E diele, 10.11.2024, 05:56 PM (GMT)

Editorial

Adnan Abrashi: O EULEX, o ''nëna'' jone...!

E premte, 05.12.2008, 06:23 PM


O, EULEX, O “NËNA” JONË...!

 

Nga Adnan Abrashi

 

Si njëra prej veseve tejet të shprehura të mentalitetit tonë shqiptar, pa dyshim është bindja e rrënjosur e krenarisë mashkullore në ne; apo, thënë ndryshe, gjatë çfarëdo vendimmarrje, patjetër ardhja në shprehje e fjalës autoritare mashkullore të burrit. Apriori, gati në çdo familje tonë, besa edhe në ato ku brenda përbrenda familjes, raportet e ndërsjella janë pak sa më të moderuara, ende dominon ajo bindje se “duhet të bëhet gjithmonë ashtu sikur thotë baba”, apo, thjeshtë, në atë shtëpi duhet të ndihet vetëm zëri i burrit  (burrit me dy “r”, kuptohet”). E, si duket, realiteti në prapavijë është krejtësisht ndryshe. Edhe pse, thuaja e burrit, më së shumti i ndihet zëri në ndonjë vendimmarrje, nga ana tjetër e problemit, na del e kundërta: gjithmonë në fund është vepruar ashtu sikur ka thënë dhe kërkuar gruaja.

Zakonisht, në këto situata, burri në shikim të parë, e ka kënaqur krenarinë e vet që t’i dëgjohet zëri i tij, e në anën tjetër, pas heshtjes së kësaj shamate, gjithmonë ka përfunduar ashtu sikur ka kërkuar gruaja.

E pabesueshme mbase, por e vërtetë! Nëse ndonjë skeptik nuk i beson kësaj teze, shumë lehtë mund ta krahasoj atë si shembull edhe në familjen e vet: le ta merr një rast të vetin kur në ndonjë situatë ka kundërshtuar ashpër si burrë, dhe fjala e kujt ka dal si e realizuar në fund?

Një analogji me këtë metaforë, e kemi edhe me aferën e “burrërisë” tonë të fundit me refuzimin e 6-pikave të Ban Ki-moonit. Aty “burrat” e shtëpisë tonë reaguan ashpër dhe të vendosur, besa edhe me britmë dhe emocione duke thënë “JO”-në e fortë.  Me këtë reagim të tyre “mashkullor”, më në fund publikisht u pa se kush “kollitet” në këtë shtëpi. BABA, dihet! Fëmijët na bënë pak potere, por kryesorja “nëna” heshti dhe e “kuptoi” se kush është zot shtëpie këtu..  

A thua, si do të na del fundi, kësaj pune?

Posa të harrohet pak ky pluhur që u qua panevojshëm nga ana e “fëmijëve” të rebeluar, patjetër si gjithmonë në prapavijë do të bëhet ashtu sikur ka thënë “nëna”, ndërsa  publikisht do të duket, ashtu qysh ka thonë me këmbëngulje “baba”?!

Nuk ka dyshim! Kurrë e tek, EULEX-si do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. E, me çfarë kushte dhe kondita do të veproj ai, pak kujt do t’i interesoj kjo punë më vonë. Sepse, si gjithmonë në këto raste: “ujku do të jetë i ngopur, e delet në numër”!

Posa EULEX-si të filloj të vendoset në Kosovë, më pas, na pretë një etapë tjetër edhe më strategjike: e punës pedagogjike brenda përbrenda familjes. Urgjentisht si prioritet, do të fillohet me edukimin e fëmijëve tanë të padëgjueshëm, të cilët, kohën e fundit, si shpesh po ngrehin kokë kundër vendimeve të”babës”.  

Së pari, “baba” publikisht do t’i denoncoj ata, nga njëra anë, e nga ana tjetër, me metoda tanimë të sprovuara dhe prapa kulisave, heshtur do të punoj me media dhe analistët politik, të cilët në të ardhmen, me shkrimet e tyre analitike do të kontribuojnë për krijimin e një klime të re në Kosovë; klime “EULEKSIANE”  Në këtë punë, “nëna” edhe më tej veç do të heshtë dhe në qetësi do ta bëj punën e vetë. Ajo, e sigurt në vete se gjithmonë në fund do të bëhet sipas fjalës së saj, nga buxheti i saj vetjak do të praktikoj t’ju jep “fëmijëve” ndonjë para, me kusht që ta dëgjojnë “babën” në të ardhmen...

Dhe... kjo strategji e veprimit, sikur ia ka nisur!

 “Nuk do te lejoje te shahet EULEX....” Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e rregullt të qeverisë, e cila u mbajt këto ditë, duke akuzuar kështu organizatorët e protestave të kaluara dhe disa nga krerët e partive opozitare dhe të shoqërisë civile, që sipas tij me deklarata e tyre rreth vendosjes së ERULEX-it po prishin imazhin e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare.
"Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë dhe assesi nuk duhet të tolerojmë sharje e akuza e hedhje të gurëve ndaj partnerëve tanë, qofshin të Bashkimit Evropian, qofshin të NATO-s apo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndoshta gjithashtu individ të caktuar të dështuar në politikë dhe të dështuar në sferat tjera pa ndikim në shoqërinë kosovare, kanë pritur që institucionet e Kosovës t'i thonë po gjashtë pikëshit edhe mund të jenë të frustruar, por ky është qëndrimi shtetëror dhe gjithë popullor", deklaroi  kryeministri jonë.

Në anën tjetër, ndaj 6 pikave dhe vendosjes së EULEX-it, shumë medie dikur më të ashpra në reagimet e tyre, tani ja kanë nisë të zbuten. Në disa sosh, asi soji analistësh  politik që në mënyrë direkt apo indirekte kaherë e kanë “hëngër” nga qeveria, veç kanë filluar nga pak t’i qëndisin ndryshe qëndrime të tyre të mëparshme. Patjetër që në të ardhmen, këta (b)analist, në shkrimet e tyre publicistike pro politikave aktuale, me përplot citime filozofike, edhe më shumë do të jenë të frytshëm dhe atraktiv në sytë e popullit të hutuar kureshtar si lexues. Ata të sigurt do të veprojnë kështu, sepse më së miri e dinë se te ne nuk lexohen fare gazetat e vjetra.

Sa i përket shoqërisë civile dhe atyre 20 OJQ –ve që ishin bashkorganizatore të dy protestave të fundit gjithëpopullore kundër 6-pikave të Ban Ki-moonit, kjo bashkësi e tyre që sot reflektoj fuqi, patjetër dikur do të përçahet.

Menjëherë, në dallim prej protestës së parë të 19 nëntorit, në këtë të dytën, disa OJQ që edhe më parë dihen se janë të afërta me perëndimorët dhe me strukturat qeveritare në pushtet, sikur nuk u vërejtën si aq aktive aty

E njëjta gjë do të ndodh edhe me pjesën tjetër të tyre: Më vonë, posa EULEX-si të rehatohet dhe të fillon ta hap “qesen” e vetë për financimin e programeve të “vlefshme” dhe “atraktive” shoqërore, atëherë, edhe mjaftë OJQ-të tjera, sikur ato alla “për demokraci”, “luftimin e SIDA-së”... e ku ta di se për çfarë mbrojtje të drejtave tjera në shoqëri, që si duket, kohën e fundit kanë mbet pa pare (lexo: donacione të huaja), patjetër dikur do t’i nënshtrohen këshillave të “nënës” ( edhe të “babë”, kuptohet)...

Por, me hesap, çdo familje në shtëpinë e vet e ka një fëmijë të “papërmirësueshëm”, e  ky fëmijë te ne në Kosovë, edhe më tej do të jetë lëvizja “VETËVENDOSJE”. Ajo e cila  deri më tani si vetmja në këtë shoqëri, është dëshmuar se kurrë nuk mund të shitet dhe mashtrohet lehtë, e më së paku me disa sheqerka të larme.  

Me sa duket, në të ardhmen, edhe ”baba” edhe “nëna” do ta kenë mjaftë vështirë me ta...?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora