Kulturë
Shefqet Dibrani: Dhembja është njerëzore
E enjte, 16.12.2021, 08:12 PM
DHEMBJA ËSHTË NJERËZORE
Hasan
Qyqalla & Mustafë Krasniqi, ”LEGJENDA E DHEMBJES SË HESHTUR”, monografi,
botoi “SHOQATA E TË BURGOSURVE POLITIK E KOSOVËS”, Prishtinë 2017, ISBN:
978-9951-497-74-9.(Familja Salihaj: Evokime, përjetime, burgosje, gjakime –
rrëfejnë motër e vëlla...)
Nga
Shefqet DIBRANI
PROLOG
Avdyl
Dura: I
njohur si luftëtar kundër pushtuesve serbë e bullgarë. Ai u vra më 28 qershor,
në fshatin Rakaj, në luftimet disaorëshe me forcat serbe. Ishte komandant i
çetave kaçake të kësaj ane. Po ashtu Avdyl Dura, nga viti 1926-1937 ishte
kryetar i komunës së Sllatinës, kjo komunë përfshinte 20 fshatra, në mesin e
tyre edhe fshatin Duraj. Për ata që kanë lexuar libra të historisë, sigurisht e
kanë hasur edhe emrin e Avdyl Durajt, nga fshati Duraj në Kaçanik.
Të
jesh poet e të mos shkruash një varg për heronjtë nuk e ke kryer misionin që ka
poezia! Disa nga heronjtë e këtij libri i kam të njohur nga aktivitetet në
Zvicër, në demonstrata e sakrifica të shumta.
Pastaj
erdhi lufta dhe ata shkuan për ta çliruar atdheun. U bënë ushtar të UÇK-së,
luftëtar dhe Heronjtë e lirisë sonë. E sot në paqe nëse hezitojmë e heqim dorë
nga ideali i tyre nuk do t’i shërbejmë të sotmes e as të nesërmes. Ata kanë
shkuar në luftë, na sollën lirinë, por vet u flijuan për lirinë që ne e
gëzojmë! Parë nga ky prizëm: Sa hyjnore, sa fisnike dhe sa stoike ishte
qëndresa e Vëllezërve Salihaj. Për mua si autor librash dhe kritik
letrar, është gjëja më e paktë që mund të bëja për sakrificën e kësaj familje,
të përkujtojmë dhembjen dhe tërë tragjedinë e ndodhur në Familjen Salihaj,
me të cilën u njoha, kryesisht përmes kësaj monografie.
MOTRA...
Xhevë
Salihajn,
e kam njohur më 6 gusht 2018, në Kosovë, aty afër vendlindjes sime, në Orllan
të Podujevës, në një orë letrare me krijuesit e shumtë nga diaspora. Zonjë,
plot gaz, plot hare, me një entuziazëm për t’ia pasur zilinë. Në dorë mbante
një libër, dhe diçka tragjike fshihej nën atë ngazëllim?! Sikur dridhej,
trishtohej nga ato ngjarje të cilat tashmë ndrydheshin në atë libër. As që më
ka vajtur mendja se brenda librit mund të ishte gjithë ajo tragjedi familjare,
gjithë ajo sakrificë, gjithë ai flijim.
Kur
Xheves, ia kërkova atë libër, mu duk sikur iu përzien ndjenjat, sikur iu shfaq
një dashuri e mbytur në tragjedi. Në sytë, në mimikën, dhe tërë nuri i saj, u
mbulua me refleksion të një trishtimi të cilin aty për aty nuk arrita për ta
kuptuar, gjithësesi reagimi i saj ishte mbresëlënës. Asnjëherë nuk kisha
menduar se një grua mund të shfaqej aq e hareshme, kurse në duar mbante tërë
tragjedinë familjare, në zemër, po ashtu kishte dhembje të cilën nuk e
shprehte. Ajo kishte trishtim sa nuk përshkruhet me fjalë.Xhevushja, emri i saj
përkëdhelës, mu përfytyrua si ato Heroinat e Legjendave që kishin
sfiduar tragjeditë e mëdha. Njashtu edhe tragjedia e familjes së saj, shpaloset
në brendësinë e kësaj monografie monumentale.
MONOGRAFIA
Vetëm
me pak kujdes të shtuar është dashur me dal edhe më në nivel, nëse dëshirojmë
për t’ua respektuar sakrificën atyre që bënë e dhanë shumë për Kosovën. Ne
librin po e trajtojmë si dhembje artistike, si art i flijimit, sakrificë kjo
për Atdheun e cila sublimohet me Lirinë e Kosovës. Familja Salihaj,
është flijuar për Liri, ajo e ka kryer misionin e saj. Të rënët gjithësesi.
Rrëfimet në monografi janë përjetime reale dhe racionale që pasqyrojnë dramën e
familjes ku do të dëshmohet tmerri që ka përjetuar Familja Salihaj, dhe
duket si një tabelë rrëfyese për në ferr, atje në fshatin Duraj të Kaçanikut.
Lexuesi
ndoshta do të hamendet pse Familja Salihaj, mban edhe mbiemrin Zenuni?!
Këtë gjë autorët e kanë shtjelluar me kujdesë, madje edhe arsyet, dëshmi kjo
për një formë tjetër të dhunës mbi këtë familje. Këtë e thonë, fotografitë dhe
dokumentet e prezantuara, ato janë dëshmi, fakte dhe dhembje trishtuese
njëkohësisht. Pa asnjë dyshim, Familja Salihaj, ka përjetuar tragjedi,
ndër të rrallat në Kaçanik dhe rrethinë. Edhe monografia e vërteton këtë, libri
i kushtohet këtyre masakrave, tragjedisë së përjetuar, dhunës sistematike dhe
shkatërrimit në masë të qenies njerëzore dhe të shkatërrimeve edhe të anës
materiale, madje në përmasa të pa para, të paparashikueshme, të padëgjuara.
Rrëfimi si i tillë t’i ngath mishrat të fut tmerrin, por edhe të bënë krenar
kjo rezistencë dhe sakrificë, në anën tjetër edhe përpjekja për të jetuar e
gjallëruar është sfidë, është përpjekje e rrallë, sidomos kur dihet se në
shtëpinë e tyre kanë mbetur aq shumë jetima!
Protagonisti
i monografisë është Reshat Salihaj, veprimtar i LPK-së dhe aktivist i
Fondit “Vendlindja Thërret”, kryesisht në Kantonin Vaud, përkatësisht në
pjesën e Zvicrës frankofone. Një jetë e tërë në shërbim të kauzës kombëtare, që
si sakrificë dhe si tragjedi shkon disa dekada përtej kohës që flitet në këtë
monografi. Duke lexuar me kujdes këtë libër, na shfaqet edhe enigma për vrasjen
e komandantit Agron Bajrami - Zefi, e cila mbetet mister, bashkë me vargun e
gjatë të vrasjeve enigmatike?!
Si
tërësi, monografia sjell rrëfime rrëqethëse, dëshmi për jetën dhe përpjekjen e Familjes
Salihaj, për sakrificat, qofshin ato sociale apo në rrafshin politik. Me
interes është shpjegimi për arrestime politike që kanë ndodhur gjatë vitit 1991
dhe 1994, në Ferizaj dhe Kaçanik, rrëfim që do të mbetet i bukur dhe i
realizuar mirë.
Pa
mëdyshje sakrifica e gjithmbarshme e Familjes Salihaj, është shembull
flijimi dhe sakrifikimi, e cila, si familje, ka kaluar nëpër purgatorin e
dhunës serbe, për më shumë se një shekull. Kjo familje vazhdimisht ka rezistuar
duke u bërë e njohur në tërë zonën, prandaj, një studim e trajtim edhe më i thellë,
edhe më përfshirës është domosdoshmëri, është kulturë dhe është obligim
profesional.
HISTORIKU
PJESA
E PARË, në këtë kapitull të monografisë, autorët kanë bërë përshkrim historik
për fshatin Duraj, i cili shtrihet rreth 15 km në veriperëndim të Kaçanikut.
Pastaj kanë folur për shtrirjen gjeostrategjike të fshatit, për trungun
familjarë të kësaj familje e cila më parë ishte e njohur me emrin Duraj, ashtu
siç emërtohej fshati i tyre. Në vazhdim autorët i kanë përshkruar përndjekjet
politike, kanë folur për dhunën sistematike që ushtronte pushteti serb mbi këtë
familje, pasi kjo familje ekonomikisht qëndronte mirë. Kurse në paragrafin e
tretë të këtij shkrimi flitet edhevpër përfshirjen e djemve të saj në Luftën e
Kosovës gjatë vitit 1998-1998, dhe për kontributin e tyre në radhët e UÇK-së.
Në
shkrimin “Kush ishte Avdyl Duraj, (1893-28.06.1948)”, përshkruhet tërë
sakrifica e Avdyl Zenunit, i njohur në popull si Avdyl Duraj. “Mirëpo,
përndjekja e kësaj familjeje vazhdon edhe më vonë. Kështu, në vitin 1981
burgoset dhe dënohet me 15 vjet burg veprimtari Adem Salihaj”, (po aty faqe
14).
Mjaftë
me interes, (parë nga aspekti historik), është një “Deklaratë akuzuese për
Avdyl Durën”, e dhënë më 20 qershor 1945, por bashkë me dokumente të tjera
arikvore nga kjo periudhë, qartë dëshmohet roli dhe rëndësia politike e
atdhetare e Avdyl Durës, të cilin rapsodet popullor e kanë vënë në këngë.
Për
liri luftën s’e ndalën-
Bashkë
me shokë e gjithë mahallën
Me
Ramë Bekën e Avdyl Durën,
Trojet
tona do të mburrën!
Faqe
16.
RRËFIME TRONDITËSE
PJESA
E DYTË, e monografisë i kushtohet veprimtarit Reshat Ilaz Salihaj, duke
përshkruar hollësisht jetën dhe kalvarin e tërë veprimtarisë së tij patriotike
në shërbim të kauzës kombëtare, shpjegohen një vistër perpjekjesh dhe sfida të
pa imagjinuara. Arratisje, dhembje e lot... dhe ngadhnjim. Reshat Salihaj
ishte bashkëthemelues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të
Njeriut, (KMDLNJ), për bashkësinë lokale Elezaj e Doganaj, ku për një kohë të
gjatë ishte veprimtar i këtij këshilli dhe njihej si aktivist i mirë dhe kishte
bashkëvepruar me figurat e njohura të kësaj ane si: “Bajrush Xhamajli, Elmi
Reçica, Ekrem Jashari, Milaim Jashari, të gjithë nga Ferizaj, pastaj Berat
Luzha, Hysen Shurdhani, Ismail Raka, Agim Bajrami, Remzi Elezi, etj., nga
komuna e Kaçanikut”, (faqe 23). Vlen të theksohet se Reshat Salihaj,
ishte anëtarë i grupit letrar “Fazli Grajçevci” në Elezaj, pastaj
veprimtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, veprimtar i Fondit “Vendlindja
Therret”, dhe më vonë edhe bashkorganizator dhe ushtar i UÇK-së.
Në
fillim të vitit 1999, Reshat Salihaj, kthehet në Zvicër, kuptohet me
lejen e komandantit të UÇK-së, dhe përsëri në muajin Prill 1999, rikthehet në
frontin e luftës bashkë me shumë rekrut të rinjë. Gjatë kësaj kohe ai do të
përballojë vrasjen e katër familjarëve të tij. Pas luftës, falë tij dhe
familjarëve të tjerë që kishin mbetur gjallë, ai do të kujdeset për jetimat e
mbetur dhe do të bëjë edhe meremetimin e shtëpive dhe ngritjen e të rejave mbi
gërmadhat e djegura gjatë luftës. Edhe ky kapitull plotësohet me dokumente,
faksimile dhe shumë fotografi të tjera që përbëjnë një dosje të tërë
faktografike e dokumentuese.
PJESA
E TRETË, e monografisë përfshinë biografi, kujtime, rrëfime nga lufta, dhe nis
me kujtime për fshatin heroik, Duraj! Këto kujtime janë mbresa emocionale,
përjetime që rrëfehen me ndjeshmëri për fatin e tij dhe të të gjithë atyre që
kanë bashkëvepruar me Reshatin. Ndër më përjetuese më duket se janë rrëfimet
për Babain e tij Ilaz Salihun dhe ai për Nënën, Azemine Topojani
Salihaj. Po ashtu rrëfime emocionale dhe tejet përjetuese janë rrëfimet e
Reshatit për të vëllain Sabri Salihaj, të cilin e kishte bashkudhëtarin
më të mirë dhe bashkëluftëtar në Luftën e Kosovës. Sabriu u vra nga forcat
serbe, më 13 prill 1999, në lagjen e Cakëve të fshatit Vatë, (faqe 104).
Kujtimet
e Reshatit për vëllain, Kemajlin, janë hallkë tjetër e kalvarit familjar, e
vuajtjeve dhe sakrificave që ka pësuar kjo familje. Edhe Kemajli është vrarë më
13 Prill 1999. Rrëfimet dhe kujtimet e Reshatit për kunatën e tij, Lumnijen,
janë aq përjetuese sa nuk bëhet më, “ajo është vrarë më 28 mars 1999, kur
forcat serbe e mitraluan fshatin Duraj dhe shtëpinë tonë. Në sallonin e shtëpisë
bie një predhë e kalibrit 12.55 mm, e cila e qëllon Lumën”, (faqe 110). Pa
dyshim, kujtimet e Reshatit për vëllain, Bekimin, janë shumë të dhimbshme. Ai
është gjetur i vrarë në vendin e punës më 25 shkurt 1998. Edhe kujtimet e
Reshatit për vëllain tjetër, Izahirin, janë përjetuese, rrëfime këto që
të ngathin mishrat, sidomos për vrasjet që ka përjetuar kjo familje. “Më 13
prill të vitit 1999, në fshatin Vatë, te lagjja e Cakëve, së bashku me dy
vëllezërit, Sabriun e Kemajlin e dhjetëra shqiptarë të tjerë, nga forcat serbe
është vrarë Izahir Salihaj”, (faqe 114).
Dy
fjalë për vëllain, Samiun, i cili është krah i fortë i Familjes Salihaj,
ai jeton në Zvicër, dhe kujtime të tjera të Reshat Ilaz Salihajt, janë
një histori e dhembshme, është një kalvar i papërshkruar nëpër të cilin ka
kaluar vet Ai dhe kjo familje, prandaj ai ka të drejt kur shtron pyetjen: “A
thua, deri ku do të arrijë fatkeqësia e familjes dhe e popullit tim”, (faqe
122). Pastaj autorët i kanë përfshirë edhe kujtimet e Nexharisë,
bashkëshortja e Sabriut dhe kujtimet e motrave Kimete Salihaj, (1976),
dhe “Kujtimet e motrës Xhevushe për vëllezërit për luftën” (1977), janë
rrëfimet më tronditëse dhe më të përjetuarat.
RRËFIMI I XHEVUSHËS
Ja
si e përshkruar Xhevushja momentin kur do të shtrëngohet t’ia jap lajmin nënës
së vet. “U afrova afër nënës me kujdes të veçantë që disi t’i tregoja e ta
ngushëlloja për djemtë e vrarë. Posa iu afrova, parandjenja e kobshme thuajse e
kishte munduar, nxori ofshamën me gjysmë shpirti dhe më tha: - Oj bijë, më
trego drejt se çka ka ndodhë me djemtë, ku ishin ata? Pyetje që të fuste në dhe
për së gjalli. Si mund t’i ikësh e të mos i tregosh një nëne për fatin e djemve
të saj?! – Nënë! Mbahu e fortë! Nënë! Dy djemtë tuaj dhe vëllezërit e mi kanë
shkuar nga kjo jetë, ata i gjetëm të vrarë; Sabriun dhe Kemajlin. Pas këtij
kobi kishim edhe një shpresë, se Izahiri ka shpëtuar”, (faqe 147-148). Në
rrëfimin e saj, Xhevushja shpjegon se “Kjo shpresë u tretë shpejt. I pash
katër persona, të cilët bartnin me batanije, tre të plagosur dhe njëri ishte i
vrarë! I vrari ishte vëllai im i vogël, Izahiri, 17-vjeçar. Atëherë nuk u
përmbajta dhe bërtita: - Oh, edhe Izahirin! Ah, e mjera unë për vëllezërit e
mi!”, (faqe 148), dhe ofshamë më të rënd e përjetuar vështirë se mund të
lexohet diku, e pa tu mbushur sytë me lot.
Siç
pohon Xhevushja, në rrëfimin e saj “Atë ditë të kobshme në mesin e 15 të
vrarëve ishin edhe Sabriu, Kemajli dhe Izahir Salihaj, Jakup dhe Ilir Caka,
Shiqeri Halili, Elezi dhe dy të tjerë të fshatit Lamaj, të cilëve nuk ua mësova
emrat. Vëllezërit e mi plumbat i kishin marrë në gjoks, kurse Izahirin pas
shpine. Të nesërmen. Në ora 13:30, u organizua varrimi i të vrarëve në fshatin
Vatë, pikërisht në lagjen e Cakëve”, (faqe 149). Me rrëfimin “Zaimi - në
radhët e UÇK-së”, përmbyllet pjesa e tretë e kësaj monografie, e cila është
më tronditësja brenda monografisë, për ngjarjen në Familjen Salihaj në
Duraj të Kaçanikut.
PJESA
E KATËRT, përbëhet nga materiale publike “Shtypi i kohës për përndjekjet e
familjës Salihaj”, ku në njëzet faqet vijuese ka vetëm faksimile të
prezantuara, artikuj të gazetave që kanë shkruar rreth Familjes Salihaj,
artikuj që pasqyrojnë rrëfime të trishtëta për përndjekjet e shumta, vrasjet
dhe pasojat e dhunës.
PJESA
E PESTË, përbëhet nga “Shkrime autoriale për familjen Salihaj”. Kjo
pjesë nis me rrëfimin e Adem Salihajt, intelektual dhe funksionar i
lartë politik në nivel Kosove dhe për disa mandate edhe Kryetar i Komunës në
Ferizaj. Ademi, është familjar i afërt me Ilaz Salihaj dhe me të bijtë e
Ilazit të përfshirë në këtë monografi. Pastaj ka shkrime nga Berat Luzha,
Ramadan Pllana, Zarije Zenuni - Bajrami, Kjani Sallahu, Ismajl Prushi, Afrim
Mustafa, Imer Tifeku, Fehmi Ajvazi, ku bashkë me fotografi të shumta që
lidhen me historikun e Familjes Salihaj përbëjnë një dokumentar të tërë
faktografik. Këto shënime e dokumente nga aktakuza e ngritur kundër një grupi
veprimtarësh nga Kaçaniku, në mesin e tyre edhe kundër Reshat Salihajt,
kanë kompletuar edhe më tej monografinë në fjalë. Me rubrikën “Shtojcë e
librit”, dhe me shënimin e Reshatit, përmbyllet kalvari i rrëfimeve për
tragjedinë në Familjen Salihaj të cilën autorët Hasan Qyqalla dhe
Mustafë Krasniqi, me të drejt e kanë pagëzuar “LEGJENDA E DHEMBJES SË
HESHTUR”, por kjo tragjedi nuk heshtet(?!), pasi rrëfimet e përfshira
lëshojnë britma, klithma dhe ulërima shurdhëruese.
EPILOG:
Monografia
kushtuar Familjes Salihaj, është një vepër që i kushtohet sakrificës së
një krahine të tërë dhe flijimit dhe vetëmohimit të brezave dhe gjeneratave të
tëra. Monografia është dokument origjinal, dhe është i shkruar në zhanrin e
rrëfimit, ku familjarët e gjallë kanë rrëfyer për sfidat e tyre jetësore.
Përveç Reshatit, duket se meritë e madhe i takon Xhevushes (Xhevë Salihaj),
se mbase veç motra mund të rrëfej dhembjen kështu me kaq zell për vëllezërit e
vet, duke mos e mohuar kontributin e askujt, monografia është strukturuar si
enciklopedi më vete, në të cilën janë përfshirë tërë anëtarët e tjerë të
familjes, farefisi i gjerë, me një fjalë një krahinë e tërë, të cilët ose
përmes të cilëve janë ndërtuar rrëfimet në mënyrën më origjinale. Rrëfime e
rrëfim në vete, përjetime dhe sfida të shumta, thjesht dhe qartë, pa i kërkuar
askujt ndihmë dhe llogari. Gjithësesi plotësohet maksima e njohur: Ata që kanë
dhënë nuk dinë të kërkojnë lëmoshë dhe nuk janë NJERËZ të prirur për tu ankuar.
LAVDI,
Familjes Salihaj nga fshati DURAJ në Kaçanik!
St. Gallen, 15.12.2021.
Shefqet DIBRANI