E diele, 01.12.2024, 09:28 PM (GMT)

Editorial

Këze (Kozeta) Zylo: Kultura dhe Antikultura

E marte, 25.11.2008, 08:00 PM


Kultura dhe Antikultura

 

Nga Këze (Kozeta) Zylo

 

Kultura shqiptare fatkeqësisht është përfshirë në një luftë të papreçedent nga antikultura.  E pikërisht në këtë lloj absurditeti, në këtë lloj terrori karshi kulturës, dua të ndalem në këtë shkrim posaçërisht në simbolin e Kulturës Shqiptare z.Kadare, që pushkatohet nga antikultura e saj.

Duke lexuar një intervistë të shkrimtares Natasha Lako, ose më mirë një dëshmi akt-akuzë karshi antikulturës, nuk ke se si të mos tronditesh, kur lexon se si bashkëkombas të ndryshëm arrijnë deri në komisionin qëndror të Stokholmit, duke dërguar letra direkte, anonime, që shkrimtari Kadare, kandidat me vite të tëra për çmimin “Nobel” të mos nominohet si nobelist në letërsi.

Por ajo që më drithëroi shpirtin, ishte se si një ish ambasador në Suedi, perfaqësues i Kombit tim, frymëzon Diasporën atje, për të shkruar letra sa më shumë kundër shkrimtarit Kadare, që të mos e marr këtë çmim prestigjioz.

Quo vadis Ambasador?  Quo vadis bashkëkombasit e mi që frymezoheni nga këta njerëz cinike, që në vend të përhapin kulturën e lashtë shqiptare, merren totalisht me groposjen e simboleve!

Ky lloj cinizmi nga një ambasador më kujton thënien e poetit të famshëm, Oskar Wilde, i cila thotë:

“Një burrë është cinik, kur e di sa para kushton cdo gjë, por nuk çmon vlerat kulturore të asgjëje”.

Në ç’greminë vallë doni t’i flakni veprat e njerëzve të shquar, që nuk i përkasin më vetëm Mëmëdheut tonë të shumëvuajtur, por edhe botës, elitës intelektuale, siç është në rastin në fjalë Kadare?

Apo do të veprojmë si me Gjergj Fishten që iu vërvitën kockat në lumë, si me Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, Havza Nelën etj….etj…

Ky është nje ogur i zi për kulturën shqiptare, është një vullkan i fshehtë, që mund të shpërthejë dhe t’i kthejë në pluhur e hi simbolet e Kombit tim!

Shkrimtarja Lako dëshmon me fakte kokëforte se ç’punë të mbrapshta kryejnë këta “dipllomatë” që janë emëruar në vendet më të qytetëruara të Europës, në zemër të Stokholmit, por që abuzojnë me postin e tyre duke fyer miliona lexues dhe dashamirës të Kadaresë.

Në vend që z.Ambasador të merrej si e si të fliste për kulturën dhe artin shqiptar, shfrytëzonte çdo mundesi fal postit te tij, që vetëm Kadareja mos të merrte çmimin “Nobel”, pra s’ka problem për Shqipërinë pse s’ka nje nobelist në Kulturë, problem për këta lloj njerëzish është si të shfrejne egot, cinizmin, mllefet, që s’janë gjë tjetër veçse atavizma të Kulturës sonë.

Këta lloj ambasadorësh, e fusin Diasporën në ingranazhet më të ndryshkura të antikulturës Kombëtare, e çorodisin atë.

Eshtë çoroditje se jo vetëm frymëzon negativisht, njerëz në Diasporë, që mund të mos dinë asgjë rreth figurës së tij, (veçanërisht të rinj që po lindin jashtë Mëmëdheut), por edhe përgojohet në rrugë diplomatike me personalitete të huaja në takime zyrtare, ku vazhdimisht shprehej se ka qenë bashkëpunëtor i Enverit.

Të propagandosh kështu do të thotë të veprosh njësoj si në diktaturë, do të thotë të aktivizosh plagën kanceroze që ka shekuj që endet në trup, e përhapur si metastazë, pra s’bëhet asnjë përpjekje për ta kuruar, përkundrazi!...

Akoma dhe më e keqe është kur ky aktivizim i mikrobeve bëhet dhe më gjallërues, kur me pilula të helmatisura mundohen të ta injektojnë në trup të shendoshë, veçanërisht të godasin pa mëshirë, (theksoj këtu gruan intelektuale të pambrojtur) duke na kërcenuar në format më të ndryshme, e-maila poshtërues, misterioz, direkte, të nëndheshme, të cilat s’janë gjë tjetër veçse turpe të njerëzve të rreshtuar ne antikulturën shqiptare, për të goditur simbolet shqiptare, por edhe ata që i mbrojnë me gjithë forcën e shpirtit këto simbole.

 

Kultura Shqiptare

 

Ndonëse kam shkruar disa herë për Shekspirin shqiptar, që dhe pse e di që shumë prej sulmuesve të tij, nuk ju vjen mirë që unë shkruaj kështu, por unë s’bëj asgjë më shumë si bashkëkombase e Kadaresë, veçse përforcoj atë çka kanë thënë kritikët më të mëdhenj botërorë për shkrimtarin Kadare.

Sot u ula për ta hedhur në publik këtë shkrim, pasi pata dy ngacmime të fuqishme emocionesh, pozitive dhe negative njëherëshi.

Për negativitetin e emocionit që m’u krijua gjatë intervistës dëshmi të shkrimtares Lako në lidhje me një ish ambassador shkruajta më lart, por në këtë pjesë: “Kultura”, do të vë përballë një nga korifejtë e Kulturës Shqiptare, profesorin e letërsisë në universitetet amerikane, sekretarin e Fan Nolit, prof. Peter R.Prifti, i cili kohët e fundit më dërgoi me postë korrespodencën e tij me Akademinë Suedeze në Stokholm.

Ja c’i shkruan prof.Peter R.Prifti Akademisë së çmimit “Nobel” me 25 Korrik 1991 dhe mos të harrojmë se në fuqi akoma ishte diktatura komuniste:

…”Unë po ju shkruaj në lidhje me shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare.  Une e kam takuar në vitin 1962.  Në këtë kohë nuk ishte i njohur jashtë kufijve, por ishte shumë i njohur si poet brenda Shqipërisë.  Unë e kujtoj atë si fjalëpak dhe të përpinte me mendimet e tij.

Më vonë lexova romanet e tij, që fillon me “Gjeneralin e Ushtrise së vdekur”,i cili është një pikë referimi për letersinë shqiptare.

Por kjo nuk ishte deri sa unë lexova, “Kronikë në gur”, atëhere unë fillova ta çmoj shumë atë si shkrimtar.  Puna e tij më dha mua të kuptoj sa asnjëherë tjetër më parë, bukurinë, fuqinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe.

Unë ndjej që Kadare me punën e tij, rriti dhe zgjeroi më shumë nivelin e gjuhës shqiptare.

Kohët e fundit unë shkruajta një mirënjohje të shkurtër, një review, të librit “Kronikë në gur”.  Në këtë mënyrë me respekt ju ftoj ta lexoni atë.  Unë shpresoj që kjo të apeloj tek ju”!

Më 5 Gusht 1991, Akademia e Stokholmit i kthen përgjigje prof.Peter R.Priftit dhe e falënderon për shkrimin mirënjohës rreth librit “Kronikë në gur”

Ndërsa në Shtator 2001 artikulli i prof.Priftit, rreth Kadaresë dhe librave të tij është botuar në Enciklopedinë Britanica, një Enciklopedi prestigjioze në botë.

Ja ç’i shkruan përsëri prof.Prifti Akademisë së Stokholmit:

…”Më lejoni ju lutem t’ju tërheq vëmendjen për një artikull që shkruajta rreth shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, në Enciklopedinë Britanica, këtu në USA.

Editori E.B. i Enciklopedisë Britanica, ma kërkoi artikullin dhe u aprovua për botim.

Unë mendoj që artikulli i publikuar do t’ju interesojë ju dhe ndihmojë për rafinimin e njohurive për z.Kadare.

…Unë besoj që çmimi “Nobel” në letërsi është i vlefshëm, ndoshta më herët se viti tjeter”.

Peter R.Prifti

Author: Socialist Albania Since 1944 (M.I.T.Press), 1978

Confrontation in Kosova (Columbia University Press), 1999

I solla disa nga letrat korrespodencë të sensibilizoja opinionin mbarëkombëtar që simbolet e Kombit duhet të jenë të mbrojtura nga Kultura Shqiptare, ashtu siç ka vepruar prof.Prifti në Amerikë, dhe shumë shqiptarë të tjerë anë e mbanë globit, për bashkëkombasin e tij, shkrimtarin Kadare.

Shteti shqiptar i çdo lloj partie dominuese, duhet t’i marr në mbrojtje këto simbole, pasi në fund të fundit shteti përfaqëson shumicën dërrmuese të popullit, që pjesa me e madhe e tij do të krenohen në rast se kultura shqiptare do të ketë një nobelist, siç është kandidati për çmimin Nobel me vite të tëra, Ismail Kadare. Në këtë kontekst nuk e kam fjalën për dhunimin e fjalës së lirë, pasi do të ishte marrëzi dhe keqdashje, të kuptohej kështu nga keqkuptuesit, por e kam fjalën vetëm për përfaqësuesit e shtetit, në vendet e ndryshme të botës, në rastin në fjalë, ambasadorë…aspak nuk flas për njerëzit e ndryshëm të shprehin mendimet e tyre të lira, dhe që i respektoj, për aq kohë sa nuk dhunojnë lirinë e tjetrit!

Për rrjedhoje Kultura Shqiptare bëhet barrierë e fuqishme karshi antikulturës!

 

New York,

Nentor, 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora