Mendime
Gjokë Dabaj: Ku dallohet njeriu nga hajvani
E premte, 04.06.2021, 08:14 PM
KU DALLOHET NJERIU NGA HAJVANI
Nga
Gjokë Dabaj
Fjala
HAJVAN (për njeriun) është mjaft e vështirë dhe estetikisht shumë e pakëndshme.
Por unë jam i detyruar ta fut në punë, për t’i sqaruar disa dukuri tonat shumë
të rëndësishme. HAJVAN quhet njeriu që është dukshëm i paditur dhe i
pamoralshëm. Që të mos jesh HAJVAN,
duhet të jesh i ditur, o vëlla! Nëse nuk ke dituri, je kokrra e HAJVANIT dhe,
askush nuk ta ka fajin që je i tillë. Mjetet e informimit në kohën tonë janë të
bollshëm. Mjafton që ti të dish t’i zgjedhësh dhe të pajisesh me njohuritë që
të duhen, për të mos u konsideruar HAJVAN. Në fushën e moralit, nëse nuk di të
orientohesh andej nga të thërret jeta për të qenë NJERI, mund të shndërrohesh
në çdo kohë në një copë HAJVANI. Copë HAJVANI, që edhe vetes t’i neveritesh për
gjithë jetën! Shkon, dmth bën seks me një femër që s’është dhe s’do të jetë
kurrë bashkëshortja jote! Ja, ku e barazove veten me një copë HAJVANI që s’e
meriton kurrë më të quhet NJERI! Shkon, dmth bën seks me një burrë që s’është
dhe s’do të jetë kurrë bashkëshorti yt. Ja, ku e meritove sakaq epitetin
HAJVANE! Por ky është vetëm njëri nga aspektet e moralit që NJERIUN e shndërron
në një hiç dhe thjeshtë HAJVAN. Merru me drogën, ndaç shite, ndaç përdore, je
kokrra e HAJVANIT!.. Je nëpunës shteti, pranon ryshfete e bakshishe nga HAJVAN-MILETI,
je edhe ti një HAJVAN i padallueshëm prej llumit që të rrethon! Madje, duke
qenë nëpunës, duke qenë “dikushi”, në të vërtetë askushi, ti bëhesh prijës në
karvanin mjeran të HAJVANËVE. Drogmenë, pedofilë, ryshfetçinj, trafikantë
hallexhinjsh e mendjefyejsh, milionerë a miliarderë pasurigrumbullues, duke u
shitur si modeli i moralit gjithnjerëzor, të gjithë këta janë turma HAJVANËSH!
Turma HAJVANËSH që mendojnë se ashtu duhet të jenë dhe që s’ia kanë haberin as
ku po shkojnë vetë, as ku po e çojnë njerëzimin!
Ky,
doemos, është shqetësim shumë i madh imi dhe i kujtdo tjetër, që e ka një fije
mendje të shëndoshë. Por unë, në po këtë vazhdë, po e kam një hall të madh dhe
të veçantë, sidomos me një shumicë pjesëtarësh të kombit tim. Pjesëtarë të
kombit tim, të cilët, sa fjalë shqiptojnë, aq herë e tregojnë veten HAJVANË të
pakorrigjueshëm. Ja, sot një folës televizioni, sapo hapi rubrikën “Nga
rajoni”, filloi të flasë për Republikën e Kosovës. Po si kështu, or HAJVAN! A
“rajon” është Kosova për ty?! Po ti nuk di ç’është Kosova dhe nuk ia ke haberin
ç’duhet nënkuptuar me fjalën frënge “rajon”! Të këtilla fjalë e shprehje
HAJVANËSH, shqiptarët e sotëm janë të detyruar të dëgjojnë sa herë që nuk janë
në gjumë. E kam thënë dhe do ta them deri sa shqiptarët të mbushen me çmend, të
mos mbeten gjithë jetën HAJVANË, dhe deri sa të kem frymën: Shqiptarët,
bashkëkombasit e mi të sotëm, nuk dinë ku gjendet Shqipëria. Vetëm kjo do të
mjaftonte që secili prej tyre ta meritojë emërtimin HAJVAN. Jo nofkë, por
emërtim të mirëfilltë! Ku gjendet Shqipëria, o derdimen?! Ç’quan Shqipëri, ti,
o trukalbur?! A konceptohen si pjesë të Shqipërisë në trurin tënd, Mitrovica,
Presheva, Plava, Janina?! Sefë Kosharja, pa asnjë klasë shkollë, e dinte më
mirë se ti ku gjendet Shqipëria! Të gjithë ata shqiptarë që e përdorin sot
shprehjen “kampionat kombëtar”, s’janë veçse kampionë HAJVANËSH! A di çka do me
thënë kampionat kombëtar, o HAJVAN ?! Kampionat kombëtar do të mund të thuhej
atëherë kur në atë kampionat tëndin të merrnin pjesë ekipe lojtarësh shqiptarë
(jo zezakë e koreanë), nga Tirana, nga Prishtina, nga Shkupi, nga Podgorica,
nga Preveza, nga Stambolli, nga Athina, nga Njujorku, nga Gjeneva, nga Roma,
nga Melburni. Po them, ekipe shqiptarësh, sepse shqiptarë ka në të gjithë këta
vende dhe që të gjithë këta janë pjesëtarë të kombit tonë. Por ti je kokrra e
HAJVANIT dhe nuk ia ke haberin ç’do me thënë kombëtar. “Ti je shqiptar i Malit
të Zi!” më tha një ditë një bashkëbisedues. “Jam shqiptar i satëmë!” i thashë.
Ai, i shkreti, u zbeh dhe u mundua të justifikohej: “Kam dëgjuar se je nga
Tivari.” “Jam vërtet nga Tivari”, i thashë. “Por Tivari është shtetërisht në
Mal të Zi, ndërsa gjeografikisht Tivari gjendet në Shqipëri.”
Pastaj,
për ta zbutur disi
shfryrjen time “Jam shqiptar i
satëmë!” i thashë: “Por ti s’ke
faj, se edhe ti një copë HAJVANI je, si
mijëra shqiptarë të tjerë!” Me kaq po e mbyll, se nuk po dua të pëlcas,
t’ia bëj bam, duke numëruar një
për një të gjithë HAJVANLLËQET e kombit
tim.
2 qershor 2021