Mendime
Florim Zeqa: Albin së pari ngujo “lopët” tua, pastaj t’kojshis!
E diele, 21.11.2021, 08:06 PM
Albin së pari ngujo “lopët” tua, pastaj t’kojshis!
Shkruan:
Florim Zeqa
Afërsisht
pesë dekada më parë, në kohën e ish Jugosllavisë, diku në një fshat të Rrafshit
të Dukagjinit, një Roje e tokave të mbjellura bujqësore të sipërmarrjes
shoqërore i cili e kryente punën e vet me përgjegjësi të lartë njerëzore dhe
besnikëri ndaj ruajtjes së pronës së përbashkët shoqërore, sa herë që i zënte
bagëtinë në arat e sipërmarrjes publike i merrte dhe i ngujonte në “hangar” dhe
derisa pronari i bagëtive nuk e paguante dënimin për dëmin e shkaktuar ato i
mbetnin të ngujuara në atë vend!
Për
çka, Roja e arave të sipërmarrjes publike shpesh kritikohej nga bashkëfshatarët
e tij për besnikërinë e tepruar ndaj shtetit që e paguante për punën që e
kryente me nder. Mirëpo një ditë prej ditësh bariu i shtëpisë së tij nuk ishte
treguar i kujdesshëm dhe lopët nga mali i kishin dalë në arën e mbjellur me
grurë dhe Roja besnike menjëherë i kishte marrë lopët e veta dhe i kishte
dërguar (ngujuar) në “hangar” derisa i zoti i shtëpisë e kishte paguar dënimin
për dëmin e shkaktuar.
Pas
këtij rasti më askush nuk ishte ankuar tek Roja e tokave të sipërmarrjes
shoqërore, porqë barinjët ishin detyruar të jenë më të kujdesshëm, në të
kundërten dihej se çka i priste nëse ktheheshin në shtëpi pa të gjitha
bagëtitë!
Sqarim
për lexuesit: “Hangari” ishte vendi ku mbahej makineria dhe veglat bujqësore të
sipërmarrjes shoqërore, vend ku grumbulloheshin dhe ruheshin produktet
bujqësore, me një vend të posaqëm edhe për bagëtitë e sekuestruara.
Vjedhja e koordinuar e
shtetit
E
nisa këtë shkrim me këtë rrëfim të vërtetë, për t’iu treguar liderëve dhe
zyrtarëve shtetërorë, punonjësve të administratës publike dhe shërbyesve civil
sesi punohet për shtet me nder dhe besnikëri.
Fatkeqësisht
nga paslufta e këndej, e në veçanti pas rishpalljes së pavarësisë së 17
shkurtit 2008 e këndej, liderët shtetëror dhe liderët partiak, apo thënë më
mirë politikanët në përgjithësi nuk kanë qenë në nivelin e detyrës dhe
përgjegjësisë shtetërore dhe jo vetëm! Një pjesë e konsiderueshme e
administratës publike, e shërbyesve civil dhe policisë u kanë ndihmuar
politikanëve në zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe pasurive publike.
Sa
për ilustrim po i permendi vetëm tri raste nga dhjetra e qindra sosh:
Rasti
i parë), në koordinim me njëri-tjetrin, vite më parë i nxoren nga “Dhoma e
Sigurisë” së Stacionit Policor në Prishtinë rreth 50 kg drogë dhe shuma të
konsideruara të parave të konfiskuara!
Rasti
i dytë), po ashtu nga stacioni Policor në Pejë u nxorën sasi të konsiderueshme
Ari dhe disa mijëra euro të konfiskuara!
Rasti
i tretë), nga arka e shtetit u transferuan “gabimisht” 2 milion euro në një
xhirollogari private, para të cilat nuk u kthyen më në arkën e shtetit!
Si
rezultat i lidhjeve dhe koordinimit të politikës me sistemin e sigurisë
(drejtësisë), edhe pas kaq vitesh, nuk u ngrit asnjë aktakuzë dhe askush nuk u
dënua për këto vjedhje dhe qindra vjedhjeve të tjera shumëfish më të mëdha sesa
të sipërcekurat!
Ndodhi
pikërisht kështu për faktin se gardianët e parë të shtetit (liderët shtetërorë
dhe partiak) ishin të implikuar në hajnitë më skandaloze në vendet me sigurinë
më të lartë shtetërore!
Nga fjalët të kalohet në
vepra
Nuk
mjaftojnë vetëm deklarimet për luftimin e korrusprionit dhe krimit të
organizuar, nga fjalët duhet të kalohet sa më parë në vepra me arrestimin e
“peshqve të mëdhenjë” të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të nivelit të
lartë, qofshin ata qeveritar apo opozitar, kryetar partish apo kryetar komunal.
Por
fillimisht duhet nisur nga hajdutët e fondeve të luftës, të buxhetit të shtetit
dhe uzurpatorët e pronave publike dhe private, të cilët nuk na pikën nga
qielli, por janë pjesë e kësaj shoqërie, të cilët janë pjesë aktive e këtyre
partive në pushtet dhe opozitë pa dallim. Ndërrimi i “gzofit” apo kalimi nga
njëra parti në tjetrën, është bërë dhe bëhet për të mbuluar gjurmët e hajnisë
dhe uzurpimeve 22 vjeçare!
Ujku qimen e ndërron,
por zakonin se harron
Disa
nga figurat politike që viteve dhe muajve të fundit iu kanë bashkangjitur
LVV-së dhe përafruar Albin Kurtit, nuk është se ketë e kanë bërë nga respekti
dhe as nga lidhjet programore që kanë me Vetëvendosjen, por janë rreshtuar
përkrah tyre për interesa personale apo për të mbajtur në krye të kompanive
publike familjarët e tyre nga frika e “fshesës” së Albin Kurtit!
“Shkoi
thundra, mbeti gjurma” e thotë një fjalë e vjetër popullore, andaj edhe ujqit e
vjetër grabitëçarë nga do që shkojnë të njëjtën punë e bëjnë, edhe në LVV do të
vazhdojnë me privilegje të reja derisa t’ju rrëshqasin nga dora, pastaj do ta
shajnë edhe Albinin siq i shajtën “padronët” e tyre paraprakë!
Është
në dorën e gardianit të parë (kryeministrit të vendit) i cili aq shumë thirret
në drejtësi dhe transparencë, në barazi ligjore dhe VETTING në sistemin e
drejtësisë, që të niset nga shëmbulli i gardianit (Rojes) të produkteve të
sipërmarrjes shoqërore të cekur në fillim të këtij shkrimi, pra, të niset nga
shtëpia (partia) e tij, ku nuk i mungojnë abuzuesit dhe uzurpatorët, hajdutët
dhe zhvatësit e pasurisë shoqërore dhe publike përgjatë pushteteve paraprake.
Fshehja
e hajnisë nën petkun partiak është pak më tepër se shkelje ligjore, është krim!
Për këtë arsye gardiani i shtetit (kryeministri) duhet të jetë në krye të
detyrës. Le ta dëshmojë veten me vepra e jo me fjalë.
Albin
nëse dëshironi të bëheni gardian i mirë i shtetit të Kosovës dhe ta fitoni
mbështetjen e gjerë popullore, së pari ngujo “lopët” tua, pastaj t’kojshis, në
të kundërtën mund të përballeni me rezistencë të fuqishme nga “të fortët e
politikës”, e cila shumë lehtë mund të kthehet në revoltë popullore.