyjet, si mushkëri e atmosferës dhe pjesë e ekosistemit. Forma është gjetur
bukur, pa fjalë të mëdha, që nuk ngjisin në vetëdijen tonë dhe që i shpërfillim
pa u menduar gjatë. Gjykoni vetë, kur lexoni këto radhë:
Janë hijerëndë malet dhe kanë një lidhje të veçantë me trimat, me historinë
e këtij vendi. Janë male të dashura, por që rrinë mendueshëm në natën me hënë,
që zhyten në heshtjen e tyre edhe kur qielli mbushet plotë me yje.
“Rrezatimet e diellit ndryshoheshin e krijonin pamje mahnitëse, duke
depërtuar me anë të të çarave të çatisë gjethore që e mbulonte, ku puhiza
sillte aromën e lisave.
“Yjet që nuk i zinte gjumi! Hera - herës dukeshin sikur shkrinin zjarrin
brenda tyre”.
Se ç’të papritura
hasi ky grup shqiptarësh, gjatë këtij udhëtimi të mundimshëm, nuk kam ndërmend
të ndalem, pasi të gjitha mund të përmblidhen në një fjalë që na e thonë
teoricienët, “Të diturit e letërsisë”, që me dy fjalë i venë gardhin, “Letërsi
mërgimi” dhe ngjarjet vërtiten rreth një strumbullari, ku ka shumë vuajtje,
mundime, premtime dhe dështime, shpesh fitore, por edhe humbje e prapa-kthime.
Kështu na shtyjnë dhe na shtrëngojnë në kurthi e fjaleve, që të mos futemi në
lëkurën e kohës dhe të atyre që e hoqën mbi kurriz, ku secili ka ndjesitë e
veta në përjetimin e ngjarjeve.
Lexuesi ka të
drejtë të gjykojë, të qeshë apo të lotojë për fatin e heronjve të kësaj
letërsie, të titulluar padrejtësisht dhe qëllimisht, mbase për t’u harruar. Po
a mund të harrohen vuajtjet? A mund të heshtet par asaj tragjedie kombëtare, si
dënim dhe ndëshkim i pamerituar? Ja si shprehet autori në një çast dëshpërimi: “Ju
bashkuam vargut të lodhur dhe të rraskapitur, të disa dhjetëra njerëzve si ne.
Edhe ata, të dëshpëruar për fatin e keq që patën, po ktheheshin andej nga ishim
nisur. Vargu i ngjante një batalioni të shpartalluar nga lufta”.
Disa tregime, si
“Dhelpra dhe ujku”, “Kam tri pyetje”, “Pastroni korridorin” dhe “Provimi”, i
përkasin një tjetër teme, arsimit, ku autori e nisi dhe e grisi jetën e tij si
mësues dhe drejtues shkollash. E njeh mirë këtë sektor të rëndësishëm, ku
përgatiten gjeneratat e të ardhmes.
Diku me alegori të
thekur, diku me ndërhyrje të drejt përdrejtë, na jep një pasqyrë të problemeve
të ditëve të sotme në shkollat tona, ku krahas punës së mirë, vrehen edhe
dobësi, që janë rezultat i përgatitjes së pamjaftueshme të kuadrit mësues, por
edhe vendosja në krye të punës militantë pa kualiikim të shëndoshë, por edhe pa
përvojë drejtimi. Tregimet janë të bukur dhe plot lëng jete, për më shumë, janë
copëza të jetuara, ku secili do ta ndjejë veten si pjesë e lojës shkrimore, por
e veshur me kostumin e artit të fjalës.
Lexuesit i takon e
drejta të gjykojë dhe të vlerësojë tregimet dhe tregimtarin, njëkohësisht
edhe filozofinë e mesazheve që përcjell
çdo rrëfim.
Bashkimi, tashmë
shkrimtar i pjekur dhe gazetar me përvojë, pasi ka botuar disa libra, novela,
romane, studime historike dhe artikuj të shumtë, i beson plotësisht shkrimtarit
Nikolae Jorga, që thotë: “Gjithkush, kur të mbarojë së lexuari këtë libër,
do të ndiejë se ka njohur një Njeri, i cili shkruan edhe për të”, ndaj ai
shkruan kaq bukur dhe sinqerisht.
Urime Bashkim, për
libra të tjerë të bukur dhe me vlera të thekura shoqërore e jetësore.
Kadri Tarelli
Durrës. Gusht 2020.