Editorial
Ndue Dedaj: Vera pa Covid dhe ''pandemia'' e tranzicionit
E marte, 20.07.2021, 07:05 PM
VERA PA COVID DHE “PANDEMIA” E TRANZICIONIT
NGA
NDUE DEDAJ
Vera
është mbase stina më e përshtatshme për të medituar, pasi pushon “zhaurima” e
politikës, dëgjohet më shumë shushurima e gjetheve të pyllit dhe përkundja e
valëve të detit. Të vetmet lajme tashmë janë ato të motit, çfarë thonë
sinoptikanët për ditët në vazhdim, do të mbajë për plazh apo do të ngrëmë
“leckat” e të ikim nga deti pa mbaruar pushimet. Ndërkohë përbluajmë me mend
shumë gjëra nga muajt që kanë kaluar, çfarë prodhuan zgjedhjet e 25 prillit dhe
sidomos pse-në e “non grata”-s së Bashkimit Europian ndaj nesh. A thua jemi ne
të “papjekurit” e integrimit, apo është vjetëruar politika e bashkësisë
europiane dhe BE nuk di më se ç’të bëjë me veten, jo më me ne e Maqedoninë e
Veriut, që ka kohë që presim të porta e tij, jo sot jo nesër? Nuk ia themi
gjeopolitikës, diplomacisë, punëve të mëdha të kontinentit, ama si mund të mos
jetë “zyrtarisht” europiane republika e një vendi mesdhetar si Shqipëria, pas tridhjetë
vitesh sprova të dhimbshme në udhën e demokracisë, që, me gjithë problematikat
e veta, ka sfiduar izolimin e dikurshëm dramatik, me njerëz të rinj energjikë,
që siç kanë bërë punë të mira si emigrantë gjithandej nëpër botë, mund të
investojnë dhe në vendin e tyre të integruar, po ashtu me një ndërthurje
rrugësh rajonale e anën perëndimore të gjithën bregdet, me një port si Durrësi
etj? Ka filluar të thuhet se ky qendrim skeptik i Europës ndaj nesh, dashje pa
dashje, po na shtyn andej nga mund të mos jetë drejtimi i duhur strategjik i
shqiptarëve. Në çdo fjali të diskursit tonë politik kemi Amerikën dhe Europën,
përbetohemi për to, por me shumë se çdo shfaqje tjetër shohim telenovela turke,
pasi janë ato që kanë pushtuar ekranet, po dhe shfaqim pa nevojë “telenovela”
politike shqiptaro - turke te kodrat e liqenit të Tiranës, sipas linjës së
Presidentit turk. Nuk kemi asgjë me askënd, por gjella me kripë e kripa me
karar, pa harruar se miqësitë ndërtohen mes popujve dhe jo mes qeverive.
Asgjë e re nga politika
e kryeqytetit
Edhe
ngjarja e fundit politike e Tiranës, kuvendi i PD-së i së shtunës nuk solli
asgjë të re, u mbyll ashtu siç u hap, thjeshtë duke bërë disa ndryshime, që
vetë zërat kritikë brenda saj i quajtën të “kota”. Të krijohet ideja se Basha
po nxiton të çimentosë “bunkerin” e vet politik, ashtu si Berisha para tij. Të
njëjtën gjë pati bërë dhe Rama, kur zëvendësoi lidershipin e PS-së me krijesën
e tij politike, “Rilindjen”. Dallimi është se Rama e bëri kur erdhi në pushtet,
Basha po përpiqet ta arrijë pa qenë në pushtet, çka e bën të pamundur dominimin
brendapartiak të kreut të opozitës, pasi demokratët janë aty jo për të ngrohur
“vezët” e shefave të vjetër e të rinj, por për të mundësuar ardhjen në pushtet
të forcës së tyre politike, që duhet thënë se ka marrë përmasat e një misioni.
Kur themi nuk po ndodh asgjë e re politike, nuk është metaforë, por farsë. Rama
i shtriu dorën opozitës, sapo përfunduan zgjedhjet e 25 prillit! Por nuk thuhet
se për çfarë strategjie kombëtare bëhet kjo? Për cilën kauzë madhore, të mirë
publike për vendin, demokratët duhet t’i “bashkangjiten” qeverisë? Po ashtu,
Basha u shpreh se e ka dorën e shtrirë ndaj kundërshtarëve në partinë e tij!?
Çfarë do të thotë kjo “mirësi” pas zgjedhjeve, ku pati shumë të pakënaqur me
kryetarin? Apo pas kuvendit, që mund të ishte jo një steriotip i atyre të
mëparshëm, pasi opozita o sot o kurrë duhet ta gjeje veten... me të vetët.
Kritikët, fraksionet, të ndryshmit nga lidershipi i përbashkohen partisë së
tyre duke “lëshuar” pushtet partiak kreu i partisë e jo duke e përforcuar atë
në dobi të vet. Përndryshe, zërat reformues e gjer rithemelues të PD-së vetëm
sa kanë nisur. Zor se ata tashmë ndihen mirë në Kuvend me doktorin në krah dhe
mund të pajtohen me moton e dikurshme të tij “bashkëvuajtës e
bashkëfajtorë”!?...
Dy
partitë kryesore, për çudi, kanë shpesh sjellje dhe “rite” të njëjta qokash
politike. Jemi sigurisht në krah të të rinjve, edhe të atyre që i kishin
prindërit politikanë (që fatkeqësisht u ndanë nga jeta), do të donim t’i
shihnim të suksesshëm ata në botën akademike, në profesione të ndryshme, në
sipërmarrje private, kudo, edhe në politikë, por jo domosdoshmërisht në këtë të
fundit, thjeshtë se ishin bijtë e atyre!? Vetëm nëse koha do të provonte se
politika do të ishte vokacioni i tyre. “Bëmë baba të të ngjaj”, nuk vlen në çdo
rast.
Qeverisja “endemike”
shqiptare
Ngaqë
nuk kemi busull, parime dhe norma në asgjë, kemi tridhjetë vjet që rropatemi
për t’u bërë si Europa e ajo nuk na begenis. Ne qesim veçse politikanë braca,
veçse gjyqtarë që nuk bëjnë drejtësi, bëjmë veçse zgjedhje të parregullta,
japim veçse tendere fitimprurës për dhënësit e tyre, shkurt, nuk bëjmë asgjë
siç duhet. I themi përditë këto, po kujt t’ia thuash? Duket se jemi përshtatur
me këtë mënyrë jetese politike, ku qytetarët nuk kanë besim te ministrat dhe
krybashkiakët që qeverisin me taraf, ca i kanë të nënës parti, ca të njerkës
tranzicion. Kemi një administratë publike të paaftë dhe pa zellin për të
shërbyer. Përkundrazi, zyrtarët tanë shpesh të tregojnë “ligjin”, kur nuk duan
të të mbarojnë punë. Zyrtari ynë i cilitdo rangu qoftë e mendon si një lloj
“pronësie” të veten zyrën e shtetit. Çfarë mund të rrjedhë prej saj? Kjo është
psikologjia e zyrës te ne. Nuk u reformua e trajnua administrata në tridhjetë
vjet, ishte më e aftë administrata e viteve ’80, ku përqindja më e madhe e
punonjësve të Komiteteve Ekzekutive ishte prej teknokratësh pa parti.
Administrata e sotme ka frymën e komandimit, njëshi urdhëron, të tjerët bëjnë
çfarë thotë ai. Ka drejtori të ndryshme brenda ose në varësi të institucionve
qendrore e bashkiake, por ato nuk ndërmarrin dot vetë nisma e projekte, nuk
kanë kurrëfarë vetëveprimi. Le pastaj që t’i shkojë qytetarit shërbimi në
shtëpi, përveç faturave të dritave dhe ujit që lihen te shkallët. Disa elemente
humanizmi njerëzit i prekin te institucionet fetare e shoqatat bamirëse, që nuk
presin t’u thuash faleminderit për atë që bëjnë, kurse administrata shtetërore
po, pasi nëpunësi kur të mbaron një punë, e quan se të ka bërë nder. Prandaj
qeverisja shqiptare është “endemike”, nëpunësit thjeshtë plotësojnë letrat që u
kërkohen nga shefat. Nuk janë nëpunësit që e duan këtë “tagër” shpërfillës, ata
vetë ndihen keq në një administratë ku nuk dëgjohen, nuk iu kërkohet mendim dhe
propozime për ndryshim, nuk përfshihen në vendimmarrjet për përmirësimin e
jetës së komunitetit etj. Dhe kështu do të jetë deri atëherë kur administrata,
veçanërisht ajo bashkiake, do të shihet si një ndërmarrje punësimi gjatë
fushatave elektorale, duke u parë si një armatë votash...
Tranzicioni, “pandemia”
që nuk po kalon
Në
xhepin tënd është “harruar” një maskë, si një kujtesë për t’u mbrojtur jo vetëm
nga Covid 19, por dhe nga viruset e tjera, sot e nesër. Aty për aty thua, mirë
se këtyre viruseve kësodore iu gjendet ana, me këto maskat, me distancim fizik,
me larje duarsh shumë herë në ditë, me spitale nga 1 - 4, me vaksina të
prodhuara nga SHBA deri në Kinë, po me këto “viruset” sociale, politike si i
bëhet, që nuk ka vaksinë t’i parandalojë. Kohët e fundit, ka filluar të lakohet
përherë e më shumë SPAK - u, si mundësia e vetme për t’u përballur me
drejtësinë pushtetarët që i kanë bërë dëme të mëdha këtij vendi, duke vënë dorë
mbi paratë dhe pronat publike. Por a mund të jetë ky organ ligjor gjithçka në
këtë sipërmarrje? Po prokuroria tjetër pse është? Gjykatat? Kuvendi? Qeveria?
Kontrolli i Lartë i Shtetit?... Puna është të mos na krijohet iluzioni se tash
që kemi SPAK-un kjo puna e korrupsionit mori fund. Pa e zbehur aspak rolin e
kësaj strukture të rëndësishme në ndëshkimin e korrupsionit, trafiqeve, krimit
të organizuar etj., këto “përbindësha” nuk i asgjëson njëherë e përgjithmonë
prokuroria, cilado qoftë ajo, që pas mbylljes në qeli të disa shtetarëve,
qofshin dhe ministra, çështja u zgjidh dhe kemi hyrë në normalitet. Jo! Lajmet
e kronikës së zezë thuajse gjithmonë vijnë nga poshtë, pasi atje ndodh
përplasja fatale, por absolutisht asgjë nuk nis nga poshtë, nga një plazh e
disa sheslongje, po nga kupola e shtetit, nga zyrat e larta të tij. Vini re!
Gjithandej përplasje të fortësh për “zona influence” në radhë të parë në
pushtet, se po kape pushtetin i ke kapur të gjitha. Kjo është psikologjia
“kapitaliste” shqiptare e sotme. Lufta për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë nga
disa syresh bëhet bash për këtë, për të pasur pozita favorizuese në qeveri,
kadastër, gjyqësor etj. Këto sjellin pastaj “lejekalim” në ndërtimet pa leje në
bregdet etj., në zaptim territoresh për hidrocentrale, arash të hashashit nëpër
male, gjer te ato “copat” e bregdetit për të vënë çadrat, që shkaktuan viktima
në Velipojë e flakë në Himarë.
Po
a ka frymë për ta përmbysur këtë realitet të deformuar ku pushteti tregtohet si
malli më iu shtrenjtë e ku politika i merr frymën gjithçkaje? Rikthimi i
Gjykatës Kushtetuse, SPAK-u, vetingu në drejtësi, Kuvendi me opozitën reale në
shtator, nisma e qeverisë për reformimin e Policisë së Shetit etj. do ta vënë
shtetin e së drejtës në kolonat që i patën rënë për dy-tre vite.