Editorial
Sonila Meço: Më pikon shpirti trishtim!
E merkure, 25.08.2021, 07:51 PM
Sonila Meço:
Mu
desh të reflektoj ca për të shmangur ujrat patetikë në një “urë” që do duhet të
mbijetojë edhe në rrebeshe, përmbytje e nën tonazh të rëndë.
Sapo
sheh fytyrën e freskët, thuajse fëminore të Marigona Osmanit, 18 vjeçares nga
Ferizaj, që sipas çertifikatës së autopsisë (në pritje të dokumentit
përfundimtar) dëshmon për poli-traumë të përjetuar mbi atë trup të brishtë të
nxihen sytë. Nuk logjikon dot. Dhe për të të pompuar me forcë gjakun gjer në
tru të vijnë “në ndihmë” edhe informacione të detajuara.
Një
këshilltare e Ministrisë së Drejtësisë do të deklaronte: ““Është një rast shumë
i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e
përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta
tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat
janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera
të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i
dërgohet prokurorisë për hetime të mëtutjeshme”.
Autorët
janë arrestuar, njëri është bashkëshorti i Marigonës, që tentoi arratisjen, por
mobilizimi i shoqërisë, presioni i fortë dhe sensibilizimi në kohë rekord pas
njohjes së pamjes së autorëve nga kamerat e sigurisë së spitalit ku dorëzuan
trupin e dergjur të Marigonës bëri të mundur kapjen e tij pas dy ditësh.
Si
mama, si grua, motër e bashkëshorte s’kam fjalë t’ja vendos ndjenjave,
indinjatës e dhimbjes që ndjej. Më pikon shpirti trishtim e maraz. Dhe i jam
pranë familjarëve në gjëmën që u ra përmbi krye e lus Zotin t’u lehtësojë
dhimbjen e padurueshme.
Por
pas ftohjes së parë të emocionove të forta, kur nuk mund t’ja faturosh vetëm
një mendjeje patologjike e diabolike krimin makabër, veprimi i logjikës për t’i
dhënë një shpjegim, një arsye dështimit për të lejuar Marigonën të jetonte të
ndihmon të kuptosh se me gjasë nuk ndalet me një dënim kjo kasaphanë.
Lexoj
me kujdes informacionet zyrtare, dëshmitë e familjarëve dhe sytë përpos
brutalitetit që i shkaktoi vdekjen më mbeten tek disa të dhëna që ndezin
menjëherë neuronet.
•Autori
i dyshuar i krimit, bashkëshorti i saj prej dy muajsh, ka patur precedentë
penalë, me aktakuzë qysh prej vitit 2013.
•Babai
i viktimës 18 vjeçare nga Ferizaj, Muhabi Osmani, ka thënë se vonë e ka kuptuar
se vajza e tij ka qenë me një person që ka pasur vepra kriminale. Muhabi Osmani
shprehet i mllefosur me organet e drejtësisë se si e kanë lënë në liri një
person të dyshuar për disa vepra penale.
•Marigona
është martuar në moshën 18 vjeçare. Ende shumë e re, e sapo mbërritur në botën
e të rriturve. Pa përvoja, pa plotësuar veten.
•Dardani,
i shoqi, ka vepruar nën efektin e një xhelozie të fortë, paranojës së një
tradhëtie. E paprovuar, e pafaktuar.
Dhe
pavarësisht përfundimeve të një hetimi, faktet ulërasin, poli-trauma ndaj
trupit të njomë të Marigonës (imagjinoni dhunën fizike e psiqike nga duart e
mendja kriminale prej bashkëshortit, atij që nesër do të qe babai i fëmijëve të
saj), martuar me një djalë, që edhe familja e saj deri vonë nuk i ka ditur
precedentët penalë (martesa e shpejtë, me ngutin e pakuptueshëm për moshën e
Marigonës, vajzë që mund të ish një mjeke, arkitekte, avokate a inxhiniere e
ardhshme), dashuruar me një njeri të dhunshëm, që drejtësia e kish lënë të lirë
megjithëse me akuzë të ngritur (si shumë raste të drejtësisë së korruptuar, që
i lë barrë shoqërisë kriminelë dhe viktima), në një shtet, që nuk të garanton
dot mbrojtjen (me kaq shumë viktima të dhunës, sidomos gra e vajza, dështimi i
shtetit me institucionet e veta është flagrant), në një shoqëri traumatike, ku
vlerat janë përmbysur në një pseudo-hierarki (se ç’do të thotë zotësi,
dinjitet, përgjegjësi, pavarësi dhe çfarë promovohet përkundër) dhe në edukim
të çartur (që nga familja e çoroditur, nënat, që janë shembulli më i parë për
llojin e të rriturit nesër, shkollat e sakatuara misioni më keq se nga tërmetet
natyrore).
Do
nisur nga vetja një katarsis i plotë për çfarë si nënë i jap shembull fëmijës
sim, sa mëson prej pavarësisë e dinjitetit tim në familje e punë. Çfarë sheh në
familje, dy prindër të formuar, edukuar, që respektojnë njëri-tjetrin? Çfarë
lexon, çfarë i intereson, sa e do natyrën, a e kupton të drejtën nga e gabuara?
A
e dallon tek une rebelimin ndaj padrejtësive? Protestën ndaj së keqes?
A
pranoj në sy të fëmijës denigrimin, fyerjen dhe poshtërimin?
A
ia frymëzoj kureshtinë për dije që nesër do ta bëjnë zot të fatit të vet?
A
e kupton rëndësinë e punës, se leku nuk vjen për një ditë e nuk shpenzohet pa
kriter?
Se
shpërblimi vjen pas përkushtimit?
A
ia kultivoj rëndësinë e zgjedhjes?
A
kupton prej meje se familjen e mban dashuria, se një jetë e bukur të përmbush
shpirtërisht? Dhe se një jetë luksoze jo domosdoshmërisht është e bukur?
Se
dhuna nuk është kurrë përgjigja e problemeve në familje? Se e shton dhimbjen
dhe largon qetësinë?
Se
debatet fitohen me arsye?
Se
nuk ndërtohet bota duke shkatërruar veten?
A
rritem edhe vetë me të?
Mandej
katarsisin mund ta vijojë i ati, si i pari model mashkullor në jetën e vet…dhe
secili për të mos mashtruar veten se Marigona është viktimë e fatit të vet të
keq dhe një djali të dëmtuar që po fati ia solli në jetën e vet të shkurtër.
Dhe as vetëm e drejtësisë së munguar. Ndëshkimi asnjëherë nuk mjafton.
Ka
gjasa Marigona e radhës të jetë sekonda larg, ndaj tek vetja pasqyrën se me
gjasë jemi ne vetë dora potenciale e krimit me paaftësinë për të rritur NJERËZ.
https://www.facebook.com/sonilamecoA